Kjo është historia e Muhamedit, refugjatë sirian, që ashtu si qindra mijëra bashkombas të tij, është larguar nga Siria për t’i shpëtuar vdekjes.
Ai ka shkuar fillimisht në ishullin Kos të Greqisë, por aty është keqtrajtuar nga policët dhe është përzënë. Muhamedi rrëfen se si është ndihmuar nga një polic shqiptar, që i ka marrë në shtëpinë e tij dhe i ka strehuar.
Rrëfimi i tij sillet nga Humans of New York: “Ishulli ku zbritëm quhej Samothrace. Ishim të lumtur që kishim mbërritur aty. Nisëm të ecim drejt stacionit të policisë për tu regjistruar si refugjatë. Madje i kërkuam dikujt anës rrugës të njoftonte policinë për ne.
U thashë refugjatëve të tjerë që të më linin mua të flisja meqë dija anglisht. Pak më vonë erdhën dy makina Jeep të policisë me shpejtësi dhe që ndaluan duke kërcitur frenat. Ata silleshin sikur ne të ishim vrasës dhe ata po na kërkonin. Na drejtuan armët duke na bërtitur: “Duart lart!”.
U thashë: “Ju lutem, ne sapo jemi arratisur nga lufta. Ne nuk jemi kriminelë!” Ata thanë: “Pusho ore Malaka”. Nuk do ta harroj kurrë këtë fjalë: “Malaka, Malaka, Malaka.” Të gjithë na thërrisnin në këtë mënyrë. Na mbyllën në burg. Rrobat tona ishin të lagura dhe ne nuk patëm mundësi të ndaleshim t’i thanim.
Nuk mund të flinim. Ende mund ta ndiej të ftohtën që më hyri në kockë. Iu luta komandanti të na jepte për të pirë. Sërish, ai tha: “Pusho Malaka!” Nuk do ta harroj fytyrën e tij për të gjithë jetën. Ai kishte një boshllëk mes dy dhëmbëve të parë dhe pështynte kur fliste.
