Ashtu si shkaraz, dy ditë pasi deklaroi nga Tirana pa arritur të stampojë si përherë buzëqeshjen në fytyrë, se këto zgjedhje lokale shënuan një fitore për Partinë Demokratike, Lulzim Basha tha nga Brukseli se PD nuk do t’i njohë këto zgjedhje. Aq shkaraz, sa gjasat janë të mos e ketë marrë kush seriozisht. Por duhet marrë seriozisht, jo sepse e tha Basha, por sepse me ç’tregojnë bathët, ky qenka vendimi i Berishës. Kryetari faktik e nisi që herët, me listimin e “nëntë të zezave” të këtyre zgjedhjeve, hapjen e shtegut për të mbërritur në këtë hulli. U duk sikur e uli një marsh, kur deklaroi pas qartësimit të rezultatit, se pavarësisht humbjes Basha qëndron në krye të PD-së “sepse kryetari i një partie duhet ballafaquar me zgjedhjet parlamentare, jo ato vendore”, edhe pse përciptaz pranoi se forumet duhet të analizojnë çka ngjarë.
Dhe menjëherë pasi disa zëra në PD nisën të kërkojnë njëfarë llogarie, (baza e zhgënjyer ulëriti shumë më tepër sesa pëshpërimat e ndonjë eksponenti), rezulton që zgjedhjet qenkëshin të manipuluara e të shantazhuara kokë e këmbë! Madje Basha tha nga Brukseli se kishte akumuluar shumë prova e fakte për këtë, por vendosi të mos i bëjë publike në Shqipëri për të mos trazuar opinionin?! Ndaj do t’i paraqiste njëherë e mirë tek ndërkombëtarët?!
E bën të nevojshme ndaljen tek deklarata e djeshme e Lulzim Bashës, edhe fakti që Elmar Brok, i djathti që kryeson Komitetin e Jashtëm në Parlamentin Europian, u shfaq hapur në mbështetje të Bashës. Brok me një deklaratë qartazi politike dhe aspak institucionale tha se nëse edhe gjysmat e gjetjeve të raportit paraprak të OSBE-ODIHR-it janë të vërteta, situata është shumë shqetësuese. Megjithatë, shtoi Brok, “partia e Ramës humbi 20% të votave dhe kjo është drejtësi!”
A është kjo deklaratë qesharake dhe tifoze, e denjë për një zyrtar të lartë të BE-së? Sigurisht që jo, por nuk është hera e parë që Berisha gjen fansa nëpër korridoret e BE-së apo në kancelaritë e huaja. Dikur ishte një Grossruck, akoma më herët një Pack…
A do të hyjë PD-ja në qorrsokakun që edhe një herë Berisha përmes “mashës” Basha ka përgatitur për partinë kryesore të opozitës? Qëndrimi i qartë i komisionerit për Negociatat e Zgjerimit, Johanes Hahn, ishte një kovë ujë e ftohtë për këtë skenar, teksa frenoi çdo fantazi të dikujt dhe tha se pa dalë raporti përfundimtar për zgjedhjet lokale shqiptare, nuk ka asnjë koment. Ndoshta edhe ne duhet të presim para se ta marrim seriozisht këtë tjetër kthesë të mjerë që po merr PD-ja për të disatën herë. Por shenjat janë se Berisha-Basha mund t’i hyjnë realisht kësaj valleje; habitati i destabilizimit dhe ngërçit është ideal për këto gjallesa. Janë të njëjtat që nuk shohin faj tek vrasësit e Lazaratit, por tek furgoni i pablinduar i policisë…

Eshte fatkeqesi qe nderkombetaret na gjykojne sipas 2B-ve!Mjere Shqiperia me PD e 2B-ve!