Kapja e vëllezërve Aliko, detajet e operacionit: Nga telefonata e përgjuar te dorëzimi pa kushte

anazapta

Pas 108 orë kërkimesh intensive nga toka dhe ajri, rreth orës 21:00 të mbrëmjes të së shtunes, policia ka arrestuar dy vëllezërit Aliko.

Ata janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e oficerit të RENEA-s, Ibrahim Basha dhe plagosjen e dy efektivëve të tjerë në Lazarat.

Policia ka rënë fillimisht në gjurmë të shtetasit D.Shehu, personi që i furnizonte ata me ushqime dhe i ka vendosur telefonin në përgjim.

Ndjekja e tij i çoi agjentët, rreth 10 km larg Lazaratit në një zonë të pyllëzuar afër Urës së Kardhiqit.

Arbjon dhe Alban Aliko qëndronin aty të fshehur në një tunel nëntokësor (shih videon më poshtë)

Pas rrethimit me forca të shumta policore nuk ka patur më asnjë shans për 19 vjeçarin Arbjon dhe vëllain e tij një vit më të vogël.

Ose do dorëzoheshin pa kushte ose do vriteshin.

Kjo i është bërë e qartë babait të dy djemve Adil Aliko që është sjellë me urgjencë nga policia në rrezen e rrethimit.

Arbjon dhe Alban Aliko me gishtin tregues lart, shenjë dalluese e IS
Arbjon dhe Alban Aliko me gishtin tregues lart, shenjë dalluese e IS

Ndjekja dhe rrethimi i së shtunës ka zgjatur nga ora 16.00 deri në 21.00, por dy orët e fundit kanë qenë veçanërisht të mbushura me tension dhe nervozizëm.

Në fund RENEA u ka lënë një afat në dispozicion dhe Adil Aliko ka marrë përsipër personalisht që të bindte dy djemtë për dorëzim.

Ai u është lutur dhe u ka bërë me dije rrezikun e vrasjes, duke u thënë që nëse ishin të pafajshëm drejtësia do vendoste.

Rreth orës 21:00 pas disa telefonatave dy vëllezërit pranuan dorëzimin.

shati Kardhiq ku fshiheshin dy vëllezërit ndodhet rreth 10 km larg Lazaratit
shati Kardhiq ku fshiheshin dy vëllezërit ndodhet rreth 10 km larg Lazaratit

Ata kanë dalë me duart pas koke, kërkesë e bërë nga ana e RENEA-s dhe janë urdhëruar të mos kryenin asnjë lëvizje.

Më pas janë prangosur duke u përcjellë nga tuneli në drejtim të blindave që i transportuan.

Mësohet se dy të arrestuarit janë dërguar nga forcat speciale pa ndalesa në Tiranë, ku janë marë gjatë natës në pyetje nga kryeprokurori për Krimet e Rënda, Adnan Xholi.

Skeda e Interpolit për 19 vjeçarin Arbjon Aliko në kërkim
Skeda e Interpolit për 19 vjeçarin Arbjon Aliko në kërkim

Sipas një rindërtimi të sjelljes së tyre pas pritës ndaj RENEA-s, dy vëllezërit kishin dalë nga fshati Lazarat, duke ndjekur terrenin e vështirë dhe malor, me shkurre dhe pemë të malit të Sopotit.

Ata kishin baza në pyll dhe një vendstrehim në bregdet. Fotot e këtij të fundit shfaqeshin edhe në profilin Facebook të Arbjon Alikos.

Mendohet se po planifikonin daljen në zonën e Cepos, me qëllim kalimin drejt Sarandës dhe më tej arratisjen drejt Greqisë, ku kanë qenë disa herë pas shpalljes në kërkim në muajin mars për sulmin ndaj një patrulle policie dhe hedhjen në erë të shtyllës së tensionit dhe disa objekteve në zonë.

4 të tjerë të bandës së të rinjve janë arrestuar sot në Lazarat
4 të tjerë të bandës së të rinjve janë arrestuar sot në Lazarat

Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako dhe drejtori i qarkut Gjirokastër Kastriot Skënderaj janë treshja që drejtuan deri në detaje operacionin qe u finalizua me kapjen e tyre.

Koleget e tu kryen punë Ibrahim. Ata që ngritën dorë mbi ty, u arrestuan për t’u vënë para drejtësisë. Më në fund drejtësi, për ty Ibrahim, për vetë banorët e Lazaratit, për qytetarët e ndershëm që duan një Shqipëri të drejtë e përfundimisht të lirë nga kërcënimi i frikës – shkroi mbrëmë në FB, ministri Tahiri.

“Operacion shumë profesional, organizim i përsosur i sulmit. Rezultati final i kapjes gjallë është perfekt – tha mbrëmë për DITA një nga oficerët e RENEA-s në terren.

Familjarë të Ibrahimit në Spitalin e Traumës në Tiranë
Familjarë të Ibrahimit në Spitalin e Traumës në Tiranë

Ibrahim Basha ish-komando në Afganistan, efektiv i RENEA-s prej një viti u vra agimin e 24 qershorit në Lazarat.

Një plumb snajperi e qëlloi atë në kokë ndërsa plagosi edhe dy kolegë të tij në një pritë të organizuar nga një bandë të rinjsh të organizuar.

Katër të dyshuar të tjerë u arrestuan dje në Lazarat, ndërsa kërkohen ende disa emra që gjenden në listën e hetuesve /DITA

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *