Vishua bëhet vishnje, por tymnaja ende nxin

anazapta

Nga Bedri Islami

Këto ditë, të gjithë njerëzit që kanë ende durimin për të ndjekur cic-micin e politikës, u njohën me një dokument, çuditërisht pa asnjë datë, që shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, i “dërgonte Qeverisë”, (paralelisht ose më parë, ndoshta edhe PD-së), me daten 19 mars, “në pistën e Gjadrit, është ulur një avion tip “Charter”. Pas uljes së avionit, shumë afër tij erdhi dhe u afrua një automjet tip furgoni, me ngjyrë të bardhë, i mbyllur, me targa të Vlorës. Ky avion vjen dhe ulet shpesh në aerodromin e Gjadrit“.

Lë të kuptohet mes rreshtave, se mes njërës palë dhe tjetrës ka pasur një trafikim droge, që meqenëse avioni vjen shpesh herë, tashmë është bërë rrugë e zakonshme; dhe kjo duhet të jetë një drogë e fuqishme, pasi nuk ia vlen barra qeranë të vijë një avion për aq kanabis sativa, sa mund të mbartë një furgon i bardhë. “Informatorët” janë disa që banojnë aty rrotull, të cilët e kanë parë avionin. Çudia më e pazakontë është se një orë pas uljes së avionit dhe rreth 40 minuta pas ngritjes së tij, në vendin e krimit, gjenden edhe dy punonjës të Shërbimit Informativ. Normalisht, banorët vendas të asaj zone, të cilët ishin edhe burim informacioni, kur shohin diçka të pazakontë, lajmërojnë menjëherë policinë e shtetit, sepse në fund të fundit, numrin e tyre kanë. Edhe nëse pranohet se ndonjëri nga fshatarët ka qenë e vazhdon të jetë bashkëpunëtor i këtij shërbimi, çka është në të drejtën e tij, vështirë do të ketë qenë për të, të dekonspirojë veten, por edhe të bëjë të paditurin njëkohësisht. Sepse, nëse aty do të kishte qenë një njeri i Visho Ajazit, ky i fundit, të paktën do e kishte mësuar se mund e duhet të merren të dhëna më tepër se kaq. Të paktën targën e “furgonit të bardhë” nga Vlora, etj.

Në informacionin e zotit Ajazi kanë mbetur pa u thënë vetëm dy gjëra: se makina e ardhur nga Vlora kishte të shënuar me gërma të mëdha në ngjyrë rozë “Rilindje” dhe se trafikantët , para të iknin kishin thirrur me të madhe “Rroftë Edi Rama”…

E gjitha kjo është më shumë se qesharake. Dhe si duket, duke e ndjerë se e teproi me zellin e tij për të krijuar një shou politik me ngjarje që kanë rëndësi për të gjithë, kur gjithçka po zbardhet marramendshëm shpejt, zoti Ajazi shpejtoi të bëjë dje një deklaratë të dytë, se, “nuk ka asnjë informacion të vërtetuar që implikon Forcat e Armatosura në trafikun e drogës”.

Atëherë pse u ngrit e gjithë kjo stuhi “opozitare” dhe nga kush e mori sinjalin PD se është koha e duhur për një përbaltje të re të shtetit të tyre? Si është e mundur që media e lidhur ngushtë me ish-qeverinë e inkriminuar dhe përmes saj edhe me SHISH-in, ka në duart e saj materiale të klasifikuara, të cilat janë të lexueshme vetëm për disa titullarë të domosdoshëm në raste të tilla? Aq më shumë të një çështje kaq madhore sa trafikimi ndërkombëtar i drogave, dhe aq më tepër përmes strukturave të mbrojtjes së një vendi antar të NATO-s?!

Informacioni i Ajazit ishte i njëjtë me ato mesazhet e përgatitura nga Berisha: stili i njohur, metoda e njëjtë: akuzohet gjithçka, por në mjegull; përmes së cilës mund të dalësh pastaj. Pra, duke bërë sikur po thua gjithçka e në fakt nuk sjell asnjë dëshmi. Është metoda më e njohur dhe më e dashur e berishizmit.

Por le të pranojmë se informacioni ishte jo i përgatitur qëllimisht. Gjithësecili institucion që merret me çështjet e inteligjencës dhe të sigurisë do e kishte pranuar një informacion të tillë, dyshues dhe aspak konkret, nëse ai do i kishte ardhur nga një bashkëpunëtor në terren, me kusht që edhe ai vetë të mos jetë shumë i përgatitur. Pra, të jetë fillestar. Por askush, dhe në asnjë rast, nuk do të kishte pranuar një informacion të tillë nga shefi i Shërbimit Inteligjent të vendit, detyra  e të cilit nuk është të ngrejë dyshime serioze mbi thëniet e disa fshatarëve anonimë, por të dëshmojë shumë më tepër se kaq. Nëse niveli i Shërbimit Informativ të Shqipërisë është ky, atëherë është e kuptueshme përse po ndodhin gjëra kaq të pazakonta; të cilat çuditërisht po ndodhkan menjëherë pas ndërrimit të pushtetit, por që duken qartësisht se janë një sinjal i dhënë nga brenda për krijimin e një mjedisi mbytës.

Unë besoj se niveli i këtij Shërbimi, është shumë më lart se e gjithë kjo letër e padenjë edhe për një informator fshati, e jo më për kreun e një Shërbimi, i cili, në mos tjetër, ka edhe përvoja të tjera informuese. Mendoni për një çast BND- në e shtetit gjerman, i cili i dërgon strukturave të larta të shtetit, “dyshime” të paverifikuara, kur detyra e saj është të bëjë verifikimin e tyre.

Problemi është më i thellë se kaq dhe me pasoja më të rënda nga sa duken. Prej kohëve, PD-ja, shkallmuese e njohur e çdo institucioni të pavarur, ku gjente gjithnjë armiq e puçistë, është shfaqur tashmë si mbrojtja më e madhe e tyre. Në fakt, duam apo nuk duam, ata janë edhe kështjellat e mbrojtjes së tyre, të cilat i kanë zaptuar me kohë e me vakt. Shërbimi Informativ Kombëtar është njëri prej tyre. Nëse dikush ka patur dyshime për këtë lidhje simbiozë, letra e publikuar së pari pa adresim në parlament nga një deputet i akuzuar për korrupsion, e më pas e botuar në mediat e qeverisë së djeshme, i heq të gjitha.

Analistët, po ashtu ” të pavarur”, hoxhistët e çuditshëm dhe të “dinjitetshëm”, bënë menjëherë kukuvajkën e përfundimit të shtetit, thanë alternativa dhe të dukej se secili prej tyre ishte pjesë e Shërbimit Informativ Kombëtar. Në të vërtetë, ky i fundit, në struktura të larta të tij, dëshmoi veten si seksion i PD-së, dhe për më tepër një seksion politik thellësisht militant.

Por duhet pranuar se në SHIK ka mjaft njerëz të ndershëm, të cilët edhe pse nuk flasin, ruajnë ndershmërinë e tyre, ashtu si ka edhe mjaft të tjerë, të cilët, për “hatër të partisë mëmë, PD”, janë gati t’i bëjnë gjëmën vendit. Thurja e një informacioni të tillë, mbi bazën e “dëshmisë” së disa banorëve, është një prej këtyre rasteve.

Në reagimin e tij të djeshëm, zoti Ajazi, duke e ndjerë se loja shkoi tej asaj që ishte menduar, e sfidoi hapur Berishën. Sidoqoftë “bomba” e rradhës u hodh, Vishua vërtet u bë vishnje nga turpi i lajmit të vet, por tymnaja ende nxin. Sado që tani deklaron se nuk ka asnjë informacion të vërtetuar, e keqja u bë, kali i PD-së është në revanin e zakonshëm, ata që deshën ta besojnë, e besojnë; nga zyrat e Berishës do të dalin mesazhe të reja, Basha do të vërvitet rreth togfjashëve që i kanë dhënë, “analistët” do të bëjnë të gjithëditurin, të tjerët do të shkojnë në hallin e tyre.

Por hapi pas i Visho Ajazit nuk ka të bëjë edhe aq me ndjesën që mund të dërgojë nga larg ndaj socialistëve në pushtet. Është më tepër se kaq. Ajo që bëri nuk kaloi pa u vënë re nga struktura të tjera jashtë Shqipërisë. Të cilat, ai nuk i ka informuar edhe për probleme të tjera, të cilat shpallen më pas nga opozita e sotme. Këto struktura, euro-atlantike, disa nga të cilat kanë përfaqësuesit e vet edhe në Tiranë, u befasuan nga ajo që ishte thënë pas tyre, dhe, si ndodh në raste të tilla, u vunë në lëvizje. Të dhënat e para , të ofruara nga Shërbimi Inteligjent i Shqipërisë ishin tepër larg asaj që thuhej në letrën për ngjarjen e 19 marsit. Ajazi e kuptoi se shkoi shumë larg në rendjen “pas të parit”, dhe u detyrua të jepte një shenjë braktisje, për më tepër kaq hapur si kurrë më parë, pasi e di se ai vërtet një këmbë dhe gjysmën e vetes e ka tek Selia e ShQUP, por ata që e monitorojnë nuk kanë kurrë farë gjëje atje. Dhe kthesa nuk erdhi nga dëshira, por nga droja e asaj që vjen më pas. Dhe ku Saliu, të cilin Vishoja dje e la në baltë, nuk puq dot më.

Ndërkohë qeveria e nisi dhe nuk po e përmbyll reformimin e administratës. Të ndeshur me presionin e opozitës, e cila në fakt ishte më grusht-hekur kur erdhi në pushtet në vitin 2005, strukturat e duhura po ecin ngadalë ose prapsht në reformimin e administratës publike. Njerëz të paaftë, pa asnjë meritë dhe asnjë vlerë intelektuale, vegjetojnë në zyrat e shtetit dhe pengojnë shtetin.

Sado e dhimbshme të jetë, reforma duhet bërë pa ndjerë drojën e një opozite të çartur, e cila që pa e lëshuar ende pushtetin ka kërcënuar me dhunë, protesta, përmbytje, përleshje, greva, demonstrata, bllokime sheshesh e rrugësh..gjithnjë me shpresën se do të ketë një rrugëzgjidhje për fatet e tyre vetjake.

Në çdo qeveri të derisotme, më të merituarit janë më të aftët, por edhe më militantët. Ndryshe nga PD-ja ku sundojnë në masë të ndjeshme mitingashët, në PS, që nga fillimi ka qenë e njohur ndjenja e militantizmit.

Njerëzit me një ndjenjë të tillë i shërbejnë shtetit, sepse kauzën e shtetit e kanë edhe kauzë të tyre; me njerëz të tillë, “linja e opozitës” nuk ka asnjë mundësi depërtimi. Kjo nuk do të thotë të braktisen të tjerët, ata që janë jashtë se majtës e së djathtës, kur janë të aftë, të zotë, të përkushtuar ndaj vendit, megjithëse besojnë në një forcë tjetër politike.

Së dyti, qeveria nuk duhet të bjerë në lojën e dhunës verbale të PD-së, si në rastin e tashëm. Për të dytën herë, me lëshime të pakuptueshme, ajo bie në grackën e presionit të opozitës, duke ngritur komisione parlamentare të panevojshme. Njerëzit , të cilët, kur ishin në pushtet, nuk lejonin opozitarët e djeshëm as në dyert e dikastereve, si bënte Imami në atë të mbrojtjes, tani çirren.

Nuk e shkrova rastësisht “çirren”, sepse ajo që po bëjnë nuk ngjan me asgjë tjetër. Nëse zoti Rama tha në një intervistë të tij se për opozitën kemi vetëm diten e enjte, faktet dëshmojnë se shumë “të enjte” po kalojnë nën vorbullën e presionit opozitar. Kjo lojë do të vazhdojë gjatë… nëse kjo gjatësi do të jetë e përhershme, qeveria do të jetë gjithnjë nën vrullin e inkriminimit.

Së treti, qeveria e sotme ka marë një mandat të paparë. Ngadalësia për të vepruar mund të zbehë forcën e këtij mandati. Ajo duhet të jetë e bindur se, e gjithë praktika e deritashme e opozitës, e cila ngjan si dy pika uji me një opozitë të çartur serbe pas dështimit të Millosheviqit, pra me një opozitë të rrugës e jo të mendjes, të dhunës dhe jo të arsyes, të shpifjes dhe jo të së drejtës, të rendjes pas pushtetit dhe jo të ndërtimit të shtetit, pavarësisht se kush qeveris, të opozitës së përzhitur në vrasje që ëndërron vrasje të tjera për të hequr njollën e krimit mbi vete, ka në platformën e saj, të sotme dhe të ardhshme edhe plot skenarë të ngjashëm të destabilizimit dhe të përbaltjes. Rendja për të bërë të kundërtën do të sjell humbjen e rastit të artë për të ndërtuar shtetin.

Shekuj më parë, poeti i njohur Saadiu do të shkruante : ” Nuk zihen kurrë dy njerëz me tru, as i dituri me një mendje hu”. Diçka na thotë edhe sot, pas shumë shekujt kjo sentencë e urtë.

 

*  *  *

Trafiku i drogës, SHISH: Nuk ka prova, akuzat janë spekulime

 Erion Habilaj

Shërbimi Informativ Shtetëror nuk ka asnjë informacion lidhur me trafikimin e drogës përmes infrastrukturës ushtarake. Kjo është përgjigja që jep kreu i SHISH Visho Ajazi, lidhur me deklaratat e bëra ditët e fundit nga politika, se Forcat e Armatosura, po përdoren për trafik droge. Duke u ndalur më konkretisht në këtë problem, kreu i SHISH ka deklaruar se ky informacion po shpërdorohet mediatikisht në një formë krejt të papranueshme që cenon drejtpërdrejt punën dhe imazhin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Në deklaratën e SHISH, thuhet se, “Shërbimi Informativ Shtetëror shprehet tejet i shqetësuar për valën e spekulimeve mediatike e politike lidhur me një informacion të klasifikuar të këtij shërbimi, me të cilin po abuzohet në dëm të punës sonë e të interesit të vendit tonë përmes një publikimi të paligjshëm në media”.

Sqarimi i SHISH

Sipas SHISH, “ky informacion jo vetëm nuk përmban asnjë fakt të vërtetuar nga ne, lidhur me trafikimin e drogës përmes infrastrukturës ushtarake, por po shpërdorohet mediatikisht në një formë krejt të papranueshme që cenon drejtpërdrejt punën dhe imazhin e Shërbimit Informativ të Shtetit”. Në vijim theksohet se “puna e SHISH është t’u përcjellë autoriteteve të larta, në formë të klasifikuar, informacione jo vetëm mbi çdo fakt të vërtetuar, por edhe mbi çdo dyshim të arsyeshëm që gjykohet se mund të vlejë për të ndaluar apo parandaluar fenomene ose ngjarje të rrezikshme për sigurinë e vendit”. SHISH u bën apel mediave dhe politikës që, për interesat e ditës, të mos dëmtojnë punën e institucionit dhe interesat e vendit, duke e siguruar publikun se informacioni në këtë rast nuk lidhet me përfshirjen e asnjë strukture shtetërore, si dhe duke u kërkuar organeve të drejtësisë të vendosin para ligjit burimet e dekonspirimit të informacionit të klasifikuar.

 

Deklarata e plotë e SHISH

Shërbimi Informativ Shtetëror shprehet tejet i shqetësuar për valën e spekulimeve mediatike e politike lidhur me një informacion të klasifikuar të këtij shërbimi, me të cilin po abuzohet në dëm të punës sonë e të interesit të vendit tonë përmes një publikimi të paligjshëm në media.

Ky informacion jo vetëm nuk përmban asnjë fakt të vërtetuar nga ne lidhur me trafikimin e drogës përmes infrastrukturës ushtarake, por po shpërdorohet mediatikisht në një formë krejt të papranueshme që cenon drejtpërdrejt punën dhe imazhin e Shërbimit Informativ të Shtetit.

Puna e SHISH është t’u përcjellë autoriteteve të larta në formë të klasifikuar, informacione jo vetëm mbi çdo fakt të vërtetuar, por edhe mbi çdo dyshim të arsyeshëm që gjykohet se mund të vlejë për të ndaluar apo parandaluar fenomene ose ngjarje të rrezikshme për sigurinë e vendit.

SHISH u bën apel medieve dhe politikës që, për interesat e ditës, të mos dëmtojnë punën e institucionit dhe interesat e vendit, duke e siguruar publikun se informacioni në këtë rast nuk lidhet me përfshirjen e asnjë strukture shtetërore, si dhe duke u kërkuar organeve të drejtësisë të vendosin para ligjit burimet e dekonspirimit të informacionit të klasifikuar.

 

PD: Dëshmitë zbulojnë trafikun

Më herët Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses Laura Vorpsi deklaroi se tashmë ka prova publike për trafikimin e drogës me avion. “Ndërsa Qeveria nuk mund të fshihet më, drejtësia duhet të hetojë këtë skandal’, tha zëdhënësja e kësaj partie ne një deklarate për mediet. Dëshmi të reja tronditëse po dalin çdo ditë, që tregojnë se avionët e drogës, janë ulur në territorin tonë, janë ngarkuar me mall dhe janë larguar. Në Gjadër, në Lushnjë, në Kardhiq, etj, avionë ngarkohen me drogë dhe e trafikojnë atë në vende të tjera. Kjo është një situatë e paprecedentë. Dëshmitë tregojnë se në 7 muaj të qeverisjes Rama-Meta, Shqipërinë e kanë shtënë në dorë narko-trafikantët, droga ka plasur sheshit dhe trafiku i saj bëhet me çdo mjet e mundësi. Ne i kërkojmë Prokurorisë, Policisë së Shtetit, të ngrihen në rolin që u ka ngarkuar kushtetuta, të bëjnë detyrën dhe të mbrojnë republikën tone nga kjo kanosje që po i bëhet prej trafikut të drogës”, tha zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.

 

Ja si e komentoi ish shef i SHISH letrën e botuar në media

Fatos Klosi, ish drejtor i Shërbimit Sekret vite më parë komentoi letrën e publikuar dje në media deklaroi se bëhet fjalë për një informacion flu që nuk tregon asgjë. Kur u pyet se si e konsideron letrën Klosi tha: “Për mua kjo është një shkresë e porositur. Është një informacion shumë i padetajuar. Ai s’është veçse një informacion ‘flu’. Po të duash e rrëzon menjëherë, mjafton që ky grupi i deputetëve që do të shkojnë për kontroll në SHISH të kërkojë linjën e plotë të informacionit, kush e ka dhënë, kush e vazhdoi dhe çdo gjë del. Do dalë një blof. Sepse nuk ka bashkëpunëtorë. Ai që e paska thënë sipas shkresës qenka një fshatar, por të tregohet emri i fshatarit që e ka thënë informacionin.” Më tej ai thotë se ai dokument nuk është informacion. “Thuhet se ishte një automjet tip furgoni “Iveko”, me ngjyrë të bardhë, i mbyllur me targa të Vlorës. Po thuaje edhe targën, sepse ai që i ka parë inicialet e Vlorës ka parë edhe numrat e targës”, thotë Klosi.

Erjon Braçe: Duhet të kërkohet ndjesë për këtë “ngjarje”

Menjëherë pas deklaratës së SHISH ka reaguar dhe deputeti i mazhorancës, Erjon Brace, i cili ishte i përfshirë vrullshëm në këtë histori. Sipas Braçes, drejtori i SHISH  i dha fund “ngjarjes” së krijuar nga një letër e SHISH, disponuar e përdorur në mënyrën më të ndyrë nga PD, Berisha, Basha, Imami, Ristani, Noka, Topalli etj, sipas tij. “Tani besoj që: Berisha, Basha, Topalli, Ristani, Imami, Noka, do kërkojnë ndjesë dhe do heshtin! Dje dhe sot kanë marrë dy shpulla shembullore; njëra, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë, referuar të dhënave nga partnerët tanë të Aleancës, tjetra, nga SHISH, institucioni që hartoi dhe komunikoi me ministrinë e Mbrojtjes letrën e “ngjarjes”, thekson Braçe. Deputeti socialist vijon më tej duke thënë: “Lulëzim Basha e bëri shollë fytyrën dhe doli e akuzoi sërish! Sot duhet ta nxjerrë sërish fytyrë-shollën dhe të kërkojë ndjesë, ushtrisë së parës, ministres së Mbrojtjes së dytës, qytetarëve në fund. Në anë tjetër; SHISH duhet të qartësojë funksionin në zbatim të detyrës kushtetuese”, thotë Braçe.

 

* * *

SHËNIM: A mund të vazhdojë kjo histori kështu?!

Erion Habilaj

Dy ditë më parë, larg syrit mediatik, është zhvilluar një takim thuajse i fshehtë mes ambasadorit Amerikan dhe Presidentit të Republikës. Takimi nuk pati asnjë njoftim dhe zgjati më pak se një orë. Pas këtij takimi doli informacioni i Forcave të Armatosura, se njësitë e specializuara të NATO-s nuk kanë pikasur asnjë avion renegat në zonën që përmendet në letrën e SHISH dhe për më tepër nuk kanë informacion se ushtria shqiptare, që është pjesë e NATO-s, të jetë e përfshirë në trafik të lëndëve narkotike. Nuk dimë me saktësi a është ky takim arsyeja që Visho Ajazi del me një letër që habit edhe kundërshtarin e tij më të madh, duke lënë në mes të rrugës Partinë Demokratike, dhe duke pastruar sado pak baltën që u hodh këto ditë nga opozita kundrejt Forcave të Armatosura, por mbi të gjitha mbi imazhin e vendit. A e bën Ajazin letra e djeshme të pafajshëm? Absolutisht që jo. Pikësëpari kreu i SHISH ka lëshuar me firmën e tij një shkresë, e cila akuzonte ushtrinë se po transportonte drogë. Sipas dokumentit thuhej se, “ka dyshime të arsyeshme” që të çojnë se kemi të bëjmë me trafik droge. Dje tha që nuk ka prova. Si mundet që kreu i Shërbimit Informativ, që është drejtpërdrejt përgjegjës për sigurinë kombëtare, të bëjë korrespodencë me një institucion tjetër, duke mos pasur prova?!

Nuk është rastësi që ditën që Arben Imami hodhi shashkën e avionëve, në prokurori sapo ishte dorëzuar një tjetër kallëzim penal ndaj tij, kallzim për të cilin gjithë këto ditë nuk është folur fare. Sali Berisha vijon të ngrejë mjegull pas mjegulle, gjë që ka bërë dhe dje. Sapo doli letra e kreut të SHISH, ai sajoi një tjetër “bisedë sekrete”, këtë herë mes Edi Ramës dhe Shkëlqim Ganajt të ILDKP. A mund të vazhdojë kjo histori kështu?!

 

Share This Article
2 Comments
  • Vishua fluturon me “pras” per pak pushtet. Por si budall qe eshte ka nje problem se nuk arrin te kuptoje cilin pras duhet te mbaje tashme, ate SALIUT apo ate QEVERISE.

  • prane ose me sakte njesh me shpifjen dhe zullumet e ndyra fshihet qartesisht sali berisha dhe kurr mos paste varr ky njeri vrases e intrigant i ndyre

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *