Adrian Thano
“Për punë dhe jo për look” – më thotë Edi Rama kur e pyes se si do ta përmblidhte me pak fjalë ekipin e ministrave që do të zgjedhë.
Kjo intervistë është fokusuar tek struktura e re e qeverisë, ashtu si edhe intervista ime e djeshme me Ilir Metën.
Intervistat që do kisha vërtet dëshirë t’u bëja Ramës dhe Metës mbeten ende në tentativë. Megjithatë, qeverisja e re është hë për hë, pritshmëria më e rëndësishme e momentit. Sfida e parë e Ramës është realisht ekipi, administrata e re, parimet mbi të cilat këto do ngrihen dhe funksionojnë, qëllimet dhe afatet.
Si edhe Meta dje, Rama sot jep përgjigje të shkurtra. Të shpresojmë që do jetë qeveria e fjalëve të pakta dhe punëve të mira, pra të shpresojmë si fillim që do marrë fund shpërdorimi banal dhe eklektizmi në raportin qeveri-publik; që nuk do ketë kjo qeveri atë nevojën e panginjur të Berishës për ‘madhështinë dhe spektaklin’ e që do marrin fund ato daljet e pafundme idiote e ai karagjozllëku i përditshëm e i neveritur në ekrane që Kico Blushi ia ka gjetur emrin saktë: vetëkarfosje.
E pamë se ç’mund ti bëjë njeriu-njeriut. Të shpresojmë që, në mos tjetër, të arrijmë të marrim frymë pa u mbytur nga ligësia.
Opinioni publik e di ndërkohë që Edi Rama do ta ketë vështirë. Jo vetëm pse do ti gjejë gjithë zyrat e shtetit me nga një fitil të ndezur, por edhe sepse ai burri i vogël me ego të madhe që ka përballë është një plak i frikësuar që do ta kërkojë sherrin si qen.
Sapo na e (ri)dëshmoi që s’ka rëndësi sa vrapon njeriu; nuk mund të largohet kurrë nga vetja.
Më poshtë, pyetje-përgjigjet me kryeministrin:
Z.Rama, kur prezantuat strukturën e qeverisë së re thatë se “struktura e re ka shumë më tepër mundësi për të krijuar kushtet që të prodhojmë rezultate me shumë më pak shpenzime nga taksat e qytetareve”. Për sa më pak shpenzime bëhet fjalë?
Do të bëjmë më në fund, pas kaq shumë vitesh fryrjesh e stërfryrjesh të organikave të ministrive e të institucioneve të këtij shteti, një reformë të thellë rrënjësore që nuk është qëllim në vetvete po operacion për të shpëtuar shtetin nga mbingarkesa e parazitëve në trup. Po ju jap vetëm një shembull: Administrata civile e Ministrisë së Mbrojtjes ka sot më shumë njerëz se ç’kishte në periudhën pas kapjes së “grupit armiqësor” në ushtri gjatë Luftës së Ftohtë! Një kapicë me struktura parazite që thithin përditë para nga xhepat e popullit e gjak nga trupi i Shqipërisë dhe në këmbim kthejnë korrupsion e kalbëzim të shtetit. Ose raprezentanca jone ushtarake në NATO eshte me e fryre ne numer se perfaqesite e thuajse gjysmes se vendeve te NATO-s. Nderkohe, e gjithe kjo mbipeshe e kesaj ministrie ka trashur jo vetem trupin po edhe trurin e shtetit ne ate sektor deri ne piken ku ne Strategjine Kombetare te Sigurise se ketij vendi ende shkruhet se kemi objektiv anetaresimin ne NATO (!) Kuptohet mund te thote dikush, sepse as ministri e as shefi i shtabit s’kane kohe te merren me mbrojtjen se jane te zene prej vitesh te tera me sulmin në xhepat e në pronat e ushtrisë… Çfare turpi kombetar në sytë e NATO-s dhe çfare talljeje propaganda shurdhuese “Shqiperia ne Nato!”…
Z.Rama, ju përdorët shpesh për shumë ministri termin “reformë të brendshme strukturore”. Çfare do të thote kjo? Përshembull çfare do të thotë që Ministria e Brendshme do ketë reformë të brendshme strukturore?
Do të thotë shkurtim drastik i strukturave parazite. Edhe në Ministrinë e Brendshme ka plot të tilla. Mjaft të shohësh si është fryrë prej mishit të huaj të militantizmit, klientelizmit e korrupsionit Drejtoria e Përgjithshme për të kuptuar thellësinë e operacionit që lypset.
Cilat ministri të tjera mendoni që do preken më shumë nga shkurtimet bazuar te kjo strukturë e re?
Kam vënë re me keqardhje se kur ne flasim për reformë strukturore, kundërshtarët flasin për spastrim. Ne s’do bëjmë spastrim, po pastrim! Dhe pastrimi s’do nisë nga qëllimi për të hequr njerëz, po për të hequr parazitët e panumërt që gëlojnë në strukturën e ekzekutivit nga qendra në gjithë territorin. Ndërsa për njerëzit jemi shumë të qartë, kush e meriton do qëndrojë kush jo, do largohet. E se kush e meriton e vendos konkurrenca jo partia.
Çfarë është ministri i Administratës? Me çfarë do merret dhe pse e gjykuat të domodoshëm një post të tillë?
Departamenti i Administratës Publike që në 2005 u spostua si xhep fallco në Ministrinë e Brendshme, do të kthehet në Kryeministri. Dhe do të jetë nën mbikqyrjen e Ministrit që do të drejtojë Axhendën Dixhitale si edhe projektin e Bazës Kombëtare të Burimeve Njerëzore.
U tha që do jetë qeveria me më shumë gra në historinë e qeverisjeve shqiptare. Është e vërtetë? Nëse po, sa gra do ketë në qeveri?
Nuk mund t’ju jap numrin e saktë por mund t’ju them se si qeveri e një koalicioni që ka për bosht aleancën PD-LSI, dy parti me theks programor e organik në çështjet e barazisë gjinore, qeveria e re do ketë po, në përmbajtjen e vet më shumë gra se çdo qeveri tjetër në historinë e këtij vendi. Dhe kjo prirje do të ndikojë përzgjedhjen e njerëzve në të gjitha nivelet e drejtimit të ekzekutivit.
A ka patur dakordësi të plotë mes jush dhe zotit Meta për këtë strukturë?A kishte ndonjë propozim të tij që ju e rrëzuat ose e anajellta?
Mos na marrim më sysh – thonë plakat. Po realisht deri tani çdo gjë ka shkuar më mirë se shumë mirë. Përtej shakasë, duhet të them se po punojmë me mirëkuptim të plotë dhe po kaq e rëndësishme, me efiçencë maksimale.
Pyetja e pashmangshme. Sa ministri do ketë LSI në qeveri?
Nuk po ndërtojmë një qeveri parcelash, po një qeveri që do funksionojë si skuadër në frymë, strategji, taktikë e aksion. Po përpiqemi t’u gjejmë punëve të qeverisë njerëzit më të përshtatshëm jo vetëm si individë, po edhe si lojtarë të një skuadre dhe jo njerëzve punë në qeveri. Duam një skuadër që të punojë e sakrifikojë, ministra që të mos kenë orar e kufij lodhjeje, njerëz që ta mbajnë karrigen me rezultate të mundimshme dhe jo ta konsiderojnë karrigen si rezultatin për t’u shijuar. Dhe sigurisht duam po ashtu një parlament që të ligjërojë me cilësi, jo si apendisit i ekzekutivit po si tempulli i rilindur i aspiratës së shqiptarëve për një demokraci funksionale.
Ndarja e Ministrise se Energjise ka te bëjë me projektin TAP?
Jo, do të ndahej edhe pa TAP-in, për të cilin ne do të ngremë një Task Force të posaçme në bashkëpunim me kompaninë Sokar.
Partite aleate të vogla në koalicionin e majtë…. Si do jetë formula e përfshirjes së tyre në strukturën e re?
Formula është e njëjtë si mes PS e LSI: s’u gjejmë punë njerëzve, po punëve do t’u gjejmë njerëzit. Dhe për këtë do të kërkojmë padyshim edhe kontributin me burime njerëzore të gjithë aleatëve tanë.
Ndonjë koment për procesin zgjedhor të kryetarit të ri të PD ose për vetë Lulzimin si pasues i Berishës?
Asgjë e re në atë front.

“koalicioni qe ka per baze boshtin PD-LSI ….. ” lapsusi juaj ky apo i Rames?