Thirrjet qesharake për t’i dalë zot… Zotit (!) dhe çfarë provoi ndalimi për 23 vjet i riteve fetare në Shqipëri

anazapta

“Ata që s’duan të arsyetojnë janë fanatikë, ata që s’mund të arsyetojnë janë budallenj dhe ata që s’guxojnë të arsyetojnë janë skllevër”Xhorxh Gordon Bajron

 

Para disa kohësh pata botuar një shkrim me titull “Pse nuk jam antimusliman”. Përmbajtjes së atij shkrimi i qëndroj akoma plotësisht, mirëpo thëniet e para pak ditëve të dy figurave fetare më lanë një ndjesi jo të mirë. Me sa arrij të kuptoj, një pjesë e madhe e figurave të klerit musliman vuajnë shumë nga moskuptimi, keqkuptimi dhe keqinterpretimi i doktrinës së tyre fetare. Në të vërtetë, kjo është një sëmundje që, ku më pak e ku më shumë, i ka zënë historikisht të gjithë hierarkët e klerit të të gjitha feve.

Një imam i xhamisë së “Unazës së Re” në Tiranë, Armand Ali, thoshte se “Për besimin çdo besimtar i sinqertë është gati të japë jetën për hir të Allahut” (gazeta “Tema”, 20 nëntor 2015). Këtu lindin disa pyetje: Çfarë është Allahu? Cili është besimi fetar i Allahut? A ka nevojë Allahu për luftëtarë? Kush e ka sulmuar Allahun që besimtarët të detyrohen të japin jetën për të etj.?

Feja islame është një fe monoteiste, ashtu si edhe feja e krishterë, judaizmi etj., pra është një fe që predikon ekzistencën e një Zoti për të gjithë. Dallimi midis feve monoteiste qëndron tek profetët e tyre, domethënë tek ata emra që ata besojnë se janë transmetues të “Fjalës së Zotit” nga qielli në tokë dhe anasjelltas. Ky ndryshim deri diku ndryshon edhe përmbajtjen e doktrinave fetare. Për këto arsye, njeriu në tokë duhet të jetë i lirë të zgjedhë profetin që i duket më bindës për t’i përcjellë Zotit lutjet dhe kërkesat e tij me qëllimin që Zoti ta pranojë si besimtar të mirë.

Historia e së shkuarës na jep mjaft shembuj se si kleri (i të gjitha feve monoteiste) është përpjekur për të përhapur me dhunë besimin që përfaqëson. Po kjo histori na ka mësuar se përpjekje të tilla kanë qenë të përgjakshme e megjithatë, përgjithësisht, kanë qenë të dështuara.

Fjala All-llah është një fjalë arabe dhe ka të njëjtin kuptim si fjala Zot në shqip. Fakti që në gjuhë të ndryshme përdoren fjalë të ndryshme nuk do të thotë se popuj të ndryshëm apo besimtarë të feve të ndryshme monoteiste kanë zota të ndryshëm. Rrjedhimisht, nëse një musliman është gati të flijohet për Allahun kjo do të thotë se ai është i gatshëm ta bëjë këtë sakrificë për Zotin e të krishterëve, judejve etj. Po, përse duhet luftuar dhe sakrifikuar jeta për Zotin? A na e kërkon ai këtë neve dhe pse na e kërkon? Mos vallë i rrezikohen kufijtë e qiellit të tij, pasuria, nderi, mirëqenia, a çfarë tjetër? Nga kush rrezikohet Zoti që të krijojë një ushtri me besimtarë që të luftojnë për mbrojtjen e tij? Nëse Zoti është i gjithëfuqishëm dhe i plotfuqishëm përse s’e kryen ai këtë mision, këtë luftë pa pasur nevojë që “bijtë e tij” të vriten me njëri-tjetrin?

A nuk tingëllojnë qesharake dhe donkishoteske thirrjet për t’i dalë zot Zotit? A nuk është besimi fetar një çështje e brendshme, një e drejtë e secilit që, në fund të fundit, krijohet apo shuhet në bazë të ndërgjegjes individuale dhe që as formohet dhe as largohet me dhunë? Në Shqipëri, për 23 vjet u ndalua nga shteti ushtrimi i riteve fetare, por ky fakt nuk eliminoi besimin. Në fund të fundit, kush të ndalon të besosh dhe të lutesh apo falesh “nën jorgan”? Sa “besimtarë të sinqertë” dhanë jetën për hir të Allahut (Zotit) gjatë atyre 23 viteve? Dikush mund të thotë se u dënuan disa klerikë. Përse u dënuan ata, pse deshën të mbronin Zotin apo sepse deshën të hyjnë në sinoret e politikës ? Çfarë mund t’i bënin Zotit të mbinatyrshëm qeniet vdekatare të natyrës dhe tokës ?

Edhe luftërat që bëhen sot dhe që shiten si luftëra fetare, në të vërtetë, nuk janë të tilla. Rrënjë të tyre janë faktorët politikë, ndërsa feja shërben si karburant për të ndezur dhe keqpërdorur mendjet e fanatikëve pa mend. Ashtu si qindra shqiptarë pa mend, gjatë këtyre 25 viteve kanë vrarë “për gjakmarrje” duke pretenduar se po zbatojnë Kanunin, të cilin s’e kishin lexuar kurrë, kështu edhe mijëra qytetarë të botës angazhohen në formacione me karakter dhe emra fetar (rasti i ISIS-it është më i fundit) pa pasur kurrfarë njohurish për Kuranin dhe pa pasur kurrfarë idesh për kotësinë e sakrificës së tyre dhe, sidomos, për fundin e dështuar të misionit të tyre. As feja islame nuk e kërcënon Perëndimin dhe as feja e krishterë nuk i sjell kurrfarë dëmesh Lindjes. Ka dhjetëra arsye për të cilat mund të akuzohet me të drejtë Perëndimi, por jo se po sulmon fenë islame apo se po rrezikon Allahun. Perëndimi, jo vetëm nuk e bën këtë, por u ka krijuar të gjitha kushtet qytetarëve muslimanë të Lindjes, të ardhur në Perëndim, që të ngrenë objektet e tyre të kultit dhe t’i frekuentojnë ato pa pengesa. Luftërat që bëhen midis dy anëve, qoftë me avionë dhe raketa, qoftë me bomba dhe kamikazë, nuk kanë si synim t’i ndryshojnë fenë njëra-tjetrës, por kanë si bazë përpjekjet për sundime zonash influence.

Nuk ka mënyrë më të mirë për të diskredituar një doktrinë fetare sesa ta keqpërdorësh atë për qëllime jofetare. Prandaj, do të ishte më e ndershme që synimet reale të mos maskoheshin me terminologji fetare dhe të mos shoqëroheshin me keqpërdorimin e injorantëve kokëboshë duke iu krijuar atyre iluzionin se po luftojnë për Allahun. Zoti (Allahu) nuk ka nevojë për ushtarë, por për besimtarë. Udhën drejt ferrit (xhehenemit, në arabisht), apo parajsës (xhenetit, në arabisht) Ai e cakton bazuar në sjelljet e manifestuara në marrëdhëniet familjare, shoqërore e njerëzore. Për ata që vrasin njerëzit në tokë, të gjitha doktrinat fetare na thonë se rruga për në ferr (xhehenem) është e sigurt. Por nëse ka njerëz që besojnë se Zoti ka dy ose më shumë kritere për vlerësimin e të drejtës dhe të padrejtës, të mirës dhe të keqes, atëherë, këta duhet ta kërkojnë të keqen tek vetja, ose në të kundërt duhet të pranojnë se, Ai ose është i padrejtë dhe s’duhet besuar në të, ose nuk ekziston fare.

Instrumentalizimet me fenë janë shumë më të dëmshme se ateizmi shtrëngues (imponues), prandaj njerëzit duhet të kthjellohen që të mos gabojnë. Më së pari, nuk duhet të gabojnë drejtuesit e klerit dhe pastaj “grigja”. Po të shikosh rrëfimet në video të disa shqiptarëve të marrosur që kanë shkuar në Siri dhe gjetkë në shërbim të ISIS-t, mund të dallosh me lehtësi injorancën e tyre të thellë, si dhe bindjen e tyre të palëkundur se ata janë duke luftuar dhe sakrifikuar për Allahun, bindje që është krijuar nga zbrazëtia kulturore dhe përpunimi djallëzor që iu kanë bërë ekstremistët islamikë. Po ta dinin me saktësi se në shërbim të kujt shkojnë sakrificat e tyre të kota, do të ktheheshin menjëherë të penduar në vatrat e tyre familjare. Dëshirat dhe përpjekjet e kokave të nxehta për të krijuar shtete kombëtare apo mbikombëtare me karakter të mirëfilltë fetar në shekullin e 21-të janë të dështuara qysh në fillimet e tyre. Të gjithë ata individë apo institucione fetare dhe laike që përpiqen ta trajtojnë fenë si manual lufte dhe jo si kod moral janë të paracaktuar të dështojnë me turp. Ashtu siç ka ndodhur historikisht, në të kaluarën e largët dhe të afërt.

Drejtuesi i “Lëvizja Islame” e Kosovës, z. Fuad Ramiqi tha në një studio televizive pak ditë më parë: “Më së pari jam musliman, pastaj shqiptar… Nëse Skënderbeu është Kalorës i Krishterimit, ai nuk është heroi im” (Gazeta ” Dita “, datë 20.11.2015). Këtu duket se ka disa keqkuptime historike dhe morale. Shqiptarët, si popull, duke përfshirë edhe paraardhësit e z. Ramiqi, kanë ekzistuar në trojet e sotme dhe më gjerë përpara ardhjes së fesë islame dhe, madje, edhe para asaj të krishtere. Qenia shqiptar është një fakt, që përgjithësisht, nuk varet nga ne, ndërsa qenia i krishterë apo musliman është një besim dhe ka lidhje vetëm me anën shpirtërore të secilit. Qenia shqiptar shtrihet në të gjithë trevat shqiptare dhe merret me vete kudo ku shkon individi shqiptar, ndërsa përkatësia fetare nuk i kalon kufijtë e vatrës familjare dhe të objekteve të kultit. Qenien shqiptar nuk mund ta ndryshojmë, ndërsa besimin fetar edhe mund ta ndryshojmë, siç kemi bërë historikisht. Qenia shqiptar qëndron përpara përkatësisë fetare pasi, përndryshe, për hir të besimit fetar do të ishim të gatshëm të sakrifikojmë Shqipërinë. Domethënë, nëse na sulmon një fuqi e huaj e besimit të krishterë, atëherë shqiptarët e krishterë do të duhej të viheshin në anën e pushtuesit dhe, po kështu, nëse na pushton një shtet i besimit islam, të gjithë shqiptarët e atij besimi fetar do të duhej të rreshtoheshin me pushtuesin. Qeniet shqiptar dhe musliman (apo shqiptar dhe i krishterë) nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën. Kjo është e sigurt për aq kohë sa përkatësia fetare nuk vihet mbi përkatësinë kombëtare. Në fund të fundit, ato janë nocione të ndryshme ku e dyta tregon përkatësinë etnike, kulturore, territoriale dhe lidhjen shpirtërore midis individëve të së njëjtës bashkësi, ndërsa e para tregon thjesht lidhjen shpirtërore të individit me krijuesin e mbinatyrshëm.

Një epitet që Papa i kohës i pati vënë Skënderbeut si “Atlet i Krishtit” është bërë objekt spekulimesh nga disa historianë dhe, sidomos, nga disa politikanë servilë të momenteve historike. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, familja e të cilit e pati ndryshuar nja tri herë përkatësinë fetare me po aq lehtësi sa shumica e shqiptarëve të tjerë, nuk e braktisi pozitën e tij të lartë ushtarake në Turqinë e kohës për të mbrojtur Krishterimin që e patën braktisur edhe familjarët e tij, por për të çliruar nga pushtuesi tokat e banuara nga shqiptarët dhe të zotëruara nga princat shqiptarë ku bënte pjesë edhe ai i Kastriotëve. Është e vërtetë se në shekullin e 15-të nuk ekzistonte koncepti i kombit-shtet siç është sot, por është po kaq e vërtetë se të gjithë shqiptarët ishin të vetëdijshëm se i përkisnin të njëjtës etni, ndërsa tek shtresa më e lartë shoqërore ekzistonte vetëdija e një prejardhjeje të përbashkët të të gjithë banorëve të hapësirave që zotëroheshin nga principatat shqiptare që flisnin të njëjtën gjuhë. Kjo ishte edhe arsyeja që Skënderbeu arriti të siguronte pjesëmarrjen dhe angazhimin e shumicës dërmuese të princërve shqiptarë në Besëlidhjen e Lezhës për të luftuar pushtuesin turk. Dhe, nuk ka asnjë fakt historik që provon se angazhimi për luftë erdhi sepse pushtuesi ishte i një feje tjetër, por sepse shqiptarët kërkonin, me të drejtë, ta sundonin vetë territorin e tyre dhe të sundoheshin nga princat e tyre dhe jo nga të huajt. Pra, Skënderbeu ishte “Atleti i Çlirimit” dhe jo “Kalorësi i Krishterimit”. Edhe sikur të kishte qenë i tillë ky fakt nuk përbën shkak të përbuzet apo mohohet, sepse në atë kohë edhe paraardhësit e z. Fuad Ramiqi ishin të krishterë. Kështu që, kalorësi i mbrojtjes së paraardhësve të mi është edhe heroi im.

Paqja dhe harmonia midis individëve dhe popujve do të sundojnë atëherë kur të rrënjoset vetëdija se njeriu, pavarësisht ku banon dhe cilës bashkësi fetare i përket, ka të njëjtën vlerë dhe duhet të gëzojë të njëjtën mbrojtje. Prandaj jetët e humbura në aktet terroriste të Parisit janë të njëjta me ato të humbura në avionin rus që u rrëzua në Egjipt, me ato të Bejrutit apo Malit. I konsideroj si sjellje të padenja të shtetit shqiptar qëndrimet krejtësisht të kundërta ndaj viktimave të lartpërmendura ku disa prej tyre nderohen me mesazhe dhe ceremonira deri në shpallje ditë zije, ndërsa për viktimat e tjera nuk dërgohen as telegrame ngushëllimi. Pse?

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *