4 këshilla që duhet t’i dini me patjetër nëse konsumoni alkool

Pranvera Kola

Pranvera Kola-DITA

Alkooli është pjesë e jetës sonë sociale, që nga festimet familjare, sportive, shoqërore, e deri tek jeta e natës. Ajo që duhet të sqarojmë është problemi se sa i përket alkooli dietës sonë dhe a rrezikon të ketë peshë të madhe dëmi që vjen nga konsumimi i tepruar në raport me përfitimet që mund të rrjedhin nga konsumimi normal i tij (nëse mund të ketë).

Mjekja Ilda Xhelili, thekson për “Dita”, se “E vërteta është se askush nuk ka nevojë për të marrë alkool për të jetuar dhe alkooli nuk është thelbësor në dietat tona. Ne konsumojmë alkool për t’u çlodhur, për t’u shoqëruar dhe për të festuar”.

Sipas saj, varësisht nga situata individuale shëndetësore, mosha dhe konsumi i alkoolit, mund të kemi disa përfitime shëndetësore, por pasojat negative në rastin e konsumimit të tepruar janë shumë herë më të mëdha. Shumë njerëz besojnë se, përderisa nuk janë alkoolikë, ata nuk janë në rrezik për ndonjë problem shëndetësor. Kjo mund të ndodhë në varësi të disa faktorëve. Në vijim të shkrimit gjeni të shpjeguara ndikimet që shfaq në shëndet përdorimi i alkoolit tej normave të lejuara, si dhe kategoritë që janë më të rrezikuara nga këto dëmtime.

Çfarë mund të themi për ndikimin e alkoolit në regjimin ushqimor?

Nëse dëshirojmë të konsumojmë alkool dhe të shmangim pasojat negative së pari duhet të kemi informacion të sigurt rreth tij, dhe së dyti duhet të mësojmë rreth udhëzimeve për ta konsumuar atë në mënyrë të sigurt e të moderuar.

Së pari, ushqimi i mirë mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve. Ushqyesit themelorë janë karbohidratet, proteinat, yndyrnat, vitaminat, mineralet dhe uji. Termi “ushqyesit themelorë” do të thotë se nëse heqim ndonjë nga këto përbërës ushqimorë nga dieta jonë, atëherë do të ketë mangësi që shkaktojnë probleme shëndetësore.

Pijet alkoolike kryesisht përbëhen nga uji, alkooli (etanoli) dhe sasi të ndryshme të sheqerit. Kaloritë që vijnë nga alkooli dhe sheqeri konsiderohen “kalori boshe”, kjo për shkak të mungesës së ushqyesve të tjerë thelbësorë. Pra është diçka që ne mund të zgjedhim të shtojmë në dietën tonë, por nuk është diçka që na nevojitet. Alkooli aktualisht konsiderohet si një “ilaç” dhe është një depresant i njohur. Në këtë kategori, ai është sot droga më e përdorur gjerësisht në botë. Shumica e popullsisë konsumon alkool mesatarisht, ose herë pas here. Potenciali për t’u bërë i varur nga alkooli është një problem serioz që mund të ndikojë tek çdo njeri.

Si metabolizohet alkooli në organizmin tonë?

Efektet që ka alkooli në organizmin tonë fillojnë me mënyrën se si metabolizohet. Pasi alkooli vjen në stomak, rreth 2 për qind e tij thithet (absorbohet) aty dhe shkon direkt në qarkullimin e gjakut, duke shkaktuar ndjenjën e të qenit stimulues. Asnjë ushqim, ose pije tjetër në dietën tonë nuk është në gjendje ta bëjë këtë.

Pjesa tjetër e alkoolit shkon në zorrë dhe absorbohet atje me pjesën tjetër të lëndëve ushqyese. Një sasi e vogël e tij eliminohet nëpërmjet djersës, pështymës, urinës dhe frymënxjerrjes. Mëlçia është vendi kryesor për metabolizmin (shpërbërjen) e alkoolit dhe kjo është arsyeja pse mund të kemi probleme me mëlçinë kur konsumojmë alkool.

Alkooli detoksikohet dhe largohet nga gjaku përmes një procesi të quajtur oksidim. Oksidimi parandalon grumbullimin e alkoolit dhe shkatërrimin e qelizave dhe organeve. Kur pimë alkool, brenda 10 minutave përqendrimi i tij në gjak do të rritet me shpejtësi. Ndër faktorët që ndikojnë se sa shpejt alkooli, absorbohet, shpërndahet, metabolizohet dhe eliminohet janë: “gjinia, ushqimi i konsumuar me alkoolin, medikamentet që jemi duke marrë, funksioni individual i mëlçisë.

Cilat janë efektet negative të konsumit të tepërt të alkoolit?

Shumë persona që kanë përjetuar “dehjen” alkoolike e pranojnë se nuk ndihen gjithmonë mirë, por për fat të keq e harrojmë shpesh këtë ndjesi të keqe dhe vazhdojnë pinë. Ndikimi i alkoolit fillon shpejt dhe mund të shoqërohet me problem të kujtesës, ngadalësim të të folurit, konfuzion mendor, probleme të frymëmarrjes.

Konsumimi afatgjatë i alkoolit mund të shkaktojë probleme në lidhje me trurin, mëlçinë (cirrozën, dhjamosjen, hepatitin alkoolik, fibrozën), probleme me zemrën (tensionin e lartë të gjakut, zmadhimin e zemrës, aritmitë, goditjet), si edhe probleme të pankreasit dhe të sistemit imunitar.

Alkooli gjithashtu mund të na vërë në rrezik për kancere të ndryshme, si për shembull ai i gojës, ezofagut, fytit, mëlçisë dhe gjirit. Konsumimi i alkoolit nga gratë shtatzëna, ose gjatë periudhës së laktacionit (ushqyerja me gji) mund të shkaktojë sindromin e fetusit, ose foshnjës së alkoolizuar. Alkooli mund të ndikojë edhe në shtimin në peshë. Kur konsumojmë alkool konsumojmë kalori. Kur këto kalori kalojnë mbi nevojat e trupit tonë, atëherë fitojmë shtim në peshë.

Disa pije mund të kenë aq kalori sa një vakt (për shembull pijet e rënda, si: uiski, pijet me ngjyrë dhe të përziera), por nuk ngelet prapa dhe birra. Me kalimin e kohës alkooli mund të ndikojë mbi efektin e insulinës duke e zvogëluar atë. Insulina neutralizon nivelin e glukozës (sheqerit) në gjak që vjen nga burimet e ndryshme ushqimore, por edhe nga përdorimi i gjatë i alkoolit. Nëse insulina nuk është në vlerat e caktuara, atëherë kemi rritjet e nivelit të glukozës në gjak dhe rrjedhimisht shfaqjen e diabetit.

Por, alkooli mund të ndikojë negativisht në nivelin e sheqerit në gjak sa herë që konsumohet, pavarësisht nga frekuenca e konsumimit. Studimet kane treguar se konsumimi akut (i menjëhershëm) rrit sekretimin e insulinës duke shkaktuar në këtë rast ulje të nivelit të sheqerit në gjak (hypoglicemia). Sidomos kujdes duhet të kenë diabetikët që përdorin medikamente për uljen e sheqerit në gjak.

Po në rastet kur ushtrojmë aktivitet fizik si ndikon?

Ekziston një rrezik kur kombinohet stërvitja me alkoolin. Pas aktivitetit fizik, normalisht trupi konsumon glukozë (si burim energjie) dhe nivelet e sheqerit në gjak bien. Menjëherë pas sportit organizmi po punon për zëvendësimin e niveleve të sheqerit dhe përdorimi i alkoolit në këtë kohë nuk këshillohet, pasi mund të ulë më tepër nivelet e tij në gjak në vlera jo të shëndetshme.

A ndikon alkooli në ushqyerjen e organizmit?

Kur alkooli zëvendëson ushqimet në dietën e një personi, atëherë kjo mund të rezultojë në mangësi ushqimore. Mangësitë ushqimore mund të ndodhin sepse alkooli dhe produktet e metabolizmit të tij, zvogëlojnë thithjen nga organizmi të lëndëve ushqimore që marrim duke rritur eliminim e tyre.

Për fat të keq shenjat e mungesës ndihen vetëm kur organizmi ynë është shume i varfëruar me lëndë ushqyese dhe kur e zbulojmë këtë, në fakt po vuajmë pasojat shëndetësore. Alkooli pengon në mënyrë të moderuar edhe thithjen e vitaminave dhe kripërave minerale. Prandaj duhet të kemi gjithmonë informacion për situatën tonë shëndetësore, si edhe për rreziqet e teprimit me alkoolin.

Çfarë duhet të dini:

  1. Së pari mos pini asnjëherë me stomak bosh për të zgjatur kohën e thithjes së tij.
  2. Së dyti kufizoni sasinë.
  3. Së treti konsumoni sa më shumë ujë që të ruani hidratimin dhe të zgjasni kohën dhe vlerën e përqendrimit maksimal në gjak të alkoolit.
  4. Së katërti, mos konsumoni alkool gjatë dhe pas aktiviteteve sportive.

p.k/dita 

Share This Article
3 Comments
  • Merrni dhe nji keshille nga ana e ime.Nese keni pire e jeni ba xurxull nga alkoli. Qe nuk dini te hidhni hapat e te mosdini te orientoheni te dilni nga dera qe keni hyre. Futjani nji te ngranme shalqi dhe shikoni se do ia filloni perseri pirjes se alkolit si te mos kishi pire fare alkol e jo ma ate sasi qe te turbulloj mendjen qe nuk dinje se ku ishe.
    Jam kurioz te di si do e spjegoje Pranvera Kola kete te vertet qe shalqini e neutralizon 100% efektin e alkolit.
    Une e kam provue.Provojeni dhe ju qe e lexoni dhe hajdeni e me kundedrshtoni po te doni.

  • Ore ka pire gje dhe eshte dehur vete kjo Dr. qe shkruan:

    “Së treti konsumoni sa më shumë ujë që të ruani hidratimin dhe të zgjasni kohën dhe vlerën e përqendrimit maksimal në gjak të alkoolit.”

    Dmth. duhet ta zgjatim edhe kohen edhe vleren e PERQENDRIMIT MAKSIMAL TE ALKOOLIT(?!!!)

    Gazeta Dita e keni bere balte fare me kete tipen infeksioniste. Late nam.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *