Detajet e një përgjimi në PS

anazapta

Përgjimet, nga SHIU në breshër

Nga Alqi Koçiko

Raporti që ka hartuar një grup deputetësh të komisionit parlamentar të Sigurisë pas kontrollit të ushtruar në Shërbimin Informativ Shtetëror, ka shkaktuar sensacion, pavarësisht se materiali është sekret shtetëror. Dhe pavarësisht se këto kohë, nuk kanë munguar lajmet e bujshme që pasojnë njëri-tjetrin. Nëse detaje të këtij raporti kanë dalë nga vetë anëtarë të komisionit në fjalë, apo nga pala e hetuar, SHISH, kjo mbetet për t’u verifikuar. Por fakti është që institucioni i inteligjencës në varësi të kryeministrit ka përgjuar vetë kryeministrin; kreu i SHISH që mund të shkarkohet nga Kuvendi i Shqipërisë, ka urdhëruar përgjimin e kryetarit të Kuvendit, e veç kësaj dhe ministrin e Brendshëm, me të cilin Shërbimin e lidh pikërisht natyra e punës. Nuk është harruar me këtë sebep, një rrugë e disa punë, edhe përgjimi i kryetarit të ri të PD-së, Lulzim Basha, një merak ndoshta i kryeministrit Sali Berisha për daljen nga udha e drejtë e beniaminit të vet. Po, Berisha. Sepse sipas verifikimeve të kryera nga deputetët Lutaj, Ndreu e Qefalia (dy anëtarët e caktuar për opozitën në grupin verifikues e bojkotuan procesin), përgjimet në fjalë janë faktuar të jenë kryer në periudhën mars 2013-mars 2014. Me një fjalë, shefi me dy mbiemra i Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika, ka përgjuar opozitën e djeshme dhe njëherësh qeverinë e sotme, që janë të njëjtët persona; kjo me urdhër të kryeministrit të djeshëm dhe deputetit të zakonshëm të sotëm, Sali Berisha.

Përtej anës sensitive të materialit sekret shtetëror, sot mund të kuptohet nën dritën e evoluimit të ngjarjeve, pse ky merak i Berishës. Ishte pragu i fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, dhe nevoja e Berishës për të kontrolluar informacionin mbi lëvizjet dhe negociatat e fshehta ose jo dhe aq të fshehta të kundërshtarëve, rivalëve politikë por edhe të tijve (Bashës) bëhej akute. Aq më tepër që ai është Arkivi (siç është shprehur vetë) dhe veç faktit që “informacioni është pushtet”, duket se ka dhe një thirrje të brendshme biologjike për të ditur e kontrolluar gjithçka.

Gjithsesi, Berisha ndoshta nuk e mori dot vesh në kohë negociatën për aleancën PS-LSI që vulosi fatin e tij politik. Ose e kuptoi, por ishte i pafuqishëm të bënte ndonjë kundër-lëvizje. Tani ujërat kanë rrjedhur dhe situata është kjo që është. Befasia e vërtetë për opinionin publik, nuk është fakti që Berisha ka urdhëruar përgjime të paligjshme, por që shefi i SHISH ka vijuar të jetë nën këto urdhra të paligjshme tashmë jo nga kryeministri që s’la gurë pa lëvizur për ta vënë në atë detyrë, por nga një deputet i opozitës. A ka kufij kamikazllëku politik?

 

Në pritje të Vishos, SHIU

Duket se aktiviteti i ethshëm i SHISH nën Visho Ajazi Likën, ka tentuar të rikuperojë kohën e humbur kur Berisha nuk e kishte nën hyqëm Shërbimin Informativ. Kjo ishte e vërtetë deri në gushtin e 2012-ës, kur presidenti i ri i zgjedhur me 73 vota në Kuvend, Bujar Nishani, ndër dekretet e para që firmosi ishte shkarkimi i “të padurueshmit” për Berishën por jo për shërbimet strategjike partnere, Bahri Shaqiri. Por deri sa t’i binte në dorë institucioni më i specializuar në vend për inteligjencën, Berisha nuk ndenji duarkryq.

Kështu vijmë tek aktiviteti i Shërbimit Informativ Ushtarak, SHIU, që më pas e ndërroi emrin në Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes. Skandalet e përgjimeve nga SHIU janë bërë publike në shkurt 2012, kur vetë ish-kryeministri dhe ish-ministri i Brendshëm Nishani dhanë provat bindëse se ishin përgjuar jo vetëm kryeopozitari Rama, deputetë socialistë, por edhe ish-presidenti i Republikës Topi, prokurorja e përgjithshme Ina Rama, një numër diplomatësh në Tiranë, ish-shefi i SHISH Shaqiri dhe disa gazetarë pranë opozitës së kohës. Berishës i shpëtoi në zemërim e sipër edhe një fakt tjetër: Kur ministri i Brendshëm Tahiri shkriu njësinë e antikrimit ekonomik në tetor 2013, Berisha deklaroi se kjo njësi “kishte dhe dokumente, përgjime të shumta për ministra, deputetë aktualë të PS, familjarë të tyre të implikuar në larje parash të pista, kontrabandë, trafik droge e të tjerë…”. Sa kohë kishte që i mbante njësia në fjalë të dhënat që pretendonte Berisha, dhe përse nuk kishte vepruar nëse i kishte? Duke qenë se flasim për Berishën, arsyeja kuptohet lehtë: Gjithçka bëhej për shantazh, dhe i tillë ishte dhe reagimi i zemëruar i tij.

Ndërkaq, SHIU ishte në dorën e Berishës që në fillim. Pas tragjedisë së Gërdecit, Berisha shkarkoi shefin e shërbimit Hysni Gjergji, një nga disa kokat e “turqve” që e pësuan për atë masakër, por mbase edhe një zhgënjim personal i tij me shërbimin që supozohej t’ja ruante mirë biznesin e të birit. Erdhi Ylli Zyla, dhe përgjimet e SHIU-t morën një vrull të ri. Të paktën nga viti 2010, ky shërbim punoi fort për t’ia kompensuar Berishës mungesën e SHISH-it, të cilit nuk harroi t’ja pakësonte edhe fondet, ashtu si presidencës së Bamir Topit.

 

Specialisti që pranon të flasë

Në këtë pikë, historinë e përgjimeve të SHIU-t e vazhdon një personazh që për natyrën e kuptueshme të punës, kërkon të mbetet anonim. Një njohës dhe specialist i çështjeve të spiunazhit dhe përgjimeve, ka pranuar të flasë për DITA, mbi disa detaje të këtyre përgjimeve.

Sipas tij, pajisja “CDMA Interceptor” që është blerë nga një firmë izraelite në vitin 2010 me një tender shumë të dyshimtë, e cila ka kushtuar 1.6 milion euro dhe shërbente për përgjimet telefonike të trafikut zanor por edhe sms-ve, nuk ishte e vetme, por ka dhe dy simotra. Kjo pajisje u ble për llogari të misionit ushtarak shqiptar në Afganistan, por s’e pa kurrë atë vend.
Kujtojmë këtu se 6 anëtarët e komisionit të ofertave, mes të cilëve dhe ish kreu i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, Ylli Zyla, më pas u kallëzuan në prokurorinë e Tiranës për parregullsinë e blerjes së saj. Mes personave të kallëzuar është dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili sipas burimeve të prokurorisë, është njeriu që ka firmosur urdhërin për hapjen e procedurave formale të tenderimit, në një kohë kur fituesi ishte paracaktuar.

Ndërkaq një pajisje tjetër e sofistikuar, thotë burimi, kostoja e të cilës llogaritet në 1 milion euro, kishte një mënyrë tjetër përgjimi. Ajo kishte dhe një avantazh tjetër “natyror”: U instalua në selinë e ministrisë së Mbrojtjes. Burimi pohon se interceptorët e kësaj pajisjeje kishin teknologjinë të përgjonin edhe një bisedë që kryhej pas xhamave të mbyllura të një godine deri 100 metra larg. Fjala vjen, në selinë e Partisë Socialiste, që ndodhet shumë pranë ministrisë së Mbrojtjes. Si? Dridhja apo vibrimi i xhamave nga valët e zërit, interceptohej dhe transkriptohej në valë zanore. “Për vendosjen e interceptorëve është shfrytëzuar edhe tarraca e selisë qëndrore të Bankës së Shqipërisë, në periudhën e zbrazjes së saj nga stafi për punimet restauruese që ende po bëhen aty”, thotë burimi. Edhe pa njohuri të thella për vendndodhjen fizike të selisë së PS-së, Bankës dhe ministrisë së Mbrojtjes deri dje, është e qartë se “armiku” ishte rrethuar më së miri.

Kështu, në këtë seli janë përgjuar jo vetëm socialistët që flisnin me njëri-tjetrin, por edhe të gjithë vizitorët. Jo më kot, kryeministri Rama do të deklaronte pak muaj më parë se SHIU ka përgjuar edhe diplomatët e huaj.

Vetë kreu i SHIU-t, Ylli Zyla, veç kësaj veprimtarie nuk e çoi dëm kohën gjatë së cilës ishte në detyrë. Urtë e butë, bashkëshortja e tij kishte krijuar një kompani që merrej me import-eksport armësh e materialesh luftarake. Konkretisht, Liljana Zyla ishte aksionere në kompaninë “Wind Sun Water Initiative” që pretendonte te merrej me energjinë e rinovueshme, por ortakët e saj Lorenc Goça dhe polaku Andrzej Izdebeski kishin krijuar në fillim të 2011-ës edhe kompanitë UNIMESKO dhe NITRO-CHEM që deklaronin aktivitetin e tregtisë së materialeve luftarake. Adresa e selisë, po ajo e WSWI-së.

Konflikti i interesit ishte maskuar keq dhe Zyla detyrohet të japë dorëheqjen në qershor 2012. Por çfarë ndodh? Dy muaj më pas, ministri Arben Imami e rikthen Zylën me një maskim po kaq të keq, si shef i Policisë Ushtarake.

 

Mbyllja e qarkut

Gjithsesi, gushti i 2012-ës është edhe periudha kur presidenti i freskët dhe bujar në emërime, Nishani, firmosi largimin e Bahri Shaqirit dhe ardhjen e Visho Ajazi Likës në krye të SHISH. Tani SHIU mund ta merrte më shtruar, se përgjimet dhe akumulimi i paligjshëm i informacionit do të merrej në dorë nga ustai natyral i këtyre punëve. Punë që duket se vazhdon t’i bëjë.

Ndërkaq, largimi i selisë së ministrisë së Mbrojtjes nga fqinjë e selisë rozë drejt Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, zor se është i rastësishëm. Burimi ynë thotë se kur u vendos zhvendosja dhe ardhja në atë ndërtesë e ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, disa njerëz me uniforma erdhën të shqetësuar dhe kërkonin ta sqaronin “këtë punë”. Por vendimi ishte marrë. Disa zyra në katin e dytë, dyert e të cilave gjithnjë ishin të mbyllura dhe ku çdo vizitor nuk lejohej të ndalonte aty, qoftë dhe për të rregulluar frymëmarrjen nga korridoret e gjata, nuk kryejnë më funksionin që kishin dikur. Por disa institucione të tjera e vazhdojnë me “heroizëm” misionin. Për shembull, prokuroria, që ja hoqi një stres ish ministrit Arben Imami me tenderat e reklamave të shpëlara për ushtrinë. Si do të veprojë akuza me tenderat e tjerë, jo dhe aq “të shpëlarë?” Disa të dhëna, të çojnë në ujërat e vjetra. Fjala vjen, një ditë para vizitës së Papës Françesk u mësua se pajisja përgjuese CDMA Interceptor e SHIU-t, dyshohet të jetë djegur qëllimisht, konkretisht, serveri. Punonjësit e SHIU-t kanë deklaruar në prokurori se djegia është bërë në mënyrë aksidentale, si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike. Pikërisht pajisja mbi të cilën pritej të hetohej nëse kishte gjurmë të përgjimit të politikanëve të majtë gjatë kohës që kanë qenë në opozitë, por edhe diplomatëve të huaj. Arsyetimi i të pyeturve është shumë… shqiptar: Pajisja super e shtrenjtë lihej 24 orë në prizë dhe ndonjë luhatje tensioni mund ta ketë djegur serverin, ndaj ky i fundit është ndërruar dhe siç merret me mend, në të nuk ka asnjë gjurmë të dyshimtë. Mesa duket, kishin harruar të bënin një tender për stabilizatorin. A është SHIU nga ato institucione që harrojnë tendera?

 

Prioritetet e çuditshme të Llallës

Në përfundim, megjithëse raporti i plotë i deputetëve të Komisionit të Sigurisë nuk ka dalë, bëmat që fillojnë nga SHIU deri tek SHISH-i janë të qarta. Dosjet dhe çështjet kanë mbërritur prej kohësh në sirtarët e prokurorisë. Por çfarë bën kryeprokurori? Duket se prioritet për të kanë disa spektakle të lira dylekëshe me videon e një sherri të veçuar deputetësh. Apo me një konferencë urgjente shtypi, të thirrur me kaq emfazë sa dynjaja prisnin të bëhej ndonjë mega-zbulim alla Xhovani Falkone apo Paolo Borselino. Kaq i “befasishëm” ishte ky njoftim për marrjen nën hetim të një sherri (për garniturë Llalla shtoi dhe një ndërtim universitar demokrat pa leje), saqë një emision tradicional televiziv pati kohë edhe të organizonte po atë mbrëmje, një puntatë speciale për rastin.

Duket si një prokurori skandinave, e cila dosjen më të rëndë në historikun e vet ka një dackë dhe një grusht parlamentar. Përgjimet skandaloze e të palejueshme të SHIU-t dhe SHISH-it apo biografia e shefave me dy mbiemra nuk duket se janë në axhendën e prokurorisë sonë. Largqoftë pastaj, t’i tërheqë vëmendjen ndonjë prokurori, intervista dramatike e një njeriu si Izet Haxhia, dëshmitar në vetë të parë i ngjarjeve kryesore politiko-kriminale të 24 viteve të fundit në këtë vend. Mbase zotit Llalla i vjen për osh edhe retorika e axhenda “paqtuese e pozitiviste” e mazhorancës së sotme, por Prokuroria e Përgjithshme është institucioni i fundit i një shteti që duhet të ketë luksin të merret me kurim imazhi, me bërje gjoja dhe lojra të lehta që në Shqipërinë e sotme i kupton edhe një… analbafet funksional.

Share This Article
5 Comments
  • Merruni me vrasjet e masakrat e pa denuara ne kete vend,se po ju fut Berisha ne cfaqjet me dacka e me avione ,o socialiste teleshmene!

  • Nje shkrim i qarte, i kuptueshem, sidomos per njerezit e thjeshte qe qendrojne larg ketyre manovrave pas kuintave. Por, te tilla skandale mafioze te SHISH-it, apo SHIU-t, sfumohen dhe mbeten vetem ne shtimin e listes se ketyre bemave ne syte e njerezve. Tani duhet vetem aksion dhe vetem aksion. Mos vazhdoni te na mbushni me doza te tjera urrejtjeje per Berishet, Visho Ajazet, etj, etj. Mjaft, me…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *