Hapet fushata kundër dhunës ndaj grave, Klosi: Burrat të jenë pjesë e zgjidhjes

Saimir Lleshi

Me sloganin: “Djemtë dhe burrat, pjesë e zgjidhjes – Tregoni se jeni kundër dhunës”, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me UNDP-në dhe organizatat e shoqërisë civile, kanë hapur sot fushatën kombëtare të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Në ceremoninë e organizuar në ambientet e MMSR-së me këtë rast merrnin pjesë ministra, përfaqësuese të Aleancës së Grave Deputete, drejtoresha e Përgjithshme e UNDP-së në vendin tonë, Yesim Ouruc, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të grave, si dhe të rinj që janë bërë pjesë e kësaj nisme sensibilizuese.

Në hapjen e këtij takimi, ministri i MSR-së, Blendi Klosi vlerësoi se, për të parandaluar këtë fenomen është i rëndësishëm angazhimi i gjithë shoqërisë, përfshi këtu edhe burrat, të cilët sipas tij duhet të jenë pjesë e zgjidhjes. Prandaj ka theksuar ai, është e rëndësishme që në këto 16 ditë, kjo çështje të bëhet temë e një debati sa më të gjerë. “Të nderuar mbështetës të kësaj nisme, në këto 16 ditë të aktivizimit tonë, ne do të përpiqemi që në çdo moment të flasim kundra dhunës, të flasim për forcën e femrës, ta promovojmë atë, ta ngremë atë aty ku e meriton. Ne do të shpërndajmë fjongot simbol të nismës kundër dhunës me bazë gjinore dhe në familje, dhe do ua shpërndajmë burrave, sepse kërkojmë që ata të jenë pjesë e kësaj fushate”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Më tej ai ka theksuar se ka ardhur koha që institucionet shtetërore, organizatat por edhe gjithë shoqëria duhet të bëjnë më shumë për të vënë në jetë tashmë të gjithë mekanizmat ligjorë, por jo vetëm, për të kontribuar më shumë në këtë drejtim. “Duke përfituar nga rasti, nuk dua të shpreh se çfarë kemi bërë, por të premtoja se MMSR do vazhdojë të jetë promotore e lëvizjes në mbrojtje të femrës shqiptare, do jetë promotore e lëvizjes për barazi gjinore, pasi nuk është e nevojshme vetëm që të bëjmë strategji, por implementimi i tyre është shumë i rëndësishëm”, u shpreh ministri Klosi.

Gjithashtu, ai shprehu kënaqësinë që këto ditë fushate kundër dhunës ndaj grave përkojnë edhe me një fushatë tjetër, që MMSR ka ndërmarrë me rastin e 25-vjetorit të Ditës së Rinisë. “Nuk kishte si të mos ishte një nga pikat kulmore të promovimit të vlerave të rinisë shqiptare edhe ai i vajzave dhe grave shqiptare që janë pjesa më e mirë e saj. Natyrisht, unë jam shumë i nderuar si ministër i MSR-së që në gjithë këtë institucion nuk di të ketë më shumë se 5 apo 6 burra, gjithë të tjerat janë gra. Ndaj jam shumë i lumtur që punoj me to dhe kontribuojmë në forcimin e barazisë gjinore dhe vlerës së gruas shqiptare”, – tha Klosi.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, theksoi se, pavarësisht hapave të hedhur në drejtim të sensibilizimit të kësaj çështjeje, mbetet ende shumë punë për t’u bërë, sidomos në drejtim të angazhimit të burrave, kryesisht atyre që kanë fuqi vendimmarrëse, si ministra apo deputetë.

 

Nga ana e saj, drejtoresha e Përgjithshme e UNDP-së në vendin tonë, Yasim Ouruc theksoi se bëhet fjalë për një fushatë mbarëbotërore dhe që mbështetet në mënyrë të fuqishme edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, cili u bën thirrje të gjitha qeverive në botë, organizatave të shoqërisë civile, por edhe organizatave që punojnë në fushën e grave, apo edhe të gjithë institucioneve të tjera, duke përfshirë këtu edhe median, t’i thonë stop dhe të bëhen pjesë e kësaj fushate të ndalimit të dhunës ndaj grave.

 

Share This Article
1 Comment
  • Mire eshte qe be ate ministri me 5 burra ministre te jete nje grua se I ngjaj nje pularie qe ka nevoje te komandoje e ta mbareshtroje mister gjeli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *