Replika / Gjeras, i ke borxhe Enverit!

anazapta

DEBATI në DITA / Përkthyesi “guxon të vlerësojë” Enver Hoxhën e të thotë, pas dekadash, se “kam përshtypjen që Enver Hoxha nuk kishte arritur dot të kuptonte thellë procesin e ndërtimit komunist në Bashkimin Sovjetik” e po kështu “as karakterin e popullit rus”!

Nga Muharrem Xhafa*

 

Pas botimit të shkrimit tim, më 25 shtator, në gazetën “Dita”, një dashamirës më thotë që të përgatitesha për të përballuar edhe sulmet! I thashë se jam gati të përballem me cilindo. Se në shkrimet e mia polemike, unë nuk fyej, po shpalos mendimet që kam, sjell për to fakte e argumente dhe bëj kujdes të jem i kulturuar. Dhe me profesor Gjerasin kështu kam vepruar! Kam lexuar në gazetën “Dita” ndonjë SMS, ku shkrues të ndryshëm nuk kanë qenë të një mendimi me mua (dhe as që mund të jenë), çka është pritshme e normale. S’ka rëndësi a janë pak apo shumë, po nuk mohoj që prej disa SMS-ve kam përfituar. Unë e kuptoj polemikën në media si ballafaqim idesh, mendimesh, argumentesh, zgjidhjesh e rrugëzgjidhjesh, po jo si garë sharjesh e denigrimesh, ndonëse  s’është lehtë t’i shmangesh gjithnjë kësaj.

Bëra këtë sqarim, për të dalë në një intervistë të zotit Frederik Gjerasi (23 shtator 2016) dhënë gazetarit të njohur Xhevdet Shehu. Gjerasi në atë intervistë u ka dhënë përgjigje shumë pyetjeve të gazetarit, me të cilat mbron mendimet e qëndrimet e tij shprehur në pjesët e librit të tij të botuara në “Dita”.

Që zoti Gjerazi këmbëngul në intervistë në mbrojtje të mendimeve e të qëndrimeve të veta, kjo çështje i përket atij, po nuk do parë si “deshi e foli”, mbasi është edhe ana tjetër: Përse “ka heshtur” dekada në pushtetin popullor dhe në vitet e pluralizmit?

Për “heshtjen” e tij, Gjerasi sjell në intervistë disa “shkaqe”! Në “monizëm”, thote ai, nuk mund të shkruante “gjithçka mendonte”! Po e pranojmë që nuk mund të shkruante “gjithçka mendonte”, po që një gjë “të vetme” për ndeshjen e madhe midis PK të BS e Partisë së Punës të Shqipërisë, Hrushovit e Enver Hoxhës, pas përmbysjes së socializmit, a mund ta shkruante? Them që po, madje pa i hyrë asnjë “gjemb në këmbë”! Thotë se nuk ka shkruar, për arsye se mosmarrëveshjet midis sovjetikëve e shqiptarëve ishin “grindje e sherre”;  se kishte qenë i mërzitur e në depresion; se kishte ndjerë thellë dhe ishte i rebeluar për prishjen e miqësisë tradicionale sovjeto-shqiptare e të tjera!

Po a mund të ishin “arsye a shkaqe” këto për të penguar ish-Përkthyesin kryesor të Enver Hoxhës të shkruante për ndeshjen e madhe shqiptaro-sovjetike? Unë them jo! Po kështu, nuk mund të jenë “arsye a shkaqe” për të mos shkruar në vitet e pluralizmit mospërfshirja e Gjerasit “në asnjë parti politike” apo që ai ndjehej i lodhur “me nënshtrimin ndaj opinionit të shumicës në organizatën e partisë dhe sepse donte të jetonte i lirë”! Pse tani nuk don ai të jetojë i lirë?! Pse sot a është i përfshire Gjerasi në ndonjë parti politike? Pa dyshim që është çështje e tij, po me duket se ka pritur “rastin” për të shkruar tani që ndjehet ngrohtë! Unë as nuk besoj që Gjerasi të jetë frymëzuar për të shkruar kujtimet e tij nga këshilla e atij shkencëtarit se “sa më shumë plaket njeriu, aq më shpesh e më qartë i kujton vitet e rinisë”! Kjo thënie, sado korrekte të jetë (qofte edhe e vetë Gjerasit), kujtimet me kalimin e moshës zbehen dhe kanë brenda shume bjerrje e subjektivizëm! Kjo s’është çështje dëshire!

Gjerasi thotë, madje në formë kritike, se “njerëzit i matin gjërat e kaluara nga pozita e ditëve të sotme” dhe e quan këtë një defekt. Dhe në fakt është një defekt, një problem me shtrirje të gjerë, që, në përgjithësi, përfshin njerëz pa moral, pa “shtyllë kurrizore”! Po dhe vetë Gjerasi rrëfen nisur nga pozitat e sotme. Ai ka shkruar dhe e ka glorifikuar “monizmin” sa ka mundur, ndërsa sot i përbalt arritjet e pushtetit popullor e të socializmit. Ai që dëshiron, të lexojë shkrimet e Gjerasit në revistën “Rruga e Partisë”, në “Zërin e popullit”, në leksionet e pedagogut të Shkollës së Partisë “V. I. Lenin” e materiale të shkruara prej tij në aparatin e KQ të PPSH etj., dhe do të bindet për çfarë po them, që sot i mohon, i shtrembëron, i revizionon, i interpreton gjërat sipas “daulles” së kohës, mban qëndrime, që s’kanë lidhje me ngjarjet e zhvillimet e asaj kohe. Në disa shkrime, pas kthimit nga Moska, Gjerasi e ka bërë Hrushovin “pleh”, siç në fakt e meritonte, ndërsa ngre lart Enverin, siç në fakt e meritonte.

Përse tani bën kundërtën, çfarë ka ndryshuar? Se Hrushovi dhe Enveri kanë mbetur siç kanë qenë! Ai që ka lëvizur e ka ndërruar rol është Gjerasi! Ky jep këshilla se duhet “t’u ruhemi sjelljeve të papërgjegjshme, mërive e grindjeve si ato të Enver Hoxhës me Hrushovin”! Si duket Përkthyesi harron se kjo e bën edhe qesharak, madje vë kështu në “siklet” edhe njerëzit që e njohin se cilit Gjeras duhet t’i besojnë, atij të vitit 1960 apo të vitit 2016?

Gjerazi flet për “dramë” në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike. Po, kjo, për hir të së vërtetës, ishte një ngjarje dramatike! Po kush e shkaktoi, përse u krijua kjo dramë? Kush ishte fajtori? Gjerasi, bazuar në mësimet e në qëndrimet atje të Enverit, përkthyes i të cilit ishte, u pat vënë pikat mbi “i” tradhtisë hrushoviane dhe qëndrimit heroik të PPSH-së me Enver Hoxhën në krye. Ndërsa sot thotë të anasjelltën?! Pse?!

Njeriu, kur lexon kujtimet e Gjerasit, pret të lexojë  “dramën” e përplasjes së madhe midis Hrushovit e Enverit në Moskë, por jo, ndalet në disa gjëra anësore, të cilave edhe u ka dhënë rëndësi parësore.

Muharrem Xhafa

Muharrem Xhafa

Plot gjera ka për të thënë se sa gabim flet zoti Frederik, po do të përmend tri prej tyre: Së pari, nuk ka kurrfarë “drame”, siç e quan ai, pse “grindjet” mes Hrushovit e Enver Hoxhës ndodhën në dhomën ku kishte punuar Lenini në Kremlin”. Se “drama” qëndronte tjetërkund, ishte në tradhtinë e mësimeve të Leninit nga Hrushovi, jo në mbrojtjen e Enverit të mësimeve të Leninit! Ndaj them se çfarë Gjerasi quan “grindje” të Enverit me Hrushovin ishin mbrojtja qe Enveri u bënte mësimeve të Leninit në tërësi e atyre për barazinë në marrëdhëniet midis partive motra, në veçanti, pavarësisht se ishin parti të mëdha apo parti të vogla!

Së dyti, nuk kishte kurrfarë drame në “diskuret” e Ibarrurit e të tjerëve kundër Enverit, sepse ato nuk mbronin mësimet e Leninit e të Stalinit, po qëndronin në anën e tradhtisë revizioniste, si shërbëtore të Hrushovit!

Së treti, asnjë dramë s’kishte në propagandën e PPSH-së kundër Hrushovit, se cilës Gjerasi i ka shërbyer me hov revolucionar, veç dënimit të merituar që i bënte PPSH-së dhe Enver Hoxha tradhtisë hrushoviane dhe mbrojtjes, hapur e parimisht, të mësimeve të marksizëm-leninizmit!

Gjerasi, i cili i njeh ngjarjet, gabon rëndë kur shtrembëron e hedh baltë mbi të vërtetën historike të ndeshjes antihrushoviane dhe mbi miqësinë e vjetër e të ngushtë të popullit shqiptar me popujt sovjetikë, miqësi kjo e lidhur dhe e forcuar nga Lenini e Stalini, jo nga Hrushovi! Se, ritheksoj, Hrushovi e sulmoi Shqipërinë e vogël nga pozitat e “partisë mëmë” e të “vendit të madh” duke cenuar rëndë miqësinë sovjeto-shqiptare, të vendosur para Luftës së Dytë Botërore, të forcuar gjatë saj dhe në dekadën e parë të ndërtimit socialist në Shqipëri, madje edhe më pas, derisa Hrushovi doli hapur e deshi të na “pushtojë” nën pretekstin e Bazës së Vlorës. Sado sharlatan, askush nuk do te gjejë një fjalë të thënë nga Enver Hoxha e PPSH kundër miqësisë së popullit shqiptar me popujt sovjetikë!

Për “dramën e shkatërrimit të atyre familjeve shqiptare të martuara me gra ruse, që u perzunë kur u prishën marrëdhëniet dhe të atyre grave të tjera ruse, që nuk u kthyen në BS e i burrave të tyre, që u persekutuan nga diktatura, u internuan e u burgosën”, pa mohuar gabimet në qëndrimin ndaj tyre e as po i futemi analizës për to, Gjerasi është i pasaktë, sepse ato  duhen vlerësuar rast pas rasti, jo vetëm në bllok!

Po të shihen me kujdes vërejtjet e Gjerasit, ai i adreson ato kundër Enver Hoxhës, çka tregon se Përkthyesi i tij është renditur me korin e antikomunistëve të vjetër e të rinj, ndonëse është ndër “kalemxhinjtë” e asaj kohe, i cili ka mbushur thasë me shkrime duke propaganduar mësimet e Enver Hoxhës.

Gjerasi thotë se në fjalimet e kujtimet e tij, Enver Hoxha çfarë shkruante sot e ndryshonte nesër! Një budallallëk i Gjerasit! Se, kur dikush ka ndërruar qëndrim, duke kryer veprimtari armiqësore, vetëm atëherë Enveri ka bere rivlerësimin e punës e të veprimtarisë të atij dikushi, mbi bazën e të thënave e të të dhënave të reja. Përndryshe, Enveri nuk ka ndryshuar kurrgjë!

Mbase po, por duhet bërë kjo pyetje: A u është kthyer ndonjëherë Gjerasi për të parë çfarë ka shkruar me dorën e tij për Enver Hoxhën në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike?! Se po “çudit” dynjanë, mbasi ai nuk është një “kryetar ballist a një kolaboracionist, as një “analist” nga ata të sotmit, pa shtyllë kurrizore, që nuk ngurrojnë t’i pastrojnë edhe bishtin punëdhënësve borgjezë! Një ditë, nëse kjo do të duhet, do të botojmë çfarë Gjerasi ka shkruar e ka botuar për të treguar se është jo Enver Hoxha, po Përkthyesi i tij ai që ka ndryshuar në mbrojtje të Hrushovit e të borgjezisë! Gjerasi thotë se “kam bërë ndonjë vërejtje për librin e tij (Enverit) “Hrushovianët”! Ok, le të bëjë “ndonjë vërejtje”-n e tij, po të tregojë edhe se kur e ka thënë ose ku e ka botuar. Se “Hrushovianët” është një libër i madh, me famë në botë. Një vërejtje ose vërejtjet nuk i bëjnë keq asnjë libri, madje Enver Hoxha ishte i hapur për vërejtje, por jo për shpifje!

Frederik Gjerasi me bashkeshorten

Frederik Gjerasi

Përkthyesi “guxon të vlerësojë” Enver Hoxhën e të thotë, pas dekadash, se “kam përshtypjen që Enver Hoxha nuk kishte arritur dot të kuptonte thellë procesin e ndërtimit komunist në Bashkimin Sovjetik” e po kështu “as karakterin e popullit rus”! Gjerasi është i përkrahur  që thotë këto marrëzi! Po, në anë tjetër, kam bindjen që i dalin në ëndërr leksionet e lëndës së “Ekonomisë Politike” në Shkollën e Partisë të Enver Hoxhës, në të cilat ai zbërthente në detaje që udhëheqësi i shquar marksist-leninist, Enver Hoxha, jo vetëm ka zbatuar në mënyrë krijuese, po edhe ka pasuruar teorinë e praktikën e marksizëm-leninizmit për ndërtimin e socializmit, mbështetur në forcat e veta! Shkruan edhe marrëzi të tjera, se “mund të vihet në dyshim që ai (Enveri) të ketë studiuar e konspektuar librat e Marksit e Leninit për të njohur teorinë e komunizmit e për t’u udhëhequr prej tij”! Sot mund të flasë si të dojë kundër Enverit, të thotë edhe që mund të “vihet në dyshim”, edhe që “kam përshtypjen nuk kishte arritur të kuptonte” këtë e atë, po çfarë ka thënë Enveri janë ashtu siç kanë qenë thënë e shkruar atëherë. Kjo ia nxjerr bojën Përkthyesit dhe kritikëve borgjezë e revizionistë të Enver Hoxhës!

Interesimit të gazetarit nëse ka vepruar drejt apo gabim Enver Hoxha për çështjet që kishin të bënin me Jugosllavinë, Gjerasi i përgjigjet ashtu siç as Tito nuk do t’i përgjigjej, duke thënë se “në prishjen e marrëdhënieve midis Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik… nuk mund të fajësohen veças as Stalini e as Tito… se shkaktar i prishjes se këtyre marrëdhënieve ishte Enver Hoxha, i cili njoftoi Moskën se Tito donte të sillte divizionet e veta në Korçë”. Gjerasi, për t’ia pasur zili edhe titistët e hrushovianët, absurdin e tij ua faturon autorëve rusë, pa thënë se cilët janë ata dhe në ç’vepra të tyre mund të gjinden për t’u lexuar këto “opinione” të tyre!

Po të kenë durim lexuesit,  le të lexojë çfarë shkruan Gjerasi nga një fjalim i Titos në Pulja të ish Jugosllavisë dhe të gjykojnë. Ai thotë se “në fjalimin e tij në Pulja, Tito i kërkonte Hrushovit të largonte nga pushteti Enver Hoxhën e Mehmet Shehun”! Përkthyesi shqiptar është mërzitur pse Enver Hoxha paskej “marrë veprime të guximshme, që të ruante karrigen” duke iu kundërvënë Titos dhe pse, ndryshe nga “vitet e para të pas çlirimit (Enveri) e shante Titon si askush tjetër! Pra, është bezdisur e rënduar Gjerasi, që Enver Hoxha u tregoi vendin edhe Titos, edhe Hrushovit të tij.

Duke e mbyllur këtë shkrim, dua të vë në dukje se në intervistën e tij zoti Gjerasi ka vlerësuar dhe u ka bërë elozhe Ten Hsiao Pinit, Ramiz Alisë, Liri Belishovës. Ndërsa jo Mehmet Shehut! Punë e tij çfarë thotë për këta personazhe, elozhet për Tenin, Ramizin e Liri Belishovën nuk janë pa qëllim të caktuar! Gjerasit i paska ardhur keq që Enver Hoxha qenka shprehur për Ten Hsiao Pinin: “Liliputi i verdhë në Shtëpinë e Bardhë” dhe se Enveri qenkej “treguar dogmatik, megaloman e bukëshkalë ndaj Kinës, që na ndihmoi shumë kur vetë ishte në varfëri”! Një fshatar nga Elbasanit, jo i shkolluar sa Gjerasi, duke mos pasë qenë i njohur si e sa duhet me prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën, edhe mund të fliste kështu, por jo Gjerasi! Se ky e di mirë që edhe Shqipëria e ka ndihmuar, madje politikisht më shumë, Kinën e popullin e saj.1

Duke shprehur simpatinë e tij për Ramiz Alinë dhe Liri Belishovën, thotë se Alia “më është sjellë gjithmonë mirë, sidomos në fillim, kur më merrte si përkthyes në Moskë dhe se ishte njeri më i butë..” Gjerasi nuk paskej shkuar për ta takuar Ramizin, kur erdhi pluralizmi, jo se ky nuk e ndihmoi, kur u dënua, po sepse ai “nuk i dilte dot përballë familjes Shehu..” Po edhe se, shkruan ai, “nisesha nga diçka parimore”, kisha kuptuar se “familja Shehu priste të vdiste Enver Hoxha e ajo të vihej në krye”! Kjo ngjan e pabesueshme, po, sidoqoftë, e di Gjerasi! Ende më e pabesueshme ajo që thotë Gjerasi për “fejesën” e djalit të Mehmet Shehut! “Kur doli çështja e fejesës së djalit të Mehmetit, shkruan ai, ishte vetë Ramizi, që i telefononte atij në shtëpi dhe i thoshte të thellohet në autokritikën para Byrosë Politike”?! Po si e ku e paska siguruar këtë informacion Gjerasi, ndërkohë që thotë se nuk kishte pasur asnjë lidhje me Ramiz Alinë?! Dhe  vlerësimet për Liri Belishovën, që ajo ishte sjellë mirë me Gjerasin, e ndihmonte të njihej me literaturën teorike që vinte nga Moska, që ishte grua e zgjuar e energjike, që në mbledhjen e organizatës bazë, kur ajo do të dënohej, ky u ishte shmangur qëndrimeve personale dhe që, pas disa vitesh, kur e kishte takuar pranë një kioske gazetash në Tiranë, ata qenkëshin përshëndetur me dashamirësi, këto nuk thonë ndonjë gjë me rëndësi. Gjerasi ka shkruar dhe i ka dënuar fort si veprimtarinë ashtu edhe qendrimet antiparti (PPSH) të Liri Belishovës!

Përfundimisht, dua të them se intelektualët, komunistët e kuadrot e socializmit janë shumë borxhlinj ndaj asaj epoke!

* Sekretar i parë i PPSH-së

 

Share This Article
4 Comments
  • SI TE NDAJME PLEHERAT NGA INFORMACIONI,KJO ESHTE ÇESHTJA!?
    ‘Jo çdo gje e mire per ‘Xheneral motors eshte e mire per amerikanet’
    ‘Jo çdo gje e mire per ‘pleraxhinjte’ e Europes eshte e mire per shqipetaret!’Shendeti i te huajit-vdekje shqiptarit’!
    ————————–
    Nje gazetare e respektuar nga te paketat qe mundohet te beje informacion ne terrin 25 vjeçar,para 2 ditesh fliste per ‘koston’,qe paguajne qytetaret nga perpunimi i mbetjeve ku si shembull merte Kasharin ku ‘bashkejetojne’ informacioni me pleherat! Ne shkrim permendete dhe prepotencen e autorit te pleherave nje fare sharlatani apo Shalesi(shpresoj te mos jete mbiemer qe te kujton shurranjozet e ish bllokut qe po qelbin 25 vjet kete vend)!
    Nga ky shkrim dalin 3 pyetjet tragjike 25 vjet pa pergjigje:
    -Kur informacioni nuk di tragjedine dhe ‘KOSTON’ qe i eshte bere ambjentit 25 vjet si do ta dije ‘shoqja civile’ qe u ben reklame syzeve para ‘parlamentit te ‘patozit’!?-Po kur nuk di ‘koston’ e pleherave qe kane mbuluar ish Shqiperine pse nuk nxjer koston e PLEHERAVE te ‘lopeve shterpa laramane’ ngujuar 25 vjet ne stallen parlanment!?
    -Informacioni tek ne nukEGZISTON se nuk eshte i LIRE,nuk eshte i pa VARUR apo nuk eshte PROFESIONIST!?
    Ne shenje respekti te gazetares do ti rekomandoja te analizoje buxhetin e shtetit per 2016 ku perfundojne parate e femijeve shqipetare te pa ngrene dhe ne mos te beje thirrje per shperndarjen e ketij parlamenti le tu kerkoje doreheqje po qe se ndihen akoma shqipetare dy kryetareve te komisjoneve parlamentare :Te ‘ekonomise e financave’ e ‘Sigurise’!

    Shtylla e ekonomise Amerikane dhe pse jo edhe Boterore ka qene industrija e Detroidit apo makinave ‘Xheneral motors’.Industri qe quhet edhe si ‘fituesja’ e luftes se dyte Boterore qe u trasformua ne industri lufte dhe fale saj qe furnizoi aleatet kupto edhe Rusine demet e te vraret ishin me pak!
    Kjo industri edhe pse mbante gjalle jo vetem ekonomine amerikane por ne te punonin edhe rreth 3 MILION familje FALIMENTOI!
    Shteti amerikan e banka federale me TRASPARENCE ndaj popullit amerikan dhe APROVIMIN e tij per te mos lene rrugeve 3Milion familje dhe per tju shmangur nje katastrofe ekonomike duke u pushtuar tregu nga Japonija Suvencionoi jo pake po rreth 60 miliard DOLLARE ku çdo amerikani i kushtoi mbi 1 mije dollare e me gjithe ate per shume arsye e POLITIKA te GABUARA te shtetit dhe administrates XHENERAL MOTORS-FALIMENTOI—–Ekspertet perfshi dhe nobeliste me emer e cilesuan nderhyrjen e shtetit jo vetem te gabuar por u arrit ne konkluzion qe :Jo çdo gje e mire per ‘xheneral motors’ eshte e mire dhe per amerikanet’!
    Edhe pse paralelizmi duket sa absurd aqe edhe qesharak vlen te behet me nderhyrjen e nje qeverrije AXHAMI te nje vendi pa shtet e pa ekonomi qe kerkon e aqe me teper isiston se duhet te ‘shpetojme’ falimentimin e ‘Industrise se plerahve’qe jo vetem populli 25 vjet nuk di gje e as perfiton gje perveç VDEKJES e ndotjes!Fatkeqesija vazhdon deri aty sa i behet edhe reklame nga ‘shteti’ si ne asnje vend as te botes se trete ne sistem kapitalist ku qeverritaret kthehen ne administratore fabrika plehrash dhe ‘minister shteti’ nje palaço cirku ku me syze dielli te varura ne qafe te nxjer mallin e personazhit KOÇI te hipur mbi karrocen e barit tek filmi Zonja nga qyteti’ e shume personazheve te tjere kaqe te arrirre e qe per fatin e keq kaqe aktuale!

    Ne Bote perfshi edhe ne vendet e Botes se trete ,per tu rikthyer tek ‘kosto’ qe permend gazetarja ne fillim te shkrimit,eshte vendosur nje TAKSE E MIRE kryesisht ne objektet apo industrine qe ndotin ambjentin perfshi dhe taksen ndaj industrise se duhanit dhe benzines.!
    Edhe pse duket si paradoks po kjo Takse e MIRE edhe pse dalin para nga xhepi nuk kundershtohet!’
    Po te marim si shembull Kasharin por ne vend te fabrikes se ‘vdekjes’ te ish nje central elektrik qe furnizonte me energji edhe punonjesit e informacionit prodhonte te mira materjale e nga ana tjeter prodhonte mbetje e ndotje sipas shkalles se ndotjes paguhej dhe nje fare Takse e ‘MIRE’ per shendetin duke i thene :STOP MOS PRODHO ME TEPER ENERGJI SE KALON PARAMETRAT E NDOTJES!
    P.S-Te keqen nuk e kemi tek plehrat qe po na kthejne ne kerpudha kanceroze por tek plehrat e parlamebntit prandaj duhet te kerkohet me referendum reforma radikale e sistemit elektoral dhe 100 perqind Berishat salisjane e Blushat social SSaliste apo metiste duhet te ikin ne shtepi ne mos ne gjyqin e Hages per krime kunder njerezimit me rastin e 70 vjetorit te Gjyqit te Norembergut’!

  • Xhafa,
    Askush nuk i ka borxh atij lugati, se Shqiperia nuk ka qene prone e tij.
    Ti mund ta duash, e vazhdo se eshte e drejta jote, por mos bezdis te tjeret si censor i peshtire.
    Po te ishte lugati i mire, ai nuk do ta trajtonte Shqiperine si çiflik te tij, dhe shqiptaret si skllever te tij, qe kur nuk i bindezhin i denonte.

  • Enveri i pazoti per te mesuar, u montua diktator dhe per te sunduar vrau, jo okupatore, por ata qe luftoni apo luftuan okupatorin, sepse nuk kish mente qe te udhehiqte me forcen e logjiked dhe energjine fizike, perdote intrigen dhe shantazhin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *