Pritja e trazuar e aleatëve

anazapta

Kanë kaluar tashmë më shumë se tre muaj nga zgjedhjet e 23 qershorit, por nuk është shënuar ende progres në realizimin e marrëveshjes që aleatët nënshkruan dy muaj para zgjedhjeve për bashkëqeverisje me PS-në në 4 vitet e ardhshëm.

Vonesa e famshme “kushtetuese” prej dy muajsh e gjysmë për marrjen e detyrës nga qeveria e re, ka bërë të vetën. Por edhe impenjimet e menjëhershme jashtë vendit të Edi Ramës, kanë ndikuar në tendosjen e nervave për disa prej tyre. Gjithsesi, aleatët janë në pritje. Por mbi të gjitha janë të heshtur.

Padyshim që në shifrën prej më shumë se 1 milion votash pro koalicionit fitues, secili ka vendin dhe peshën e vet. Një lexim i vëmendshëm i votës së 23 qershorit të bind se pesha e këtyre aleatëve ka qenë e konsiderueshme dhe duhet vlerësuar si e tillë.

 

Gjinushi, i heshtur. Milo, pothuajse i heshtur

Skënder Gjinushi, Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Spartak Ngjela, Kryetar i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, si dhe Paskal Milo, Kryetar i Partisë së Demokracisë Sociale, duket se e “kanë bërë me fjalë”. Japin të njëjtën përgjigje: Përderisa ende nuk janë ulur për të folur me Ramën mbi zbatimin e marrëveshjes së para 23 qershorit, nuk mund të shprehen.

Gjinushi ka qenë më i heshturi gjatë gjithë kësaj kohe. Njerëz afër tij flasin edhe për një problem familjar me sëmundjen e një njeriu të afërm, që i ka marrë shumë kohë. Edhe Milo përgjithësisht ka heshtur, megjithëse herë pas here, e ka “tradhëtuar” heshtjen me ndonjë deklaratë në media, ku tensioni dhe nervozizmi nga pritja e gjatë lexohet mes rreshtave. “Rama të merr në telefon vetëm nëse del e shan në media – u shpreh ai ca kohë më parë, duke dhënë kështu një dëshmi indirekte të mungesës së komunikimit me lidershipin e PS.

 

Artur Dojaka, një “gjithë-vlerësues” i qetë

Kreu i Aleancës Popullore, partia që vetëm me një muaj jetë, arriti të renditej e pesta në koalicionin me 36 parti, duket më i qetë nga të gjithë.

E kërkojmë në zyrat e tij në qendër të Bllokut, na adresojnë në kodrat në periferi të Tiranës, ku Dojakën, i cili merret prej vitesh me agrikulturën, e gjejmë në një stan; një ambjent që duket sikur është mijëra kilometra larg zhurmës dhe tensionit të Tiranës. Na ndjekin gjatë gjithë ecejakes sonë, sytë kuriozë të barinjve dhe vështrimet protektive të qenve të stanit. Edhe bashkëbisedimin e shkurtër me Dojakën na u desh ta bënim mes blegërimës së deleve: “Kemi një marrëveshje parazgjedhore, e cila shumë shpejt do përkthehet patjetër në bashkëpërgjegjësi qeverisëse. Vlerësojmë impenjimin e kryeministrit Rama dhe vëmendjen e zotit Meta në këtë drejtim” – thotë Dojaka, votat e të cilit plotësuan kuotën përfshirëse për të paktën 3 deputetë të PS-LSI në Kuvendin e ri. Më pas, kreu i AP-së na përcjell edhe më shpejt nga ç’na priti dhe thotë duke buzëqeshur: “Më falni, por tani më duhet të merrem me delet e mia”.

Petro Koçi: Rama me axhendë të ngjeshur…

“Qeveria sapo është konstituuar dhe sapo ka filluar veprimtarinë e vet. Ndërkohë kreu i koalicionit, tashmë Kryeministër ka qenë dhe mbetet në një axhendë shumë të ngjeshur. Por mendoj se ka ardhur momenti që të kemi zhvillime në përcaktimin e përgjegjësive qeverisëse për aleatët joparlamentarë të Koalicionit – thotë për DITA, Petro Koçi, Kryetar i PSV ’91.

Pyetjes nëse “duhen vlerësuar aleatët në bazë të votave që ata kanë marrë në zgjedhjet e 23 qershorit” – Koçi i përgjigjet:

“Numri i votave përbën vetëm një kriter fillestar. Besoj se duhen patur parasysh kontributet elektorale të para 23 Qershorit si edhe roli i partive aleate gjatë opozitës 8 vjeçare. Emrat dhe vlerat e personaliteteve politike që drejtojnë apo bashkëdrejtojnë subjektet e ndryshme të koalicionit tonë kanë peshën e vet në përcaktimin përfundimtar të përgjegjësive ekzekutive.. Na duhet një formulë realiste në ndarjen e detyrimeve morale dhe qeverisëse. PSV nga ana e vet do nxisë vetëm mirëkuptimin politik, pavarësisht se ç’përgjigje do marrin pyetjet tuaja në të ardhmen – thotë ai.

Edhe Dule, i përfshirë nga “kodi i heshtjes”

Kryetari i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i kontaktuar nga gazeta ‘DITA’ tha se lidhur me marrëveshjen që ka me PS-në do të flasë në një moment të mëvonshëm, por jo tani. Dule sapo ka marrë postin e nënkryetarit të Kuvendit, ndërkohë që nuk është pa gjë edhe brenda grupit të deputetëve të PS-së. Posti lartë në Kuvend duket se ishte alternativa e duhur qetësuese për të, pas dështimit të bisedimeve me Ramën për një post ministr në qeveri. Edhe në rastin Dule, kreu i Kuvendit Meta “i dha drejtim” situatës.

“Tani për tani jemi përfshirë nga “kodi i heshtjes” – shprehet ironizues Dule, duke mos dashur të flasë lidhur me ecurinë e mëtejshme të marrëveshjes më Ramën. Madje ai nuk komentoi nëse ishte përfundimisht i kënaqur apo jo me postin e afruar nga Partia Socialiste si Nënkryetar i Kuvendit.

Avokat Ngjela: “Do e shikojmë”

Ngjela gjithashtu nuk dëshiron të bëjë komente të gjata. Megjithëse me një numër të vogël votash, rasti i tij ka qenë më i bujshmi i pas-23 qershorit, për shkak të profilit të tij të lartë publik.

E përjavshmja Klan në një artikull në numrin e fundit për rastin Ngjela shkruan: “…Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, e ka të vështirë të japë një përgjigje. Në kontaktin e parë e kishte të pamundur të fshehë ankthin dhe padurimin për të ditur se çfarë do të “kapte” nga qeveria në formim. “Jam në bisedime e sipër. Po negocioj, ju lutem më duhet kohë”, shprehet ai, duke pohuar për ekzistencën e negociatave të vazhdueshme për një tjetër vend pas humbjes së postit të përfolur si “Ministër i Drejtësisë”. Por Ngjela, nuk mund të mbysë mërzinë e dukshme që i sjell ankthi i negociatave me PS pas diskutimeve dy javore, duke i cilësuar pa u menduar gjatë, si të dështuara. Ndaj kërkon kohë para se të shpërthejë në pakënaqësi. Dy javë pritje ishin shumë dhe mesa duket ofertat e bëra ndaj tij nuk ishin të kënaqshme për pritshmëritë e larta të avokatit që morri me rrumbullakosje 2500 vota në zgjedhje. “Unë ose jam në qeveri ose jam kundër qeverisë”, tha Ngjela. Megjithatë me një “do e shikojmë”, ai la sërish një shteg të hapur se bisedimet vijojnë, pavarësisht pakënaqësive…”

“Zhduket” koordinatori Gjet Ndoj

Koordinatori i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Gjet Ndoj, nuk mund të kontaktohet. Ai është i ngarkuar nga vetë Rama të flasë me aleatët dhe mediat. Por përpjekjet  për të marrë një prononcim nuk mund të finalizohen, për faktin e thjeshtë se Gjeta nuk e hap që nuk e hap telefonin. Edhe disa nga aleatët e shprehin këtë shqetësim lidhur me koordinatorin dhe telefonin e tij.

Mbetet “në fuqi” në këto kushte një prononcim i tij për mediat në fillim të shtatorit kur tha se “ende nuk e kish takuar Edi Ramën për t’i përcjellë atij pretendimet e kryetarëve të partive”. Gjet Ndoj është njëherësh kryetar i Partisë Aleanca Arbnore.

LSI: Ne kemi marrëveshjen e Shkodrës

LSI-në mund ta pyesësh pak për veten dhe shumë për të tjerët. Luan Rama e reflekton qartë këtë në prononcimin për Ditën:  “Ne kemi marrëveshjen e Shkodrës, jemi në marrëdhënie bilaterale me PS-në por mendoj që edhe aleatët e tjerë e tjerë nuk do mbeten pa u vlerësuar. Por siç e dini kryeministri prej disa ditësh nuk ndodhet në Shqipëri – thotë ai.

Edhe nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili e sheh njësoj: “Në radhë të parë, kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me LSI-së. Ajo është një marrëveshje që Rama e ka bërë me aleatët e partive të tjera në koalicion. Por unë besoj se ata do të vlerësohen për kontributin dhe për votat që iu shtuan Aleancës sonë më 23 qershor. Vonesat në përmbushjen e kësaj marrëveshjeje mendoj se nuk kanë të bëjnë me neglizhencën apo mohimin e kontributit të aleatëve, por ngaqë Kryeministri ka qenë mjaft i angazhuar me një axhendë të ngjeshur jashtë shtetit. Besoj në përmbushjen e marrëveshjes – tha ai mbrëmë për DITA.

 

PS: Është vetëm çështje kohe

Sekretari i PS-së për marrëdhëniet me Aleatët, Ndre Legisi, konfirmon për gazetën ‘DITA’ se marrëveshja e nënshkruar me aleatët nuk do të anashkalohet. “Ka aq shumë probleme të mbartura nga qeverisja e kaluar, sa mendoj se edhe implementimi i marrëveshjes në të gjitha nivelet e qeverisjes, kërkon kohën e vet – thotë Legisi dhe shton: “Unë mund të konfirmoj se kontributi i aleatëve në zgjedhjet e 23 qershorit është i pamohueshëm. Ata, pa përfshirë LSI-në, i dhanë Aleancës për Shqipërinë Europiane mbi 99 mijë vota, pra afro 100 mijë vota. Pra janë më shumë se katër deputetë në sajë të këtyre votave të aleatëve të vegjël. Çështje kohe dhe procedurash nga ana e qeverisë Rama, marrëveshja do implementohet” – thotë Legisi

Çfarë thotë marrëveshja e prillit

Dokumenti i nënshkruar në prill të këtij viti flet qartë për mënyrën se si do të ndahet pushteti mes PS-së dhe aleatëve në koalicion, në rast fitoreje të së majtës. Bazuar te kjo marrëveshje, me një matematikë të thjeshtë përfundimi është i qartë dhe i pa ngatërrueshëm. Dy prej tyre u takonte të ishin pjesë e qeverisë në pushtet sepse në dokument thuhet që PS zotohet se “në rast se një parti politike e koalicionit, drejtpërsëdrejti, ka fituar një mandat në zgjedhjet e 23 Qershorit, atëherë ajo ka të drejtë që të kërkojë një vend në qeverinë e koalicionit pas zgjedhjeve”.

Këtë kusht e plotësuan Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), e Vangjel Dules dhe Partia Kristian Demokrate me kryetar Dhimitër Muslia dhe me përfaqësues në Kuvend, Mark Frroku. Por kabineti qeveritar u plotësua dhe anashkalimi i dy aleatëve me mandate në Kuvend u kapërdi pa shumë debate apo inate. Dules iu “zëvendësua” me postin e nënkryetarit të Kuvendit, ndërkohë që Muslia-Frroku janë përfshirë në një situatë disi konfuze mediatike, me deklarata dhe përgënjeshtrime të njëpasnjëshme.

Në marrëveshje thuhet gjithashtu se PS garanton se “pas fitores është e gatshme për të bashkëqeverisur me çdo forcë politike që përfaqëson një numër votash si shprehje të vullnetit të popullit, në nivel qarku nga 500 deri 1000 vota, dhe në nivel kombëtar 5000 deri 10.000 vota”. Këtë kusht e kanë plotësuar PDS e Milos, PSD e Gjinushit dhe Aleanca Popullore e Dojakës.

Fjalë korridoresh dhe kthimi sot i Ramës

Diskutimi më i nxehtë në këto ditë, është ai i plotësimit të kabinetit me 34 zëvendësministra. Mbledhja e dytë e qeverisë nuk prodhoi emra konkretë për dy zëvendësat që do të ketë çdo ministër.

Disa emra të dalë nga korridoret e kryeministrisë si propozime për këto poste, janë emrat e Dorjan Duçkës, si zëvendësministër i Energjisë, Nora Malaj, në Ministrinë e Arsimit, Arbi Mazniku po tek Arsimi, Majlind Lazimi, zëvendësministër i integrimit, Sokol Dervishaj, zëvendësministër i jashtëm së bashku me Elisa Spiropalin dhe Gjergji Koja zëvendësministër i Shëndetësisë.

Të gjithë emrat e mësipërm vijnë nga dy kampet e mëdha politike në qeverisje, PS dhe LSI dhe nuk zgjojnë shpresat e aleatëve. Zgjojnë gjithsesi shumë pyetje në kokat e tyre. Pyetje të cilat do të mund të marrin ndoshta këtë javë përgjigjen e Ramës që sot pritet të kthehet nga SHBA. Në rastin më të keq, përgjigja do të vijë në fillim të tetorit.

 

*****

D-aleatët…

Të gjithë ishim dëshmitarë se si Partia Socialiste dhe aleatët e saj tradicionalë nënshkruan pakte paraelektorale në lidhje me mënyrën se si do të ndaheshin përgjegjësitë e pushtetit në rast fitoreje. Dhe këto marrëveshje janë mëse të qarta. Kërkush nga ata nuk pret që pas zgjedhjeve dhe fitores, të lihen në harresë ose në rastin më të mirë “as në qiell dhe as në tokë”.

Por pritshmëria e tyre mori një goditje të fortë kur avokat Ngjela, mbështetësi i flakët i koalicionit PS-LSI, mori vesh i pari fatin e ministrisë që i ishte premtuar nga Rama. Rama nuk arriti të mbante një premtim që e kishte bërë dhjetra herë nëpër media gjatë fushatës. A na tregon rasti Ngjela edhe për fatin e mundshëm që mund të kenë aleatët e tjerë të PS? Duhet të presim ndoshta edhe disa ditë, por nëse pohimet se Meta luajti një rol kryesor në fatin e avokat Ngjelës janë të vërteta, atëherë i bie që edhe në rastin e aleatëve të tjerë, Meta do të ketë një ndikim të fortë.

Cila do të ishte zgjidhja më optimale e Ramës në këto kushte? Unë besoj se Rama duhet të sakrifikojë pushtet nga ai i PS për të shpërblyer aleatët e tij kryesorë. Gabimi më i madh i Ramës do të ishte nëse, ashtu si Ngjelës, ai do t’iu thoshte aleatëve me pak fjalë “hodha lumin ju dhj..fsha kuajt”. A mund ta bëj këtë gjë? Nuk do të ishte shumë cudi. Fundja fundit, qeveria aktuale ka 83 vota në parlament dhe një million vota në popull dhe një aleat më pak nuk është se do i prishte punë Ramës sot. Fundja, shumë u lanë pas dore edhe në PS pas marjes së aprovimit nga Meta për koalicionin, dhe përsëri PS ia doli mbanë. Por kjo që sapo theksova pak më lart ka vlerë vetëm për të sotmen. E ardhmja është pezull dhe shumë e paqëndrueshme.

Për momentin duket sikur Rama po shijon momentet e para të post-berishizmit. Mbase edhe aleatët nuk para i shkojnë ndërmënd në këto momente festimi dhe parapërgatitje. Por pas disa muajsh opinioni publik do të fillojë të lëshojë vlerësimet e para mbi qeverisjen. Dhe gjasat janë që pavarësisht punës së qeverisë aktuale, situata do të vazhdojë të jetë e vështirë, dhe shumë probleme do të vazhdojnë të thellohen. Vlerësimet për qeverinë aktuale nuk kanë për të qënë shumë optimiste apo pozitive. Çfarë do të ndodhë në këtë fazë të pritshme të së ardhmes së afërt?

E para, roli i aleatit Meta ka për të pasur një rëndësi të vecantë. Si Kryetar i Parlamentit, Meta do të jetë i gatshëm të bëjë edhe riformatimin e qeverisë nëse kërkohet. Nëse situata kërkon edhe ndryshim qeverie, ai mund ta bëjë këtë gjë brenda 20 minutave, gjithmonë nëse kërkohet nga Rama ose nga situata politike. Roli i Metës do të jetë tejet i rëndësishëm edhe në përcaktimin e prioriteteve qeverisëse. Rasti i SHQUP-it është një shëmbull i pastër. Ka ardhur koha që Shqipëria të eci sa më shpejtë drejt Europës dhe jo të ngelet tek SHQUP-i i Berishës apo “pallati i Bashës”. Ato tashmë u përkasin arkeologëve dhe historianëve – siç do shprehej, besoj unë, Meta.

Por kam frikën se në këtë pikë Rama ka shumë gjasa që të hedhi sytë vërdallë në kërkim të aleatëve të tjerë, të rinj dhe tradicionalë të 23 qershorit. Këtyre sot u ka humbur vula. Dhe kur të vijë kjo ditë dikush mund të ketë ngelur për të nisur betejën e radhës por shumkush mund të jetë larguar sa në opozitë, sa në qeveri hije, dhe sa në vetminë e jetës pa kauzë politike. Besoj se shumë nga këta aleatë janë tashmë në fazën e vendimmarrjes për të ardhmen e tyre. Rama bën mirë që t’i arrijë përpara se ata të marrin vendimet. Nuk mund të ecet me “dale njëherë”. Kjo “dale” që i kthen aleatët në daleatë, duhet shndërruar menjëherë në komunikim të sinqertë dhe raporte politike intensive, jo thjesht për të zbatuar marrëveshjen e para 23 qershorit, por për të mbajtur edhe premtimin e madh të zgjerimit dhe gjithëpërfshirjes si alternativë e qeverisjes klanore të Berishës.

Koha është tani; nesër do të jetë tepër vonë. Aleatët tani e dinë si rrodhën punët, por të paktën Rama mund t’i bëjë të mos ndjehen të braktisur apo, aq më keq, të tallur. Dhe kjo bëhet duke parë nga e ardhmja, duke mbajtur si aleatin e ri ashtu edhe atë të vjetrin, ose më saktë, duke u bërë i sigurtë që e nesërmja të mos të gjejë pa aleatë.

Share This Article
8 Comments
  • Qysh nga nje prilli na cate kaptinen …”Politika nuk ka moral ,duhet te zhdukim te keqen e madhe …Saliun …na duhet e keqja e vogel …Meta {duhet te jesh qorr qe obezi tu dukej i vogel} DELETED

  • Me sa di une Edi Rama i ka bere nje oferte zotit Ngjela, ne post ministri, por vete Ngjela ska pranuar, me teper sdi cfare te them, por di te them se vete shqiptaret ja futen te dyja kembet ne nje kepuce Edi Rames, duke mos ja votuar numrin qe duheshte te kishte Edi Rama nga partija socialiste, por ja dhane voten me shumice Ilirit dhe natyrisht Ilir Meta eshte tani duam apo sduam faktor, ne rregullimin e qeverise.
    Edi Rama e mban fjalen e dhene, por jane derdimenet shqiptare qe sdine ku votojne.

  • C’ fare tregon kjo etje per poste ne nje sistem demokratik, ku politikanet jane nene dhe babe per popullin? Apo populli eshte sherbetor i politikaneve ne rrugen e tyre per pushtet?

  • Ja futi gishtin Ed Rama opozitarve te vertete te 8 vjet qeverisjes kriminale te PDse. Paradoksale por e veretet qe marrveshja e ngjalave te Lalez dhe pakti i turpshem i 1 Prillit, i nxorri perfundimisht jashte loje, Gjinushin, Ngjelen, Kocin, Milon shto ketu edhe difektet e kodit qei kishin ne disfavor. Me paradoksale eshte fakti qe ish pozita e djeshme, ose e thene ndryshe paterica e Saliut, LSI e hajdutit Meta, eshte aleati “strategjik” i Rames…Kjo eshte me skandalozja e pare edhe ne optikene 21 janarit ku zerat me kritike se vete Rama ishin politikane te klasit te larte Gjinushi dhe Ngjela te cilet Rama per 8 vitet e fundit i la jashte parlamentit…

  • Gjinushi ka qënë opozitari me djeges ne kampin e majte. Gjinushi eshte me i majte dhe se vete rama. Gjinushi eshte i pakapshen ne debate. Gjinushi meriton shume!

  • Te gjitha keto rreshtime politike dhe skuadra te vogla te shkojne te luajne ne KATEGORINE E DYTE. aty do gjejne dhe PD

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *