Provimi i Matematikës dhe një studim që zbulon mësuesit

anazapta

Nga Petrit Zili

Askush nuk i gëzohet faktit të hidhur që në provimin e maturës në lëndën e matematikës, maturantët kanë dalë shumë keq, disa herë më keq se vitet e kaluara.

Hedhim një sy mbi rezultatet:           Nga 45 032 maturantë në provim u vlerësuan me notën 4 (katër) 10 361 prej tyre ose 23%, me notën 5 (pesë) u vlerësuan 14 779 maturantë ose 32.8%. Me notën 4 dhe 5 gjithsej 25 140, shifër kjo e barabartë me 55.8% të numrit total të maturantëve. Nga ana tjetër kanë marrë notën dhjetë me 50 pikë të plota vetëm 239 maturantë ndërsa janë vlerësuar me notën dhjetë 2 249 maturantë duke pasur parasysh rregullin që maturanti i vlerësuar me 9.5 e lart merr notën dhjetë.

 

Konkretisht: Nota 10.00 – 239, nota 9.9 – 351, nota 9.8 – 470, nota 9.7 – 394, nota 9.6 – 424, nota 9.5 – 371

Në shkolla të veçanta niveli shkon deri në skajet e katastrofës. Në një shkollë fshati me 23 maturantë 16 vlerësohen me notën 4 dhe 7 të tjerë me notën pesë, asnjë 6, 7, 8, 9, 10. Gjimnaze qytetesh që dalin nën 50% pasi mbi 50% e maturantëve janë vlerësuar me katër.

 

Ç’tregon kjo? Fakti që një numër i konsiderueshëm maturantësh janë vlerësuar me notat katër e pesë tregon së pari që toleranca në provimet e maturës ka qenë zero, ekipet e ngritura në funksion të kësaj mature kanë funksionuar perfekt, standardet e zhvillimit të provimit janë kapur bindshëm, vetë maturantët e kanë kuptuar se iku koha e kopjes si “faktor” shpëtues i maturantëve të papërgatitur. Ndërkohë dhe vlerësuesit kanë qenë në nivelet e kërkuara.

Kjo është njëra anë, ndërsa tjetra ka të bëjë me punën e dobët ndër vite me këtë lëndë e fushë mësimore.

Në provimet e maturës provohen dijet e marra ndër vite, është një test që nxjerr në pah se sa ata janë përgatitur në një duzinë vitesh (dymbëdhjetë) dhe e meritojnë apo jo diplomën e mbarimit të arsimit të mesëm të lartë.

Rezultatet e maturës në matematikë të bëjnë të vrasësh mendjen dhe të ngasësh për të gjetur se ku “fle lepuri”. Dhe kjo, krahas domosdoshmërisë së një analize të thelluar shkollë për shkollë e emër për emër, ashiqare nxjerr në pah dobësinë e mësimdhënësve të kësaj lënde, e cila rëndom është mbuluar dhe nga mësues jo specialist.

Nuk janë të pakta rastet kur matematikën e kanë dhënë mësues historie e gjeografie, gjuhe e letërsie, biologjie e kimie, deri dhe mësues me arsim të mesëm bujqësor, duke e ndarë si “plaçkë” lufte e lënë në derë të gjithkujt që ishte mësimdhënës.

Dhe jo vetëm kaq. Vetë mësuesit e matematikës, që kanë bërë një shkollë të lartë, por dhe një master, në mjaft raste kanë nivel të ulët profesional, të krahasueshëm me nivelin e një maturanti mesatar autodidakt. Natyrisht, që matematika ka mësues të përkushtuar, por ndër ta dhe mësues “që i kanë rënë në qafë zanatit”.

Sjellim për ilustrim pak rreshta nga një studim që ka bërë specialisti i mirënjohur i matematikës, Koço Josifi, mbi një paketë prej 68 testesh të rastësishme të kualifikimit të mësuesve të matematikës të arsimit 9 vjeçar për vitin 2014 për 5, 10 apo 20 vjeçarin.

 

Në studimin e tij z.Josifi shënon: Testi është i ndërtuar mbi bazën e rubrikave të mëposhtme:

Dokumentacioni me tri pyetje dhe me 4 pikë në total;

Program lëndor me tri pyetje dhe me 6 pikë në total;

Pedagogjia dhe metodologjia me 6 pyetje dhe me 13 pikë në total;

Komunikimi dhe etika me dy pyetje dhe me 3 pikë në total;

Drejtshkrimi me dy pyetje dhe me 4 pikë në total; dhe

Aspekti shkencor me 22 pyetje dhe me 40 pikë në total.

Nga korrigjimi dhe studimi i 68 testeve del se:

Për dokumentacionin: 22 mësues kanë marrë nga 0 deri në 2 pikë;

Për programin: 7 mësues kanë marrë nga 0 deri në 2 pikë;

Për pedagogjinë dhe metodologjinë: 27 mësues kanë marrë nga 2 deri në 6 pikë;

Për komunikimin dhe etikën: 45 mësues kanë marrë nga 0 deri 1 pikë;

Për drejtshkrimin: 44 mësues kanë marrë nga 0 deri 1 pikë;

Për anën shkencore: 28 mësues kanë marrë nga 5 deri në 19 pikë;

Në shndërrimet në një shprehje shkronjore 21 mësues kanë marrë 0 pikë nga një e mundshme, pra nuk dinë të bëjnë shndërrime në një shprehje shkronjore të thjeshtë;

Në krahasimin e thyesave, gjetjen e thyesës ndërmjet dy thyesave jo të barabarta, 17 mësues nuk janë në gjendje ta kryejnë;

Veprimet me thyesa13 mësues nuk dinë t’i kryejnë;

Shndërrimet me fuqi dhe krahasime, 10 mësues nuk dinë t’i kryejnë;

Veprime brenda rrënjës, 13 mësues nuk janë në gjendje t’i kryejnë;

Nuk gjejnë dot koordinatat e vektorit 8 mësues;

Gabojnë në gjetjen e sipërfaqes së trapezit 3 mësues;

Gabojnë në koordinatat e pikës në plan 32 mësues;

Tek formulat trigonometrike gabojnë mësues;

Gabojnë në gjetjen e gjatësisë së harkut të rrethit dhe elementeve të tjerë 18 mësues;

Në zgjidhjen e ekuacionit thyesor në një mjedis të dhënë gabojnë rëndë 48 mësues;

Gjetjen e kufirit të vlerave të argumentit kur njeh vlerat e funksionit nuk janë në gjendje ta zgjidhin 33mësues;

Gjetjen e thyesës kur di lidhjen midis gjymtyrëve dhe si ndryshon ajo kur ndryshon gjymtyrët nuk dinë ta përcaktojnë 24 mësues;

Gjetjen e koeficentëve të ekuacionit të fuqisë së dytë kur di rrënjët nuk e zgjidhin dot 32 mësues (formulat e Vietës);

Gabojnë në gjetjen e pikëprerjeve të parabolës me boshtet koordinativë dhe gjetjen e syprinës së trekëndëshit që përcaktojnë pikëprerjet e parabolës me boshtet 23 mësues;

Nuk gjejnë dot max dhe min kur jepet ekuacioni i parabolës 23 mësues;

Nuk gjejnë dot brinjën e trekëndëshit kënddrejtë 34 mësues;

Nuk gjejnë dot brinjën e katrorit 14 mësues;

Gabojnë në sipërfaqen dhe vëllimin e sferës 35 mësues;

Gabojnë në gjetjen e probabilitetit të ngjarjes 32 mësues.

E pra, janë mësues me të paktën 5 vjet përvojë pune, janë mësues që kanë bërë “eksperimente” me nxënësit e tyre. Kur mësuesit bëjnë gabime të tilla është herezi të besosh në nivele të larta testimi të maturantëve apo nxënësve të klasave të ndryshme. Një mësues që nuk di për vete, nuk ka se si të vlerësojë nxënësit e tij dhe, më e keqja mundet dhe të vlerësojë gabim, kur nxënësi është shprehur mirë, drejt e saktë.

Qeveria e Rilindjes filloi punë së bashku me fillimin e vitit të ri shkollor, me një numër të konsiderueshëm mësuesish me kontratë të lidhur, jo rrallë thjesht për hir të politikës së ditës, pra trashëgoi dhe një numër të konsiderueshëm mësuesish thjesht “të pafatë”.

Provimi i matematikës dhe jo vetëm, duhet të jenë brumi i analizave vjetore në shkollat përkatëse, mbi të gjitha në instancat e larta drejtuese të arsimit për të gjetur shkaqet dhe marrë masat e duhura që gjendja të ndryshojë si në shumë fusha të tjera të jetës.

Këmbana e alarmit ka rënë duke na treguar se ku e kanë katandisur arsimin.

Zëvendësministrja e arsimit dhe sportit, në një takim me specialistët me të drejtë ka dhënë porosinë që nuk duhet të merremi me të shkuarën e arsimit, por të planizojmë të ardhmen. Drejtë e ka zonja Malaj, por kjo trashëgimi nuk të lëshon dot, nuk mundesh të mos e kujtosh, rëndësi ka të mos e vajtosh e të përcaktosh rrugët, format e mjetet për të dalë nga bataku.

***

Muça: Të pathënat e provimit ku ngelën 10 mijë maturantë

Bashkim Muça

Bashkim Muça është Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit, ndërsa në këtë intervistë të shkurtër për gazetën DITA ai ka treguar disa nga aspektet kryesore mbi provimin e matematikës për maturën shtetërore. Pse sivjet numri i maturantëve ngelës ishte mbi 10 mijë dhe si u organizuan provimet. Çfarë tregon rezultati dhe pse i njëjti fenomen ndodh dhe në maturat e vendeve të tjera Evropiane. Ku çalon sistemi parauniversitar dhe specifikat e mësimdhënies për lëndën e Matematikës

Zoti Muça, në cilësinë e Kryeinspektorit për Arsimin, mund të na përshkruani shkurtimisht çfarë ndodhi me testin e matematikës për maturën shtetërore?

Fillimisht dua t’iu them se këtë vit, skema funksionoi. Kuptohet jetojmë në Shqipëri dhe mund të ketë dhe eksese por në pjesën dërrmuese, provimi për matematikën ka qenë mëse rigoroz. Ishte shumë e vështirë të kopjoje dhe të manipuloje sistemin. Ishte thuajse e pamundur të siguroje testin paraprakisht. Në të gjithë vendin ka pasur 212 qendra provimi të shpërndara.  Këto qendra ishin në shkolla. Ne ndërtuam një strukturë ku çdo hallkë kontrollonte tjetrën. U krijua një zinxhir, ku hallka e parë ishte administratori që është mësuesi që ruan nxënësit në klasë. Më pas ishte hallka e dytë, përgjegjësi i katit. Më pas vinte dhe menaxheri i qendrës së provimit. Ky ishte personi kryesor që drejtonte mbarëvajtjen e provimit  për qendrën. Për qendër, kontrollorët ishin të zgjedhur rastësor por jo të shkollës, por thjesht të lëndës. Pra ata që kontrollonin, nuk kishin asnjë lidhje të mëparshme me ata që testoheshin.

Mund të përmendni një detaj kyç të këtij viti që nuk ka ndodhur në vitin 2013?

Menaxhimi. Ishte thjesht menaxhimi dhe organizimi që u bë vetëm e vetëm me një qëllim, që teza të mos hapej dhe që të mos lejohej kopjimi në klasa. Kaq.

 Si komentohet mes jush një numër kaq i lartë ngelësish në tezën e matematikës?

Shikoni, janë rreth 25 për qind të ngelur, por për lëndën e matematikës, shifrat e maturantëve ngelës nuk janë më të ulëta edhe në vendet e tjera. Matematika është një lëndë jo e lehtë. Madje të tilla kanë qenë përmasat e ngelësve dhe para viteve ’90. Në thelb menaxhimi i mirë i testimit dha rezultat duke penguar kalimin pa meritë të atyre që nuk kishin haber nga matematika. Nga ana tjetër në Shqipëri ndodh një fenomen ku mësuesit gjatë viteve të gjimnazit tolerojnë me nota shumë nxënës. Kjo u lejon atyre që të futen në provimet e maturës. Pjesëmarrja e nxënësve në provimin e maturës është ndër më të lartat në Shqipëri. Futen mbi 90 për qind e maturantëve. Disa dhe në mënyrë të pamerituar. Për shembull dikush që e meriton notën 4 në matematikë, mund të jetë vlerësuar me 5 ose me 6 nga mësuesi. Kur ka hyrë në testin e maturës ka dështuar. Pra përqindja e lartë e ngelësve në provimin e maturës i dedikohet dhe këtij fenomeni.

Zoti Muça, DITA disponon disa detaje nga një studim që flet për një gjendje të mjerueshme të formimit dhe përgatitjes së mësuesve të matematikës në vitet e fundit. Juve e keni të konstatuar një problem të tillë?

Përgjithësisht mësues të mirë matematike vërehen tek brezi i mësuesve mbi 40-vjeç. Është fakt i njohur se në vitet 90-2000 dega e matematikës thuajse u braktis. Madje dhe në dekadën e fundit, në këtë degë, ndryshe nga sa ndodhte më parë nuk shkojnë studentët më të mirë. Nuk është një lëndë e preferuar dhe ka një problem në këtë pikë. Kjo situatë sigurisht që ka sjellë rënien e cilësisë në mësimdhënie në këtë degë dhe përbën një problem në këto dy dekadat e fundit.

Share This Article
2 Comments
  • Studimi i matematikanit Koço Josifi, e ka dhene shkakun per kete; mesuesit kane shume mungesa ne formimin e tyre, deri ne piken kur mund te thuash, pse lejohen te japin matematike keta individe. ose duhet ri-tranjuar ose te largohen perfundimisht.

    Po flasim per koncepte baze:

    Megjithese eshte grup i vogel, (me dobesi) ne dokumentacion jane ~30%,
    ne progam ~10%
    komunikim / etike ~ ~75%
    Thyesat ~25%
    veprimet ne fuqi ~10%,
    brenda rrenjes ~15%
    S’kuptojne vektorin, harkun, ekuacionin nga 10 – ~70%
    brinjen e trekendeshit kendrejte, katrorit, siperfaqjen e trapezit 12%~45%
    dhe te gjithe kane “te pakten 5 vjete pune!”

    Perqindjet jane me perafri, por rendesia qendron tek brezi i ardhshem qe mesohet nga persona me mungesa serioze ne Matematike. Shume vende te botes ne zhvilim po i japin rendesi arsimit duke krijuar gjenerate kompetitive, te cilat neser do dominojne tregun, investimet dhe nivelin e zhvillimit te nje vendi.

  • Provimi i sivjetem i MATEMATIKES u zhvillua me kerkese teper te larte nga stafi pedagogjik dhe pa dyshim vleresimi me i mire i takon Inspewktoriatit Shteteror te Arsimit,ku zoti Bashkim Muca ka meriten kryesore ne organizimin dhe drejtimin e tij me nivel shkencor!!!
    Rezultatet e dobeta ne kete provim NXORREN ZBULUAR DIFEKTET SKANDALOZE TE ARSIMIT DHE SIDOMOS ATIJ TE MESEM ne kete lende!!!
    Ketu te con prakltika IDIOTE qe eshte zbatuar per vite me radhe kur matematiken e japin mesues te fillores,veterinere,agronome,nxenes te shkolles se mesme etj!!!
    E njeta situate ka qene edhe ne caktimin e ministrave apo zv.moinistrave pa arsimin perkates te tipit Arben Imami,aktor,minister mbrojtjeje dhe Drejtesie,Bujar Nishani oficer pa Akademi Ushtarake,minister Drejtesie e i Brendeshem,pa folur per KRYE TURPIN,President i Republikes!!!
    Nard Ndoka,hidraulik,minister i Shendetesise,Kastriot Islami,mesues fizike,minister i Finances e te Jashtem etj!!!
    Kishim dikur nje Lenka Cuko,tani i kemi te gjithe si Lenka Cuko!!!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *