Barcelona është kthyer ajo e ditëve të dikurshme, ashtu si dhe zemra e saj, Leo Mesi. Skuadra katalanase e ktheu në stërvitore ndeshjen e djeshme me Osasunën, duke e mundur 7-0, ndërsa argjentinasi ishte autor i tre golave. Nuk është gjë e re që Mesi të shënojë tre gola në një ndeshje, por dje ai u bë shënuesi më i mirë të gjitha kohëve për Barcelonën, duke shkuar në kuotën 371, një më tepër se Alcantara. Argjentinasi hapi serinë në minutën e 18-të, duke shënuar një gol të lehtë, ndërkohë që pesë minuta më pas ishte radha e Aleksi Sançez, ndërsa Iniesta shënoi të tretin, para pushimit, me një goditje të shkëlqyer nga jashtë zonës.
Barcelona mjaftohet me kaq në pjesën e parë por në minutën e 62-të, Mesi shënon të katërtin dhe të 370-tin në karrierën e tij blaugrana. Pas golit të Telos, Mesi shkruan historinë me golin e gjashtë, ndërkohë që shifrat i mbyll Pedro, me golin e shtatë. Barcelona ndjek Realin e Atletikon që kishin fituar më parë, ndërkohë që javën e ardhshme është ndeshja e madhe, në “Santiago Bernabeu”. Si me magji, Barcelona ka ardhur në formë pikërisht përpara takimit me Realin, që mund të jetë përcaktues për fatin e titullit kampion. Skuadra e Ançelotit ka katër pikë më tepër se ajo e Martinos, ndaj fitorja e vendasve mund ta shkurorëzonte para kohe Barçën, ndërsa suksesi i kësaj të fundit lë gjithçka të hapur për të tre pretenduesit.
