BASHA-R!

anazapta

Eduard Selami sapo e ka shigjetuar Lulzim Bashën, liderin kukull të PD, duke deklaruar se udhëheqësia e tij nuk ngjall shpresë edhe pse ka përballë qeverisjen, sipas Selamit, më të keqe të këtyre viteve tranzicion.

Pohimi i fundit ha mjaft diskutim, ndërkohë fakti që Basha nuk ngjall shpresë, është ndoshta pika e vetme ku sot bashkohen mjaft të majtë dhe të djathtë. Por pse-në e këtij “konsensusi” Selami nuk e thotë dhe rreket ta “shpjegojë” me shkaqe vulgare si, për shembull, me mos bërjen e një analize të thelluar për gabimet që çuan në humbjen e dy zgjedhjeve radhazi nga PD dhe koalicioni rreth saj.

Një shpjegim naiv, nga që një analizë e tillë nuk mund të bëhet kurrë sa kohë që në krye të PD është çifti Basha-Berisha. Sepse për ata të dy, do të qe e njëjtë si me kthimin e kriminelëve në vendin e krimeve më të mëdha të tranzicionit që mbajnë vulën e tyre. Do të qe, para së gjithash, një rikthim te masakra e 21 janarit që ata duan të harrohet.

 

***

Edhe sikur qeverisja e kryeministrit Rama të qe vërtet më e keqja e tranzicionit, pra më e keqe se ajo që toleroi dhe bashkëpunoi korruptivisht me piramidat financiare duke e çuar shtetin në kolaps në vitin 1997, më e keqe edhe se ajo që, me institucionet e saj, organizoi trafiqe mafioze armësh dhe municionesh që çuan në tragjedinë e përgjakshme të Gërdecit, më e keqe se ajo që zhduku si me magji mbi 200 milionë euro në tunelet dhe urat e rrugës Durrës-Kukës, më e keqe se ajo që ja fali tradhtisht një pjesë të ujërave detare Greqisë, më e keqe edhe se ato qeverisje të PD që i tallën pronarët për nja 15 vjet, më e keqe edhe se ajo që i la të digjen e të vdesin të përndjekurit politikë duke këmbëngulur të mos i japë dëmshpërblimin që ju përket, përsëri alternativa Basha do të ishte e keqja më e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Sepse Basha është damkosur me krimin e vrasjes së protestuesve të pafajshëm në 21 janar. Dhe ky është një krim që nuk ka epokë që ta amnistojë. Përveç asaj të diktaturës. Është krimi më i tmerrshëm që mund të kryejë një qeveri. Një krim krejt në kundërshtim me arsyen bazë se përse themelohet një shtet demokratik. Që është, mbi të gjitha, mbrojtja e jetës së qytetarëve.

Në 21 janar 2011, qeveritarë të paguar me paratë e qytetarëve, vranë qytetarë me gardistë, armë dhe plumba luftarakë të paguar dhe blerë po me paratë e mbledhura nga taksat e qytetarëve. Edhe të atyre që u vranë. Dhe Basha, si ministër i Brendshëm në atë kohë, ishte në kokën e atij krimi, më i shëmtuari që mund të bëjë një pushtet.

Një krim para të cilit, shumë autokratëve iu është dridhur dora. Dhe kanë preferuar të tërhiqen se sa të vrasin. Por Bashës nuk ju drodh. Basha vendosi të jetë një Bashar al-Assad. Preferoi të vrasë në emër të pushtetit. Të vrasë masivisht. Sepse edhe ata shumë të tjerë protestues që vetëm u plagosën nga plumbat, i mbrojti fati. Për qeverinë e Bashës ata janë të vdekur.

 

***

Selami tregon një cektësi shembullore kur e lidh mungesën e shpresës që duhet të ngjallë opozita e PD me faktin e rëndomtë të mungesës së një analize të thelluar. Sepse rrënja e disfatave të njëpasnjëshme të PD është në faktin skandaloz se njerëzit në atë parti, përfshi Selamin, po këmbëngulin me arrogancë të mbajnë në krye një lidership të njollosur rëndë me krim dhe korrupsion.

Dhe nuk ka alibi më të poshtër për masakrën e 21 janarit, sesa të mbash në krye të partisë ata që, politikisht, mbajnë përgjegjësinë kryesore për atë masakër. Qenia e Bashës në krye të PD është prova e dominimit të asaj partie nga krimi! Dhe të mendosh që ai po brohoret si fitore miratimin e ligjit për dekriminalizimin! Ky është një anormalitet kriminal. Por Bashën nuk ka dekriminalizim që e lan nga krimet që rëndojnë mbi të. Ai “bisht qeni do të mbetet”.

Ndaj është absurde të besosh se mund t’u ngjallë shpresë shqiptarëve, një lidership me duar të gjakosura vetëm sepse sokëllin kundër korrupsionit të qeverisë Rama dhe, në pjesën dërrmuese, me “llafet e kazanit” të autokratit që u plak, por dorë nuk hoqi që nuk hoqi.

 

***

“Demokratët” mund ta mbanin Bashën në krye të PD vetëm nëse do t’i shkonin deri në fund 21 janarit. Pra, nëse do provonin me fakte dhe prova, që në 21 janar patëm një grusht shteti të armatosur si ai që Berisha dhe PD organizuan në 14 shtator. Të provonin pra se fajtor qe Rama me të vetët dhe se Berisha dhe Basha vranë në emër të shtetit, të Kushtetutës. Pra, me të drejtë. Mund t’i mbanin nëse do kishin këmbëngulur për një hetim të plotë dhe gjykim të rolit të politikës në atë masakër.

Por fakti që u kënaqën me hetimin dhe gjykimin e ca gardistëve, vegla të mjera të politikës, pra të atyre vetë, ulëret për fajësinë e Bashës dhe Berishës. Ulëret për fajësi të Bashës dhe Berishës shantazhi rrugaçëror mbi kryeprokuroren dhe Presidentin e Republikës të asaj kohe. Ulëret për zhdukje mafioze të provave fshirja e serverave të kamerave të kryeministrisë dhe pengimi i prokurorisë për të bërë punën e saj. Vetëm krimineli vepron kështu, vetëm ai tenton të fshijë dhe fshehë faktet e provat. I pafajshmi është i interesuar për të kundërtën, për hetimin, për provat për transparencën. Faktet edhe mund t’i shkatërrosh, por është logjika ajo që nuk shkatërrohet dot, logjika e ngritur mbi faktin e shkatërrimit të fakteve.

Dhe kjo logjikë e nxjerr Bashën të inkriminuar. Basha nuk ngjall shpresë sepse shqiptarët nuk mund ta investojnë shpresën tek krimi.

 

***

Dhe PD nuk do të ngjallë kurrë shpresën e shumicës së shqiptarëve, sa kohë do të këmbëngulë të mbajë në krye liderë të kriminalizuar rëndë si Basha e Berisha. Racionalizimet që ata dhe propaganda e tyre bëjnë për të justifikuar atë masakër, nuk bindin.

Votat që ata marrin akoma, edhe pse janë përgjegjës për vrasjen e qytetarëve të pafajshëm, nuk provojnë asgjë më shumë veçse skllavërimin, fanatizmin dhe klientelizmin e rëndë që ka mbërthyer disa segmente të shoqërisë në Shqipëri.

Basha, kritikës së Eduard Selamit u përpoq t’i bishtnojë duke u përgjigjur se ai nuk është e keqja më e madhe për Shqipërinë. Një përgjigje aspak e zgjuar sepse nënkupton që Basha lakmon që të jetë e keqja më e vogël për vendin. Një ambicie që ai nuk do ta realizojë dot kurrë, sa kohë që kushdo që të jetë përballë tij në pushtet, nuk do të kuturisë një krim më të rëndë se vrasja me plumba luftarakë e protestuesve të pafajshëm. Por është e pamundur. Se një krim i tillë nuk ekziston. Prandaj Basha është i pashpresë. Dhe i pashpresi nuk mund të ngjallë shpresë.

Selami, dhe të tjerë pranë tij, nuk kuptojnë këtë të vërtetë të thjeshtë që shumica e shqiptarëve e kanë kuptuar intuitivisht.

Share This Article
2 Comments
  • ky eshte me shum se asad ky monster po mori pushtetin perdor cianur kunder protestuesve sa emer te bukur i ka vene ai gazetari e ka pikatur tamam siç thone turqit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *