TIRANË – Mungesa e kushteve të sigurisë teknike ka shtuar numrin e aksidenteve të ndodhura në punë, veçanërisht në sektorin e minierave. Sipas të dhënave të raportuara, bëhet me dije se mbi 300 punëtorë të nëntokës kanë humbur jetën në vendin tonë gjatë dhjetë viteve të fundit. Këto shifra kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, i ka cilësuar si tepër shqetësuese duke vënë në dukje faktin se pasojat fatale kanë ardhur si rezultat i mungesës së sektorit të sigurisë teknike në shumë miniera.
Më tej ai u ka kërkuar strukturave përgjegjëse shtetërore që të ndërhyjnë në përmirësimin e legjislacionit për sigurinë teknike në pune. Megjithatë këto probleme ndodhin edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Në javën botërore të Shëndetit dhe Sigurisë në Punë, drejtori i politikave në ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, tha se sëmundjet më shqetësuese profesionale janë ato të mushkërive, ku më të prekurit rezultojnë të jenë punëtorët e nëntokës dhe ata të fabrikave të këpucëve.