30 për qind e sipërfaqes së Tiranës ka gaz radioaktiv

anazapta

Rreth 30 për qind e sipërfaqes së Tiranës ka nën nëntokën e saj një gaz radioaktiv, i cili shkakton kancer në mushkëri, raporton sot “Gazeta Shqiptare”.

Specialistët e shërbimit gjeologjik kanë gjetur zona të kryeqytetit të cilat përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e banorëve, për shkak të përqendrimit të lartë të gazit radon (Rn222). Matjet e kryera nga ekspertët nxjerrin si zona të rrezikshme Kodrën e Kuqe, Kinostudion, “21 Dhjetorit”, gropën në qendër, e njohur si gropa e Ajdin Sejdisë etj.

“Por, zona e kuqe etiketohet ajo e parkut kombëtar në Dajt, ku niveli i prezencës së këtij gazi radioaktiv është regjistruar deri në 10 herë më shumë se parametrat e BE-së. Përhapja e radonit në kryeqytet është përmendur edhe në Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Planit të Përgjithshëm Rregullues të Tiranës. Sipas këtij drafti, theksohet se Plani Rregullues e përmend shkarazi përhapjen e radonit. Ndërkohë, në rekomandimet që jepen thekson se duhet bërë izolimi i themeleve të ndërtesave për eliminimin e përhapjes së rrezatimit të Rn222, si dhe një rekomandim për modifikimin e objekteve ekzistuese që janë të ndërtuara në ato zona ku ky element radioaktiv është i përhapur”, shkruan sot GSH.

Radoni është një gaz radioaktiv që shkakton probleme të mëdha shëndetësore te personat që ekspozohen për një kohë të gjatë. Mjekët thonë se, nëse kalohet norma e lejuar, e cila përballohet nga trupi i njeriut, atëherë shfaqen probleme, të cilat mund të çojnë deri në ndryshime gjenetike apo mutacione, por edhe tumore.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *