Ka një diferencë kapitale mes “Fali Zot, se nuk dinë se ç’bëjnë”, dhe “mos i fal o Zot, se dinë çfarë s’duhet të bëjnë”. Zemërimi i familjarëve të katër viktimave të 21 Janarit 2011, me siguri anon nga shprehja e dytë, kur vjen puna tek heshtja dyvjeçare e Gjykatës së Lartë për trajtimin e padisë së tyre.
A është kjo dosje e atillë që ka mundësi të trajtohet me procedurë të përshpejtuar? Nëse do pyeteshin njerëzit, e madje nëse do votohej se cila çështje do ta meritonte një vëmendje të posaçme, padyshim që pak syresh do t’i bashkoheshin dosjes së viktimave të protestës së 21 Janarit; shumë pak, shpërthimi i Gërdecit mes tyre.
Është e vërtetë që kapica e çështjeve të patrajtuara ende dhe të mbartura në vite në Gjykatën e Lartë, është e madhe; kryetari i saj z.Zaganjori ka bërë një sqarim publik për këtë. Por ai gjithashtu ka deklaruar në shkurt të këtij viti se me 21 Janarin kjo gjykatë do të merret brenda 6 muajsh. Akoma më i hidhur është ndërkaq, “no comment-i” i zëdhënëses dhe relatorit të çështjes. Sepse nëse pranojmë që kur drejtësia flet, të tjerët duhet të heshtin; ç’duhet bërë kur drejtësia hesht? Dhe ironia e kësaj drejtësie është se edhe kur flet, rastet në të cilat flet mbrapsht janë kaq të shumta, saqë shqiptarët çuditen me gjyqtarët që çuditen pse i fusin të gjithë në një kallëp!
21 Janari është vrarë shumë herë, ndaj kjo heshtje sfinksi i Gjykatës së Lartë nuk mund të quhet “vrasja e dytë”. Për këtë i ka marrë masat ish kryeministri, që kur terrorizoi prokurorinë, zhduku provat, fshiu serverin… dhe masat e tij vazhdojnë. Ato tashmë përcillen mes kukullave të tij në gjyqësor dhe kjo e tanishmja është dëshmi për këtë.
Këta gjyqtarë të… vonuar, nuk janë veç “vrasësit e rradhës” së katër njerëzve të zakonshëm me jetët e të cilëve u luajt politikisht. Jo vetëm nga njëra palë, por edhe nga ata që çfarë nuk premtuan se do bënin, sapo të vinin në pushtet. Dhe kjo është një tjetër pikë helmi për familjarët e Ziverit, Faikut, Aleksit dhe Hekuranit.
