Kur normaliteti iu duket karshillëk

anazapta

Duhet të ishte në fokus vizita e kryeministrit serb Vuçiç, por nga Tirana zyrtare dje kanë dalë lajme që sikur e kanë eklipsuar vizitën e rrallë. Në saktë, një reagim i kryeministrit shqiptar Edi Rama lidhur me marrëdhëniet me Greqinë, i pyetur në konferencën e shtypit Rama-Vuçiç në Pallatin e Brigadave, ka mjegulluar edhe hidh-e-pritet e dy protagonistëve për Kosovën, edhe ndonjë “lojë portretesh”, edhe padyshim, garën e çuditshme të shtatlartësisë që na merakosi për pas çaste.

Çfarë tha Rama lidhur me Greqinë? E para, duhet përcaktuar zyrtarisht kufinjtë detarë dhe ta hedhim më në fund pas këtë histori, dhe e dyta, zhvillimet e brendshme, promovimet dhe emërimet në kryesinë e parlamentit tonë janë ekskluzivitet vetëm i yni dhe për këtë nuk ka pse shqetësohet asnjë qeveri fqinje, ashtu siç e anasjellta është e vërtetë.

Reagimi i Athinës zyrtare por edhe i opozitës, megjithëse dje Greqia ka qenë në pikun e negociatave me BE-në për borxhin, ishte i menjëhershëm. Dhe po kaq i habitshëm: Udhëheqja e vendit fqinj po rrëshqet ndaj duhet të kthehet sa më parë në rrugën e arsyes, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke; me këto deklarata, Rama rrezikon ta kthejë Shqipërinë në faktor destabiliteti në Ballkan, tha Demokracia e Re!

Po si kështu? Le të përdorim “teoremën e anasjelltë”, për të kuptuar sadopak se çfarë lloj deklaratash do ta kënaqnin Greqinë. Për këtë, Rama dje duhet të thoshte: Po, e njohim marrëveshjen detare me Greqinë, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka rrëzuar; dhe po, politika greke ka të drejtë të ofrojë ekspertizën e saj në emërimet e nënkryetarëve, po deshi madje edhe të kryetarëve të parlamentit shqiptar!

Përtej batutës, fakti që Athina zyrtare sot çuditet me qëndrimet e kësaj natyre të një kryeministri shqiptar, tradhton atë se çfarë qëndrimesh ka mbajtur deri më sot Tirana zyrtare ndaj Greqisë. Kanë qenë qëndrime të atilla prej lakeu e pocaqiu, saqë një vend në zgrip të falimentit si Greqia sot, gjen kohë edhe të shprehë zemërimin e madh pse fqinji i thotë, “mos ndërhyni në punët tona brendshme”. Parë nën këtë prizëm, patjetër që deklaratat e Edi Ramës do duken si mendjemadhësi, arrogancë, rrëshqitje, humbje e sensit të masës, faktor destabiliteti në rajon. Dhe me të drejtë, përderisa fqinjët deri vonë na kanë parë siç sheh Moska ndonjë nga ish republikat sovjetike. Dhe kur më në fund del një kryetar qeverie që kërkon pak reciprocitet, pak ribalancim të një peshoreje skandalozisht të anuar nga njëra anë, që mban qëndrime po aq sovrane e normale për një vend të pavarur, sa çdo vend tjetër, atëherë ai bën karshillëk dhe po i vë zjarrin rajonit!

Për t’u rikthyer tek vizita e djeshme, e kemi thënë dhe herë tjetër se Aleksandar Vuçiç e ka kuptuar këtë histori: I dimë ato për të cilat nuk biem dakord, të përqëndrohemi tek ato që na bashkojnë dhe t’i futemi bashkëpunimit. A thua Athina e ka kaq të vështirë?

 

*****

Dje në Kathimerini

Athina: Rama po kthehet në faktor destabiliteti në rajon!?

Një tjetër hap përpara drejt acarimit të marrëdhënieve me Greqinë hodhi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kur me deklaratën e tij nga Tirana nënvizoi se Athina nuk i është përgjigjur kërkesës së vendit të tij “për zgjidhjen e një çështjeje të interesit kombëtar, siç janë kufijtë detarë”.

Zoti Rama vërteton kështu plotësisht shkrimet e vazhdueshme të Kathimerini-së, se Shqipëria ka kërkuar “ të dhëna” për kërkimet në Jon, saktësisht Tirana ka kërkuar korrigjim të planeve të kërkimit, duke deklaruar se po shkelen ujërat detare shqiptare, një tezë kjo që shkencëtarët e specialistët në Greqi e rrëzojnë. Z.Rama shton se “ne nuk kemi ndërmend të negociojmë interesat kombëtare për shkak të fqinjësisë së mirë”, dhe se “nuk kemi marrë angazhim të mbyllim sytë, kur na shfaqet një problem që nuk e shkaktuam, dhe nuk po e ushqejmë ne”. Gjithashtu Rama lidhur me emërimet e reja në kryesinë e parlamentit shqiptar, deklaroi se “ashtu siç nuk e imagjinojmë dot të kushtëzojmë Athinën se kë duhet të zgjedhë në krye të parlamentit apo qeverisë së vet, ashtu dhe nuk imagjinojmë dot që Athina të bëjë të njëjtën gjë me ne”. Këto deklarata, kryeministri shqiptar i bëri gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me homologun serb Aleksandar Vuçiç, që po kryen një vizitë dyditore në Tiranë.

Ministria e Jashtme: Shqipëria të kthehet në rrugën e arsyes

Me një ton veçanërisht keqardhës iu përgjigj Ramës, përfaqësuesi i ministrisë së Jashtme Konstandinos Kutras, që e ftoi Tiranën të kthehet në rrugën e arsyes, domethënë të korrigjojë qëndrimin e saj kundrejt Greqisë. Kutras thekson në deklaratën e vet:

“Udhëheqja politike e vendit fqinj dhe mik, po rrëshqet çdo ditë e më tepër. Kthimi në rrugën e arsyes dhe në respektimin e ligjshmërisë dhe të drejtës ndërkombëtare, përbën mënyrën më të sigurtë për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Nuk kam asnjë koment më tepër”.

Përmes kësaj deklarate diplomatikisht të ngjeshur, përfaqësuesi i ministrisë së jashtme i kujton Tiranës shkeljen e të drejtës ndërkombëtare sa i takon respektimit të marrëveshjes së 2009-ës, dhe deklaratat e palogjikshme se për anullimin e kësaj marrëveshjeje nuk e ka fajin Shqipëria, kur e kundërta është e vërtetë. Gjithashtu, përmendjet e kryeministrit shqiptar mbi “interesat kombëtare që qëndrojnë mbi fqinjësinë e mirë”, nuk mund të dalin edhe mbi të drejtën ndërkombëtare, diçka kjo që referohet me qartësi në kriteret e Kopenhagenit dhe në dokumentet e BE-së, të cilat ka detyrim t’i respektojë edhe Shqipëria në rrugën e saj evropiane.

Demokracia e re: Është e njohur mungesa e sensit të masës nga Rama

Deklaratat e zotit Rama shkaktuan edhe reagimin e ashpër të drejtuesit të sektorit të jashtëm në partinë Demokracia e Re, Jorgos Kumucakos. Ai thekson në një deklaratë se “mungesa e sensit të masës nga zoti Rama është një fakt i njohur që nuk na çudit. Nëse ai vazhdon kështu, do të shndërrohet shumë shpejt në një faktor destabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe është e qartë, se në këtë mënyrë nuk do ndihmojë itinerarin evropian të vendit të tij”.

 

*Kathimerini.gr

Share This Article
1 Comment
  • shqiperia duhet te ushqehet me luge floriri nga fqinjet per grabitjet dhe pushtimet qe i kan bere shqiperise fqinjet dhe europjanet bashke,nqs te gjithe ju pisat serb turq grek bulgar italian gjerman angli_france qe e coptuat shqiperine ti jepni ketij vendit demshperblimet per katastrofite qe i keni bere,shqiptaret per 1000 vjet do ushqehen me luge floriri,keni dhe goje te hapni ju plerat sidomos ju ballkaniket qe shqiperia eshte shtet destabilizues ne rajon,kush ju greket qe me te gjithe ballkanin keni vetem probleme,me turqit me bullgaret me maqedonasit me shqiperine,mos jeni valle ju destabiliziesit e ballkanit,shqiperia me edi ramen eshte i shqiptareve dhe jo i grekeve qe do fusni hundet ju ke do zgjedhin ne parlament dhe ke nuk duhet te zgjedhim,edhe nqs edi rama eshte destabilizues ne rajon ju greket nuk keni pse shqetesoheni se nuk ju pushton dhe ju ngacmon njeri,se kur serbet shkaterruan per 10 vjet ballkanin per ju greket serbet nuk ishin destabilizues te rajonit por te paqes,ju jeni shteti me destabilizues i rajonit me 1000 firma,me keto dredhite e juaj i gjithe ballkani ka konflikte kurse ju te paprekshem si gjithmone,si shpjegohet kjo?????dhe nje pergjigje nga shteti shqiptare,po ju plerat greke pse keni nje parti fashiste dhe anti shqiptare ne patlament,ju jeni destabilizues me kete parti ne parlament greqi bashk me politikanet tuaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *