Rrëmbyesit dhe ekzekutuesit e Gazmend Çollakut i kanë ngritur një kurth edhe policisë për të shpërqendruar ndjekjen e tyre.
Katër personat e veshur me rroba policie arritën të fitonin kohë të mjaftueshme sa për të kryer krimin, duke vënë në plan mashtrimin e policëve që po i ndiqnin. Një prej tyre ka marrë telefonin e Çollakut dhe ka ndjekur tjetër itinerar udhëtimi nga shokët, duke marrë autostradën Durrës-Tiranë dhe në Maminas e ka hedhur telefonin. Kurse “Audi” ku mbahej peng Gazmend Çollaku ka ndjekur aksin e Fushë-Krujës, një rrugë dytësore, ku edhe në Murqinë u gjet trupi i pajetë, i torturuar, lidhur këmbë e duar dhe me 3 plumba pas koke.
Celulari i Gazmend Çollakut nuk u fik, por u mbajt ndezur në makinën që ecte drejt Tiranës. Policia sapo ka mësuar për pengmarrjen, ka gjurmuar direkt telefonin e 34-vjeçarit për të zbuluar lëvizjen e tij dhe se ku po dërgohej. Itinerari ka qenë drejt Tiranës, por në Maminas gjetën aparatin celular, por jo Çollakun dhe as autorët.
Pak orë më pas u gjet i pajetë edhe trupi i Çollakut, pak kilometra më tej. Kjo manovër ka ndihmuar 3 të tjerët që të kryenin misionin e tyre të pa shqetësuar.
Për momentin pista për ekzekutimin e 34-vjeçarit është hakmarrja për ngjarjet e kaluara, rivaliteti mes grupeve, larja e hesapeve për drogën dhe fakti se viktima ishte mik i dy të rinjve që u ekzekutuan më 20 dhjetor në Durrës, Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj.
Policia kishte shoqëruar Çollakun pas ngjarjes dhe autorët dyshonin se ai mund të kishte folur për ekzekutimin e dyfishtë, ndaj edhe e hoqën qafe si dëshmitar. /DITA/
