Të hysh apo të mos hysh, kjo është çështja. Me fillimin e shtatorit dhe sezonit të ri të betejës politike, e cila në fakt ka vazhduar e nxehtë edhe gjatë këtij gushti jo dhe aq vaposës, kupola e Partisë Demokratike duhet të marrë një vendim: A do ta ndërpresë partia më e madhe e opozitës bojkotin parlamentar apo jo.
Vendimi do të merret në ditët e para të muajit që vjen, në një mbledhje të grupit parlamentar dhe strukturave drejtuese ku do të vuloset raporti që do të mbajë PD kundrejt Kuvendit të Shqipërisë. Shenjat e dukshme, deri tani flasin për vazhdim stoik të braktisjes së karrigeve parlamentare. Por siç ndodh rëndom në ajsbergun me emrin selia blu, zhvillimet më të mëdha janë ato që ndodhin nën ujë. Tek e fundit, deri tani, mbi ujë ishim mësuar të shihnim çdo verë vetëm ish kryetarin e partisë, Sali Berishën.
Në fakt, nën shtysën pikërisht të Berishës, demokratët vendosën të bojkotojnë Kuvendin këtu e dy muaj më parë. Deputeti Gent Strazimiri më në fund hasi në gjaknxehtësinë e kërkuar të kundërshtarëve. Sherri fizik i vuri vulën logos së bojkotit demokrat: “Nuk mund të rrimë nën një çati me këtë mazhorancë të dhunshme që po na rreh djemtë më të mirë!” Distancimi i shpejtë i kryeministrit Rama ndaj ngjarjes që përfshiu dhe deputetin e tij Arben Ndoka, nuk piu ujë; as masat që mori Byroja e Kuvendit ndaj dy deputetëve socialistë Ndreu e Ndoka. PD e kishte gjetur kazusin.
Gjatë kësaj kohe, retorika e djathtë shfaqi për të disatën herë një paradoks, nga ata që selisë blu nuk duket se i bëjnë përshtypje: Nga njëra anë, deputetë e zyrtarë të SHQUP-it akuzonin Ramën si urdhërues të rrahjeve, si njeri i lidhur me krimin, si frymëzues e nxitës i kriminelëve, si kapo i trafiqeve etj, e nga ana tjetër zëdhënëset e PD-së i kërkonin një ditë po e një ditë jo, të distancohej nga ngjarja në fjalë.
Zhurma kishte, padyshim, një tjetër synim. Të ndërtonte ngrehinën arsyetuese përse opozita nuk ka ndërmend të jetë e pranishme në votimin e ndarjes së re territoriale e administrative në Kuvend, për diskutimin dhe projektimin e së cilës po merrte prej gjashtë muajsh ftesa të njëpasnjëshme nga mazhoranca. Ftesa që ranë rregullisht në vesh të shurdhër.
Në të njëjtin kuadër të ashpërsimit artificial të klimës politike, presidenti i Republikës gjatë gjithë verës ka kthyer sistematikisht ligje të rëndësishme të miratuara nga mazhoranca e majtë, gjithsej shtatë, ku i fundit ishte ndarja e re territoriale. Por z.Nishani i “tejkaloi pritshmëritë” e Berishës kur hodhi edhe një hap tjetër që mund të jetë gjithçka tjetër, përveçse presidencial: Hyri në replika të drejtpërdrejta politike me kryeministrin, edhe përmes rrjeteve sociale, duke grisur edhe ndonjë copë kostumi institucional që mund t’i kishte mbetur Presidencës. Ndërkaq, deputeti Strazimiri gjatë gjithë kësaj kohe nuk është ndjerë më: E kishte kryer detyrën dhe i meritoi pushimet.
Por planet e verës po mbarojnë se demokratëve u duhet të marrin një vendim. Përgjatë kësaj rruge, ata morën edhe një goditje tjetër: Partia e Shpëtim Idrizit, PDIU, doli nga rreshti dhe mori pjesë në diskutimin dhe vendimmarrjen e reformës territoriale, duke detyruar Lulzim Bashën ta bëjë hasha publikisht. Puna vajti deri aty sa edhe demokrati Kastriot Islami e ironizoi Idrizin me një sentencë nga njerëz të mençur.
A do të hyjë opozita në parlament? Të gjithë shenjat e përmendura më lart, flasin për këmbëngulje në bojkot. Jo më kot, pak ditë më parë qarkulloi një urdhëresë fenomenale e Bashës drejtuar gjithë deputetëve dhe funksionarëve demokratë: Jo vetëm që ritheksohet bojkoti, por askush të mos marrë pjesë në evente që mund të sjellin kontakte me deputetë kundërshtarë, ministra etj, madje u ndaluan edhe takimet shoqërore informale. Urdhëresa nuk specifikonte vetëm rastet kur palët mund të ishin farefis apo krushqi me njëra-tjetrën.
Ky rikthim në direktivat e qarta që regjimi komunist u jepte sportistëve tanë që dilnin jashtë shtetit, për të mos shtrënguar duart me revizionistët dhe imperialistët, duket se nuk i pëlqeu ish nënkryetares së PD-së dhe ish keut të Kuvendit Jozefina Topalli. Ajo vendosi demonstrativisht të marrë pjesë në darkën që pasardhësi i saj Ilir Meta kishte shtruar për nder të homologut japonez Ibuki.
Megjithë urdhëresën, burime brenda PD-së pohojnë se ky “shtrëngim rradhësh” është vetëm sipërfaqësor. Për shumë deputetë demokratë, bojkoti për hir të sherrit të Strazimirit është i sforcuar dhe veç kësaj kundërproduktiv. Shumë prej tyre e mbajnë mend mirë përplasjen goxha më dramatike mes dy deputetëve të sotëm të PD-së, Arben Imami dhe Edi Paloka, asokohe në kampe rivale; e ndodhur në kohëra më dramatike se kjo e tashmja. Lëndimet ishin shumë më tepër sesa thjesht në namuz, e megjithatë asgjë nuk ndodhi.
Ruajtja e frymës luftarake dhe e një atmosfere tensioni në politikë, për ta mund të bëhet edhe ndryshe, duke marrë pjesë në punimet parlamentare e duke denoncuar veprimet dhe mosveprimet e mazhorancës. Është krejt e pamjaftueshme teoria e vjetër e Berishës se “kështu forcojmë rradhët”, sepse ato rradhë që kanë mbetur, vetëm do të rrudhen nga distancimi politik dhe lufta qesharake nga podiumet e deklaratave për shtyp.
Burimet thonë se megjithë aparencën e kreshpëruar, Lulzim Basha është pro hyrjes në parlament. Një kusht i tij mund të ishte ridiskutimi i ndarjes territoriale, por edhe në mungesë të plotësimit, atij i duhet të tregojë se nuk është 100% një Berishë i dytë. Njëfarë presion bëjnë edhe shoqatat që i rrezikon reforma e territorit. Së fundi, drejtori i shoqatës së komunave Agron Haxhimihali bëri pikërisht këtë ftesë: Opozita të ta thyejë bojkotin dhe të diskutojë ndarjen territoriale duke këmbëngulur në variantin me 80 njësi administrative.
Deputeti demokrat Astrit Patozi, në përgjigje të interesimit të gazetës ‘DITA’ lidhur me pjesëmarrjen ose jo të opozitës në sesionin e ri parlamentar, tha se ende nuk ishte në dijeni të ndonjë qëndrimi përfundimtar të partisë së tij për këtë çështje. “Nuk ka ende ndonjë vendim. Pritet që në fillim të shtatorit të mblidhen forumet e partisë dhe grupi parlamentar i PD-së dhe mendoj se atëherë do të kemi një qëndrim të qartë”.
Një tjetër version është që PD të vazhdojë bojkotin të paktën në fillimin e sesionit të ri, për të çeduar gradualisht në mënyrë që të shpëtojë “nderin”. Bashkimi i “çuditshëm” mes bashkisë së Tiranës dhe pushtetit qendror për çështjen e tregut bujqësor të ish uzinës Dinamo, tregon se linjat e komunikimit mes palëve qëndrojnë të hapura.
Nga ana tjetër, nëse në shtator mazhoranca do të nisë zhbirilimin e çështjes së Bankës Qëndrore, demokratët që në mënyrë të përsëritur e kanë mbrojtur guvernatorin, duhet të jenë në pranishëm medoemos. Por nuk është vetëm kjo: Disa sinjale nga ndërkombëtarët mësohet se i bëjnë me dije Bashës se kështu nuk mund të vazhdohet. Analogjia me rastet e freskëta, por në role të anasjellta, mund të gjendet në masakrën elektorale të Tiranës në maj 2011, kur socialistët kishin arsye ku e ku më madhore për ta bojkotuar parlamentin.
Kauza e PD-së është shumë e dobët, ndërsa ajo çka mund të humbë është shumë e madhe. Tani ai është rrethuar nga disa eminenca gri e këshilltarë të rikthyer si Preç Zogaj, që nuk ka munguar ta quajë Bashën “lider të lindur”. Zogaj para tre vjetësh ishte në një pozicion analog, asokohe pranë Ramës.
Dhe ja ç’shkruante ai në gusht 2011 për çështjen e bojkotit: “Opozita duhet t’i thërrasë dhe t’u prijë shqiptarëve të demonstrojnë në rrugë dhe sheshe orjentimin e tyre perëndimor, duke vënë në shënjestër çdo akt që pengon apo vonon këtë aspiratë, siç janë prekja e zgjedhjeve, korrupsioni, kapja e sistemit të drejtësisë dhe shenjat e tjera antieuropiane që oborri qeveritar i prodhon sistematikisht. Por aula e parlamentit duhet mbajtur. Opozita e ka të veten pjesën e vet në atë aulë. Nuk e ka të qeverisë, që ta lëshojë sa herë të lëndohet në sedër. Aula e opozitës është një arenë e luftës dhe qëndresës politike. Ajo nuk mbushet e nuk lihet bosh thjesht për të damkosur palën kundërshtare, por para së gjithash për të treguar se vendi ka shpresë, ka shpëtim, ka alternativë. Ka opozitën”.

as mish as peshk, as frena dhe as gaze….
Po lere ate pd hajdutesh,me mire bosh,se shejtani brenda!
Puna ne PD kamesuar si dikur ne nje kuvend fshati qe nuk zgjidhte nje problem,atehere ngrihet nje fshatatar dhe jep nje zgjidhje!Krye fshatari thote>Ajo pune ashtu eshte por me qene se e the ti e nuk ethashe une nuk behet!
ben kot lulushi,