Shkrimtari dhe publicisti i njohur Ymer Minxhozi ka qenë një nga pjesëmarrësit më të rinj të luftës antifashiste në Luftën e Dytë Botërore. Ishte vetëm 13 vjeç. Në këtë intervistë ai flet për të vërtetat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe për debatet që vazhdojnë rreth saj. A ishte ajo luftë civile dhe cili ishte kontributi i Enver Hoxhës në atë luftë dhe pas saj. Pse maxhoranca aktuale ka shansin të bëjë këtë vit korrigjimet e nevojshme të gabimeve dhe gafave që bëri regjimi i Berishës. Minxhozi flet për disa shanse të humbura të Shqipërisë në vitet e fundit të regjimit komunist. Çfarë u ka thënë ish-Kryeministri i Bavarisë Franc Jozef Shtraus në mesin e viteve 1980 Aleks Budës dhe Manush Myftiut? Vërejtjet e Minxhozit për qeverisjen aktuale, ndërsa thotë se në Shqipëri vazhdon të qeverisë pakica dhe një shprehje e famshme nga Stefan Cvajg.
– Zoti Ymer, jemi në 70 vjetorin e Çlirimit, një festë kjo që ka ngjallur vazhdimisht debate gjatë dy dekadave të fundit. Si ish-pjesëmarrës në atë luftë, a jeni lëkundur sadopak në qëndrimin tuaj, pas sulmeve që i janë bërë asaj lufte?
– Do të ishte normale që 70 vjetori i Çlirimit të atdheut të kremtohet si një festë e madhe për të gjithë shqiptarët dhe jo të ngjallte debate e kundërvënie. Megjithatë, mënyra si u veprua nga qeveria Berisha me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë – injorimi i luftës nacionalçlirimtare, si edhe ngjarjeve të rëndësishme të periudhës pas çlirimit, tregon se “Vëllezërit opozitarë” jo vetëm nuk do të festojnë në nëntorin e ardhshëm, por do ta ndjejnë veten të sikletosur gjatë atyre ditëve. Tani që qeveria nuk është në duart e tyre, ata nuk do të kenë mundësi të servirin as torta 40 kuintalëshe, as të bëjnë kurban në derën e Bashkisë, apo të tenderizojnë përmendore 100 milionëshe, si ajo “kabina telefonike” në Parkun Rinia.
Sa i përket qëndrimeve të mia përballë sulmeve që i bëhen Luftës Nacionalçlirimtare, ato më kalojnë tangjent, pra nuk i ndjej fare. Sikur të ishte e mundur të rifillonte jeta nga e para dhe ngjarjet të përsëriteshin nga e para, unë do të ecja përsëri në ato gjurmë nga kam kaluar deri më sot. Klithmat neo-fashiste dhe kalimet nga një degë në tjetrën të disa intelektualëve në media apo disa universiteteve private, unë i vlerësoj thjeshtë si frymëzime që vijnë nga disa politikanë të eksituar, që nuk po arrijnë të pajtohen me humbjen e 23 qershorit.
– Megjithatë ka nga ata që thonë se ajo ishte një luftë civile dhe jo luftë çlirimtare… Sa të drejtë kanë ata që i bëjnë këto etiketime?
– Përpjekjet për t’i faturuar popullit tonë një luftë civile, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, janë sa absurde, aq edhe antikombëtare. Absurde, sepse në Shqipëri pushtetin e kishte okupatori i huaj, prandaj marrja e pushtetit mund të bëhej vetëm mbasi të shporrej okupatori nazi-fashist. Janë antikombëtare, sepse kjo është një tentativë për të mohuar luftën për pavarësi kombëtare (luftë e cila u njoh edhe nga 3 fuqitë e mëdha të kohës) dhe për t’i vënë një njollë të zezë historisë sonë plot luftëra patriotike, që e bëjnë çdo shqiptar të jetë krenar për vendin dhe kombin të cilit i përket.
Në kushtet e pushtimit të huaj, në vijën e frontit qëndronin përballë njëra-tjetrës vetëm dy forca: forcat patriotike dhe okupatori me aleatët e tij, front të ndërmjetëm nuk ka dhe as mund të shpiket një i tillë. Çdo kundërvënie ndaj forcave çlirimtare, do të çonte ujë në mullirin e okupatorit dhe në raste të tilla gjen zbatim shprehja e njohur: miku i armikut tim, është armiku im. Prandaj, me pak fjalë, ata që ngrenë tezën e “luftës civile”, tregojnë jo vetëm injorancë, por ngrenë një gur dhe e hedhin në këmbët e veta.
– Po për rolin e Enver Hoxhës në luftë dhe pas saj, ç’mendim keni?
– Sa i përket periudhës së luftës nacionalçlirimtare, kam mendimin se për Enver Hoxhën mund të thuhet me plot gojën ajo shprehja e njohur: fitimtari nuk gjykohet. Në krye të Partisë Komuniste dhe Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ai diti të orientohej në mënyrën e duhur. Platforma e Konferencës së Pezës ishte ndërtuar në përputhje të plotë me atë të koalicionit antifashist botëror, që kryesohej nga tre fuqitë e mëdha dhe për herë të parë lufta e popullit shqiptar mori aprovimin zyrtar të këtyre tre fuqive. Ne u gjendëm kështu në anën e fitimtarëve të luftës më të madhe që ka bërë njerëzimi. Në Konferencën e Paqes në Paris, Shqipëria u përfaqësua në mënyrë korrekte nga Enver Hoxha. Sa i përket periudhës së ndërtimit të Shqipërisë së re, të pas Çlirimit, edhe unë kam vërejtjet e mia, të cilat lidhen kryesisht me kapërcimin e nxituar të disa etapave. Por kjo është një temë e gjerë, që kërkon një trajtim më vete.
Zoti Ymer, është folur, madje dhe ju kini shkruar për disa shanse të humbura të Shqipërisë. Mund të në kujtoni ndonjë prej tyre?
Shumë mirë që më pyetët. Unë do të bëj herezinë dhe të them disa mendime për një problem të veçantë. Dëshiroj të flas për faktorët që çuan në izolimin e Shqipërisë.
Me të drejtë pyetet shpesh, madje dhe nga të huaj: Mbyllja e Shqipërisë, a ishte vetëm faji i shqiptarëve, i Enver Hoxhës, apo kishte dhe faktorë të tjerë? Unë kam patur rastin të takoj njërin nga politikanët më të mëdhenj të Gjermanisë së pasluftës, Kryeministrin e Bavarisë Franc Jozef Shtraus, i njohur si një ndër figurat e mëdha të së djathtës europiane. Në vitin 1984 ai erdhi për herë të parë në Shqipëri. Përshtypjet e mia nga ai takim i kam hedhur në një botim më vete, me titullin “Shansi i humbur”.
Mes të tjerave, politikani i shquar gjerman i drejtohet Prof. Aleks Budës me këto fjalë: “Mua nuk më intereson çfarë regjimi keni ju, ajo është çështja juaj. Mua më intereson që Shqipëria të mos jetë bazë e Rusisë. Ju dolët nga Traktati i Varshavës, sapo u sulmua Çekosllovakia, edhe pse ai Traktat nuk kishte një nen që të lejonte largimin prej tij. Ju larguat bazën ushtarake ruse në Vlorë, që mbyllte grykën e shishes në Adriatik… Perandoria Ruse do të shkërmoqet dhe ju e keni bërë rrugën tuaj. Ju jeni të parët, të tjerët do të vijnë pas jush”.
Të nesërmen e asaj dite, Shtruasi i thotë Manush Myftiut: “Ju mbani qëndrim të pastër ndaj çështjes gjermane. Ju jeni të parët në vendet e Lindjes që keni njohur të drejtën e popullit gjerman për t’u bashkuar “ (Shtrausi kishte parasysh deklaratën e Enver Hoxhës në Kongresin e PPSH, kur tha se populli gjerman ka të drejtë të bashkohet, gjë që e mohonin të gjitha vendet e Europës Lindore. Enver Hoxha, pa e përmendur, nënkuptonte në këtë rast edhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë).
Shtoj këtu se Kryeministri i Bavarisë qe i vetmi personalitet i rangut të lartë, që vinte nga Perëndimi, jo me thikë në dhëmbë, por me një propozim konkret për marrëveshje me Shqipërinë. Natyrisht, për shumë arsye (më shumë për fajin e shqiptarëve) ajo marrëveshje nuk u arrit, por asnjë qeveri perëndimore nuk i kishte vlerësuar deri atëherë ato hapa të Shqipërisë, të cilat i përmendi dhe i vlerësoi Shtrausi. Me të vërtetë Shqipëria ishte dhe është e vogël, por sidoqoftë ajo e meritonte një vëmendje pozitive. E megjithatë veprimtaria e vendeve të Perëndimit, në përgjithësi ndaj Shqipërisë, qe përqendruar në një drejtim shumë negativ – në dërgime grupesh diversante, që sot cilësohen zakonisht me emrin “terroristë”, me synimin e hapur për të vrarë Enver Hoxhën. Unë jam edhe humorist nga profesioni, duke dëgjuar një specialist anglez shumë të njohur në fushën e spiunazhit, që po tregonte sesi në një kamp gjerman kishte stërvitur disa dhjetëra diversantë, më erdhi në mendje një skenë e tillë: 5 emigrantë shqiptarë futen fshehurazi në Angli, të armatosur mirë, por bien në duart e policisë angleze dhe deklarojnë se kanë ardhur për të vrarë Mbretëreshën e Anglisë, meqë nuk u pëlqen Monarkia. Merret me mend se çfarë zhurme do të bëhej në shtypin anglez, qoftë edhe me një shaka të tillë! Të kuptohemi me këtë unë nuk dua të justifikoj asnjë vrasje apo internim politik, as në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër të botës, madje në veprimtarinë e Enver Hoxhës kjo është pika me e dobët e tij.
– Sidoqoftë gjatë qeverisjes së PD-së janë reabilituar një sërë figurash të Ballit dhe Legalitetit. U ngrit monumenti i Ahmet Zogut në Tiranë, ndërkohë që janë prishur monumente dhe përkujtimore të Luftës Antifashiste. Ç’duhet bërë përballë këtyre fakteve dhe akteve?
Meqënëse më pyetni se çfarë duhet bërë përballë këtyre akteve, unë po përgjigjem shumë shkurt. Duhet bërë ajo që bëjmë kur fillon shiu dhe ti ke çadrën në dorë. Hap çadrën që të mbrohesh nga gjithë këto gjëra. Të gjitha mundësitë janë, prandaj gjërat të shkojnë në vendin e duhur, atje ku u takon. Është revoltuese të hiqet emri i rrugës “4 shkurti” në Tiranë, sepse duan të rehabilitojnë një xhelat si Xhaferr Deva. Më revoltuese akoma është fakti që nuk bëhet thirrje për protestë nga ana e banorëve të kryeqytetit, në një rast si ky. Bashkisë i duhet zënë dera për çdo përdhunim të historisë, ashtu siç duhej vepruar edhe për prishjen e stacionit të trenit në Tiranë, që e bëri kryeqytetin tonë të vetmin në Europë që nuk lidhet me hekurudhë. Sa i përket ngritjes së monumentit për ish-mbretin dezertor dhe puçist, ai le t’i mbetet Berishës për ta shënuar në biografinë e tij.
– Tani kemi një qeveri të majtë në pushtet, por nuk janë të paktë ata që thonë dhe mendojnë se nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe, pasi Berisha dhe opozita janë vazhdimisht në ofensivë dhe e kanë detyruar qeverinë edhe të tërhiqet në ndonjë rast. A është normale të ndodhë kështu?
– Kjo është krejt anormale, madje e rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë. Pandëshkueshmëria është kthyer në ndëshkueshmëri për kombin. Ende në Shqipëri nuk është ndëshkuar asnjë ministër për korrupsion dhe faje të tjera të rënda, ndonëse lista e personave me funksione të larta, që e kanë mbushur kupën, është e gjatë dhe po rritet vazhdimisht. Nëqoftëse vazhdohet kështu, kemi të drejtë të mendojmë se pavarësisht zgjedhjeve të 23 qershorit, në Shqipëri po vazhdon të qeverisë pakica dhe jo shumica që mori votat. Kjo mefshtësi e shumicës për vënien e gjërave në vendin e vet, ka një prejardhje, ka një histori 20 vjeçare. Mund të numërohen shumë fakte që tregojnë se Berisha (i cili prej kohësh duhet të ishte përjashtuar nga politika) vazhdon të ketë në dorë një licencë pandëshkueshmërie, që mund ta përdorë kur të dojë e si të dojë. Kjo ka filluar nga kontrabanda e naftës që furnizonte masakrat e Milloshevicit në Bosnjë, e më vonë në Kosovë. Pas kësaj erdhën zgjedhjet skandaloze të vitit 1996, të cilat u pasuan nga piramidat financiare, që shkatërruan gjithë shtetin dhe e kthyen Shqipërinë në kuotën zero…
– Kështu hymë në vitin 1997. Çfarë do të veçonit nga ai vit i zi?
– Për Shqipërinë nata e 9 marsit të atij viti ishte fatale. Deklarata e Berishës me opozitën u formulua nga i munduri, i cili doli nga ajo mbledhje sërish si president dhe ju la socialistëve në dorë “dopjo gjashtën”, Ministrinë e Financave, që nuk kishte asgjë në arkë.
Ajo tavolinë e 9 marsit 1997, u bë burim i të gjitha mbrapshtive që erdhën më vonë. Pa u bërë viti, bëhet grusht shteti. Kryeministria bëhet shoshë me plumba dhe merret televizioni shtetëror. Berisha lëshon ultimatumin. Kujt?! Kryeministri Nano kishte humbur, s’dihet se ku. Në Tiranë vazhdonin grabitjet e institucioneve. Nano marshonte drejt kufirit maqedon. Për lumturinë e kombit, shpejt u mësua se ai ishte gjallë, madje pas disa ditësh u ul sërish në karrigen që kishte braktisur. Mefshtësia e asaj nate të 9 marsit, polli tragjedi radhazi, të cilat nuk po na shqiten. Erdhi Gërdeci, një pjesë e detit ju dha Greqisë. Pasoi 21 janari i përgjakshëm… Çfarë pritet më vonë?
Thuhet se nuk na lejon Kushtetuta për të bërë ndryshimet e nevojshme. Të gjithë e dimë se në të kaluarën jo shumë të largët, një numër prokurorësh të përgjithshëm, janë shkarkuar edhe pa shumicë të cilësuar. A egziston akoma një mundësi e tillë?
Shkrimtari i madh Stefan Cvajg, duke komentuar rënien e Kostandinopojës në duart e turqve, ka shkruar disa rreshta që mund të vlejnë si një testament për politikanët: “Në historinë e popujve, ashtu si në jetën e njeriut të veçantë, me keqardhje dhe me psherëtima, me lot dhe ofshama, si kthen dot mbrapsht minutat fatale. Ndodh që mijëvjeçarët gjenden të pafuqishëm, të korrigjojnë një orë të vetme, fatale, kur u bë gabimi”.
Po eshte shume e vertete qe ky burri me dy gjishta nuk heq kthetrat nga Shqiperia .Ka bere nje betim dhe ka per ta shpure deri ne fund.E keqja nuk qendron pas tije por tek konjukturat Rajonale .Shqiperia dhe shqiptaret nuk duhet te pretendojne integrimin jashte situatave Ballkanike . Gjendja e perkeqsuar ekonomike dhe prapambetja qe kemi trasheguar, ne kuadrin e politikave globale ,nuk na favorizon .
Si nje shtet qe nuk ta kruan vemendja eshte perqendruar tek shtetet sllave te Ballkanit .Si Evropa dhe SHBA nuk duan te perkeqsojne raportet me keto vende .Objektivi eshte te shkepusin Serbine qe nga pas ka nje superfuqi Rusine .Ne kete lufte te ftohte qe pa zhvillohet ne Ballkan ky njeriu me dy gjishta eshte ulur kembekryq.Duan apo nuk duan shqiptaret Saliu ka per te permbushur misjonin qe ka marre . Shqiperia do te integrohet kur shtetet sllave te jene pjese e Evropes .
Ne kete konteks qeverise ky njeriu me dy gjishta .
I nderuar Zotni Minxhozi.
Liçensa e Sal Berishes per te mos u ndeshku eshte Ilir Meta.
Hypun mbi shpinen e Like Metes,ish kryeministri Sal Berisha,qe e mbrojti ate duke vrare me 21 Janar,tash po dhjet çdo dite ne Parlamentin shqiptar dhe askush nuk guxon ta neutralizoj.
Kete gje nuk e donin shqiptaret me 23 Qershor.Ata donin drejtsi dhe denim te kriminelave dhe hajdutave.
Edi Rama e ka shume te veshtir te realizoje planet e tija qe ju ka premtu shqiptarve,sepse blerja e votave te LSI u tolerua nga te dya Partite e medha,si nga PD ashtu dhe PS.
“Ditlindja e Like Metes ne 20142 si” Dasma e Malos” ne kohen e Partis se Punes.
http://youtu.be/3njn-DLzWt4
Sh domethenese figura. Nje dore gjigandi me dy gishta… xhuxhi
bukur
Pershendetje Ymer!Si gjithenje je I kthjellte dhe i ndershem.Burra te tille I duhen Shqiperise.