Do të duhej ta lexonit shkrimin “Si po dështon Perëndimi në Kosovë?” të “Courrier des Balcans” që të kuptonit se me të njëjtën gabueshmëri, kritikuar shumë kohë më parë, Perëndimi këmbëngul të dështojë edhe në Shqipëri. Situata e ndezur në Kosovë, ku debati parlamentar është asfiksuar nga bombat tymuese të opozitës, dhe ajo e rënduar në Mal të Zi ku qeveria e Gjukanoviçit ndodhet përballë një opozite të egërsuar që flakërin mbi të bombat Molotov të një antiperëndimorizmi gërshetuar me antishqiptarizëm nacionalist, i kanë zënë në befasi shumë qeveri europiane që ngrenë supet të habitura për tretjen kaq të beftë të atij, Ballkanit të mrekullueshëm që jo vetëm kishte lënë prapa konfliktet etnike, por edhe shfaqej tejet i përkushtuar ndaj integrimit europian!
Europa jo më një ëndërr? “Currier” i jep përgjigje kësaj metamorfoze dhe zhgënjimi, duke i treguar Europës, dhe perëndimorëve në tërësi, se ajo që po ndodh sot në Kosovë a Mal të Zi, por që nuk është fare çudi të përhapet edhe në zona të tjera të gadishullit, është rezultati logjik i braktisjes, nga vetë diplomacia europiane por edhe ajo amerikane, e parimeve mbi të cilët themelohet demokracia liberale. Një braktisje, ose më saktë, një lënie mënjanë e këtyre parimeve për interesa më globale, dhe më strategjike. Dhe janë pikërisht këto parime të neglizhuara, sikundër drejtësia e pavarur, ndarja reale e pushteteve, zgjedhjet vërtet të lira e të ndershme, që sot hakmerren dhe godasin si bumerang në formën e mafieve të kockëzuara në politikë apo, jo e palidhur me këtë të parën, rindezjen e ekstremizmit nacionalist.
Është e trishtueshme që shumë nga kritikat që formulohen sot në “Currier des Balcans” për Kosovën dhe Malin e Zi, janë ulëritur shumë kohë më parë edhe në Shqipëri nga mediat vendase. Por pa dobi. Ndërkombëtarët kanë refuzuar t’i dëgjojnë për më shumë se dy dekada. Sepse edhe në Tiranë, ndërkombëtarët kanë mbështetur, madje insistojnë në këtë gabim, qeveritarë dhe ish qeveritarë të korruptuar deri në palcë “por përsosmërisht besnikë ndaj këshillave të mbrojtësve të tyre” në Bruksel, Berlin, Paris apo Uashington. Dhe, për dreq, këto këshilla më shumë se për demokracinë, puntonin tek stabiliteti rajonal. Një gjë vërtet e lakmueshme kjo. Por jo aq e lakmueshme sa t’ja vlejë të sakrifikosh për të, demokracinë. Sepse vetëm demokracia është themeli më i shëndoshë për stabilitetin. Por ndërkombëtarët, dhe nuk mund të mos bësh habi për këtë miopi, nuk mendonin kështu! Vetëm stabiliteti i gadishullit të mos tronditej nga konfliktet etnike, pa në djall demokracia dhe shteti ligjor se puna e tyre mund të presë!
Kështu për dy dekada me radhë u mbështet në Tiranë një autokrat i thekur dhe i korruptuar deri në palcë si Sali Berisha, ky pionier i kapjes së drejtësisë, manipulimit të zgjedhjeve dhe i kontrollit të mediave në Shqipëri. Dhe përse? Vetëm dhe vetëm se shfaqej kinse i angazhuar për qetësinë në rajon. Dhe më në fund qe vetëm revokimi prej Berishës, në funksion të zgjedhjeve të vitit 2013, i frymës nacionaliste të Shqipërisë së Madhe, që i bënë ndërkombëtarët t’ia kthejnë ca shpinën (ndonëse prapë jo për fare) dhe jo korrupsioni, vrasja e qytetarëve të pafajshëm apo degradimi i standardeve të demokracisë liberale në Shqipëri. Duket nga ky pësim i autokratit të Tiranës ka nxjerrë mësime Gjukanoviç, partneri i Berishës në thyerjen e embargos në naftës mbi ish-Jugosllavinë që, në vend se të luajë kartën e nacionalizmit për të qëndruar në pushtet, ka vendosur të njollosë protestat e opozitës kundër korrupsionit dhe autokratizmit të tij, me nacionalizëm.
“Drejtësia i nënshtrohej diktateve të të fuqishmëve, mediat ishin nën kontroll; por Komisioni i Europian fliste vazhdimisht për progres thelbësor nëpër raportet e tij të progresit vjetor” – shkruan “Courrier”. Është më se e vërtetë, për vite e vite me radhë, edhe për Shqipërinë! Është po ashtu e vërtetë që në media është kritikuar në vazhdimësi gjuha ambigue përdorur në këto raporte progresi kinse për të maskuar regresin e një demokracie butaforike. Por gjithçka në vesh të shurdhër. Dhe nuk janë vetëm raportet që kanë maskuar regresin me progres. Në kulmin e krizave politike dhe dështimit ashiqare të demokracisë, në Tiranë zbarkonin misionarë, nga Uashingtoni ndonjë Xhonatan Mur (Moore) ndërsa nga Brukseli ndonjë Jozef Dol (Daul) për t’u thënë shqiptarëve se megjithatë, “demokracia është funksionuese”! Inkurajim apo maskim i asaj që po shfaqet si një demokraci fasadë apo e kalbur?
Madje në Tiranë ndërkombëtarët kanë shkuar edhe larg në eksperimentimet dhe trajtimin e demokracisë së një “collateral damage” të natyrshëm për stabilitetin. Në prill të vitit 2008 ata dhanë viston për një reformë të Kushtetutës që, në fakt, rrënoi edhe në letër ndarjen e pushteteve. E inkurajuan këtë aventurë edhe pse nga brenda vendit, u ngritën opinione kundër madje u krijua edhe një Komitet për Mbrojtjen e Kushtetutës që Lohan-ët dhe Bosh-ët, me një arrogancë tipike kolonialiste, nuk denjuan ta përfillnin. Kjo është “të bësh sikur” me projektin e demokracisë. Një aventurë cinike ose, më e pakta, e papërgjegjshme me fatet e një vendi të vogël.
Por të “bërit sikur” vazhdon. Për shembull, Presidenti aktual, Nishani, është një besnik i Berishës ndaj i zgjedhur prej tij me shumicë të thjeshtë (pra vetëm me votat e qeverisë) pikërisht si rrjedhojë e asaj reforme skandaloze të Kushtetutës që, për standardet e demokracisë liberale, mund të quhet, pa frikë se gabon, një kundër-reformë. E megjithatë ndërkombëtarët vazhdojnë të “bëjnë sikur” Nishani është i pavarur. Edhe vetë Nishani bën sikur është i pavarur dhe i dërgon ndërkombëtarëve vërejtje për shumicën dhe qeverinë që në fakt, janë vërejtje të forcës politike nga ka dalë. Dhe kjo parodi, komentohet si balancë pushtetesh!
Ajo që ka ndodhur në Tiranë me Kushtetutën është një braktisje flagrante e parimit të ndarjes së pushteteve, themelor dhe jetik për demokracinë liberale. Po si mund ta bëjnë këtë misionarë të demokracisë?! Një devijim që mund të shpjegohet me lloj-lloj konjukturash, miopish apo interesash, por kurrë me demokracinë dhe parimet e saj.
I njëjti dyshim mund të hidhet edhe mbi marrëveshjen për krijimin në Kosovë të shoqatës së komunave me shumicë serbe (zajendnica). Ajo nuk mund të mirëkuptohet kurrë nisur nga filozofia apo fryma e bashkëjetesës së etnive në Kosovë. Sepse nuk mund të mos pyesësh: Kur fryma që duhet nxitur është bashkëjetesa mes serbëve dhe shqiptarëve si qytetarë të barabartë të një shteti të përbashkët, përse i rikthehemi ngritjes së mureve etnikë që ndajnë?! Mos vallë është një karrem i vockël dhe i padëmshëm për projektin e shtetit multietnik, vetëm sa për të kënaqur disi nacionalizmin serb tani që Serbia dhe Rusia po ja bëjnë me sy njëra-tjetrës! Edhe po të jetë kështu, mjeti nuk justifikon qëllimin final. Se kurrë nuk mund ta ngopësh nacionalizmin me të tillë karrema. Përkundrazi, ja hap oreksin duke bërë që nesër, të ngrihet edhe më fuqishëm kundër projektit të bashkëjetesës multietnike.
Është për të ardhur keq, por në vend që të kompaktësojnë konsensualisht politikën shqiptare rreth parimeve dhe vlerave të demokracisë, ndërkombëtarët janë bërë vetë viktima të përçarjes shqiptare. Kur Fleckenstein zbret në Tiranë, ka kujdes të theksojë më fort nevojën e reformës në drejtësi që mbështetet nga e majta në pushtet, ndërsa Kukan, ka kujdes të theksojë domosdoshmërinë e dekriminalizmit që është, në thelb, një truk i opozitës së PD.
Në Kosovë kemi Kadri Veselin. Ish shefi i vrasësve të SHIK-ut – e quan atë “Courrier”. Po në Tiranë? Kemi akoma Berishën, kryeshefin real të SHIK-ut të tmerrshëm mbi të cilin rëndojnë krime si ai zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha. Por kemi edhe dhe Bashën, bashkarkitekt me Berishën jo vetëm i vrasjes së protestuesve në 21 janar, por edhe të sa e sa skandaleve korruptive. E megjithatë ndërkombëtarët këmbëngulin t’i shohin ata si alternativë demokratike të pushtetit madje, “yje në ngjitje”! Dhe këta politikanë, që kanë shmangur ballafaqimin me drejtësinë, madje që janë akoma në politikë vetëm sepse kanë shkatërruar dhe kapur drejtësinë, ndërkombëtarët këmbëngulin t’i kenë partnerë deri edhe për dekriminalizimin e politikës, problemin si pjesë e zgjidhjes së tij.
Sipas “Courrier”, ndërkombëtarët thonë për Gjukanoviçin: “E kemi njohur ne, ne ia premtojmë karotën e integrimit euro-atlantik, ne ia falim veprimet mafioze, lidhjet strukturore me krimin e organizuar, në emër të interesave “më të larta” të stabilitetit rajonal”. Një këngë e stërdëgjuar prej vitesh këtu në Tiranë ku në emër të stabilitetit, si e mirë më e madhe, është sugjeruar nga ndërkombëtarët të mos hetohen dhe ndëshkohen deri edhe organizatorë grushtesh të armatosura kundër shtetit si ai i 14 shtatorit 1998.
Kështu, pasi i ka mbijetuar drejtësisë Gjukanoviçi është i gatshëm që, për të shpëtuar pushtetin e tij, “të riaktivizojë përçarjet e vjetra (ndëretnike A.S.) ta kthejë Malin e Zi në gjendjen e gati-luftës civile që ka njohur gjatë një dhjetëvjeçari, nga 1995 deri në 2006”. Në Tiranë, për të rimarrë pushtetin Berisha, i fshehur keq prapa të riut Basha, po riaktivizon të gjithë armiqësitë e vjetra, deri edhe çarjen anakronike të shqiptarëve në komunistë dhe antikomunistë.
Të dy këta autokratë, përveçse kanë mentorët dhe mbështetësit e tyre në Bruksel a Uashington, kanë mundur t’ua fusin frikën deri në palcë ndërkombëtarëve duke ju tundur para hundëve kërcënimin e destabilitetit. Dhe meqenëse (për hir të stabilitetit rajonal që sot është më i rrezikuar se kurrë pikërisht për shkak të demokracive fasadë) nuk kanë punuar ndër vite që të fuqizohen institucionet e të drejtës që do të mund t’i kishin dhënë përgjigjen e duhur këtyre të korruptuarve që mbajnë si A-se nën mëngë destabilitetin, ndërkombëtarët janë të detyruar të përulen në vazhdimësi para shantazhit të tyre dhe të sakrifikojnë, demokracinë!
Pikërisht të vetmen që mund t’i shpëtonte nga ky kurth vicioz. Sepse ajo që kanë siguruar me bekimin e autokratëve si Berisha apo Gjukanoviç, nuk ka qenë stabiliteti por ka qenë një qetësi, si ajo para stuhisë, që kishte dhe ka për peng demokracinë. Ja përse sot ndërkombëtarët detyrohen të na tradhtojnë edhe ne, edhe demokracinë. Madje edhe Europën vetë!

Nje analize perfekte! Po kujt ua thua te vertetat, o “Kurrier”? As nderkombetaret (me mire me thene-Demagoget qe i bijne lodertines me kinse serioze, por qe jane bere qesharake si vasale te Berishizmit) dhe as politikanet tane as qe duan t’ia dine per demokracine ne Shqiperi. Te huajt shohin e bejne sehirr, me falni per shprehjen, tallin menderen me populli tone fukara, ndersa skota e atyre qe i shporrem me voteprape ne qafe i ka populli me “istikamet e zena mat”:presidenti, gjykatat, prokurorine he skoten e qeveritareve qe kane mbetur ne administrate si mina me sahat.
artikull shumë i mirë, krimi sistemi të veprojë ndërkombëtare, veçanërisht gjermanët dhe amerikanët në sistemin gjyqësor. një artikull në lidhje me gjermanët në Birn profesionit misione të drejtësisë penale
22 Nov 14
EU’s Albania Delegation Probed Over Justice Tender
The EU’s anti-fraud office, OLAF, is investigating claims that the EU Delegation in Albania offered a major tender to a German company for corrupt reasons, BIRN can reveal.
http://www.balkaninsight.com/en/article/eu-s-albania-delegation-probed-over-justice-tender