Zbardhet ligji i ri për hapjen e dosjeve

anazapta

Me hyrjen e vitit të ri, pritet që t’i jepet fund edhe debatit të madh të hapjes së dosjeve për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit. Qeveria ndezi dritën jeshile për shqyrtimin në procedurat parlamentare të projektligjit që synon mbledhjen, administrimin, përpunimin dhe përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Pas hartimit në Kuvend, pritet që projektligji t’u japë mundësi qytetarëve aksesin tek të dhënat e ruajtura nga ish-Sigurimi i Shtetit për ta, si dhe vënien në dispozicion të institucioneve shtetërore dhe joshtetërore të informacioneve të domosdoshme për qëllimet e parashikuara në këtë ligj.

Projektligji

Ky ligj do të zbatohet për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944, deri 31 mars 1990, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, autoritetet publike, persona fizikë dhe personat juridikë privatë. Për këtë qëllim, do të ngrihet edhe Autoriteti për Informimin me të dhënat e ish-Sigurimit të Shtetit, që do të jetë një autoritet i pavarur, i përbërë nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi, nga radhët e shtetasve të shquar, me integritet të lartë profesional e moral, të cilët, ndër të tjera, duhet të përmbushin edhe kriterin e pastërtisë së figurës. Në funksion të ofrimit të garancive maksimale të pavarësisë, është parashikuar zgjedhja e anëtarëve fillimisht me shumicë të cilësuar, e vetëm në rast se dështohet të zgjidhen me këtë procedurë, anëtarët zgjidhen me shumicë të thjeshtë, në votimin e dytë. Autoriteti është parashikuar të funksionojë si organ kolegjial, i mbështetur në veprimtarinë e tij nga një Sekretariat Teknik. Rregullorja e funksionimit të tij, struktura dhe organika e Sekretariatit Teknik, miratohen po nga Kuvendi.

Procesi i mbledhjes së dokumenteve

Për identifikimin dhe mbledhjen e dokumenteve parashikohet detyrimi i të gjitha autoriteteve publike dhe arkivave të mbështesin Autoritetin në gjetjen dhe mbledhjen e dokumenteve. Ky proces funksionon në dy mënyra: 1. Vënia në dijeni e Autoritetit, kryesisht, nga autoriteti publik apo arkiva, kur këto janë në dijeni apo konstatojnë, gjatë përmbushjes së detyrave, se zotërojnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, apo kopje, ose dublikata të tyre; dhe 2. Me kërkesë të Autoritetit, kur ky ka arsye të mendojë se dokumente të caktuara mund të gjenden pranë një autoriteti publik apo arkive. Detyrimi për vënien në dijeni të Autoritetit mbi ekzistencën e dokumenteve dhe vënien në dispozicion të tyre, rëndon edhe mbi personat fizikë, ose juridikë privatë. Mospërmbushja e këtij detyrimi prej këtyre të fundit është parashikuar të përbëjë kundravajtje administrative.

E drejta për informim

Projektligji përcakton rregulla dhe procedura të detajuara për garantimin e të drejtës për informim për personat për të cilët ish-Sigurimi i Shtetit ka mbledhur të dhëna, bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, të favorizuarit, rrethin e trashëgimtarëve të këtyre të fundit, institucionet, të interesuarit për qëllime hulumtuese, historike e të rivlerësimit politik dhe median. Kërkuesit i njihet e drejta për t’u njohur me dokumentet kur ai ka cilësinë e të prekurit, palës së tretë, bashkëpunëtorit apo të favorizuarit të ish-Sigurimit të Shtetit, ose është një përfaqësues me prokurë i këtyre të fundit. Kjo e drejtë përfshin njohjen dhe shqyrtimin e dokumenteve origjinale, ose dublikatave të tyre. Kur dokumentet, ose dublikatat, përveç informacioneve personale mbi kërkuesin, përmbajnë edhe të dhëna për të prekur të tjerë apo palë të treta, shqyrtimi i dokumenteve origjinale garantohet vetëm, kur kjo miratohet nga të prekurit e tjerë apo palët e treta, ose është e pamundur ndarja e të dhënave mbi të prekurit e tjerë apo palët e treta, ose është e mundur vetëm me përpjekje të pajustifikuara dhe nuk ka arsye për të prezumuar se të prekurit e tjerë apo palët e treta kanë interes të ligjshëm në mbajtjen e këtyre informacioneve të fshehta. Gjithashtu, do u jepet të prekurve informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta, me kërkesën e tyre. I prekuri, kur ka të tilla, jep në kërkesë të dhëna të cilat e mundësojnë gjetjen e dokumenteve. E drejta për të kërkuar informacion mbi ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për personat e vdekur dhe të shpallur të zhdukur, u njihet edhe të afërmve të tyre, sipas radhës: fëmijët; bashkëshortet, fëmijët e fëmijëve, prindërve, vëllezërve dhe motrave.

***

Zyrtarët që do “rrëfejnë” të kaluarën me Sigurimin e Shtetit

Ligji i ri pritet që të shuajë edhe akuzat e ndërsjellta brenda klasës politike, si dhe shoqërisë civile, lidhur me bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Të gjithë figurat më të larta shtetërore do të kenë lehtësisht të aksesueshme dosjen e tyre dhe figura do të verifikohet nëse vendos që të pranojë detyrën shtetërore.

Kërkesa për zyrtarët

Përpara se të promovohen në një detyrë të lartë, kandidatët duhet që të verifikojnë figurën e tyre nëse kanë qenë, ose jo, bashkëpunëtore të sigurimit. Parashikohet që autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit. Krerët më të lartë të shtetit, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve të shtetit, do të duhet të tregojnë nëse kanë qenë anëtarë, ose kandidatë të Byrosë Politike, anëtar të Komitetit Qendror të PPSh-së, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, ministër apo zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike. Informacione do të jepet edhe për ata që figurojnë në dokumente si punonjës, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, pas mbushjes së moshës 18 vjeç.

Zyrtarët që do tregojnë të kaluarën

Është një listë e gjatë zyrtarësh, të cilët para se të promovohen në detyrën e re, do të jenë të detyruar që të tregojnë edhe të kaluarën e tyre. Autoriteti që do të ngrihet, do të japë informacione për këta zyrtarë: a)Presidenti i Republikës; b)anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, funksionarë politikë, anëtarë të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues në administratën shtetërore dhe pozicione të barasvlefshme me to; c)anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve; ç) anëtarë të Gjykatës Kushtetuese; d) funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardën e Republikës, oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”; dh)       prefektë; e)drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, Shërbimit Informativ Ushtarak dhe çdo njësie tjetër të inteligjencës; ë) drejtues në Policinë e Shtetit, deri në nivel qarku dhe komisariati; f) drejtues të përfaqësive diplomatike; g) guvernatorë dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë; gj) anëtarët e Akademisë së Shkencave, rektorë, zëvendësrektorë, dekanë, zëvendësdekanë në universitetet publike; i) drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar; j)drejtor dhe zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare; k)çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi.

Zgjedhjet e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive

Nëse ligji i ri hyn në fuqi para 21 qershorit 2015, atëherë opinioni publik do të ketë mundësi që të njihet nëse kandidatët e tyre kanë qenë, ose jo, bashkëpunëtorë. Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish apo komunash dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale.

Informimi për qëllime të shërbimeve të inteligjencës

Dokumentet që përmbajnë të dhëna personale mbi personat e prekur apo palët e treta, nuk do të lejohen të vihen në dispozicion, ose të përdoren nga shërbimet e inteligjencës apo në favor të tyre. Përjashtim do të bëhet mbi dokumentet që përmbajnë të dhëna për punonjësit e shërbimeve të inteligjencës, kur përdorimi i të dhënave është i domosdoshëm për të parandaluar rrezikun për këta punonjës apo për shërbimin e inteligjencës apo për punonjësit e shërbimeve të tjera të inteligjencës, kur përdorimi i të dhënave është i domosdoshëm për kundërspiunazhin.

Informimi i bashkëpunëtorëve

Autoriteti u jep bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta, me kërkesën e tyre. Informacioni mund të përfshijë edhe një përshkrim të llojit dhe vëllimit të veprimtarisë, një përshkrim të rrethit të personave mbi të cilët është raportuar, si dhe periodicitetin e raportimeve. Me kërkesë të tij, bashkëpunëtorit i garantohet e drejta e njohjes dhe shqyrtimit të dokumenteve të hartuara për të dhe i dorëzohen dublikata të tyre. Në dublikata do të duhet të bëhen të palexueshme informacionet personale për të prekurit apo palët e treta.

Kush quhet bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit

Bashkëpunëtor do të quhet çdo person që ka bashkëpunuar me organet e ish-Sigurimit të Shtetit, në veprimtari të karakterit politik që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar, apo ka qenë bashkëpunëtor vullnetar për vepra të tilla. Gjithashtu, bashkëpunëtor do të cilësohet edhe ai që ka pasur një marrëdhënie pune apo shërbimi zyrtar me ish-Sigurimin e Shtetit dhe oficerët e ish-Sigurimit të Shtetit, me misione speciale apo ka deklaruar gatishmërinë për t’i dhënë informacione ish-Sigurimit të Shtetit. Bashkëpunëtor është dhe ai që ka pasur, ligjërisht apo faktikisht, kompetencën për t’u dhënë urdhra bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me veprimtarinë e tyre në favor të tij.

Share This Article
2 Comments
  • Per 46 vite kujdesi per regjistrimin dhe ruajtjen e shantazhit dhe krimit u kthye ne art. Per 24 vite te tjera, dosjet u perdoren ne menyre selektive per shantazh dhe krim politik. Ne te dy rastet gjithcka ishte, por jo drejtesi. Deshiroj, por dyshoj se do te shohim te verteten ashtu sic cka ndodhur. Aq me pak, nuk kam besim qe jo thjesht ata qe u perdoren, por ata qe krjuan ate sistem fuksimi do te mund te dalin para drejtesise. Shume flasin per ushtaret, vullnetaret, dhe te detyruarit qe kane dosje si bashkepunetore. Permendim pseudonime, etj. Po kush i vuri keta pseudonime? Kush i mbajti ato fije nen kontroll? A do te ndershkohen ndonjehere ata kriminele qe krijuan dosje e perdoren dosje? Cdo te ndodhe me fuksat direkt me shume se me x-in dhe y-nin, cdo te ndodhe me shefat e fuksave, dhe me ata qe masakruan te verteten per 24 vite tranzicioni?

  • Shefat dihen,sistemi po ashtu, edhe si dhe pse u krijuan dosjet dihet,tani eshte e rendesishme qe cilitdo personi ti dalin “lakrat ne shesh”. Ne se kjo gje realizohet, Shqiperia do bjere ere jashqitje,sepse ne tre shqiptare,nje ka qene bashkepuntore i sigurimit. Por, gjithsesi, kjo gje duhet bere qe te bindemi qe kemi qene e mbetemi,nje “pis milet”,populli me me cené ne Ballkan…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *