3, 4 ose 12 vetë apo më shumë, janë plagosur diku

Alqi Kociko

Sipas një raporti policor të shkruar me profesionalizëm, diku tek 3-4 deri në 12 vetë, por mbase edhe më shumë janë plagosur ditën e djeshme, në qendër të kryeqytetit, ose në Linzë, në Bathore e Paskuqan, por mbase edhe në Fushë-Krujë e Durrës, pa injoruar edhe mundësinë që gjithçka të ketë ndodhur në aksin Levan-Tepelenë.

Historia ka zënë fill në një ngjarje që uniformat blu e përshkruan si sherrin më të hatashëm që ka ndodhur prej muajsh në Tiranë, ose në Fier. Madje jo prej muajsh, por prej vitesh.

“Ishte e vështirë të përcaktoheshin saktë viktimat, sepse ma kishin zënë pamjen ambulancat dhe ne po nxitonim për të prenotuar një restorant”, shkroi në raportin e tij oficeri Kuç Maçi, duke shtuar se prej aty ku ishte ai, dukej edhe një njeri i shtrirë.

“Mbase kishte vdekur, nuk e di. Por incidenti bëri bujë të madhe. Thonë se ishin gjimnazistë që ziheshin për një femër, apo lazaratas që po ziheshin me njëri-tjetrin për të hypur në furgonin që do t’i çonte për të punuar në parcelat e hashashit në Tepelenë. Mbase…”.

Mësohet se oficeri Maçi e ka ndaluar këtu shkrimin e raportit për eprorët, sepse i mbaroi boja e stilolapsit.

Share This Article
2 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *