“Specialisti”, disa detaje të hetimit dhe… sa më pak eufori!
Redaksionale
Specialisti është një film artistik i famshëm Hollivudian, ku Silvester Stalone luante rolin epik të një ish-ushtaraku, eksperti të pagabueshëm të eksplozivëve që punonte për hesap të vetë dhe me kontratë-pagesë. Vala më e fundit e terrorit me shpërthime tritoli dhe vala e arrestimeve në 4 ditët e fundit në Shqipëri, tregoi se shpesh herë realiteti e tejkalon fantazinë dhe trillin artistik.
Julian Sinanaj, një 31-vjeçar i lindur në Elbasan dhe i rritur në Vlorë, u arrestua 4 ditë më parë si vrasës me pagesë. Është ende herët për të përcaktuar qartë se çfarë ndodhi pas këtij arrestimi që me sa duket ka zbuluar një rrjet të organizuar vrasësish profesionistë. Sikundër është ende herët të thuhet se në ç’mënyrë u arrit tek gjurmët e Sinanajt, apo sa persona të tjerë, të pa ekspozuar ende, janë të përfshirë në rrjetin ku bën pjesë Sinanaj si ekzekutor i dorës së parë. Është në stilin e raportimeve të kronikës që në hapat e parë të operacioneve dhe valës së arresteve informacionet të ofrohen me bujë shpesh edhe me fakte të paqëna.
DITA ka mundur të mësojë nga një burim i organit të akuzës këtë fabul që po e detajojmë më poshtë. Sipas këtij versioni, Sinanaj ka qenë në përgjim, ai dyshohej si vrasës me pagesë dhe prokuroria dhe policia e mbante nën vëzhgim konstant. Ka të dhëna se vëmendja ndaj tij ishte shtuar pas shpërthimit që ndodhi në apartamentin e deputetit Kollozi. Ditën e arrestimit ai do të kryente një vrasje tek 21 Dhjetori në Tiranë. Vrasja u parandalua dhe në telefonat e sekuestruar të Sinanajt u kapën disa sms që ai këmbente me një djalosh të quajtur N.Gj. Mesazhet ishin shumë të dyshimta. Policia e arreston këtë të fundit dhe pas presionit N.Gj, ‘’dorëzohet’’, nis e flet, zbërthehet.
Më pas N.GJ ballafaqohet edhe me “specialistin” Sinanaj dhe ballafaqimi thyen edhe këtë të fundit. Emrat që dolën nga ballafaqimi ishin ata të Marjon Mitros i arrestuar dje në Rinas dhe i dy kushërinjve të tij me mbiemër Mëhillaj të shpallur në kërkim. Këta katër persona funksiononin si një celulë-ekzekutimesh të cilat sipas hetuesve ndaheshin në tre rangje: percjellesi-ndermjetesi-ekzekutori. Është shumë herët për të patur të qartë tablonë e kësaj marrëdhënie mes tyre dhe personazheve të tjerë të implikuar. Mbetet ende e paqartë rruga ekzakte se si u arrit në kapjen e këtyre personave.
Koha do e zbardhë më mirë fabulën. Ajo që dihet me siguri është fakti që grupi rezulton se vepronte si një “makinë qepëse” dhe paraqiste një rrezikshmëri tepër të lartë, duke arritur të merrte përsipër dhe goditje të stilit terrorist. Arrestimi i tyre është një fitore jo e vogël, sidomos pas klimës së terrorit që u krijua në muajt e fundit nga shpërthimet.
Berisha dhe qeveria e tij nuk arriti të zbulojë asnjë rast nga vrasjet me telekomandë për 8 vite. Ky lloj krimi është një krim i pazbuluar në Shqipëri prej vitesh dhe ishte krimi më i suksesshëm me zbulueshmëri zero. Kjo statistikë e zezë i kishte trimëruar autorët e kësaj kategorie dhe në fakt po fuste Shqipërinë nën terror. Po t’i shtosh kësaj dhe sokëllimat e Sali Berishës të rëndohej ndeshëm optimizmi për të ardhmen e rendit në Shqipëri.
Por të tjerë “specialistë” mund të ketë në qarkullim. Ndërkohë që në media po thurreshin lëvdadat e para, një tjetër shpërthim ndodhi në Tiranë. Ndaj dhe përveç meritave të rastit për organet ligj-zbatuese, do të vlente me siguri dhe një këshillë: Sa më pak eufori.
* * *
Zbulohet baza e killerit, 2 vrasje, 5 atentate me bomba dhe 20 ekzekutime në Greqi
Konfirmohen dyshimet e policisë se Julian Sinanaj është killeri i përfshirë në vrasje dhe atentate të bujshme në Greqi dhe Shqipëri gjatë viteve të fundit. Pas braktisjes së vendit fqinj, ku bënte pjesë te “celulat e zjarrit”, 31-vjeçari nga Vlora është vendosur në Shqipëri dhe prej vitit 2012 dyshohet se është përfshirë në dy vrasje, 5 atentate me eksploziv të telekomanduar, ndërsa po hetohet edhe për vrasjen e biznesmenit në Durrës, grabitjet e fundit të bujshme në Durrës e Tiranë, tritolin në shtyllën e tensionit në Milot, madje edhe për atentatin ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi. Por këto të fundit policia ende nuk i konfirmon pasi nuk ka prova bindëse. Kurse për 2 vrasje, 5 bomba të telekomanduara dhe atentatin e fundit të dështuar ndaj një biznesmeni në Durrës, mësohet se ka prova. Ato janë gjetur pas zbulimit të një shtëpie të kthyer në bazë me arsenal të gjithëfarëllojshëm luftarak dhe pajisjesh të sofistikuara. Banesa ishte në “Rrugën e Kavajës”, ku policia sekuestroi dhe filmoi provat e shumta. Janë gjetur gjurmë të Sinanajt në banesë, si karta greke me emrin e tij dhe të dhëna të tjera. Vetë Sinanaj ka pranuar krimet, duke dëshmuar se ishte një ekzekutues me pagesë, sipas peshës së shënjestrave dhe aktit që duhet të bënte. Por drejtori i policisë së Tiranës, Ardian Çipa, në konferencën e djeshme për mediat, tha se “Sinanaj po hetohet edhe për 20 vrasje të kryera në Greqi dhe sulme me eksploziv, për të cilat do hetohet bashkë me policinë helene”.
Vrasjet
Nga veprimet hetimore proceduriale të kryera ka rezultuar se grupi kriminal, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorët e dyshuar të një sërë ngjarjesh të rënda kriminale. Julian Sinanaj dyshohet se ka ekzekutuar më 26 gusht 2012, në Orikum të Vlorës, peshkatarin Sokol Veizi, pas një porosie nga një tjetër person në konflikt me të. Më 20 gusht 2013, në lagjen “Albano” në Vlorë, ka vrarë te pragu i shtëpisë Agron Çelën, për motive ende mister dhe që priten të zbardhen. Ka dyshime për atentatin me tritol ndaj biznesmenit durrsak javën e kaluar, Xhemal Çela, që vdiq në spital, por edhe për disa krime të tjera.
Eksplozivët
Ky grup kriminal, dyshohet se ka kryer vendosjen e lëndës eksplozive më 1 qershor, gjatë fushatës elektorale, në derën e shtëpisë së Ardian Kollozit. Atentati ishte paralajmërues për borxhet e vjetra në lojërat e fatit. Porositës dyshohet se është grupi i vlonjatëve nën akuzë dhe ekzekutues Sinanaj. Më 13 dhjetor, akuzohen se kanë vendosur eksplozivin C4 në atentatin e dështuar ndaj prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, për shkak të detyrës. Ishte vala e shembjes së ndërtimeve pa leje në bregdet dhe goditja e informalitetit që përfshinte edhe zyrtarë të dyshuar. Po kështu grupi akuzohet se ka vendosur eksplozivin edhe ndaj kryekomunarit Berberi pak ditë më parë dhe dy të tjera, më 24 tetor 2013 në Rrugën Transballkanike ndaj motoçikletës së E. B., dhe më 31 gusht ndaj makinës të po këtij personi. Por po hetohen edhe për ngjarjet e tjera kriminale të bujshme në qytetin bregdetar të viteve të fundit. “Julian Sinanaj u zbulua pasi për të kishte dyshime se ishte njohës i mirë i lëndëve plasëse”, tha kryepolici Çipa.
Policia
“Për herë të parë, Policia e Shtetit ka arritur të zhvillojë hetime të gjithanshme mbi persona të dyshuar si vrasës me pagesë dhe aktivitete të rënda kriminale, duke zbardhur zinxhirin e plotë që nga porositësi i vrasjeve, te ndërmjetësit, e deri te ekzekutorët e vrasjeve, qoftë me armë dhe qoftë me eksploziv. Është zbuluar një grup i strukturuar kriminal, i cili sipas të dhënave të para të hetimit dyshohet të jetë përfshirë në një sërë ngjarjesh të rënda të ndodhura në qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Vlorës, në një hark kohor prej rreth 2 vjetësh”, tha kryepolici Ardian Çipa. Por ai nuk konfirmoi nëse Sinanaj dhe të tjerët janë autorët e atentatit me eksploziv të telekomanduar në makinë, ndaj biznesmenit të ndërtimeve Xhemal Çela, javën e kaluar në Durrës, i cili humbi jetën dy ditë më pas në spital. Por konfirmoi se është parandaluar një tjetër atentat i porositur me eksploziv, që mendohet se do bëhej po në qytetin e Durrësit, ndërsa nuk u identifikua biznesmeni shënjestër. Në këtë operacion janë bërë pjesë policia e Durrësit, Tiranës dhe Vlorës, si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda.
“Policia ka mundur të arrestojë 3 të dyshuarit dhe njëkohësisht të parandalojë vrasjen e një biznesmeni, e cila ishte porositur dhe ishte duke u realizuar nga personat e lartpërmendur. Ndërhyrja në kohë e policisë bëri të mundur që të dështonte plani i vrasësve dhe të shpëtohej jeta e biznesmenit”, tha Çipa.
Të arrestuarit e grupit kriminal:
Julian Sinanaj, 31 vjeç, Vlorë, i dyshuar si killer me pagesë
N. Gj., 30 vjeç, Vlorë, i dyshuar si ndërmjetës
Marion Mitro, 42 vjeç, Vlorë, porositës, ish-inspektor bashkie
Në kërkim nga policia:
Genis Mëhillaj, 43 vjeç, Vlorë, i dyshuar si ndërmjetës
Andon (Erion) Mëhillaj, 39 vjeç, Vlorë, ndërmjetës
Vrasjet e dyshuara:
Vrasja e peshkatarit Sokol Veizi, më 26 gusht 2012, në Orikum
Vrasja e të riut Agron Çela, më 20 gusht 2013 në Vlorë
Atentatet me eksploziv:
Eksplozivi në banesën e Ardian Kollozit, më 1 qershor 2013
Eksplozivi në automjetin e prefektit Besnik Dervishi, 13 dhjetor 2013
Eksplozivi në motoçikletën e E. B., në rrugën Transballkanike, 24 tetor 2013
Eksplozivi në automjetin e E. B., 31 gusht 2013, Vlorë
Materialet e sekuestruara në banesën e Sinanaj:
Pistoletë me dy krehra me 15 fishekë
Armë Scorpions, me silenciator
Pushkë automatike Mod 63 “Snaiper”
Kallëpe eksplozivi tritol
347 fishekë të kalibrave të ndryshëm
Granata dore mbrojtëse, 3 copë
Lëndë plasëse e dyshuar si C4
Kapsolla elektrike detonatore, 8 copë
Ndezës detonator për granata, 3 copë
Pajisje adaptor për aktivizim nga distanca të lëndëve shpërthyese
14 aparate telefonik celulare të markave të ndryshme
Bateri telefonash celular të markave të ndryshme, 9 copë
Aparat fotografik i markës CANON, me fotografi të personave të ndryshëm
Tablet elektronik i markës SAMSUNG me pamje filmike
6 copë karta memorie
Targa automjeti AR003JT, kapuç deveje, doreza për punime të ndryshme
Tel përcjellës me ngjyrë të kuqe dhe të verdhë, shirita ngjitës, kaçavida të ndryshme për punime të imëta, çelësa të ndryshëm, gërshërë me dorezë plastike pajisje elektrike INVERTER, bateri 12 volt,
një jelek antiplumb, veshje të ndryshme, doreza ebaniti për armë zjarri pistoletë, doreza të gomuara,
mbajtëse, 8 karta telefonike të kompanive të ndryshme telefonike, spina karikues, fisha dhe pajisje Bluetooth; pasaportë dhe dokumente në gjuhën greke, libreza dhe fatura për transferta bankare, 52000 lekë të reja
Ish-vartësi i Gjikës, porositës i atentateve ndaj Dervishit dhe Berberit
Një ish-zyrtar vendor i Bashkisë së Vlorës dyshohet se është porositësi i atentateve me eksploziv C4 ndaj prefektit të qarkut Besnik Dervishi, ish-deputetit Ardian Kollozi dhe dyshohet për kryekomunarin e Qendrës, Fredo Berberi. Pas disa javësh gjurmimesh dhe përgjimesh, por edhe pas arrestimit të ekzekutuesit me pagesë, Julian Sinanaj, 31 vjeç, nga Vlora, që u kap në kryeqytet në fundjavë, u arrit të zbulohej se njeriu që ka bërë porositë për atentatet e bujshme, është Marion Mitro, 42 vjeç, nga qyteti bregdetar. Mësohet se Mitro ka mbajtur për disa vite postin e inspektorit të INUV në Bashkinë e Vlorës dhe është larguar pak muaj më parë, kur nisi vala e shembjeve të ndërtimeve pa leje. Pjesë e grupit janë edhe persona të tjerë, prej të cilëve është ndaluar N. Gj., 30 vjeç, ndërsa në kërkim u shpallën kushërinjtë Genis Mëhillaj, 43 vjeç dhe Andon (Erion) Mëhillaj, 39 vjeç, po banues në Vlorë. Policia dyshon për një grup të organizuar kriminal me urdhërues dhe ekzekutues, pasi ka sekuestruar sasi të mëdha bombash me celularë, granata, armë të lehta dhe të rënda e pajisje të sofistikuara, në një banesë në kryeqytet, ku rrinte killeri i dyshuar Sinanaj. Ky i fundit mësohet që të jetë rrëfyer me status të penduari për të gjitha krimet e kryera në Greqi dhe Shqipëri. Mes atentateve edhe tritoli ndaj ish-kreut të ALUIZNI-t, ish-deputetit Ardian Kollozi, për një borxh të dyshuar në lojërat e fatit. Sinanaj akuzohet se ka kryer edhe vrasje e atentate të tjera, por për momentin nuk është arritur ende të mësohet nëse porositësi është Mitro apo ndonjë tjetër. Ish-zyrtari njihet për miqësinë me drejtues lokalë dhe ka në pronësi lokalin “Flamengo”, në Ujin e Ftohtë.
Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, doli në një konferencë dhe shpjegoi se ky grup është i organizuar dhe i sofistikuar, për të cilin
po hetohet me intensitet bashkë me prokurorinë. Marion Mitro ka qenë nën ndjekje nga agjentët në çdo lëvizje dhe pas kapjes së Sinanajt ai është parë i tensionuar. Gjykata ka lëshuar urdhrin e arrestit për 42-vjeçarin pas kërkesës së prokurorisë dhe rrëfimit të 31-vjeçarit të akuzuar si vrasës me pagesë. Mitro i ka paraprirë hetimeve duke u frikësuar se Sinanaj do dëshmonte dhe dje është përpjekur të dalë jashtë Shqipërisë, duke marrë një fluturim të radhës në Rinas. Por në momentin që ka hyrë në aeroport, mesditën e djeshme, i është komunikuar arrestimi dhe masa e gjykatës “arrest në burg” me urdhër ndalimi të prokurorisë. Mësohet se ka qenë rrëfimi i vetë killerit të dyshuar që ka zbërthyer një mekanizëm të frikshëm të ngritur në qytetin e Vlorës dhe në Tiranë. Në këtë grup së fundmi dyshohet se mund të jetë përfshirë edhe i arratisuri nga burgu i Trikalas në Greqi, Ilir Kupa dhe disa të tjerë. Sipas rrëfimeve të Sinanaj, porositë për dy nga atentatet më të bujshme në Vlorë, ndaj prefektit Besnik Dervishi dhe kryetarit të komunës Qendër, Fredo Berberi, i ka marrë nga ish-inspektori i Bashkisë Vlorë, Marion Mitro. Po kështu edhe eksplozivi në derën e shtëpisë së Ardian Kollozit është vendosur nga ai me qëllim paralajmërimin për borxhet e vjetra. Policia tha se ndaj Mitros është ngritur akuza e “kryerjes së akteve terroriste”. Por ndërsa në rastin e Dervishit atentati dështoi për fat të mirë, pasi pakon e zbuloi Garda në hyrje të Kryeministrisë, në rastin e Berberit shpërthimi i finalizuar e plagosi rëndë kryekomunarin.

