Raporti: 18 transferta bankare të lidhura me narkotrafikun

anazapta

Një raport i qendrës FINT(Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave) për aktivitetin e vitit 2013, zbulon se vetëm për vitin 2013 kjo njësi ka kapur 18 transaksione të dyshimta që më pas kanë rezultuar të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës. Bëhet fjalë për depozitime dhe lëvizje paresh të cilat kanë rezultuar me mangësi nga kontrollet e njësisë FINT dhe që më pas, në hetim e sipër është zbuluar se bëhej fjalë për linja narkotrafiku dhe pastrim paresh.

Nga ana tjetër, kjo njësi speciale evidenton në raport dhe kapacitetet e saj modeste në burimet njerëzore por edhe një sërë parregullsish të vërejtura rëndom gjatë aktivitetit të bankave.

Në pjesën e fundit raporti ofron dhe shembuj ilustrativ të pastrimit të parave në bankat shqiptare.

Më poshtë paraqesim të dhënat e shkëputura nga raporti i plotë për këto tre pika:

 

***

 

Transfertat e narkotrafikut

Për vitin 2013 rezulton se dyshimet më të shpeshta konsistojnë për

– veprën penale të evazionit të lartë tatimor, me 28 raste të referuara;

– trafikimin e lëndëve narkotike, që edhe këtë vit zë një peshë relativisht të rëndësishme me 18 raste të referuara.

Gjatë këtij viti një vëmendje në rritje i është kushtuar dhe veprave të tjera penale në fushën e mashtrimeve, korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Kategorizimit sipas veprave të origjinës do të vijojë t’i kushtohet rëndësi e veçantë në të ardhmen për vetë rolin që ky proçes ka në analizën strategjike të informacionit, identifikimin e tendencave dhe tipologjive si dhe vlerësimit të riskut të PP/FT në shkallë vendi.

 Problemet me hetimin dhe bankat

Si pasojë e ndryshimeve  strukturore në fillim të vitit 2013, të cilat çuan në reduktimin e numrit të inspektorëve në dy  nga tre që kanë qënë në vitet e mëparshme, puna është orientuar drejt inspektimeve të  subjekteve në distancë.

Inspektimet e kryera dhe takimet e mbajtura me subjektet e ligjit përveç rritjes së ndërgjegjësimit nga ana e tyre, kanë pasur në vëmendje edhe vlerësimin në mënyrë korrekte të funksionimit të masave parandaluese në subjekte dhe evidentimin e mangësive ku ndër më kryesoret veçojmë ato që kanë të bëjnë me:

-Proçesin e identifikimit të klientëve dhe dokumentacionin përkatës;

-Mos funksionimin e auditit të brendshëm;

-Mos raportim të transaksioneve të kryera në para fizike;

-Evidentimin e analizave të transaksioneve komplekse, në vlera të larta dhe të pajustifikuara nga ana ekonomike;

-Sistemin e brendshëm të analizimit të informacionit dhe të sinjalizimeve të bazuara në treguesit dhe tipologjitë përkatëse të përcaktuara nga subjektet;

-Vlerësimin e riskut dhe profilizimin e klientëve sipas kategorive përkatëse.

Kontrolli i zbatimit të kërkesave për marrje të masave parandaluese për pastrimin e parave dhe raportimin në DPPPP nga subjektet e ligjit, bazuar vetëm në inspektimin ndaj tyre, duke marrë në konsideratë numrin e subjekteve raportuese në raport me numrin e inspektorëve, tashmë është e pamjaftueshme.

Një analizë e thellë e të dhënave (numrit te subjekteve sipas kategorive, riskut të pastrimit të parave në kategori e gjeografi te ndryshme subjektesh, numrit të raporteve të dërguara dhe cilësisë dhe tipologjisë së tyre, të dhënave që përftohen nga analiza e rasteve etj.), vlerësimi i përputhshmërisë së subjekteve, bashkëpunimi intensiv e sistematik me autoritetet mbikëqyrëse dhe institucionet shtetërore, të shoqëruara me trajnime, sensibilizim dhe inspektime, ka pritshmëri që të garantojnë rritje progresive të përmbushjes së detyrimeve për masa parandaluese nga subjektet e ligjit.

Të dhënat e qendrës FINT për transaksionet e dyshimta të konstatuara në vitin 2013

Skema si pastrohen paratë e drogës

Shtetasi shqiptar A, me nënshtetësi të një vendi Europian, gjatë një viti, ka deklaruar në dalje  të Shqipërisë, shuma të larta në vlerë totale prej 250 000 USD. Qëllimi i deklarimit të këtyre  shumave është ‘blerje automjeti’ dhe ‘biznes’;  Ky shtetas në sistemin bankar në vend ka qarkulluar prej vitit 2010, shuma të larta kryesisht me para në dorë, ku burimi të ardhurave janë deklaruar, ‘kursimet’, ‘emigracioni’, ‘marrja  borxh’ dhe ‘biznesi”.

Duke marrë në konsideratë deklarimet e shumta në pikat e kalimit kufitar dhe qarkullimin e

shumave të larta ,u kryen verifikime të mëtejshme për rastin, nga ku rezultoi se:

Shtetasi A është i përfshirë në disa biznese në vendin tonë :

Ka regjistruar në 2008 subjektin ‘BETA’ shpk, me objekt: ‘Blerja, zhvillimi, shitja dhe dhënia me

qira e pasurive të paluajtshme, etj’.  Kjo shoqëri është ortake me 50% në shoqërinë ‘ALFA’ shpk regjistruar në 2009 me të njëjtin  objekt veprimtarie. Ortaku tjetër i shoqërisë ‘ALFA’ është shoqëria ‘OMEGA’ me përfaqësues një shtetas  të huaj. Shoqëria ‘OMEGA’ ka ortak të vetëm shoqërinë ‘GAMA’ e cila është e regjistruar në shtetin Europian ku nënshtetësinë e të cilit mban shtetasi A.  Nga burime të hapura rezultoi se ky shtetas përveç se është i përfshirë në biznese në vendin  tonë është i përfshirë dhe në dy biznese në shtetin e sipër përmendur Europian.  Në vijim (në vitin 2013) shtetasi A, në dalje të Republikës së Shqipërisë, ka deklaruar  shumën prej 500 000 USD, me qëllim ‘blerje shtëpie’ jashtë vendit.  Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas pak kohë më parë, kishte marrë një kredi  në këtë shumë në një nga bankat tregtare në vendin tonë të cilën a ka shlyer disa ditë më vonë.

Bazuar në informacionin e analizuar si më sipër, transportimi i shumave të larta jashtë  kufirit, përdorimin e dyshimtë të kredisë, përdorimin e shpeshtë të parasë në dorë, etj, informacioni është dërguar për investigim të mëtejshëm në organet e zbatimit të ligjit.

 

Skema ilustrative e qendrës FINT që tregon se si pastrohen paratë e drogës

Vrasja e Santos, gati lista e bashkëpunëtorëve të tij që do të pyeten

Grupi hetimor i formuar për zbardhjen e vrasjes së biznesmenit Artan Santo, ka përgatitur një listë me emrat e personave që do të pyeten për çështjen. Burime jozyrtare nga organi i akuzës bënë të ditur se në listën e personave që do të merren në pyetje figurojnë emra biznesmenësh dhe ortakë me të cilët Santo bashkëpunonte prej vitesh. Hetuesit kanë kërkuar ndihmë edhe tek shërbimet sekrete të huaja, kryesisht në vendet ku biznesmeni 58-vjeçar ka kryer veprime bankare. Mësohet se nga zyra e Santos është sekuestruar kompjuteri i tij i punës dhe ai personal, për të verifikuar ndonjë informacione që do të ndihmonte hetimin. Grupi hetimor i ngritur për këtë çështje ka qenë edhe ditën e djeshme, megjithëse e dielë dhe zyrtarisht është pushim, në krye të detyrës për të hetuar krimin e së enjtes në zonën e Bllokut në Tiranë ku mbeti i vrarë Drejtori i Përgjithshëm i bankes “Credins”, Artan Santo. Grupi hetimor është mbledhur nën drejtimin e Petrit Fushës, drejtues i akuzës së kryeqytetit dhe katër prokurorë të tjerë, ndër ta dhe një i njësisë Task-Forcë. Ndërkohë deri më tani janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mbi 60 persona të cilët pasi u morën në pyetje u lanë të lirë. Artan Santo u ekzekutua para godinës qëndrore të bankes “Credins” nga dy persona të cilët u larguan me motor duke u shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit ende nuk ka mundur të identifikojë autorët që qëlluan mbi Santon të cilët dyshohet se janë paguar nga të tjerë persona për të kryer vrasjen.

*** 

  

HETIMI I TRANSFERTAVE

(Njësia speciale do shqyrtojë dokumentacionin e Credins)

 

Nga Aida Nako

Vrasja tronditëse e bankerit Artan Santo ka ngritur shtetin në këmbë duke e angazhuar në hetime të gjithanshme. Por duket se pista më e mundshme për hetuesit paraqitet dhe si pista më e vështirë për ta. Transfertat bankare, konsiderohen prej hetuesve si shtegu që do të orientojë drejt personave e motivuar në eliminimin fizik të bankierit.  Në dukje jepet përshtypja se bëhet fjalë për një verifikim të thjeshtë të dokumentacionit zyrtar të bankës, por ekspertë të konsultuar nga DITA shprehen se e thjeshtë nuk është aspak.

Më së pari, organi i akuzës në Shqipëri, ka mangësi dhe mungesë të theksuar specializimi në hetime që lidhen me skutat e botës së financës dhe shtigjet e sistemit bankar. Hetimi në një lëm të tillë nuk është klasiku për prokurorët shqiptarë, madje nëse i referohesh dhe statistikave të prokurorisë rezultatet më të dobëta janë pikërisht në hetimet që lidhen me transferuat dhe transaksionet bankare.

Burime nga organi i akuzës kanë konfirmuar dje për DITA se në hetimet për transferuat bankare të bankierit Santo është angazhuar posaçërisht i vetmi institucion i specializuar posaçërisht në hetimet e transfertave bankare. Bëhet fjalë për “Qendrën Inteligjente FINT” ose e njohur si Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, një nomenklaturë e Ministrisë së Financave.  E thënë me fjalë të thjeshta kjo strukturë është “shërbimi sekret” i botës së financës dhe labirintit të transaksioneve bankare në Shqipëri dhe një institucion me lidhje të shumëfishta me analogët e veta në të gjithë Evropën.

Kasaforta “Excel”

Burime të mirinformuara kanë bërë të ditur se FINT ka tërhequr të gjitha të dhënat e transaksioneve të raportuara nga “Credins” në muajt e fundit dhe ka futur në proces analize lëvizjet. Nga ana tjetër vlerësimi i transaksioneve të deklaruara zyrtarisht nga “Credins” mund të jetë i pamjaftueshëm. Në këtë pikë ekspertët e hetimit të transaksioneve janë të prirur për të siguruar atë që njihet si “Kasaforta Excel”. Bëhet fjalë për të dhënat e vërteta dhe unike që i disponon vetëm CEO i bankës. “Është pak a shumë si loja me dy bilance që bëjnë kompanitë tregtare për të fshehur të ardhurat apo fitimet dhe për të shmangur taksat dhe kontrollet. Pra bëhet fjalë për deklarime të dyfishta dhe trukim të veprimtarisë me qëllim humbjen e gjurmëve. Kur ndodh në sektorin bankar është dhe më e sofistikuar se në kompanitë tregtare. Nëse ka pasur aktivitet informal apo veprime konspirative nga ana e Santos, atëherë me siguri që këto veprime janë mbuluar ose maskuar në deklarimet zyrtare të bankës. Por nuk ka asnjë dyshim se diku duhet të ketë një bilanc një pasqyrë të veprimeve të vërteta të tij, pasi llogaritë duhen mbajtur diku, në një formë ose një tjetër. Kjo është ajo që në gjuhën profesionale ne e quajmë “Kasaforta Excel”, pra janë të dhënat sekrete, ato të vërtetat, ku mbahen të detajuara marrëdhëniet dhe veprimet financiare të bëra ndërmjet bankës dhe subjekteve të tjerë. Janë pikërisht këto të dhëna që i duhen një hetimi të gjithëanshëm”, – u shpreh dje për DITA një ekspert i hetimit financiar.

Indiciet e Credins

Banka “Credins” në disa raste të përsëritura është përmendur për transaksione të dyshimta financiare. Rastet kur ëhstë përmendur kjo bankë kanë qenë gjithnjë në kuadër të çështjeve të njohura për opinionin publik pasi lidheshin me procese delikate privatizimesh. Bëhet fjalë për procesin e privatizimit të kompanisë ARMO dhe më pas dhe për procesin e privatizimit të kompanisë “Albpetrol”, i pa realizuar deri në fund. Gjatë vitit 2008 kur ndodhi dhe privatizimi i kompanisë ARMO, Credins nën suport shtetëror të ish-qeverisë Berisha, ishte banka që krijoi kombinacionet e nevojshme për të justifikuar blerjen dhe për të krijuar kapacitetet e pagesës duke marrë borxh në Azerbajxhan. Ky ishte dhe transaksioni më i përfolur i kësaj banke; edhe për faktin se bëhej fjalë për një shumë tepër të lartë, ishin rreth 75 milionë euro në lojë. E njëjta bankë u përfol dhe për mbështetje të ngjashme në blerjen e një grupi mediatik në vitin 2011.

Këto janë implikimet e ditura dhe të bëra publike për këtë bankë dhe nuk përjashtohet mundësia që hetuesit apo institucionet ligj-zbatuese të kenë të dhëna apo indicie  edhe për implikime që nuk janë të njohura për publikun, deri më sot.

 

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *