40 vite ‘luftë’ ndaj pyjeve, miratohet ligji për ndalimin e eksportit

Saimir Lleshi

Reforma e re administrative do të bëjë të mundur që bashkitë të marrin nën zotërim edhe fondin pyjor në zonat e tyre që deri më tani e kishte qeveria.

Vendimi është marrë sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. “Për herë të parë, me këtë projektligj do të zgjidhet ngërci i krijuar nga kalimi i pjesshëm dhe problematik i fondit pyjor dhe kullosor pranë bashkive.

Sot vendosëm menaxhimin 100 % të fondit pyjor nga bashkitë. Projektligji i miratuar sot, riorganizon qeverisjen e fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, duke ngarkuar Ministrinë me funksion politikbërës. Funksionet menaxhuese të fondit pyjor dhe kullosor kombëtar, i ngarkohet bashkive, ndërsa  funksionet kontrolluese mbeten atribut i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve”, sqaroi ministri i Mjedisit Lefter Koka.

Sipas tij, ky është një progres i dukshëm në kuadër të decentralizimit të kompetencave nga Ministria tek  bashkitë, në përputhje të plotë me strategjinë ndërsektoriale të decentralizimit.

Ministri Koka vlerësoi faktin se për herë të parë me këtë projektligj do të ndalohet kategorikisht eksporti dhe tregtimi i lëndës drusore  në masën 100%.

“Shpallja e këtij moratoriumi është një vendim historik që kërkon angazhimin dhe  vullnetin e të gjithë palëve dhe mbështetjen e plotë nga shoqëria shqiptare. Edhe pse në dukje  një masë drastike jemi të kushtëzuar në këtë vendim të marrë nga qeveria shqiptare, duke pasur një situatë të trashëguar jo të favorshme në më shumë se 40 vite. Qysh nga viti 1974 nevoja për lëndë drusore dhe dru zjarri ka qenë shumë më e lartë sesa mundësia e gjenerimit të fondit pyjor në mbarë vendin.

Abuzimet e pas viteve ’90 kanë çuar në degradimin e fondit pyjor, si një nga sektorët jetikë të mjedisit dhe aset i çmuar për ekonominë shqiptare. Ndërhyrjet pa kriter, dëmet e vazhdueshme dhe prerjet abuzive, kanë sjellë një situatë në kufijtë e emergjencës, sa i takon kësaj pasurie natyrore me vlera jetike për të ardhmen e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë”, tha ai. /Dita/

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *