Nga Hamdi Jupe
Në mëngjes më thirri shefi i sektorit të gazetës në zyrë.
– E ke parë koncertin e Mira Konçit në Televizion? – pyeti.
– E kam parë – u pergjigja. Atëhere nuk kishte shumë zgjedhje për të kaluar mbrëmjen.
– E, si t’u duk?
– Më pëlqeu shumë – i thashë me njelloj serioziteti të shtirur dhe ironi bashkë. – Koncert më të bukur nuk kam parë ndonjëherë. – E mori seriozisht atë që thashe dhe u ndie i zhgënjyer. E kuptova se priste tjetër gjë.
– Të them te drejten shef, nuk më pëlqeu edhe aq koncerti, -. Koncertin e kisha parë si spektator i zakonshem, jo si gazetar, që duhet te shkruaja në gazetë. Sidoqoftë, përshtypja kryesore për të ishte disi zhgënjyese.
– Po hë, more burri i dheut, se më ngrive gjakun! – tha ai, i çliruar si nga një siklet i madh. – Na duhet nje artikull i fortë per gazetën për nesër për atë koncert, ku ai te kritikohet ashper. E qartë?
– Nuk e kam parë me atë synim – i thashë dhe e ndjeva se po futesha në telashe. Duhet të beja nje artikull për nje koncert të transmetuar në Televizion dhe ta kritikoja. Mendja më shkoi menjëherë te ajo, nëse ishte kjo nje ide e shefit, apo kishte ndonje orientim “nga lart”, pra nga kryeredaktori apo akoma më lart. Por nuk mund ta pyesja për këtë.
– Ju vetë e keni parë koncertin shef?
– Jo – tha – Kam qenë i zënë me ca punë dhe nuk e pashë. – Kjo ma shtoi më shumë shqetësimin për artikullin. Po unë isha gazetar dhe duhet të zbatoja urdhërat.
– Kam folur me drejtorin e Televizionit – vazhdoi, si për t’u vënë kapak gjërave. – Do shkosh ta shikosh edhe nje herë tjetër koncertin atje dhe pastaj do ulesh te shkruash artikullin. Në orën gjashtë pas dite shkrimi të jetë gati.
Koncerti
Rruga me këmbë deri në RTSH kërkonte nja 20 minuta në vapën që kishte filluar atë mes qershori, kohe e mjaftueshme kjo, per te menduar per shkrimin. Së pari, per raportin midis gazetes dhe RTSH – se, si dy institucione te propagandes, te udhehequra nga e njejta kupolë komuniste; së dyti, per personat qe ishin marrë me koncertin dhe per ata qe i kishin dhenë një vend qëndror në të, një këngëtareje të re pa emër, ne Televizionin e vetem shtetror te vendit.
A kishte vend per kritika për atë koncert? Këtu mendimet ndaheshin. Nga njera ane ishin ato vleresuese, pra pozitive: Koncerti ishte nje perpjekje modeste per te pasuruar programin e Televizionit me nje forme te re artistike, qe ishte recitali i nje kengetareje te vetme, forme kjo e paprovuar me parë me kengetarë te tjerë. Në qender te tij ishte nje e re që po reklamohej në television si nje talent, edhe pse me vlera, sipas meje, ende te diskutueshme. Sfondi i skenes ishte nje qiell blu, me nje lule në mes, pra dicka optimiste. Kengetarja e re ishte e lirshme në interpretim, ndoshta me disa levizje disi me te shpenguara nga pamjet e njohura statike te kengetareve ne koncerte te tjera. Keto ishin anet positive.
Nga ana tjeter, disa pyetje kerkonin pergjigje: Perse koncerti recital në televizion nuk ishte aplikuar me parë me nje kongetar/e te njohur e te afirmuar si, fjala vjen, Vaçe Zela, Avni Mula, Gaqo Çako e të tjerë, Artistë të Popullit këta, por kjo mundesi i ishte dhene nje 17 – vjeçareje te panjohur? A i kishte vertet ajo vlerat vokale te atij niveli, saqe t’i behej ky privilegj, nga i vetmi televizion ne vend, në programin kryesor të mbrëmjes? Nuk kishim të bënim me ndonje cikël emisionesh muzikore per talentet e reja, qe te justifikonte edhe daljen e saj per gati nje ore e gjysme e vetme ne te. Mos valle kishte interesa personale apo grupesh te caktuara qe kerkonin te shfrytezonin Televizionin shtetror për çështje reklame për veten e tyre, pra publicitet pa parà, për një këngëtare të re? (reklama, në kuptimin e sotëm, ishte e ndaluar) Kjo ishte dilema e madhe midis atyre qe i quaja ane pozitive dhe negative të tij.
“Unë nuk di gjë për koncertin”
Në televizion më priti drejtori V. Kule, me të cilin kishte folur shefi im. Ai dha porosi që, ne nje salle te vogel, te rishihja edhe nje here koncertin në monitor.
- Une nuk kam qenë këtu, jam kthyer mbremë vone nga jashte shtetit, keshtu që…, nuk di çfarë të them – tha. Me fjalë të tjer:a “Mos më ngaterroni mua me të, se unë nuk kam qene ne Shqiperi”. Kjo m’u duk se ishte domethënia e fjalëve të tij. Edhe pse mund te ishte e vertetë, nuk me pëlqeu. Në fund te fundit, nje koncert i tille nuk kishte hyrë hajdutërisht ne Televizion, diku ishte diskutuar per të, në redaksinë e kulturës dhe artit, para se të transmetohej. Dukej se drejtori vetë nuk ndihej mirë nga kjo vizitë e gazetarit atje.
E ndoqa edhe nje here tjeter koncertin ne monitor i vetem në një sallë të vogël të Televizionit, duke mbajtur ndonjë shënim për të. Per çudine time, edhe pas shikimit te dytë, ishin pak a shume te njejtat ndjesi pozitive dhe negative qe vura ne dukje me lart, te krijuara qysh kur e kisha parë koncertin në televizor.
U ktheva ne gazetë dhe fillova te shkruaj artikullin. Kishte kaluar ora e drekes, por duhet te rrija aty, derisa t’i dorezoja shkrimin shefit. Mendimi i pergjithshem per koncertin, qe do te shprehej ne artikull ishte pak a shumë ky: nje përpjekje pozitive per te stimuluar nje talent te ri ne fushen e muzikes, por disi e ekzagjeruar dhe ndoshta nje reklame e pamerituar dhe e parakohshme per të, në Televizionin kombëtar.
Disa gjëra dukej që “kërcisnin” në koncert. Së pari, një e treta e këngëve të kësaj këngëtareje të re ishin të huaja, gjë e panatyrshme kjo për atë kohë. Ato mund të këndoheshin në koncerte nëpër kinoklubet e lagjeve e Tiranës, po jo në Televizionin kombëtar. Së dyti, gjysma e këngëve “shqiptare” në të, ishin krijime të një autori të ri, Gjergji Lekës, edhe kjo, e paparë ndonjëherë në koncerte në televizion. Së treti, në sfondin e koncertit ishte shkruar me drita emri “Mira” i këngëtares. Një gjë të tillë e kisha parë në verën e vitit 1977, kur në Tiranë erdhi këngëtarja e famshme greke Marinela. Pra, merreni vesh ju: Marinela në Greqi dhe Mira këtu, tek ne! Mirëpo ku e para, një këngëtare e famshme edhe në Europë dhe ku Mira jonë shtatëmbëdhjetëvjëçare.
Osman Mula në redaksi
Artikulli më ne fund dukej se ishte gati, kur mori në telefon roja i gazetës te porta dhe tha se kompozitori Osman Mula kerkonte te më takonte. Me habiti ky lajm. Mulën e njihja vetem nga televizioni, nuk e kisha takuar ndonjëherë. Dija qe ishte regjizor, kompozitor dhe instrumentist. Ai ishte udheheqes artistik i koncertit dhe pjese e orkestres qe shoqeronte kengetaren. Gjate vizites ne Televizion, nuk e pashe te udhes ta takoja dhe ai, mesa duket, e kishte mesuar nga te tjeret viziten time, prandaj kishte ardhur. I thashe rojes ta lere te vije. Nuk ishte keq ta dëgjoja edhe atë, para së të dorëzoja shkrimin.
Osmani erdhi ne zyre shumë i tronditur. Te pakten keshtu m’u duk. Kjo vihej re ne fjalet e tij, ne gjestet, ne levizjet nervoze të duarve, te cilat dukej sikur i dridheshin. Ai filloi te fliste me nje ndjenje te theksuar lutjeje, madje pergjërimi para meje.
“Ndigio! Sapo mësova që ke kenë sot në Televizion dhe prandaj kam ardhë. Më thane që ishe për koncertin e Mira Konçit. Të falem nderes shumë, njiherë, që më ke pritë në zyrë. Edhe thashë me vete: asht mirë me na takue e me na ndigjue edhe na, që e kena përgatit koncertin, para se me shkrue artikullin. Ndigio, shoku gazetar! Të kam vëlla, mos e ban at shkrim per koncertin. Të lutem shumë, mos e boto! Të lutem shumë. Jena perpjekë me ba diçka te re, të bukur, diçka ndryshe nga herët e tjera. Jena lodhë. Kena djersitë. A ia kena arritë? Nuk e di. Publiku e di. Ai na ka duartrokitun. Madje fort. Mund të them me siguri se nuk ka asgja te keqe në at koncert. Ka vetem nji perpjekje pozitive për me stimulue një talent të ri. A më kupton? Ka vështirësi Televizioni, more shoku gazetar. Nuk gjen dot një material për me ba nji dekor të bukur aty, mor ti, a më kupton? Ndoshta, dikush mund të jete ba xheloz për at koncert dhe tani kerkon me na goditë na, autorët e tij. Nuk e di, nuk e di. Por, te lutem shume, të lutem shumë, mos e bej, mos e boto artikullin! Mendo si për veten tande!”
Ky ishte thelbi i fjaleve te tij. Dhe keshtu, në kete frymë lutjesh e përgjërimesh per te mos e botuar artikullin, vazhdoi takimi me Mulën për rreth gjysmë ore. Ai në këmbë duke folur, ndërsa unë i ulur në tavolinë duke dëgjuar. Nuk shqitej nga zyra Osmani. Nuk i dhashë asnjë përgjigje apo premtim, por duke e degjuar, me erdhi keq per te. Kur të botohej artikulli, ai do te mbante pergjegjesine qe i takonte, nese do te kishte pergjegjesi, natyrisht. Ne mendje me shkuan artistet qe ishin transferuar nga Tirana ne rrethet e veriut, në kuadrin e “luftes kunder liberalizmit” dikur. Osmani ishte saksofonist në orkestrën e atij Festavalit “të shpifur” të Njëmbëdhjetë. A do ishte artikulli pikënisje per nje fushatë te re spastrimi ne Televizion? Më erdhi keq per Osmanin.
Më në fund ai doli nga zyra. Mbi tavolinë ishte shkrimi i padaktilografuar, i kthyer përmbys, që të mos e shikonte Osmani kur hyri. I hodha një sy dhe zbuta ndonjë frazë të ashpër në të. Hoqa ndonjë shrehje “të papërshtatshme” dhe retushova ndonjë fjalë a shprehje tjetër. Tani shkrimi ishte bërë më i “ëmbël”, më i butë. Ardhja e Osmanit e kishte zbutur shpirtin e gazetarit dhe kështu, po përpiqesha ta lehtësoja kritikën në të. Ka fëmijë edhe Osmani për të ushqyer. E çova shkrimin në daktilografi. Po afronte ora, kur do vinte shefi dhe duhet t’i dorezoja shkrimin.
Porosia për shkrimin është e kryeredaktorit
Dola në korridor të çlodhesha disi. Aty ishte edhe një gazetar tjetër, me sa duket, punonte edhe ai në zyrën e tij.
- Me çfarë po merresh? – pyeti.
- Po bëj një artikull për koncertin e Mira Konçit në Televizion – i thashë.
- E çfarë, do ta kritikosh? .
- Edhe kështu, edhe ashtu – u përgjigja shkurt.
- Isha një mbrëmje te kafeneja e katit të tretë të Pallatit të Kulturës – vazhdoi- Pashë të dilnin nga salla e koncerteve atje shumë njerëz. Pyeta se çfarë kishte aty dhe më thanë se ishte një koncert i një këngëtareje të re. Ishte pikërisht kjo, Mira Konçi. U habita sa shumë njerëz kishte në koncert.
Nuk i ktheva përgjigje, megjithatë, më bënë përshtypje fjalët e tij. Pikërisht për këtë koncert bëhej fjalë në shkrimin tim. Ja edhe një “Osman” tjetër tani po më flste mirë për koncertin. Pra, ai ishte pëlqyer nga publiku. Pas pak çastesh erdhi shefi. Filloi të lexojë artikullin e shtypur rreth dy faqe e gjysme, qe i dorezova. Pasi e mbaroi, shtremberoi turinjte dhe beri nje “piiifff!”, qe do te thoshte se shkrimi nuk i kishte pëlqyer fare. “Nuk ke qullosur gjë!” – thoshte ajo grimasë. Me sa duket, priste më shume kritikë për koncertin në shkrim, por nuk foli më. Ai kishte thënë se nuk e kishte parë koncertin, kështu që nuk mund të polemizonte me mua për të. E hodhi shkrimin ne shtypshkronje per t’u radhitur.
- Mos u largo nga gazeta, derisa te vijë kryeredaktori – tha.
Këto fjalë të fundit më shqetësuan pa masë. Keshtu pra, porosia për shkrimin ishte e kryeredaktorit Marash Hajati. Ajo qe me kishte brejtur qe ne mengjes ne mendje, tashme ishte e qarte. E paqarte ishte nese ideja per ta kritikuar koncertin e Televizionit ishte e vete kryeredaktorit, apo kishte ardhur nga “lart” fare, pra nga udheheqja.
Kujdestari teknik i faqosjes së gazetës, Arshini, me tha se nje pjese e shkrimit, nja dymbëdhjetë rreshta tipografikë, kishin dale me teper nga vendi qe kishte caktuar kryeredaktori në faqe për të. Ai merrte ne mengjes faqet, ku ishte percaktuar hapesira që do te zinte secili shkrim dhe, nese shkrimi dilte me i gjate në mbrëmje, duhej shkurtuar. Nese gazetari nuk ishte ne redaksi, shkurtimet i bënte vetë Arshini.
U ula dhe i shkurtova vete ato rreshta qe kishin dale teper. Me ate rast, hoqa edhe ndonje frazë qe tingellonte si më e ashper në të. Ardhja e Mulës ne gazete, kishte bere punen e vet. Edhe fjalët e kolegut gazetar që kisha takuar në korridor, po ashtu. Tani madje, në shkrim nuk përmendej fare emri i Osmanit dhe asnjë emër tjetër, përveç atij të këngëtares. Shkrimi ngjante si diçka bajate, pa nerv, pa emocion, pa kritikë, pa probleme, pa emra. Shkrim më të dobët nuk kisha dorëzuar ndonjëherë, që kur kisha filluar të shkruaja. Ia lashë faqen e gazetës Arshinit.
- Tani shkrimi është në rregull, – tha i kënaqur, i interesuar vetem qe te “kopsitej” faqja dhe te mbyllej gazeta sa me shpejt qe te ishte e mundur. Dhe keshtu, ia çonte faqet kryeredaktorit në tavoline per t’i parë.
Në zyrën e kryeredaktorit
Më kërkoi kryeredaktori në zyrë. Ishte hera e dytë që hyja atje, pas takimit njohës, kur fillova punë.
- Nuk jam i kënaqur nga shkrimi yt sot, – tha Hajati, pa shume hyrje – dalje. – Pse kështu? Kritika për koncertin duhet te ishte me e fortë. Ti ke berë shkrime te mira më parë, ndaj të morëm në gazetë. Kështu, u detyrova të ndërhyj vetë dhe të shtoj disa gjëra, të bëj disa theksime në artikull. Ja per shembull … – Ai filloi te permendte disa aspekte, sipas tij negative te koncertit, qe une nuk i kisha prekur ne shkrim dhe prandaj ai i kishte theksuar në shtesat e tij. Kishte kritikuar me emra të gjithë autorët e koncertit që unë nuk i njihja dhe as i kisha përmendur fare. Mbi tavolinën e tij, rrinte tani faqja e gazetes me shkrimin e “plotësuar”, ku arrita te shquaja “shtesat” dhe “theksimet” qe kishte berë me stilolaps. Aq shume nderhyrje kishte, saqe ngjyra blu e stilolapsit dominonte mbi të zezën e shkronjave te shtypura.
E ndjeva veten shumë keq, qe nuk kisha qullosur gjë me shkrimin. I isha mirenjohës kryeredaktorit që më kishte marre ne gazete dhe ja tani, ai ishte i zhgënjyer nga puna ime. Kete thoshte fytyra e tij, fjalet e tij. Hapu dhe te futem! Isha gati t’i kerkoja falje per ketë. Pse isha treguar aq i bute ne shkrim? Pse nuk i kisha rene koncertit me fort? Pse e bëra këtë? Pse? (As që mund të guxoja t’i thosha që kishte ardhur Osman Mula në gazetë) Por, ah, … ja ku po gjendet një fije kashte për të shpëtuar nga mbytja. M’u kujtua që më kishte thënë Arshini të shkurtoja shkrimin. Pra ai e kishte fajin!
– Shoku Marash, Arshini më tha që ta shkurtoj artikullin.
– Kush, Arshini?
– Po – iu përgjgija.
– Ma thirr ketu Arshinin! – Tjetri erdhi menjëherë në zyrë.
– Ti i the ta shkurtojë shkrimin?
– Po, shef. Atje e kishit vënë ju vizën për fundin e shkrimit në faqe. Dhe unë atë bëra.
– Po, mirë. Unë e vë vizën dhe unë e heq prapë. Te ulet shkrimi deri poshte, deri ku të shkojë. Kuptove? Edhe ta futësh shkrimin në kornize të zezë. Tunxh i zi korniza. – Nuk e dija se çfarë ishte “tunxhi i zi” në gazetë. E dija se tunxhi ishte me ngjyrë të kuqërremtë si bakri. Por ky ishte një shirit llamarine i trashë që vihej përrreth shkrimit dhe linte në faqe vizën e zezë kur i kalonte boja sipër, sikur shkrimi të ishte një nekrologji për dikë që kishte vdekur.
– Si urdheron, shef- tha Arshini. Me kaq u mbyll faqja. Kryeredaktori mori çanten e tij nën sqetull dhe doli.
Shkova në zyrë dhe prita të dilte nga shtypshkronja faqja e re e gazetës, me ndërhyrjet e kryeredaktorit në të. “Ah, Osman Mula, Osman Mula, ç’më bëre! Më more në qafë! Më detyrove të zhgënjej kryeredaktorin tim, që më mori nga Dibra, ku po kalbesha prej katërmbëdhjetë vjetësh dhe më solli në gazetë në Tiranë. Dhe ja tani, si po ia shpërblej me këtë artikull të shpifur, paçavure dhe pa vlerë për fajin tënd. Pse nuk theve këmbën e të mos kishe ardhur! Po si nuk i thashë rojes së gazetës, që të të thoshte se nuk jam në zyrë edhe të kishe ikur! Prit tani, kur të më thotë kryeredaktori: “Shko prapë andej nga ke ardhur, se nuk je për këtë punë!”
“Theksimet” e Hajatit
Më në fund, faqja e korrigjuar mbërriti nga shtypshkronja. Në të ishte artikulli me emrin tim dhe ndërhyrjet e kryeredaktorit. E lexova dhe ja disa nga ndërhyrjet e tij në të, që i shikoja për herë të parë:
“Në programin e këtij koncerti, rreth nje e treta e tij, përbëhej prej këngëve të huaja. … mendojmë se nuk ishin me vend këngë të tilla në repertorin e një këngëtareje që sapo shfaqet para teleshikuesve…
Një pjesë e madhe e këngëve të koncertit ishin krijime të autorit të ri Gjergji Leka. … nuk ka gjë të keqe që edhe një autor i vetëm, të paraqitet edhe me gjashtë këngë në një recital. Kjo flet për rendiment, por imitimi i së huajës në atë shkallë që u paraqit, eshte rendiment fiktiv dhe paraqet vlera të paqena artistike. ….
Na duken të tepruara ato efekte skenike te skenografit Rexhep Aliaj, ku orkestrantët ngrihen në këmbë … dhe veçanërisht emri i këngëtares, i shkruar me drita në sfondin e skenës….
Në origjinalitetin e mjeteve te natyrshme artistike e jo në “çudira”, duhej kërkuar suksesi i shfaqjes nga regjizori Osman Mula (ah, ç’ta ka bërë mirë, more Osman!) … më e keqja është se me koncerte të tilla, orientohen shijet e rinisë në drejtime jo të dëshiruara.
… me këte gjendje pajtohen edhe drejtuesit e televizionit, (nuk pëmenden emrat e drejtuesve) te cilët, ne rastin konkret, mbajnë edhe përgjegjësine kryesore”.
Ja dhe një gjë që nuk e dija dhe që e mësova atë çast nga “ndërhyrjet” e kryeredaktorit: Kur koncerti ishte shfaqur në sallë në Tiranë, gazeta lokale “Tirana”, organ i partisë së rrethit, e kishte quajtur atë “një sukses i jashtëzakonshëm”. Pra nuk ishin “çmendur” vetëm autorët e tij, kishte lajtitur edhe gazeta e partisë. Prandaj, ja edhe një “thupër” gazetës lokale, nga gazeta kryesore e partisë.
Shkrimi u botua me emrin tim të nesermen, datë 16 qershor 1990, faqe tre, lart, me titull: “Nga imitimet nuk fiton asgjë kënga jonë”. Tani pritej reagimi i publikut, veçanerisht i atij artistik për të. Natyrisht, jo në gazete, sepse shtypi ishte i kontrolluar dhe gazetës nuk mund t’i kundërpergjigjej askush.
Kohë e vështirë për koncerte
Reagimet per artikullin, nga aq sa arrija të mësoja, ishin te ndryshme, madje të kunderta. Një pjese e tyre e mbeshtesnin atë. “Mire ishte trajtuar problemi. Televizioni e ka tepruar me ate kengetare te re. Pse i duhej dhene aq shume vend asaj? Aq më tepër që këndonte këngë të huaja. Pastaj, ç’ishin ato tundje e shkundje të saj ne skene? Ajo s’ka dalë nga veza akoma. Na u kthye edhe nje here tjeter Festivali i Njembedhjete.”
Po kishte edhe nje reagim tjeter, i cili vinte te une nepermjet kolegëve qe me flisnin për ato që dëgjonin. Sipas tij, “koncerti nuk kishte ndonje gje te keqe per t’u kritikuar aq ashpër. Mund te kishte pak teprim në të, por asgje tjeter shqetësuese. E reja duhet ndihmuar të afirmohet, jo të pengohet. Te ky koncert kishte diçka novatore ne çdo element te tij. Pse gazeta “Zeri i popullit” po godet keto perpjekje pozitive? Gazeta po del kështu kundër të resë, kundër novatores, kundër reformave. Na u shpif edhe një herë Festivali i Njëmbëdhjetë. Dhe flasin për demokraci pastaj!”
Lexuesit, per çudine time, ishin te ndare ne dy grupe krejt te kunderta lidhur me koncerin. Deri atëherë nuk e dija qe opinioni publik, i propaganduar si “grusht bashkuar rreth partisë”, të shfaqej kaq i ndarë e i përçarë në pikëpamje, vetëm për një koncert të një këngëtareje të panjohur.
Disa dite më vonë, një shok gazetar, më i vjetër në moshë e në përvojë, me ftoi per kafe. Dukej se kerkonte të thoshte diçka.
– T’i kam lexuar shkrimet dhe me kane pelqyer, – tha. – Por kam edhe ndonje verejtje. Ja psh, te artikulli për Mira Konçin, sikur e kishe tepruar ca me kritikat.
I thashë se e dija që ka patur reagime të ndryshme, por nuk mund t’i thoshja se në të, ishte dora e kryeredaktorit, me frazat më të ashpra ndaj koncertit. Nuk më lejohej ta bëja këtë. Artikulli kishte dalë me emrin tim.
– Se ja, psh – vazhdoi ai, pas një heshtjeje të shkurtër. – E di ti që socializmi, që ne kemi propaganduar me të madhe deri më sot, ka kapitulluar para kapitalizmit?
– Si, si? – pyeta i habitur. Ishte hera e parë që e dëgjoja një shprehje të tillë. E dija që kolegu hynte e dilte nëpër zyrat e larta të partisë – shtet, ku unë nuk hyja – Nuk e kuptoj këtë frazën e fundit.
– Po ja, – vazhdoi ai. -Ta shpjegoj unë. Gorbaçovi i ka dërguar një letër Ramiz Alisë, ku i thotë që të ndryshojë drejtimin, se socializmi ka dështuar. Kështu po ndodh në të gjitha vendet e lindjes dhe kështu do të ndodhë edhe tek ne tani
– Po mirë, ç’lidhje ka kapitalizmi dhe socializmi me koncertin e Mira Konçit? – pyeta.
– Ka lidhje, ka, – tha kolegu. – Nuk është pa lidhje. Këtu bëhet fjalë që edhe vendi ynë do futet në rrugën e borgjezisë. Këtë që po ndodh në të gjtihë Lindjen, tani do ta pranojmë edhe ne. Prandaj, reagimet ndaj artikullit, nuk janë për Mira Konçin, se Mira Konçi nuk është asgjë, është një hiç fare, domethënë, a e kupton ti, apo jo? S’u dogj njeri për koncertin e Mira Konçit. Po te artikulli yt, njerëzit shikojnë se si po sillet partia ndaj të resë, ndaj reformave, ndaj hapjes me Europën, me botën etj, etj. Dhe këtu është problemi. Artikulli yt, nga shumë njerëz, është kuptuar si frenim i reformave që kishin filluar, se gazeta është organ i partisë. Ti nuk e ke vënë re? Edhe unë i kam rralluar shkrimet në gazetë kohët e fundit? Shkruaj sa për të justifikuar rrogën, e kupton ti, për probleme që nuk kanë asnjë rëndësi. Nuk më bëhet të shkruaj. Ja kështu.
– Unë nuk mendoj se artikulli ka lidhje me këto që po më thua – i thashë.
– Nuk ka rëndësi se çfarë mendon ti apo unë. Rëndësi ka se çfarë mendojnë ata, populli. Dhe ata mendojnë kështu siç thashë – tha ai.
U ndjeva i befasuar para këtij shpjegimi. Si nëpër mjegull, po arrija të kuptoja diçka, por jo plotësisht të qartë. Ishin hapat e para të përpjekjeve për një shoqëri të re, ende në formë abstrakte kjo, në përfytyrimin e shqiptarëve. Siç do të dilte, kjo e re do të vinte me vështirësi dhe përplasje, herë me ecje përpara e herë me kthime prapa, herë me suksese e herë me deshtime. A ishte edhe artikulli një dëshmi e rrugës plot të panjohura ku po shkonim? Do të duhej kohë për ta kuptuar.
Këngëtarja e re dhe koncerti i saj ishin ndodhur, pa e ditur as vetë, në kohën e gabuar dhe në vendin e gabuar. Ky ishte “mëkati” i tyre. Në një kohë tjetër, askush nuk do t’u kishte kushtuar vëmendje atyre, as televizioni, as shtypi, as publiku, njëlloj si dhjetra koncerte të tilla sot. Por atëherë ishte tjetër kohë, çdo gjë politizohej.
Në horizont po shfaqeshin erërat e ndryshimit. Edhe koncerti edhe gazeta ishim ndodhur në atë ciklon ngjarjesh, që po përgatisnin rrëzimin e sistemit. Ishim të gjithë udhëtarë në një anije që po mbytej. Anija fuste ujë nga të gjitha anët, ndërsa ne përpiqeshim ta shpëtonim, duke hequr prej saj ujin me kanaçe. Pas dy javësh, më 2 korrik, mijëra shqiptarë do të mësynin ambasadat e huaja në Tiranë. Kryeredaktori Hajati do të shkakrohej nga detyra me akuzën “për qëndrime liberale” në gazetë. E kish marrë ferra uratën. Koncerti i Mira Konçit i ngjante orkestrës së “Titanikut”, që luante muzikë dhome në kuvertë, ndërkohë që anija po fundosej.




(Nga libri “Shënimet e gazetarit”)

Z.Hamdi!
Pas 30 vjetesh une te them qe Marash Hajati kishte te drejte.
Nuk do ta trajtoj kete ceshtje politikisht,por Artistikisht.
Veshet ne bythe i kishte Osman Mula dhe te gjithe drejtuesit artistike te Televizionit te vetem shtetror,qe nuk kuptonin se Mira Konci nuk kendonte,por MJAULLINTE.
Ajo mjaullime nuk mbante nje Koncert Recital.
Mund te kendonte nje kenge feminore,,nje ninulle,mund te futej ne nje koncert me 10 kengetare te tjere,por jo te te dhiste kenget e fuqishme te Mirel Matjese dhe te tjere zera exelente boterore.
Vendi yne ne ate kohe kishte zera te mrekullueshem si Ema Qazimi,Liljana Kondakci,Bashkim Alibali,Irma Libohova,,,atehere 40 vjecare ne kulmin e pjekurise artistike.
Nuk po them te nxirrnit Sherif Merdanin nga burgu,por cilin nga keta kengetare e ftuat dhe nuk pranoi recitalin qe mbeti puna tek mjaullima akute e Mira Koncit qe te cpon timpanin si e gervishur xhami.
Faktikisht megjithe privilegjaten qe ju afrua,kjo si kengetare nuk mbajti shume.
Po ta kishit trajtuar shkrimin artistikisht,profesionalisht,mjaft te kishit intervistuar Agim Krajken per CILESITE VOKALE te Mira Koncit,sot do te ishit me i qete.