Disa të dhëna dhe disa pikëpyetje mbi valën e tritolit

anazapta

Përfytyroni një të huaj që sheh një kronikë të një shpërthimi me tritol në qytetet shqiptare. Pamjet duken njësoj si kronikat e e CNN apo

Euronews nga Iraku apo Afganistani. Makina të shkrumbuara dhe banorë lokalë të mbledhur rrotull që shtyhen për të parë me një sy nga shkatërrimi dhe me syrin tjetër nga kamera që regjistron. Nuk ka turp më të madh për ne të gjithë dhe për Shqipërinë e 2014-s, që pret statusin e vendit kandidat në qershor.

 

Statusi dhe infrastruktura kriminale

Burime diplomatike i thanë dje DITA-s se statusi për Shqipërinë është i sigurtë në qershor. Ish-diplomatë të Tiranës me lidhje të ngushta me Brukselin saktësojnë se vendimi tashmë është marrë. Por pamjet e shpërthimeve me tritol që shfaqen përditë do kthehen në një pengesë nëse vijojnë të tilla. Dhe problemi nuk është tek hakmarrjet ordinere dhe krimi i rrugës. Agjensitë e posaçme të analizës së ngjarjeve që lidhen me sigurinë shtrojnë një pyetje paralele: ky rrjet që prodhon krimin e rrugës a është aq i konsoliduar sa të prodhojë akte terroriste të mirëfillta në të ardhmen? Nëse dikush është i interesuar të prodhojë një klimë terrori duke shfrytëzuar këtë rrjet kriminal, a mund tia dalë mbanë në Shqipëri dhe jashtë saj nëse do duhet?

Përgjigja është një kompleks përfundimesh, por fakt mbetet që grupet kriminale shqiptare janë të prirura në ekstrem drejt fitimeve me çdo kusht dhe nuk do ndaleshin për ta vënë infrastrukturën kriminale edhe në dispozicion të qëllimeve që janë ku e ku më të sofistikuara se krimi i rrugës. Dhe kjo mundësi mund ta rrezikonte vërtet statusin kandidat që tashmë duket punë e kryer.

 

Kush e përgatit tritolin, çmimet dhe vendshitjet

Shqipëria prodhon tritol në Poliçan dhe në Mjekës. Përpunimi i tritolit dhe përgatitja e bombave që përdoren në atentatet e fundit afërmendsh bëhet nga ata që i njohin lëndët plasëse.

Cilët janë ata? Këtu vijmë tek një nga pasojat e punëve të çmendura që ka bërë politika shqiptare: lënia në rrugë e dhjetëra xhenierëve dhe specialistëve të tjerë të lëndëve plasëse që dikur kanë punuar në ushtri. Përgatitësit e bombave janë nga rradhët e tyre. Edhe kur nuk janë nga radhët e tyre, këta ish-xhenierë dhe specialisët ushtrie të hedhur në rrugë dhe të papunë, janë “mësuesit” e atyre që përgatisin bomba.

Tritol, celular që i mban bateria gjatë dhe detonator: Çmimi i një bombe të tillë të thjeshtë shkon nga 1 mijë në 1200 euro.

Më shtrenjtë kushtojnë mekanizmat shpërthyes që përgatiten me C4. Ky i fundit është eksploziv plastik, më i shtrenjtë se tritoli i Mjekësit apo Poliçanit dhe blihet nga trafikantët shqiptarë në Malin e Zi. Në këtë vend, si dhe në Bosnje ose në Serbi, C4-a është i thjeshtë dhe i lehtë për t’u gjetur.

Tri janë qytetet kryesore ku tregtohet tritoli shqiptar ose lëndët e tjera që vijnë nga vendet fqinjë: Malësia e Madhe, Durrësi dhe Fieri.

 

Sfida që kërkon përgjigje të shpejtë

Qeveria shqiptare është përpara një sfide serioze me valën e tritolit. Nuk përjashtohet që retorika kriminale e ish-kryeministrit dhe veprimet e ish-krerëve policorë të para 23 qershorit të ndikojnë elementët kriminalë, por sido që të jetë, nuk ka vend për justifikime. Sfida kryesore i takon ministrit të Rendit. Autoriteti shtetëror duhet të jetë i plotë dhe parandalues. Nuk ka dyshime që dëshira nuk mungon, por dëshira nuk mjafton. Duhet forcë dhe veprime shumë të vendosura në terren. Këto të fundit mungojnë dhe më së shumti janë zëvendësuar me anciozitetin e krerëve të rendit. Ndoshta është më vend që të rishihen njerëzit në krye të këtij dikasteri.

 

* * *

Hasmëria, bombë C4 në makinë, vdes biznesmeni Xhabafti

Nga Elton Koka

U transferua nga Selita për të jetuar në Vorë me familjen për t’i shpëtuar hasmërive, vritet në një atentat me bombë C4 të telekomanduar biznesmeni Baki Xhabafti. Shpërthimi i fuqishëm u dëgjua në rrugën “Bashkia”, para njësisë vendore të Vorës, rreth orës 16:55 të pasdites. Banorët dhe dëshmitarët u munduan të shuanin flakët dhe shpëtonin 40-vjeçarin që po jepte shpirt nga plagët dhe djegiet, por ka qenë e pamundur. Në pak minuta, babai i dy fëmijëve, pronar i dy serviseve në Kombinat dhe Vorë dhe një punishteje guri dekorativ, ka ndërruar jetë i masakruar. Makina e tij tip “Renault”, me targa AA154AZ u shkatërrua e gjitha dhe nda në copa. Policia dyshon për një sasi deri në 400 gramë eksploziv plastik i vendosur poshtë sediles dhe i komanduar me celular. Por ekspertët po hetojnë nëse bomba ka qenë e lidhur me sistemin elektrik të mjetit, pasi shpërthimi ka ndodhur sapo Xhabafti ka hipur në makinë. Për pistat e hetimit, policia e Tiranës tha se janë disa, por të përqendruara rreth hasmërive të mbartura nga viti 1995 mes fiseve Xhabafti dhe Ymeri për pronësi në Selitë me 7 të vrarë mes palëve dhe Xhabafti e Avdillari për shkak të përplasjes mes dy bandave pas vitit 1997, të Selitës dhe Yzberishtit. Vetë i ndjeri nuk ka pasur precedentë penalë, sipas policisë.

 

Ngjarja

Policia ka qenë e rezervuar në detaje dhe publikimin e ngjarjes në rrugë zyrtare. Informacion i shkurtër për orën, vendin dhe viktimën. Gjithashtu edhe njoftimi se hetohet në disa pista. Por banorët e rrugës “Bashkia” në Vorë thanë se viktima Baki Xhabafti jetonte prej disa muajsh në këtë lagje të qetë dhe nuk sillte probleme. Mjeti ka qenë i parkuar para bashkisë dhe afër banesës përdhese. Rreth orës 17:00, kur 40-vjeçari ka hyrë në mjetin “Renault”, sapo ka futur çelësin e kuadrit për ta ndezur, është dëgjuar edhe shpërthimi i fuqishëm. Për fat të mirë nuk ka pasur kalimtarë afër dhe pasagjerë në mjet. U dyshua edhe për dy të lënduar, por sipas policisë nuk ka qenë e vërtetë. Viktima e vetme ishte Baki Xhabafti. Trupi i tij ka qenë pothuajse i shkrumbuar dhe ndërhyrja e zjarrfikësve e policisë ishte e kotë. Mjeti i copëtuar i gjithi dhe flakët kanë vazhduar për rreth një orë. Ndërhyrja ishte e vështirë për shkak të zjarrit dhe dëmeve të mëdha.

 

Biznesmeni

Puna e parë që bëri policia ishte verifikimi i mjetit “Renault”, me targa AA154AZ për të identifikuar viktimën, që kishte edhe banesën afër. Paniku dhe terrori ishin të pranishëm tek banorët. Ndërsa kanë ndihmuar edhe familjarët e shokuar. Mjeti rezultoi në emër të Baki Xhabaftit, biznesmen në fushën e pjesëve të këmbimit për mjete dhe në disa aktivitete të tjera të vogla. Mësohet se posedonte edhe një servis në Vorë. Aty jetonte me gruan dhe dy fëmijët pasi ishte larguar nga Selita për të shmangur konfliktet e vazhdueshme me fisin Ymeri dhe hasmëritë. Më tej edhe vetë të afërmit identifikuan viktimën dhe dhanë informacione të përgjithshme.

 

Grupi hetimor

Në grupin hetimor ka pasur ekspertë mjeko-ligjorë, të Njësisë Antieksploziv, drejtues të Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit dhe prokurorë të Krimeve të Rënda të Tiranës. I pranishëm në vendngjarje dhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi dhe kryepolici i kryeqytetit Ardian Çipa. Ngjarja është vlerësuar e rëndë për shkak të pasojave, por pothuajse e njëjtë me atë të së mërkurës me 2 të gjymtuar dhe një të lënduar, po në Tiranë. Paraprakisht u arrit të saktësohej se bëhej fjalë për një bombë C4 të telekomanduar, vendosur poshtë sediles. Pritet të mësohet nëse ka qenë e lidhur me sistemin elektrik të ndezjes së mjetit apo me celular. Sasia ka qenë rreth 400 gramë eksploziv. Bomba dyshohet se është vendosur gjatë natës, kur mjeti qëndronte i parkuar afër shtëpisë. Deri dje në mbrëmje policia ka kryer shoqërimet e shumë personave pjesëtarë të të dy fiseve, Avdillari dhe Ymeri, duke ushtruar kontrolle banesash dhe marrë në pyetje. Hetime për një krim të paguar, ndërsa po verifikohen edhe konfliktet në fushën e biznesit.

 

Dëshmitarja: “Kur erdhi zjarrfikësja flakët u shuan, e pamundur të shpëtohej”

Një nga dëshmitaret e shumta të ngjarjes tragjike në Vorë rrëfeu se çfarë ka ndodhur në momentin kur automjeti i viktimës Baki Xhabafti u përfshi nga flakët. Sipas gruas që nuk pranoi të identifikohej, banorët e zonës kanë mundur të shuajnë flakët para se të mbërrinte zjarrfikësja. “Rruga nuk kishte njerëz kur ndodhi shpërthimi. Makinën e vura re kur ishte e shpërthyer. Njerëzit e fikën zjarrin në makinë me ujë para se të vinte zjarrfikësi, por ka qenë e pamundur të shpëtohet, pasi trupi ishte djegur”, tha ajo. Banorët u shprehën të frikësuar nga kjo situatë dhe në panik, pasi shpërthimet me tritol janë bërë të përditshme.

 

Hasmëritë me fiset Ymeri dhe Avdillari, 10 të vrarë në konflikte pronësie e rivaliteti

Viktima është i afërm i Shkëlqim Xhabaftit, një ndër personat me precedentë të rëndë kriminalë, i vrarë në vitin 1997 në kryeqytet, pas përplasjes me fisin Avdillari, që njiheshin si banda e Yzberishtit. Por ndërkohë më parë, në 1995, fisi Xhabafti që jetonte në Selitë, ka pasur një tjetër konflikt të përgjakshëm pronësie me fisin Ymeri. Sipas dosjeve të policisë, mes palëve janë vrarë 9 persona. Viktima e djeshme ka humbur në këtë betejë dy vëllezërit, babanë dhe xhaxhanë e tij, kurse nga fisi Ymeri mësohet se janë vrarë të paktën 5 persona në harkun e 4 viteve. Edhe pse deri pak kohë më parë jetonin në Selitë vetëm një pjesë e vogël e anëtarëve të familjeve, shumë prej tyre kanë zgjedhur ose arratisjen për shkak se ishin të kërkuar për krimet, ose të zhvendoseshin në zona të tjera. Mësohet se edhe disa të rinj të familjes Xhabafti jetojnë në emigracion të fshehur dhe dyshohet se shkak i atentatit të djeshëm mund të jenë edhe e kaluara e të afërmve të Baki Xhabaftit. Një prej vëllezërve të tij jeton në Londër. Sipas policisë, hakmarrja mes fiseve dukej sikur ishte fashitur prej më shumë se 10 vitesh. Kurse i forti i Selitës, Shkëlqim Xhabafti, është vrarë në fillim të vitit 1998, nga rivalët e tij të bandës së Yzberishtit dhe konkretisht nga krerët e saj, vëllezërit Avdillari. Këta i kishin grabitur makinën një biznesmeni grek dhe ky i fundit i kërkon ndihmë Xhabaftit. Kapoja i Selitës, së bashku me një inspektor rendi, ka shkuar te rivalët, për të biseduar se si mund t’ia kthenin makinën grekut. Por diskutimi përfundoi në betejë të përgjakshme me vëllezërit Nazmi e Ilir Avdillari. Këta të fundit u akuzuan dhe për vrasjen e biznesmenit italian Stefano Rossi, më 27 janar ’98, pronar i një fabrike këpucësh, që sapo kishte tërhequr 30 milionë lireta. Ilir Avdillari u arrestua dhe dënua me 22 vite burgim.

 

Atentati ndaj ndërtuesit Ceka, 40 të shoqëruar, edhe ortakët

Megjithëse kanë kaluar gati dy ditë nga atentati me eksploziv ndaj biznesmenit Armando Ceka, policia nuk di kujt t’ia vendosë gishtin për autorësinë, për shkak të konflikteve të shumta që kishte 33-vjeçari. Deri ditën e djeshme janë shoqëruan 40 persona që kanë dijeni, kanë pasur përplasje apo pakënaqësi nga biznesmeni i plagosur, apo që kanë pasur marrëdhënie pune me të, pra ish-ortakë në biznes. Por pas marrjes në pyetje, të gjithë personat janë lënë të lirë, për t’u thirrur më pas nëse do jetë nevoja prej grupit hetimor. Ngjarja po hetohet në bashkëpunim edhe me prokurorët, ndërsa fillimisht po tentohet të zbulohet numri i celularit me të cilin është aktivizuar bomba me rreth 500 gramë eksploziv plastik C4.

Në atentat mbetën të plagosur edhe juristi Julian Çela, që sapo kishte nisur punën në firmën e ndërtimit të Cekës, ndërsa është gjymtuar, dhe truproja Artur Sharra, që u plagos lehtë. Mjekët thanë dje se gjendja shëndetësore e të plagosurve paraqitet më e stabilizuar, mbahen jashtë rrezikut për jetën, por Ceka dhe Çela kanë gjymtime tepër të rënda nga mesi e poshtë, për shkak se bomba ka qenë e vendosur në dysheme nga pas derës. Ceka nuk ka dhënë asnjë shpjegim për policinë gjatë ditës së djeshme, duke mos treguar personat me të cilët ka konflikte. Mësohet se ai ka humbur njërën këmbë në këtë atentat dhe ka dëmtime të tjera në trup.

Burime nga Policia thanë se pistat e hetimit lidhen kryesisht me aktivitetin e biznesmenit dhe konfliktet e mundshme që ai ka pasur për shkak të biznesit. Jozyrtarisht flitet edhe për një borxh që shkon në mbi 500 mijë euro ndaj të tjerëve. Po verifikohen ankesat e qytetarëve dhe emrat e tyre për denoncimet ndaj Cekës pasi u ka lënë përgjysmë pallatin te zona e “Don Boskos” në Tiranë. Po verifikohen konfliktet e mbartura të pronësisë për truallin e objektit ish-hotel, ku ndodhi atentati te rruga “Budi”. Gjithashtu ankesat e disa klientëve për shitjen nga dy herë të apartamenteve që ndërtonte 33-vjeçari me firmën e tij. Ndërsa pista e fundit, por që mund të jetë kryesorja, është borxhi ndaj të tretëve në aktivitetin e ndërtimit, që e ka marrë prej vitesh. Mësohet se Ceka ka pasur mosmarrëveshje prej vitesh me disa ortakë të tij, njëri prej të cilëve, Lorenc T., i sulmuar me tritol në vitin 2012 dhe i arrestuar më pas për trafik droge, pasi u kap me 1,2 kg heroinë në Tiranë. Policia ka ushtruar kontrolle edhe në banesat e 40 të shoqëruarve të dyshuar, por nuk ka gjetur sende të ndaluara. Disa prej tyre nuk u gjetën në banesa dhe u shoqëruan disa orë më pas.

Armando Ceka është sulmuar edhe në një atentat tjetër më 4 shtator 2013 në rrugën “Siri Kodra” në kryeqytet. Makinës fuoristradë “Volvo” i ishte vendosur një sasi eksplozivi në bagazh. Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale dhe Ceka nuk u lëndua. Policia thotë se biznesmeni ka shumë konflikte dhe nuk dinë ku të përqendrohen për zbardhjen e ngjarjes.

 

Share This Article
12 Comments
  • Me vjen mire qe Fazllic zgjedh Diten, per te sqaruar pozicionin e tij, zgjedh Diten, jo nga deshira, por se eshte i detyruar ta beje, se Dita blihet per tu lexuar dhe jo per te bere kaushe per fara luledielli.
    Fazllic nuk mund ti drejtohet as RD-se, as 55-ses se Balliut dhe as gazetave te tjera qe rrogat ja u paguajne partite, por e sjell reagimin e tij, tek nje gazete qe lexohet nga shqiptaret.
    Urime gazetes Dita, stafit dhe kryeredaktirit Thano.

    Por shqiptaret akoma mbas 23 vjetesh, spo arrijne ta kuptojne lojen e Saliut, stervitur ne zyrat e ish sigurimit te shtetit dhe ish UDB-se, qe shashkat, jane bombat tymuese, qe Saliu perdor, per ti perdorur si sonambule.
    Dje Saliu ne parlament hodhi shashken e firmes se zgjedhur nga banka gjermane, ku thoshte se Fazllic eshte pjese e saj dhe si gjithmone, te “mencurit” qe dine cdo gje, u hodhen ne sulm.
    E thene me qindra here, Saliu smund te mbuloje bemat e tij, por ai nuk do ti largohet pushtetit dhe menyra me e mire qe ai te fitoje eshte duke e barazuar kundershtarin e tij me vehten, qe shqiptaret e “mencur”, te thone, kak per kake, me mire po mbaj kete qe eshte dhe ka funksionuar.
    Ka funksionuar shume mire shashka berishiane dhe sa mbaroi fjalen Saliu ne parlament, te “mencurit”, qe i dine te gjitha edhe cfare dhimbjesh, ndjen nje grua kur lind, u hodhen ne sulm, edhe kjo qeveri si ajo e Saliut eshte. Dhe mire bene, se e detyruan Fazllicin, te telefonoje ne Dita dhe te beje biznes edhe duke shitur me 1 cent, ne qofte se ai zoteron aksione.
    Mund ti mbush mendjen ndonjerit, por kursesi smund tja mbush mendjen Nastradinit te ditur, per shpellaret se marr mundimin fare ti sqaroj..

  • e boshnjak bir i sherbimeve sekrete me serbin pra jeton ne angli oooooooooo kush kupton nuk flete me po te mbetemi skllevere se ka dhe me keq se kaq ANGLEZ heeeeeeeeeeeeeee pa keta nuk behete dot asgje se ka zot na ruajte si deri me sot kthim mbarapa shkatrim kush te mundi te jetoi demokraci si kjo ske ku e gjen nga serbo boshnjake me pashaporte ANGLIZI eeeeeeeeeeeeeeeeeeeeee shqiperi je e madhe po ti leme keto do behete me e bukura te bejne nje investime si ne gjermani mos ti bejne fallco qe te bien vete kete te qajme tani se iku ajo pune pa ANGLIZIN ska ngeleshe ne vende ose del serbi e boshnjaku e tritol hahahahah ce gjeti shqiperin

    • Kush permend per veprime te tilla xhenjeret, apo ish – ushtaraket,asgje tjeter nuk ben, vetem hedh mjergull mbi te vertetat qe ai fsheh, humbet gjurmet e krimit dhe fajson te pafajshmit. Vetem mendjet e lehta e mediokrit mund ta besojne kete variant.
      Ai qe ka sakrifikuar Femijerine, i mbyllur ne stervitje ne gazerme,
      Ai qe sakrifikoj Rinine, i vetmuar ne malet me te skajme,
      Ai qe mezi krijoj Familjen e vone e ndofshta nuk mori Shtepine e shumepremtuar,
      Ai qe linte Gezimin e Hidherimin ne mes e i pergjigjej thirrjes kushtrimit,
      Ai qe pa mbushur te 50-tat u hodh ne rruge e struket pas atij pensioni meshirues,
      Ai qe i vjen zor te kerkoj te drejtat e tij,
      Ai qe mban rradhen e rregullin edhe atje ku “banditet” bejne zgjidhje me force,
      Ai qe i vjen turp nga Femijet e tij, qe nuk u la pasuri mbrapa,
      Ai qe qendron dinjitoz e krenar, per punen e vepren e Tij,
      Ai eshte ushtaraku, qe pafytyresisht akuzohet
      Ai nuk mund t’i bej kurre te tilla veprime.

      Turpi mbi ata qe akuzojne !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *