27-vjeçarja me tumor në gji denoncon mjekun për neglizhencë

anazapta

Një mjek kirurg është denoncuar për mjekim të pakujdesshëm nga një 27-vjeçare, e cila u diagnostikua me tumor në shkallë të avancuar. D.B., mjek në një spital privat në Tiranë, neglizhoi sëmundjen e vajzës 27-vjeçare, së cilës i përparoi tumori në gji dhe për pak i kushtoi jetën. Ai e kishte operuar pacienten N.K. në gjirin e djathtë pesë vite më parë, por më pas, nuk ka vlerësuar siç duhet rezultatet e ekos, çka ka sjellë dhe avancimin e sëmundjes së rëndë.

Prokuroria ka nisur hetimet pak kohë më parë dhe në dosjen e saj thuhet se një vit pas operacionit, 27-vjeçarja është paraqitur sërish tek kirurgu, duke i treguar rezultatin e ekos, por i pandehuri nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për kryerjen e biopsisë së dy formacioneve të konstatuara në eko. “I pandehuri B.D., pasi është njohur me ekon, duhej të kryente biopsinë e dy masave të dala nga ekoja”, citohen pjesë nga dosja në të përditshmen GSH.
Për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, 27-vjeçarja është shtruar në një klinikë tjetër, ku ka kryer ndërhyrjen kirurgjikale të radhës, dhe mandej është larguar drejt një klinike në Itali, ku i është nënshtruar kimioterapisë. Për fat të mirë, vajza ka mbijetuar, por mjeku që e neglizhoi kurimin e saj, do të ulet në bankën e të akuzuarve, pasi nga hetimet ka rezultuar se ai e ka neglizhuar sëmundjen e 27-vjeçares.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *