“Nuk dua t’ia di se cila kukull vihet në fronin e Anglisë për të sunduar Perandorinë në të cilën dielli s’perëndon kurrë. Ai që kontrollon paratë e Britanisë, ai kontrollon edhe Perandorinë Britanike dhe unë jam ai që kontrollon paratë e Britanisë” – Nathan Mayer Rothschild*
Meqenëse titulli i shkrimit përmban dy fjalë të huaja, më duhet të sqaroj fillimisht kuptimin e tyre në shqip. Fjala showman tregon personin i cili paraqet apo drejton një emision artistik, politik etj. në studio televizive apo në skenën teatrale. Ndërsa fjala establishment (në rastin konkret) tregon strukturën ekzistuese të pushtetit në një shoqëri (strukturën politike, mediatike, të drejtësisë etj.).
Nuk ka asnjë dyshim se Adi Krasta është një nga figurat kryesore dhe me shumë reputacion i skenës dhe ekranit shqiptar prej gati tri dekadash. Është nga ata individë që famën e ka fituar me talent dhe punë të vazhdueshme pa pasur nevojë t’iu lëpihet të tjerëve, as pushteteve dhe as drejtuesve të mediave apo të sektorëve të tjerë. E kam ndjekur qysh në fillimet e punës së tij dhe e ndjek edhe tani me vëmendje.
Para pak ditësh Krasta “shpërtheu” në ekran kundër atij që ai e quan “establishmenti politik” i vendit. Foli shkurt, rreth 20 minuta, por foli ashpër dhe tha shumë. Shpreh bindjen time se, në shumicën e atyre që artikuloi, kishte të drejtë. Ditët që kaluan po tregojnë se disa shqiptarë e injoruan, të tjerë e pëlqyen dhe jo pak e anatemuan. Por duket se fare pak prej të tri kategorive e kuptuan.
Pa dashur të flas hollësisht për shumicën e gjërave që tha Krasta, më duhet të them se dy problemet kryesore që ai pohoi ishin:
1 – Zgjedhjet politike nuk sjellin ndonjë ndryshim kushedi çfarë pasi, megjithëse turmat mashtrohen dhe besojnë se, duke votuar, po zbatojnë të drejtën hyjnore të demokracisë, aleanca e politikës me pasanikët dhe baronët e medias synon ruajtjen e statuskuosë.
2 – Një fenomen i tillë, pak a shumë, shfaqet edhe në vende të tjera me sistem të njëjtë politik, madje edhe në Perëndim.
Gjërat e tjera që tha Krasta, të thëna edhe nga të tjerë dhe që, deri në një farë mase, janë të vërteta, ishin: politikanët tanë të të gjithë krahëve janë të korruptuar dhe hajdutë; kryeministrit i pëlqejnë të fortët dhe të inkriminuarit; opozita politike nuk zgjodhi në krye të saj një person të papërlyer; shumica e medias është nënshtruar ndaj pushtetit ose është shpërblyer, falur ose pret të falet nga pushteti politik; populli manipulohet dhe i hidhet hi syve sepse aleanca e të pasurve dhe e medias me pushtetin politik bën që pushteti dhe pasuria të qëndrojnë të paprekshme nga ata poshtë, pra, nga ne; nuk ka ndryshim dhe as rilindje, por vetëm statuskuo etj.
Në Shqipëri, dhe në botë, ka jo pak individë që i kuptojnë dy problemet apo fenomenet më të rëndësishëm të pohuar nga Krasta, por fare pak prej tyre i thonë hapur dhe i argumentojnë.
Ka 25 vjet që shqiptarëve iu paraqitet sistemi i sotëm politik gati si një projekt i miratuar nga Zoti dhe, nëse konstatojnë ndonjë të metë apo pasojë negative të tij, fajin duhet ta kërkojnë vetëm tek vetja dhe, kryesisht, tek klasa e tyre politike. Vetë sistemi politik paraqitet me eufemizmin “demokraci”, ndërsa ekonomia e tregut përshkruhet herë si çelësi i zgjidhjes së çdo problemi, herë si Hirushja e përrallave dhe, jo rrallë, si një bamirëse e ngjashme me Nënë Terezën.
Në shërbim të kësaj trushplarjeje qëndron një rrjet i tërë mediatik, i shkruar dhe audio-viziv, i ngritur, kryesisht, nëpërmjet krimit, me paratë e trafiqeve të paligjshme ose me korrupsion të kryer në bashkëpunim me kastat politike.
Përbërësit: politikë, biznes dhe media janë tri shtyllat kryesore që përbëjnë themelin e establishmentit sundues. Asnjëra shtyllë nuk qëndron pa tjetrën. Për t’i rezistuar çfarëdo “tërmeti” popullor establishmentit i është shtuar edhe një shtyllë përforcuese që quhet drejtësi.
Ekonomia (biznesi) ushqen politikën, jo vetëm financiarisht, por edhe duke dërguar përfaqësuesit e vet direkt në të gjitha strukturat politike ose duke sponsorizuar zgjedhjet dhe emërimet e “të pavarurve” në dikastere dhe institucione kyçe. Produkti i investuar nga biznesi në politikë i kthehet pastaj përsëri biznesit, shumëfish, nëpërmjet tenderëve favorizues, reklamave të panevojshme dhe të shtrenjta, koncesioneve, blerje-shitjeve fiktive etj.
Shkurt, nga pikëpamja formale dhe kushtetuese, establishmenti politik zgjidhet nga vota popullore por, realisht, ai është i parazgjedhur, i paracaktuar. Ndryshimi me sistemin politik njëpartiak, në këtë aspekt, qëndron në faktin se establishmenti politik këtu shfaqet i copëzuar, i organizuar në shumë parti dhe “lufton” mes vetes me mëtimin se po i shërben popullit. Në të vërtetë, pjesën kryesore të shërbimit ia bën kapitalit, atij që e ka sjellë aty nëpërmjet sponsorizimeve, financiare, mediatike etj.
Kandidati për president i SHBA, z. Bernie Sanders tha para pak ditësh se “Është Uoll Strit-i (Wall Street, bota financiare amerikane- V.M.) që kontrollon Kongresin dhe jo Kongresi që kontrollon Uoll Strit-in”. Nuk do shumë mend për të kuptuar se ata që kontrollojnë ligjvënësit ata kontrollojnë dhe menaxhojnë edhe ligjbërjen, sigurisht, më së pari, në interes të tyre.
Copëzimi i klasës politike në parti apo grupe të ndryshme shërben si valvul shkarkimi për pakënaqësitë dhe zemërimin popullor, duke e drejtuar këtë zemërim sa në njërin krah në tjetrin dhe duke e shmangur kështu akumulimin dhe shpërthimin e pakontrolluar të zemërimit dhe revoltës ndaj gjithë klasës politike si një e tërë. Zgjedhjet politike pluraliste janë momentet e hapjes së “valvulave”. Duket se ke mundësi të ndryshosh gjithçka ndërsa thelbi ka mbetur krejtësisht i njëjtë. “Sikur votimi të ndryshonte ndonjë gjë, ata do ta kishin shpallur atë të paligjshëm”, thoshte Emma Goldman.
Populli është i lirë të “godasë” herë pas here njërën apo tjetrën pjesë të establishmentit por asnjëherë gjithë establishmentin si të tërë. Nëse e tenton këtë atëherë i nxirret përpara kushtetuta dhe i thuhet se ka shkelur rendin juridik, d.m.th. rendin e vendosur dhe të mbrojtur nga establishmenti. Goditja ndaj krahëve të establishmentit quhet liri zgjedhjeje, ndërsa goditja e gjithë establishmentit konsiderohet “revolucion”. Edhe pse krejt establishmenti është përgjegjës për gjendjen e papranueshme, prekja e tij nuk lejohet. Statuskuoja mund të përmirësohet por jo të zhduket.
Në propagandën 25 vjeçare është thënë se media është pushteti i katërt (pas atyre legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor). Pyetja që shtrohet është: I kujt është ky pushtet dhe kujt i shërben ai? Nuk ka dyshim se media është mjaft e rëndësishme dhe e domosdoshme por, ku më shumë e ku më pak, ajo është pjesë e establishmentit dhe në shërbim të tij.
Krasta, me të drejtë, flet për “baronë të medias” por, padrejtësisht, aludon se kanali televiziv ku ai ishte i punësuar, qe themeluar për t’i shërbyer fjalës së lirë. Unë mirëkuptoj zemërimin e tij për, ndoshta, humbjen e vendit të punës, por më duhet të pohoj bindjen time se mediat, si kudo në botë, edhe në Shqipëri, janë thjesht biznes. Biznesi dhe ekonomia e tregut nuk kanë ideale dhe as parime morale. Madje, as nuk e pretendojnë këtë dhe as janë themeluar për këtë qëllim.
Idealistët nuk merren me biznes dhe të moralshmit nuk bëhen miliarderë. “Ne jemi veglat dhe vasalët e të pasurve që ndodhen në prapaskenë.– thoshte ish-kryeredaktori i The New York Times, John Swinton,- Ne jemi kukullat; ata tërheqin fijet dhe ne kërcejmë. Talentet, aftësitë dhe jetët tona janë të gjitha pronë e të tjerëve. Ne jemi prostituta intelektuale”.
Ekonomia e tregut ka një përparësi të padiskutueshme: ajo siguron një rendiment më të lartë në proceset e prodhimit dhe akumulimit të produktit shoqëror, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ekonomia e tregut nuk është tempull i moralit, por “fabrikë” e prodhimit të vlerave materiale. Dhe, të kesh më shumë mallra konsumi material nuk do të thotë se, automatikisht, ke më shumë drejtësi dhe vlera morale.
Siç thoshte ish-këshilltari i Sigurimit Kombëtar të SHBA-së, Zbigniev Brzhezhinski, “Një shoqëri ku përmbushja e nevojave vetjake është normë është gjithashtu një shoqëri në të cilën nuk ka më kritere për të bërë gjykime morale… Nuk ekziston nevoja për të bërë dallim midis ‘së drejtës’ dhe ‘së padrejtës’“.
Pohime të këtij lloji për realitetin, sipas mendimeve të mia modeste për ekonominë e tregut, mund t’iu shkaktojnë dhimbje barku dhe kaq gjithë skotës së derrave të kënaqur. Mirëpo ato vënë në mendim të gjithë ata që udhëhiqen nga ideale, se, fatmirësisht, në këtë botë ka ende njerëz që nuk tundohen nga derrat e kënaqur, por ushqejnë simpati për sokratët e vuajtur.
Edhe në mos qoftë 100% siç thoshte Swinton, e vërteta është se media, në përgjithësi, është në shërbim të establishmentit. Njerëz me dinjitet ka pasur dhe ka ende në media, në Shqipëri dhe në botë, por ky fakt nuk e ndryshon “kodin e punës” së medias. Arritja më e madhe e establishmentit është krijimi i iluzionit se është populli, shumica, që sundon dhe jo vetë establishmenti, pra pakica. Prandaj edhe ia kanë vënë emrin sistemit “demokraci” në vend që të quhet “oligarki “ose qeverisje nga pakica.
Pikërisht këtu hyn në lojë media për të bindur shumicën se është siç thotë pakica dhe se ata, shumica, duhet të jenë të lumtur me statuskuonë, pavarësisht “ndonjë të mete kalimtare”. Për shërbimet e bëra, pastaj, “baronët e medias” marrin shpërblimet e tyre dhe cikli përsëritet pambarimisht.
“Rroftë demokracia (nënkupto kapitalizmi – V.M.) që na lejon me thënë ç’të duam”, thoshte një gjytyrym që s’lë gazetë as shkrim pa komentuar online. Sigurisht që ka jo pak individë që janë të kënaqur me rolin e qenit të lidhur në zinxhirë që i lejohet të lehë gjithë kohën, por nuk mund t’i afrohet askujt për ta kafshuar. Kësaj kategorie nuk i frikësohet askush dhe vjedhësit ia vjedhin shtëpinë apo stanin sa herë t’iu teket. Kafshët më të interesuara për lirinë në pyll janë ato mishngrënëse dhe më të fuqishme, si: luani, tigri, ujku etj., ndërsa shumicës së kafshëve të tjera iu intereson siguria përpara lirisë, sepse liria pa siguri është liri dhe mundësi e të fortit për të ngrënë të dobëtin.
Sigurinë e sjell drejtësia, e cila na qe premtuar se do të jetë e pavarur dhe e barabartë për të gjithë. E pavarur nga kush? – pyesin gjithnjë e më shumë qytetarë. E pavarur nga ata që kanë pushtet t’i emërojnë, gradojnë e çgradojnë sa herë të duan ? Si vështirë të besohet. Në sistemin e socializmit real që përfundoi në 1990 armiku kryesor i drejtësisë ishte politika, e cila e dëmtonte atë qysh në formulimin e legjislacionit dhe, gjithashtu, nëpërmjet ndikimeve të tjera gjatë zbatimit praktik. Në sistemin aktual legjislacioni, përgjithësisht, është formuluar drejt por ndikimi i politikës mbi zbatimin praktik të legjislacionit është ende i madh, tek ne dhe, jo pak, edhe në botën perëndimore. Në skenë ka dalë, gjithashtu, edhe një armik shumë i madh i drejtësisë, korrupsioni dhe paraja, një armik gjigant që më parë ishte liliput.
Popullit i thuhet se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Dhe, kjo është e vërtetë. Por, ka edhe një të vërtetë tjetër akoma më të madhe dhe më jetike: përpara gjyqtarit nuk janë të gjithë të barabartë. Për ata, të ndenjurat e të cilëve pushojnë në kolltukët politikë dhe për ata barku i të cilëve shtrihet në dyshekë me para, thuajse gjithnjë “mungon fakti juridik”, edhe pse të gjithë e shohin këtë fakt duke parakaluar serbes, moskokëçarës dhe shpotitës, arrogant dhe shpërfillës. Për ata që “s’kanë gjë pas shpirtit” dhe si pozitë më të madhe politike kanë statusin e votuesit, fakti juridik është gjithnjë i pranishëm në sallat gjyqësore. Edhe kur nuk duket, supozohet se është në rrugë e sipër për t’u paraqitur në “shtëpinë e drejtësisë”.
“Edhe ne në SHBA, – thoshte ish-presidenti Xhimi Karter para disa vitesh,- kemi të metat tona. P.sh. dënimet me vdekje i kemi rezervuar vetëm për të varfëritë dhe zezakët…”. Sikur drejtësia në Shqipëri të ishte reale, dhjetëra individë djathtas e majtas politikës shqiptare do të ishin tani pas hekurave. Sikur drejtësia e gjyqësorit dhe e qeverisjes të ishte ajo që duhet, qindra biznesmenë dhe zyrtarë shtetëror, që i kanë shkaktuar popullit dhjetëra dhe qindra milionë dollarë dëme nëpërmjet përvetësimeve dhe shpërdorimeve, do të kishin shkuar në burg shumë më shpejt se disa shkelës ordinerë të ligjeve me të cilët janë tej populluar burgjet shqiptare.
Kaq i madh është hendeku midis asaj që propagandohet dhe asaj që shihet saqë vetëm të metët mendërisht dhe të zvetënuarit moralisht mund të mos e vënë re, se për ta pohuar s’bëhet fjalë. Gjyqtarë që zotërojnë pasuri qindra herë më të mëdha se rrogat e tyre mujore janë realisht kriminelë shumë herë më të rrezikshëm se të burgosurit për vjedhje. Jo vetëm pse na kanë vjedhur, jo vetëm pse na kanë tjetërsuar të drejtat tona kushtetuese dhe jo vetëm pse na e kanë bërë atdheun të pabanueshëm, por sepse postin për të cilin i kemi paguar me paratë tona e kanë përdorur kundër nesh, kundër nderit, dinjitetit, të sotmes dhe të ardhmes sonë. Prandaj, ata janë realisht armiqtë tanë dhe meritojnë ndëshkimet më të rënda.
Ata, së bashku me pjesët e tjera të korruptuara të establishmentit ekzistues, jo vetëm nuk janë të interesuar të ndryshojë statuskuoja, por do të bëjnë ç’është e mundur që gjendja dhe rendi i punëve të ruhet siç është. E ardhmja jonë dhe e fëmijëve tanë do të përcaktohet nga fakti se çfarë do të ndodhë me statuskuonë.
Dikush mund të thotë se ne vetë e kemi pranuar këtë lloj sistemi. Pavarësisht nëse njeriu martohet me mblesëri apo me dashuri, çdo individ dinjitoz e ka për detyrë ta studiojë dhe njohë bashkëshortin/en dhe të përpiqet ta korrigjojë. Idealizimi që establishmenti i bën sistemit prej një çerek shekulli është fyes për inteligjencën e njerëzve me integritet moral. Ndërsa puna e palodhur që ky establishment bën vazhdimisht për deformimin dhe keqzbatimin e parimeve të sistemit është lodhëse, zhgënjyese dhe regresive për të sotmen dhe të ardhmen e popullit dhe të vendit.
Gjëja e fundit me të cilën nuk pajtohem me pohimet e Krastës është paraqitja e të huajve si individë që po sfiliten për të na ndihmuar në rrugën tonë drejt së ardhmes dhe progresit. Pa mohuar faktin se fajtorët kryesorë të prapambetjes dhe keqqeverisjes jemi ne vetë, më duhet të them se të huajt në mjaft raste kanë luajtur një rol negativ në mbarëvajtjen e proceseve tona demokratike. Diplomatët e huaj të akredituar në Shqipëri ose duhet t’i përmbahen strikt statusit të tyre diplomatik ose, kur kërkojnë të bëjnë guvernatorin, nuk duhet të sillen dhe shprehen në kundërshtim me parimet që propagandojnë, duke ngulmuar që shqiptarët t’i zbatojnë mbrapsht.
T’u thuash “burrë shteti” dhe “yll në ngjitje” individëve politikë që, në një shtet normal, duhej të ishin në burg apo të takohesh me përfaqësues të botës financiare shqiptare kur ata janë marrë të pandehur nga drejtësia për krime në detyrë, do të thotë se ka një hendek të madh midis fjalëve dhe veprave të tyre dhe se hipokrizia i ka zënë vendin sinqeritetit dhe dashamirësisë.
Shumicën e plagëve të sotme në shoqërinë shqiptare siç janë droga, korrupsioni, prostitucioni, krimi i organizuar etj. na e sollën pikërisht të huajt kur Shqipëria “u hap”. Kur ndodhi kjo hapje, ata, së bashku me kartolinat ngushëlluese për vuajtjet nën komunizëm, na dërguan edhe viruset e mësipërme. Shoqëria e sotme shqiptare, në esencën social-politike, është e njëjtë me atë perëndimore. Ndryshimi midis të dyjave i ngjan ndryshimit midis dy femrave ku njëra është e pasur dhe ka mundësi që me make-up (makiazh) t’i mbulojë thinjat dhe rrudhat dhe, rrjedhimisht të ngjajë më e bukur, ndërsa “gruaja e varfër” vuan më shumë dhe përçmohet më tepër.
Prandaj, unë e mirëkuptoj Krastën por nuk mund ta ndihmoj atë.
************
*Nathan Mayer Rothschild – Bankier dhe biznesmen gjerman me aktivitet biznesi në gjithë kontinentin evropian në shek. XIX.

I madh është Viktori!
I madh është Viktori, “sekretet” kapitalizmit në shesh i a “nxorri”. Veç ngeci kur tha se ne dhe ata jemi njëlloj, tamam si dy gra si nga prapa dhe përpara. Megjithatë, legjislacioni është formuluar drejt, tha, në përgjithësi, theksoi, se në veçanti nuk e thotë që prona private është në fuqi. Pushteti që “establishment” e quan ai pronën private ka në themel të legjislacionit të tij. Kjo është statuskuoja shenjtëruar qysh në lashtësi. Atëhere çfarë statuskuoje tjetër kërkon ai? Herë me zgjedhje e herë me dredhi, evolucion apo (kundër)revolucion ajo ka mbijetuar deri tani. Kur me retorik pushtetin e shpall armik, ke ndërruar llogore, o i uruar, se cakun e ke kaluar, gurë në rrota ke lëshuar. Statuskuo të re nuk sugjeron, as retorikë konstruktive, por rri në pritje “se çfarë do të ndodh me statuskuonë” politike. Çfarë po pret o njeri! Çfarë përcjellë në shoqëri?! Qan për nder e dinjitet dhe pret që ato të vijnë vetë! Kush nuk ndihmon dot as veten e tij, vaj halli për Shqiptari! Kasandra.
Shpërthimi i Krastës!
Krasta shpërtheu më ashpër se tjetër herë,
Demonstroi bukur një libër të tërë.
Gazetar modern i zënë në çark,
Dufin e shpirtit e plasi lart.
Qeveria, tha, është e droguar,
Kështu thotë libri që unë kam lexuar.
Kasandra.
1) Krasta e thote vete se c’eshte ne thelb -a show man-,por jo i gjithi unik: Nuhatjen dhe oreksin i kane edhe Ajo (me buze te fryra) edhe Ai (me kapele republike italokoloniale).
Talenti i tyre eshte i padiskutueshem, por inferior ndaj talentit dhe aftesive te BOSIT, te se Jemes dhe te Shoqerueses se tij, qe dine te bejne gjithecka: a) HEC-in si lavatrice (per 18 vjet vetem ~6 % te punimeve); b) ENERGJI nga plehrat e miqve te Pertejdetit, me teknologji qe Italia nuk e aplikon, sepse i del e shtrenjte dhe s’ja pranon populli “i prapambetur e pisanjos” italian; c)Koncerte artistike si te Gjeneral gramafonit, dikur para 7 prillit; etj. etj..
2) Viktor eshte vertet i madh, por ka nevoje per alegorine ne proze apo vargje te Kasandres.