Legjenda e kokës së foshnjës… (Tregim në vargje)

redaktor

Ndënë Labovë-në ca shelgjishte,
ku kthehet rruga si një brryl,
derdhet me nge nëpër zallishte,
një çezmë e vogël-një curril.

Ç’më ngjan se nga çezmë e mermertë,
burojnë këngë dhe legjenda,
nga buzët tërë myshk të blertë,
rrjedhin currilat e argjenda.

Dhe ngrenë harqe prej ylberi,
dhe qeshen-si qeshje fëmije,
përplasen ujërat tek mermeri,
si mërmërima dashurie.

Shpalosen valëzat mbi valë,
dhe treten tutje-në shelgjishte,
legjenda fletët hap ngadalë,
shtruar-si këngë pleqërishte.

S’dihet ç’ka qenë-veç ishte natë,
kur nëpër ujërat e një gjoli,
u hodh një shamizezë e ngratë,
një kallogre-e më nuk doli.

Dhe gjoli ujëturbulluar,
u tha-sa sytë hap e mbyll,
nga toka-duke ligjëruar,
rrodhi më pas veç një curril.

Për historinë e padëgjuar,
si vetëtimë u përhap kënga:
“E piu gjolin-për të shuar,
zjarrin e madh që kish përbrënda!”

Ish zemra vrer e kallogresë,
në manastir rininë e ngrysi,
e dënoi koha-pleh të vdesë,
shtatzënë jetën e braktisi…

Tregojnë se në këto vise,
shtegtar-një mjeshtër i përmëndur,
sa herë mermerin e qëndiste,
shpirtin e vet thua kish gdhëndur.

E dashuroi ai me zemër,
vashëzën Rinë-yll bukurie,
të dy jetuan si në ëndërr,
ca ditë të zjarrta dashurie.

Po ja që ëndrra-mbeti ëndërr,
gjithë jetën s’mund t’u ndriste ylli,
ligji i zi i asaj kohe,
në manastir Rinën e mbylli.

Rina e bukur lulenjomë,
u tha-u vyshk-si lulethatë,
dhe për mëkatin e pabërë,
duhej të lutej ditë e natë.

Dhe prifti-shërbëtor i zotit,
kur mallkoi djalin mëkatar,
harroi mësimet e Ungjillit,
dhe mëkatoi përmbi altar.

Mjeshtri djalosh u fsheh në pyll,
s’largohej dot nga sytë e Rinës,
kur hëna fshihej prapa reve,
shkonte dhe e kërkonte tinëz.

I lutej djali kallogresë,
ta merrte larg-në vend të tijë,
po s’dinte brengën e së resë,
me priftin priste një fëmijë.

E gjora Rinë-që s’desh t’i zgjonte,
një brengë të re djalit në shpirt,
prift e altar duke mallkuar,
në gjol të zi shoi e u mbyt.

O-ç’e kërkoi djaloshi vashën,
dhe me pëllëmbë e mati pyllin,
mos ma pe Rinën-i thosh hënës,
mos ma pe Rinën-i thosh yllit?!

Jo-s’e kam parë përgjigjej hëna,
ca kohë kam-që dal vonuar,
po pyet Yllin e Mëngjesit,
që ndrin mes reve-i pashuar.

Më kot mundohesh-ti më kot,
me gjuhë drite ylli foli,
Rinën-që ti e deshe fort,
një natë e përpiu gjoli.

Për kallogrenë-si qiriri,
ai u dogj e kulloi gjak,
gjeti mermer nga më i miri,
dhe e punoi për merak.

Dhe gdhendi një kokë fëmije,
dy buzë të njoma-të rubinta,
andej-si lot dashurie,
pikonin ujërat e florinjta.

Koka e foshnjës ujërat i ndriti,
për kallogrenë më s’u fol,
njeri s’mësoi se brenga rriti,
trupin e njomë ndënë gjol.

Për foshnjën-ah-s’dinte njeri,
u tret pa lindur nëpër baltë,
mjeshtri i panjohur-për çudi,
kokën e sa gdhendi me daltë.

Kjo kokë memece s’bëzan dot,
do drithëronte gurë e plisa:
“Në shpirt i mbushur brenga plot,
pa lindur jetën e braktisa!”

Sa kohë shkoi-e sa do shkonte,
dhe gjoli një fëmijë rriti,
i çau baltërat-të dënonte,
plehun e kohës që e mbyti.

Sot përkëdhelin-si t’i zgjonin,
fëmijët tanë-buzët e blerta,
po dhe ato mund të lodronin,
dikur-mes harqesh të ylberta.

Tiranë, Dhjetor 1974

Share This Article
4 Comments
  • Cajupi i diteve tona. Sme besohej kurre qe do lindte kjo toke nje cajup tjeter. Ja qe e lindi.
    Te vella te jep kenaqesine shpirterore. Te gjithe do shuhen edhe te pasurit po ti nuk do shuhesh kurre

    • Excellent!! Ke pene te arte o Beni.Te uroj.
      Te rrosh sa deshiron ti plot shendet e krijimtari.
      Vertino, USA.

  • Nuk kam fjale per te vleresuar dhe falenderuar Z.Duka sa po i gjindet prane popullit tone ne kete kohe te poshter !

  • Fort i mallengjyer Beno, si asnjehere tjeter.
    Me histori tragjike, nga epoka vjeter.
    Bukur e ke stisur, me prift mekatar.
    Per te justifikuar thirrjet ” ti varim ne litar “.
    Kleriket u shfarosen, u vrane e u burgosen.
    Por mekate shume me teper, bente nje kategori tjeter.
    Kryetar e Sekretar, Pushtetar te Partise
    Masakruan e mekatuan ne 4 anet e Shqiperise.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *