Është viti i dytë i janarit të zymtë dhe të përgjakur në të 21-ën ditë të tij! Zymtësia e asaj dite na ka shoqëruar prej dy vitesh! Ajo ditë me gjithë urrejtjen e një qeverie, me gjithë urrejtjen e një kryeministri për popullin e tij, pati në të gjithë orët e saj zemërimin e akumuluar për padrejtësitë, varfërinë ekonomike, mizerjen rurale, pse jo dhe për diktaturën e instaluar në mënyrë të pashembullt në një vend që aspiron integrimin. E kam në memorie atë ditë. Jam dëshmitare reale e asaj dite! Sheshi dhe populli! Ndërtesa e qeverisë dhe diktatori! Ai shesh atë ditë u bë dëshmitar se si një qeveri terrorizon qytetarët e saj, se si një qeveri me egërsi bishe skërmit dhëmbët kundër shqiptarëve që nuk e votuan.
Ishte djali i ri, fare i ri i ardhur nga një zonë e veriut që askush nuk ia dëgjoi klithjen mall për fëmijën në belbëzim, apo fëmijën e padritëzuar ende në barkun e së resë… ishte Aleks Nika!
Ishte gjirokastriti im, ardhur gjysmëkëpucë dhe me duar në xhepa ashtu pa zë për të protestuar, por që hajnët e errësirës vrastare ia fashitën shpresat për t’i kthyer në lot të pafajshëm deri në dhimbje të vajzës, ishte Ziver Veizi!
Mbeti aty babai që la me dhimbjen e tij një postmort pa ngushëllim, ishte Faik Myrtaj! Kush mund t’i shlyejë nga memorja opozitare qiellthirrjet ngashërim për shokun që ikte nga kjo botë me plumbin e qeverisë në zemër dhe me shpirtin e vrarë për fëmijët me sytë nga dera që prisnin qindarkat e bukës së mbrëmjes, por që gjaku i mbyti në numërimin kacidhe të tyre… ishte Hekuran Deda!
Dhimbja për ta është e madhe dhe vazhdon të mbetet po ashtu. Por ata nuk mund të ikin kurrsesi të fajshëm nga kjo botë. Prehja e tyre e meriton vullnetin opozitar që nuk kërkon shpagim,por drejtësi! Ata meritojnë Drejtësi! Drejtësinë që zvarritet mes gjakut të tyre dhe nuk gjen fjalën e fundit! Ata meritojnë Drejtësinë për atë që s’ia kishin borxh askujt, e jo më të ashtuquajturës qeveri të tyre… jetën! Jeta e tyre nuk është procedurë në dorë të gjykatësve. Jeta e tyre u mor brutalisht nga një kryeministër në makthet e tij dhe mbahet e mohuar në drejtësidhënie nga matrapazët e kandarit të drejtësisë. Drejtësi nuk ka! Është rrëqethëse! Por dita po vjen! Deri atëherë ju që mohoni jetën, ju që vrisni atë do bënit mirë mos e bënit gjumin të qetë.
Opinion i nënshkruar: Anila Çobani