Një bast i vënë për sezonin e ri të Napoli-t që shkon kundër supersticiozitetit që karakterizon zakonisht botën e sportit.
Një tifoz, në fakt, ka vendosur të vërë bast për “tripletën” e skuadrës së Maurizio Sarri për sezonin e ardhshëm.
Siç është bërë e ditur nga “Corriere dello Sport”, bastvënësi ka vendosur të investojë 3 euro për një triumf të trefishtë të Mertens me shokë në sezonin 2017/18. Me këto 3 euro ai do të mund të fitonte 4.620.
Tani duhet që Napoli të fitojë më 9 majin e ardhshëm Kupën e Italisë, më 20 maj titullin dhe 6 ditë më vonë finalen e Champions League që do të zhvillohet në Kiev.
Një arritje që do të ishte historike për “axurrët”.
Me pak fjalë, do të ishte një ëndërr e vërtetë për qytetin dhe ekipin, që është grumbulluar për fazën parapërgatitore. Sezoni do të fillojë zyrtarisht me raundin paraeliminator të Champions League.
Skuadra e Maurizio Sarri-t, në pritje të blerjeve të para në merkato, po pret 4 gushtin e ardhshëm për të njohur emrin e kundërshtarit të ardhshëm.
Kështu, Napoli do t’i luajë ndeshjet e para zyrtare më 15 ose 16 gusht për ndeshjen e vajtjes dhe 22 ose 23 gusht për atë të kthimit. Populli “axurr” po pret me padurim shortin për të shkuar më pas në stadium dhe për t’i dhënë mbështetjen e duhur Hamsik me shokë.
