Këto ditë mbushen 300 e para të qeverisë Rama në detyrë. Ministrat nën drejtimin e kreut të ekzekutivit janë duke bërë bilancin e këtyre 10 muajve të parë me arritjet dhe pritshmëritë për të ardhmen. Ekzekutivi shqiptar në analizën që po bën është duke vënë disa piketa që do të paraqiten si objektiva të arritura. Disa nga arritjet që pritet të theksohen në analizën e qeverisë janë; marrja e statusit të vendit kandidat, ndërhyrja në Lazarat, ku u asgjësuan dhe u kapën sasi të mëdha droge dhe armësh, rikthimi i policisë në krye të punëve, lufta antikorrupsion, inventarizimi i financave publike, reforma në pensione, legalizimet, shëndetësia etj. Gjatë kësaj periudhe diplomacia është bërë mjaft aktive, ku kreu i qeverisë ka vizituar disa nga kancelaritë më të rëndësishme të Europës për të lobuar për Shqipërinë. Në fokus të punës së qeverisë për muajt në vijim do të jetë reforma në drejtësi. Po ashtu si Rama ka 300 ditë në qeveri, aq ka dhe Lulzim Basha në krye të Partisë Demokratike. Basha ende është në hijen e Berishës, duke mos vënë autoritetin e tij si kryetar real i opozitës. Zgjedhjet në parti ditët e fundit po tregojnë se ende ekzistojnë rryma brenda partisë që po pengojnë frymën e bashkëpunimit dhe në disa zona edhe çarje të partisë. Për të analizuar 300 ditët e kryeministrit dhe kreut të opozitës, DITA ka ftuar në një FORUM tre bashkëpunëtorë të saj për të dhënë mendimin e tyre. Mero Baze, Alqi Koçiko dhe Kosta Barjaba, japin opinionin në lidhje me zhvillimet e 10 muajve të fundit në vend…
Alqi Koçiko: Rama bëri lëvizjen e duhur, financat e trashëguara zgjidhja që ju dha me FMN-në
Si e gjykoni punën e qeverisë Rama 300 ditët e para?
Do të përdorja një term muzikor për performancën e qeverisë së re: Kreshendo. Si çdo kabinet qeveritar që sapo ka marrë pushtetin, qeveria Rama në muajt e parë dha përshtypjen se ende nuk e kishte kuptuar që ishte në drejtimin e vendit, ashtu si nga ana tjetër, opozita ende nuk e kishte kuptuar që nuk ishte më në pushtet. Por ama, ka një sektor në të cilin mazhoranca e re lëvizi me shpejtësi që në fillim, dhe ky sektor janë financat, gjendja e të cilave ishte denoncuar ende pa filluar fushata elektorale. Sot mbase e kemi harruar, por qeveria Berisha që në janar 2013 kishte vështirësi në dhënien e pagave në kohë për administratën, ndërkohë që po negociohej një tjetër shitje eurobondesh që nuk u realizua dot. Qeveria e re kuptoi se po trashëgonte financa të rrënuara dhe ky ishte rreziku më imediat për vendin, ndaj negocioi me FMN-në dhe Bankën Botërore me rezultatet që tashmë dihen.
Nga ana tjetër, kuptohet që efektet e politikave të reja ekonomike nuk mund të ndihen kaq shpejt, por ajo që shihet është një përpjekje për të futur në hullinë e rregullit dhe ligjshmërisë çdo aspekt: Nga liçensat minerare, tek mirë administrimi i doganave dhe tatimeve; nga qasja e shtetit ndaj biznesit të ndershëm, tek lufta ndaj ilegalitetit dhe rrumpallës në ndërtime etj. Shoh një qasje të re dhe përpjekje për të ndryshuar drejtpërdrejt dhe pa vonesë gjërat në shumë fusha; në arsim e shëndetësi, në trajtimin e ish të përndjekurve e shtresave në nevojë, në mbrojtjen e mjedisit e padyshim në hapat integrues që u kurorëzuan me statusin e vendit kandidat të BE-së. Veçohen patjetër arritjet në rendin publik dhe në luftën kundër trafiqeve që kurorëzohen me Lazaratin, këtë kopsht të Edenit të hashashit ku çuditërisht, paraardhësi i Ramës pranoi se ishte politika e tij që të mos ndërhynte në këtë fshat. A thua se kur këtë frazë e pohon një kryeministër i deridjeshëm, shprehja merr vetvetiu fuqinë magjike të indulgjencës dhe gjithçka duhet lënë këtu.
Ndërkaq, kjo performancë në rritje, në të ardhmen duhet kurorëzuar me dy momente kyçe, që do jenë tek e fundit çelësi i suksesit ose jo të kësaj qeverie: Shtimi i punësimit dhe ndryshimi i gjendjes aktuale në sistemin e drejtësisë. Kemi qenë dëshmitarë këto ditë, sesi kupola e gjyqësorit shqiptar, KLD-ja, mbron një anëtar të vetin që nuk arrin të justifikojë dot dy milionë euro pasuri dhe ulëret se po e sulmojnë politikisht. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut të një sistemi të kalbëzuar ku infeksioni i korrupsionit ka kapur përmasa proverbiale. Mazhoranca thotë se do të veprojë përmes legjislativit për të ndryshuar situatën. Numrat dhe mbështetjen e publikut e ka, duhet të veprojë energjikisht. Dhe jo sepse e kërkojnë “ndërkombëtarët”, por sepse e kërkojnë shqiptarët dhe kështu nuk mund të vazhdohet më.
Ashtu si Rama ka 300 ditë në krye të qeverisë, kemi dhe 300 ditë për Lulzim Bashën në krye të PD. Si duket puna e tij dhe a ka arritur të jetë kryetari real i demokratëve?
Zoti Basha ashtu si dhe në bashkinë e Tiranës, edhe në krye të PD-së nuk ka dalë dot nga përshtypja e përgjithshme se është aty ku është, sepse e kanë vënë. Basha është një personazh i pilotuar në politikën shqiptare dhe nuk është nevoja këtu të përsërisim cv-në e tij dhe shenjat që ka lënë pas në çdo ministri që ka drejtuar. Kjo nuk do të thotë se ai nuk ka disa cilësi lidershipi dhe komunikimi që e bëjnë tërheqës, por ato mbeten në tentativë, pasi janë zhguall pa asgjë brenda. Deri tani, Basha nuk po del dot nga hija e mentorit politik Berisha dhe kjo është e kuptueshme, përderisa gjithçka ka arritur ja ka borxh atij. Në bashki, atij iu deshën tre vjet për të ardhur në publik me një maket të tramvajit të famshëm që mund ta bëjë çdo student i arkitekturës, ndërsa në parti, PD-ja sot është në një udhëkryq të rëndësishëm, të ngjashëm me situatën ku ishte PS në vitin 2005. Por me dallime thelbësore: Nëse Edi Rama e fitoi Partinë Socialiste dhe mirë apo keq, i dha asaj partie formën dhe frymën që ka sot, Bashës ja dhanë PD-në dhe kjo parti është në kërkim të formës dhe të frymës. Të dyja, me sa shohim, ende po ja përcakton dhe formaton Berisha.
***
Kosta Barjaba: Shërbimi shëndetësor një premtim i mbajtur me programe premtuese
Si e gjykoni punën e qeverisë Rama 300 ditët e para?
Qeveria Rama ka punuar këto 300 ditët e para nën trysninë e madhe të pritshmërive të larta, tepër të larta, të publikut dhe qytetarëve. Këtë rrethanë, e cila mund të shërbente lehtësisht si një zbehës i suksesit qeverisës, Kryeministri Rama arriti ta shndërrojë në një incentiv të qeverisjes, në një frymëzim për të punuar më shumë, për të qenë më produktiv, më efiçient dhe më të dobishëm për vendin dhe qytetarët. Në çdo sektor të qeverisjes duken qartë ndryshimet, por unë do të dëshiroja të fokusohesha në sektorët e zhvillimit social dhe njerëzor. Nuk do të bëj politikë, por thjesht do të krahasoj disa objektiva programorë me realizimet e deritanishme. Dëshiroj ta filloj nga premtimi më guximtar i qeverisjes, shërbimi shëndetësor falas. Unë nuk e vendos në thonjëza këtë premtim sepse ai ishte dhe mbetet një premtim realist dhe motivues. Kuptohet, shërbimi falas nuk do të vijë nga qielli, por nga burime financiare legale. Qeveria e ka bërë të qartë në programin e saj se “Shërbimi Kombëtar Shëndetësor do të jetë paguesi i vetëm i shërbimit të kujdesit shëndetësor, duke siguruar që askush të mos përballet me pengesa financiare, moshore, gjinore, gjeografike apo kulturore në marrjen e shërbimit të kujdesit shëndestor. Kujdesi shëndetësor do të financohet nga taksimi i përgjithshëm”. Pra, shërbimi shëndetësor nuk do të jetë një shërbim që nuk kushton, por një shërbim kostot e të cilit do të përballohen ose tërësisht ose pjesërisht nga shteti. Me këtë logjikë, buxheti për shëndetësinë për vitin 2014 u rrit 9.1 përqind krahasuar me vitin 2013 dhe arriti në 2,77 përqind të PBB-së, duke qenë niveli më i lartë i shpenzimeve publike për shëndetësinë gjatë 15 viteve të fundit. Përveç kësaj, shërbimi shëndetësor falas po realizohet nëpërmjet programesh ku shteti shfaqet jo vetëm si rregullator, por edhe si blerës shërbimesh. Në zbatim të objektivit programor se “Spitalet do të administrohen në mënyrë efikase dhe do të financohen në bazë të paketave të shërbimit që paguesi i vetëm do të kontraktojë për kujdesin e nevojshëm spitalor të çdo individi”, qeveria ka miratuar dhjetë paketat e para pa pagesë të shërbimeve mjekësore spitalore, të financuara nga Fondi i Sigurimeve. Konkretisht, këto paketa mbulojnë shërbimet e nefrologjisë, kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe implantit koklear, kostot e të cilave do të financohen 100 përqind nga Qeveria, si në shërbimin publik spitalor, ashtu edhe atë privat. Në funksion të uljes së kostove të shërbimit shëndetësor, qeveria hoqi TVSH-në prej 10 përqind për barnat dhe pajisjet mjekësore qysh nga prilli 2014. Kjo si edhe masat e tjera për formalizimin e tregut të barnave mundësuan uljen me rreth 20 përqind të çmimit të barnave që tregtohen në vend dhe mbajtjen e premimit qeverisës se “Ne do të ulim çmimin e shitjes së barnave në Shqipëri”.Brenda vitit 2014 do të fillojë zbatimi i programit kombëtar për kontrollin bazë pa pagesë të shëndetit për popullsinë 40-65 vjeç, nga i cili do të përfitojnë rreth një milion qytetarë. Kontrolli bazë falas do të ulë edhe kostot dhe çmimet e shërbimeve të tjera, prej efekteve pozitive që do të ketë në përmirësimin e shëndetit të popullsisë dhe parandalimin e sëmundshmërisë. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe kanë filluar përgatitjet edhe për ngritjen e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, një tjetër objektiv i programit qeverisës. Pra, shërbimi shëndetësor falas nuk është një akt që realizohet me llampën e Aladinit, por një kompleks programesh mjekësore e shëndetësore që do të realizohen në proces gjatë këtij termi qeverisës. Përveç kësaj, nuk mund të le pa përmendur edhe disa reforma të tjera të portofolit të zhvillimit njerëzor, si reforma e arsimit të lartë, reforma e tregut të punës, reforma e pensioneve etj., të cilat duhet t’i shtohen bilancit të sukseshëm të qeverisjes.
Ashtu si Rama ka 300 ditë në krye të qeverisë, kemi dhe 300 ditë për Lulzim Bashën në krye të PD. Si duket puna e tij dhe a ka arritur të jetë kryetari real i demokratëve?
Dëshiroj të theksoj që në fillim se unë do ta mirëprisja rritjen e performancës së lidershipit të z. Basha në Partinë Demokratike. Sepse nisem nga parimi se sa më konstruktiv të jetë Kryetari, aq më konstruktive do të jetë opozita. Dhe sa më konstruktive të jetë opozita, aq më e mirë do të jetë qeverisja. Megjithë ndryshimet thelbësore në trajektoret 300 ditëshe të z. Rama si Kryeministër (i votuar nga një milion qytetarë) dhe z. Basha si Kryetar i opozitës (një udhëheqës i dhuruar), e mira publike kërkon që z. Basha të shndërrohet në udhëheqësin praktikisht real të opozitës. Çdo përpjekje që shkon kundër këtij imperativi publik nuk dëmton vetëm z. Basha, por edhe vetë opozitën, interesat e vendit e madje edhe qeverisjen, e cila detyrohet të qeverisë me një opozitë të dyzuar, konfuze dhe të dobët.
***
Mero Baze: 300 ditët e Bashës, tragjikomedia e Partisë Demokratike
Si e gjykoni punën e qeverisë “Rama” 300 ditët e para?
300 ditëshi i parë i Ramës mund të quhet 300 ditëshi i marrjes së pushtetit dhe vendosjes së prioriteteve. Pas 300 ditësh jemi më të qartë se çfarë reformash ka në dorë qeveria. Është konsoliduar ideja për reformën në drejtësi, reformën në arsim, reformën e pensioneve, ndërkohë që shihet se ka nevojë për një rikoncpetim të reformës në shëndetësi dhe strategjisë energjetike në vend, e cila rrezikon të mbetet peng e koncesioneve të Sali Berishës për të kthyer përrenjtë dhe lumenjtë e bukur të Shqipërisë në diga betoni që më shumë prishin punë se prodhojnë energji.
Ka një çlirim të lirive njerëzore, një vëmendje më të madhe ndaj opinionit publik, një medie më të lirë dhe një liri ekonomike në atë shkallë sa po privilegjohen dhe ata që që kanë qenë monopolist në kohë të Berishës.
Beteja kundër korrupsionit duket se ka ngecur në konfliktin politik për shkak të kontrollit të sistemit të drejtësisë nga Berisha dhe rezistenca që po bëjnë për të mos lejuar që të inkriminuarit të ndëshkohen. Kjo në të vërtetë është dhe arsyeja përse kjo qeveri u votua kaq shumë. Nëse nuk e fiton këtë betejë, gjithë të tjerat nuk kanë asnjë vlerë.
Ashtu si Rama ka 300 ditë në krye të qeverisë, kemi dhe 300 ditë për Lulzim Bashën në krye të PD. Si duket puna e tij dhe a ka arritur të jetë kryetari real i demokratëve?
Kisha një keqkuptim në fillim se Lulzim Basha kishte një plan të vetin dhe do t’ia dilte të arrinte diku. Nuk është se ja pëlqeja planin që kisha në mendje, por e vlerësoja që ai kishte një plan. Pas 300 ditësh është e trishtueshme të shikosh se ai nuk ka asnjë plan. As si të shpëtojë nga Berisha, as si të shpëtojë nga kundërshtarët në parti, as kë të zgjedhë, as kë të heqë, as kë të promovojë. Është gjendja më kaotike në të cilën ka qenë PD përfshi dhe vitin 1997. Në atë vit të paktën kanë qenë pakicë e qartë. Tani janë pakica më e paqartë në vend. Të zgjedhurit e rinj, janë lloj lloj ngjyrash, njerëz të Bashës, të Berishës, të kundërshtarëve të tyre, njerëz pa personalitet etj. Është një anije pa timon në det të hapur. Nga një anë bën betejë kundër “xhaketave të vjetra” nga ana tjetër i rikthehen në krye njerëz që kanë ndërruar disa herë xhaketën. Nga një anë kërkon inetlektualë dhe nga ana tjetër i dalin në krye të PD-së marangozë. Nga një anë kërkon të promovojë figura mediatike shpesh bezdisëse si Grida, nga ana tjetër lajmet në ekran ja prodhon Flamuri. Nga një anë kërkon të rinovojë partinë me emra të rinj, nga ana tjetër dërgon të deleguar Fariun, në të njëjtin qytet ku ka pas shkuar me Hekuran Isain. Është situata më tragjikomike ku mund të gjendet një opozitë. Ky është dhe i vetmi identitet që i ka dhënë Basha deri tani.

Te krahasosh intelektin e Rames me Bashen eshte si te krahasosh..Brazilin…me Germanin…
Bashen dhe kta demokratet qe kam un ne lagje nuk e marin seriozisht…thone qe flete muhabete pa koke….
Basha mbeti duke recituar, por edhe ne recitim eshte sic recitoja une ne klasen e trete fillore.
Te dy kot jane
Burra bosh
Nuk më pëlqen që 300 ditet e z. Rama krahasohen me 300 ditët e z. Basha ? Mali krahasohet me malin jo me kodrën? Lisi krahasohet me lisin jo me maren? Krahasimi me bashën eshtë i palogjikshem!? Krahasimi behet me standartet europiane dhe me vendet e ngjajshme me ne? Mali i zi po fluturon në standarte ne akoma s’kemi dale në pistë…!? Komenti me realist m’u duk ai i z. Mero? Qeveria ka arritje por, unë te nota 6 jam në vlerësimin e pergjithshëm? Njerzit nuk po prekin akoma arritje serioze,hajdutet e boshatisjes se financave te shtetit po bëjnë qejf me ato qe na kané vjedhur,vrasesit e 21 janarit e te gerdecit jane te lirë etj.etj. Keta jane tregues me peshë per nje arritje. Të tjerat janë “pesha pupël” ose “pesha gjel” siç i thonë në mundje?
Po mire xhanem shume vepra te medha do bejne per tiranen te dy liderat si majtas si djathtas, po ato 100 metra trotuar tek piazza mbrapa muzeut historik si nuk i shohin xhanem qe jane si gungat e gropat ne kohen e ali pashes….aty ka rrezik te thyejne koken njerezit e sidomos pleqte.
Rama ne qeveri per keto 300 dite ka kenaqur ministrat e vet dhe ato qe ka punesuar ne poste drejtuese. Sa per miletin asgje nuk po ndjen nga kjo qeveri qe po shton e rrit taksa te reja. Ne ekonomi vetem ato qe jane punesuar keto kohe jane te kenaqur, kurse te tjeret, perfshi dhe socialistet nuk po shohin asgje nga premtimet me buje te para 1 viti. As ne pune nuk po i fut dot se ja kane zene vendet ushtaret e Metes qysh ne qeverine Berisha.
Ja se cfare thote Lubonja: http://pollsdb.com/deshtimi-i-rames-ne-keto-300-dite
JO 300 DITE POR EDHE 30 VJET TA LINI RAMEN BASHEN BERISHEN METEN NE QEVERI AS QE DO TE HAPIN ASNJE VEND PUNE PER POPULLIN ….MENDOJNE VETEM PER VETEN E VET DHE MIQTE E VET … KETO TIPA NUK KANE ASNJE IDE ASNJE PLAN PER TA NDRYSHUAR JETEN E SHQIPTAREVE … PRANDAJ SHOKE GAZETARE PYETNI POPULLIN CFARE KA NDRYSHUAR PER TE VARFERIT KETO 300 DITA .. SI E KA LUFUAR KORRUPSIONIN RAMA META …ASGJE ..RAMA E MBROJTI GJIKEN HAJDUTIN E VLORES … DHE SA TE KORRUPTUAR KA LENE JASHTE , ? ;? KJO ESHTE NJE QEVERI BANANESH SI NE AFRIKE QE CDO NJERI VJEDH …DHE NUK KA GJYGJ ….NDERSA SHQIPTARET HAJNE BAR …JA REALITETI …