Pengmarrja e Shqipërisë dhe shteti qesharak i saj

anazapta

“Çdo shoqëri ka kriminelët që meriton” – Ema Goldman (Shkrimtare dhe politikane e shekullit XX)

Në kohët moderne, fjala pengmarrje përdoret më tepër për të përcaktuar sjelljet dhe veprimet e dikujt që merr dhe mban, me dredhi dhe forcë, një apo më shumë persona dhe që e përdor këtë veprim kriminal për të arritur disa synime të caktuara. Nëse arrijmë që me arsyen tonë të çajmë perden e madhe të propagandës mashtruese 26 vjeçare mbi “demokracinë”, “lirinë” dhe “të drejtat e njeriut”, do të mund të vëmë re qartazi se shoqëria shqiptare dhe vetë e sotmja dhe e ardhmja e vendit tonë janë marrë peng nga një grusht njerëzish të cilët janë pjesë e jona, por kanë disa ndryshime prej nesh. Ata janë pjesë e jona, por janë shumë më të pasur se ne, më të djallëzuar dhe të ligj se ne, zotërojnë jo vetëm aftësitë mashtruese por, mbi të gjitha, zotërojnë një korporatë të tërë mjetesh të përpunimit mendor dhe trushplarjes kolektive të shqiptarëve. Në saje të këtyre cilësive ata kanë arritur që me ndihmën që iu japim, e që është produkt i mendjelehtësisë sonë, të bëhen edhe sundimtarët tanë.

E keqja më e madhe është se ata janë bërë dhe po bëhen sundimtarë të mendjeve tona dhe kush sundon mendjen, sundon gjithçka tjetër që i nevojitet. Madje, me një kosto më të vogël se ata që u përpoqën të sundojnë nëpërmjet forcës. Kjo elitë bajgash morale e shpallën veten si shpëtimtarë të kombit në prag të ndërrimit “konsensual” të sistemeve politike dhe na numëruan një varg parimesh e rregullash politike dhe sociale që do të hynin në fuqi aty e mbrapa dhe që do të na bënin të lumtur shumë shpejt. Tani, kur ka kaluar më shumë se një çerek shekulli, del se rregullat dhe parimet e propaganduar kanë qenë demagogji. Ato janë marrë peng prej vetë atyre që i propaganduan. Të lumtur janë vetëm ata, pengmarrësit. Ndërsa ne të tjerët, pra mbarë populli, që si për ta ledhatuar herë-herë e quajnë “sovrani”, jemi të përqeshurit e tyre. Lumturia iu prishet vetëm kur iu hiqet mundësia të vazhdojnë pa ndërprerje sundimin e tyre të përjetshëm. Kur ndodh kjo përqeshja bëhet ngërdheshje dhe ledhatimet ua lënë vendin përbuzjeve, hakërrimeve dhe kërcënimeve.1

Ata na e shpallën pluralizmin politik dhe zgjedhjet e lira si çelësin magjik të “demokracisë”, domethënë të sundimit tonë por, për hir të sundimit të vet, i shkelmuan këto parime dhe nuk respektuan asnjë palë zgjedhje që s’i sillnin apo mbanin ata në pushtet. Shumica prej nesh e mbajnë mend mirë kaosin e 1990-1992 me rrëzimin e disa qeverive, të ardhura në pushtet me votat e lira të shqiptarëve apo edhe me pëlqimin e vetë pengmarrësve të mëvonshëm.

Pasi morën peng parimin për hir të pushtetit, demagogët tanë u shndërruan në gangsterë dhe nisën pengmarrjen e proceseve politike të pluralizmit dhe zgjedhjeve të lira. Proceset zgjedhore u shndërruan në fushata të dhunës verbale dhe asaj fizike, ku gangsterët politikë vunë në veprim banditët e rrugës duke terrorizuar popullin shqiptar dhe, veçanërisht, njerëzit e ndershëm. Kështu, e drejta dhe mundësia e zgjedhjes së lirë u mor peng nga brutaliteti dhe paligjshmëria në proceset zgjedhore. Këtë frymë dhe moral e futi fillimisht PD-ja dhe pastaj nisën ta zbatonin edhe forcat e tjera politike, qoftë për shkak të moralit të tyre, qoftë për shkak të nevojës për t’iu përgjigjur “të fortit me të fortë”. Aleancën e saj me botën e krimit PD-ja e ka pranuar vetë nëpërmjet gazetës së saj RD në vitin 1993, por “e përligjte” duke thënë se “Kjo aleancë do të ishte e përkohshme dhe PD-ja do e riedukonte lumpenin”. Në fakt, ndodhi e kundërta. Lumpeni, rruga, bota e nëndheshme e krimit “e riedukuan” PD-në dhe i dhanë tiparet dhe moralin e vet.

Gangsterët e rrugës u përdorën në vitin 1993 për të penguar hyrjen në Shkodër të drejtuesit të opozitës dhe u justifikuan nga Kryegangsteri politiko-ordiner Sali Berisha, duke thënë se “Çfarë do Fatos Nano në Shkodër? Shkodra u përket demokratëve!”. Më vonë, këta lloj njerëzish u përdorën për dhunimin e votimeve në Libofshë të Fierit dhe kur opozita u ankua për dhunën, Kryegangsteri u përgjigj se ato që ndodhën në Libofshë ishin “buqeta me lule për demokracinë”. Pengmarrja e dhunshme e proceseve zgjedhore u zbatua gjerësisht në zgjedhjet e majit 1996, të deklaruara botërisht si të parregullta. Deputetët e PD-së udhëzonin partinë e tyre në bazë, pak para ditës së zgjedhjeve, se “Është porosi e Doktorit që në qendrat e votimit të vihen njerëz që bëjnë gjithçka”. Dhe ashtu u bë. Kush nuk i mban mend inkursionet e turpshme të gangsterit-President që vraponte nga një cep i Shqipërisë në tjetrin i shoqëruar nga banditët ordinerë, të hipur mbi makina me automatikë në dorë, duke ua kaluar kështu edhe talebanëve dhe anëtarëve të fiseve me prapambetje mesjetare që i shoqëronin ata në zonat fshatare të Afganistanit? Kush nuk i kujton betimet e Sali Berishës në opozitë se “Po të dua e marr pushtetin me forcë me demokratët e Bushatit dhe të Mamurrasit”? Dhe, kush nuk e di se këta “demokratët e Bushatit dhe Mamurrasit” ishin më së shumti kriminelët e rrugës dhe të fortët e lagjeve dhe katundeve prej të cilëve druheshin të gjithë banorët?

Këta të fortë kishin si Komandant të tyre të Përgjithshëm njeriun që ka terrorizuar dhe terrorizon një popull të tërë qysh nga 1990, njeriun që shtypi anglez i 1997 ia cilësonte regjimin e tij si “regjim gangsterësh” dhe shtypi gjerman i 1998 e cilësonte vetë atë si “një ordiner të rrezikshëm”. Arsyeja të udhëzon të konkludosh se regjimet e gangsterëve drejtohen nga kryegangsterë dhe ordinerët e rrezikshëm nuk janë tjetër veçse kriminelë që duhen dërguar në burg.

Në këtë mënyrë u morën peng: Mendimi i arsyeshëm, duke u zëvendësuar me dhunën; debati i argumentuar, duke u zëvendësuar me kërcënimin, me fyerjet dhe shpifjet poshtëruese; rregulli dhe ligji për t’ua lënë vendin “kodeve” të sjelljeve të “të fortëve”. Rezultat i kësaj është përbërja aktuale e parlamentit shqiptar, sjellja dhe veprimet e deputetëve të veçantë dhe e “tufës së deputetëve” që vërsulen me britma dhe kërcënime ndaj folësve kundërshtarë në podium. Gara e alternativave është zëvendësuar me arsenalin e fyerjeve, shpifjeve, etiketimeve dhe kërcënimeve ndaj tjetrit përballë. Detyra për t’i shërbyer më mirë atdheut është zëvendësuar me devotshmërinë për t’i pëlqyer sa më shumë kryetarit të bandës; vota që i është kërkuar dhe marrë popullit me premtimin për t’i shërbyer më mirë përdoret për të shtuar privilegjet vetjake dhe të një rrethi të ngushtë njerëzish.

Instalimi i një “elite” kriminale politike dhe i aleancës së saj me krimin ordiner ka bërë të mundur që në Shqipëri të merret peng jo vetëm mendimi, por edhe e drejta, morali dhe prona. Kjo e fundit u shpall në fillim si “e shenjtë” nga gangsterët politikë, por më vonë, po prej tyre u shenjtërua vjedhja dhe grabitja e pronave të pronarëve të ligjshëm, duke iu mohuar, ende edhe sot, të drejtën e kthimit të pronës.

Në të vërtetë e gjithë shoqëria shqiptare ngjan e marrë peng, e kërcënuar, e terrorizuar. Kemi media vizive dhe të shkruara që përpiqen të na bindin se janë themeluar dhe funksionojnë “për fjalën e lirë”, por përdoren për shantazh ndaj qeverive për të fituar tendera, reklama apo leje ndërtimi, shkurt për të fituar para nëpërmjet shtrëngimit. Kemi partiçka politike të vetëshpallura si luftëtare për demokraci që iu bëjnë shantazh qeverive për të përfituar poste shtetërore apo tendera se, përndryshe, largohen nga koalicionet, gjithnjë “për shkaqe parimore”. Kemi pasur dhe kemi presidentë dhe kryeministra që kërcënojnë kundërshtarë politikë dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura, ashtu siç kemi prostituta që kërcënojnë “VIP”-at dhe “VIP”-a që shantazhojnë zyrtarët e shtetit. Dhe nuk janë pakicë ata që mendojnë se shumicën e “VIP”-ave tek ne e përbëjnë individët pa integritet moral.

Ngjarja e fundit, reale apo e sajuar, ku një bandit ordiner kërcënoi garuesit për rektorë universiteti, ishte sa e turpshme, aq domethënëse, por aspak e çuditshme. Ishte dhe mbetet e dënueshme, por jo e çuditshme sepse në jetën tonë të përditshme kemi pasur dhe kemi me qindra shantazhues. Dhe në krye të tyre qëndron, i palëkundur dhe aspak i penduar, një individ me emrin Sali Berisha. Çfarë është kanosja e një kandidati për rektor universiteti krahasuar me kanosjen, fyerjen, nëpërkëmbjen, rrahjen, burgosjen dhe vrasjen e qindra individëve shqiptarë, madje edhe deputetë; me rrahjen e gazetarëve dhe djegien e redaksive të gazetave; me sulmin me armë ndaj institucioneve shtetërore dhe djegien e komisariateve; me sulmin me avionë dhe me artileri ndaj popullit protestues? Të gjitha këto dhe të tjera i ka bërë qytetari shqiptar me emrin Sali Berisha, ligjshkelësi më i madh i vendit dhe predikuesi më i madh i drejtësisë dhe i ligjit. Por, ai ka mbetur pa u ndëshkuar për shkak se është më “i forti” nga gjithë “të fortët” e tjerë. Është më i forti ndër individët ordinerë dhe ata politikë. Është i fortë jo për shkak të aftësive të tij të veçanta, por për shkak të kapacitetit të tij të jashtëzakonshëm kriminal, si dhe për shkak të deficitit tonë skajshmërisht të madh në formimin moral, intelektual dhe papërgjegjshmërisë tonë shoqërore e kombëtare.

Me të drejtë është thënë se po të provojmë dhe t’i zhveshim mbretërit nga kurorat e tyre mbretërore do të shohim se sa njerëz të vegjël janë shumica e tyre. Po kështu, nëse provojmë me imagjinatën tonë të analizojmë të gjithë sjelljen dhe veprimtarinë e Sali Berishës këta 26 vjet, duke ia hequr më parë breroren që e rrethon për shkak të pozitave politike që ka mbajtur e mban, do të na dalë një individ moralisht i mjerë dhe i fëlligësht, shoqërisht i rrezikshëm dhe ligjërisht një kriminel i klasit të parë. Është i tillë, por është i paprekshëm për shkak të pushtetit politik që ka zotëruar dhe që e ka ende të instaluar, për shkak të infrastrukturës dhe logjistikës që iu japin mbështetje morale dhe praktike krimeve dhe sjelljeve të tij. Duke filluar me disa gra politikane të sterilizuara moralisht dhe intelektualisht që, si të metë të vetme i kanë gjetur faktin që “nuk iu dha plumbin ballit protestuesve të marsit 1997”; që vihen në garë se “kush e do më shumë doktorin”, jo për sytë e tij të skuqur nga urrejtja e çartur për gjithë atë shumicë shqiptarësh që nuk i shërben, por si mirënjohje për postet që iu ka dhënë dikur; që kanosjen e tij të drejtpërdrejtë për vrasjen e kryetarit të opozitës e përforconin me paralajmërimin për “varje tek palma” për ata që protestojnë në shesh, e deri tek ndonjë elmaze, pa elmaz që kohëve të fundit ka mprehur gojën e komanduar nga truri i mefshtë. Kësaj koshereje grerëzash helmuese i shtohet një varg deputetësh të tredhur moralisht dhe të dënuar penalisht si ordinerë dhe, gjithashtu, edhe një kope analistësh amnistues të cilët janë aq të pafytyrë e aq të pamoral sa që e quajnë kërcënim nëse i thua Presidentit të sotëm se “e ke shtëpinë në park”, por nuk e konsiderojnë fyerje dhe as shantazh etiketimin nga S.Berisha të Presidentit të djeshëm si “horr bulevardi”; vënë alarmin pse një kryebashkiak në Lushnjë i thotë (në mënyrë të padenjë) një shtetaseje “ta fus portofolin në gojë”, por iu duket normale dhe e pranueshme që ish-Presidenti Sali iu thoshte qindra mijëra kundërshtarëve politikë se “do ua ngrij buzëqeshjen në buzë” dhe që ish-Kryeministri Berishë, pasi vrau katër protestues, i tha kryeopozitarit se “do të ekzekutoj si një bandit”; e shpallin si krim të padëgjuar që një ministër i tha në Greqi një gazetari të mbyllte kamerën, por s’iu bëhet vonë pse një ish-Presidenti me emrin Sali Berisha pati rrahur e burgosur gazetarë dhe djegur një redaksi gazete. Këta njerëz pa kurrfarë morali kanë dy standarde, dy peshore drejtësie, një për mëhallën dhe një për “Babën”. Në karakter, në moral, në formim dhe botëkuptim janë bijtë besnikë dhe trashëgimtarë pa cene të “Atit” të tyre politik.

Rasti i fundit, i quajtur “Shullazi” ngre disa pikëpyetje dhe hamendje, të cilat edhe janë shtjelluar nga disa kolegë, por unë besoj fort se skenaristi i aferës është vetë lajmdhënësi i saj, se segmente kryesore të Prokurorisë po bëjnë lojëra politike në shërbim të atyre që nuk e duan një reformë dobiprurëse në drejtësi dhe se shumë individë që drejtojnë institucione kryesore arsimore janë njerëz tërësisht politikë dhe pa kurrfarë vlerash morale. Na flitet për kurajë të madhe të “lajmësit” se “denoncoi” aferën Shullazi dhe se paska qenë ai që na paska vënë në lëvizje Prokurorin e Përgjithshëm. Na thuhet, po kështu, se paska qenë Prokurori që paska dërguar në minutën e fundit edhe vendimin e arrestit. Mirëpo ne dhe mbarë njerëzit e thjeshtë vëmë re se ky prokuror dhe kolegët e tij nuk bëjnë asnjë hap për të hetuar dhjetëra kallëzime (në kuptimin që i jep kësaj fjale ligji penal) të bëra në shtyp për krime monstruoze që vetë “lajmësi” i paska kryer dikur. Atëherë, mor lum miku, këtu kemi dy kategori qytetarësh: Të zakonshmit që arrestohen edhe për një fyerje dhe të jashtëzakonshmit, të fortët, të paprekshmit që as nuk hetohen edhe kur akuzohen për vrasje, terror dhe krime të tjera të rënda. Madje, kemi edhe dy kategori “të fortësh”: të fortët e rrugës që kur e mbushin thesin përfundojnë në burg dhe të fortët e politikës që edhe kur kanë mbushur thasët jo vetëm s’i prek ligji dhe nuk i strehon burgu, por na japin leksione për moralin dhe na flasin për drejtësi, drejtpërdrejt ose nëpërmjet “qytetarit dixhital” që është qytetari pa moral. Të dy kategoritë kryejnë krime, por njëra, ajo e rrugës përfaqësojnë botën e nëndheshme të krimit, siç quhet shpesh, ndërsa kjo e politikës përfaqëson botën e mbidheshme të krimit dhe qëndron në parlament. Nuk është e vështirë për të kuptuar se si e ndikon njëra botë botën tjetër dhe cila nga këto dyja është më e rrezikshme për shoqërinë.

Përballë kësaj situate shteti duhet të tregohet dinjitoz. Popullit shqiptar i duhej bërë e qartë pse u arrestua shtetasi Shullazi, sepse u kap në flagrancë duke kryer një krim; sepse policia i kishte urdhrat e arrestit në sirtar dhe i zbatoi vetëm atë natë; sepse dy qytetarët e kërcënuar erdhën dhe denoncuan apo për çfarë? Nëse ka drejtues policie të lidhur me elementë kriminalë duhet të qërohen sa më parë nga policia. Nëse jo, kryeshpifësi dhe gojëqenefi i Shqipërisë duhet paditur në gjykatë. Mospaditja kinse si tolerancë është një akt i papranueshëm, ashtu siç janë të papranueshme, të paligjshme dhe të dënueshme qëndrimet e drejtuesve të Parlamentit që shkelin rregullat e funksionimit parlamentar duke bërë dallime midis deputetëve të tjerë dhe atij që jo vetëm nuk është në burg, atje ku duhet të ishte me kohë, por sot i lejohet dy-e trefish kohë shtesë në foltore për të zbrazur nga goja gjithë gropat e fekaleve morale të shoqërisë shqiptare. Nëse dikush ndien detyrime ndaj tij për ndere të bërë dikur, ky dikush nuk mund dhe nuk duhet të përdorë funksionet shtetërore për shpërblime private.

Me qëndrime dhe sjellje të tilla populli shqiptar është lodhur dhe lëshimet ndaj banditëve nuk janë “tolerancë”, por shkelje e besimit popullor, fyerje e elektoratit dhe gurë nën rrotat e progresit shoqëror. Ata që ndihen moralisht dhe politikisht më afër kriminelëve politikë, ata që tolerojnë zjarrvënësit e Shqipërisë dhe borizanët e luftërave civile duhet të vetëtërhiqen dhe t’ua lëshojnë karriget atyre që janë më të përshtatshëm për atë punë. Bandat e shullazëve duhen dërguar në burg. Bandat e “lajmësve dixhitalë” duhen diskredituar dhe detyruar të përballen me ligjet. Përndryshe, sundimet tuaja bandokratike mos na i shisni për demokraci.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *