Një fotografe nga San Francisco ka 40 vjet që fotografon veten toples dhe me të njëjtat mbathje (të bardha dhe model i vjetër). Luci Hilmer e ka nisur aventurën “Selfie” atëherë kur ne fotografoheshim në lulishtet e qyteteve përkatëse. Fotoja e parë pothuaj lakuriq u realizua nga fotografja në 1974 kur ajo mbushi 29 vjeç. Në foto duket qartë një spango me të cilën, me siguri ka realizuar shkrepjen.
“Kisha frikë nga ajo që dëgjoja se plakja ishte e tmerrshme, dhe doja të kisha një kujtim të trupit tim para të 30-tave– thotë ajo për Huffington Post. Fillimisht nuk mendova se do të ndërtoja një seri fotosh, por më vonë, selfie im, u kthye në një traditë të ditëlindjeve duke u pagëzuar edhe me emrin “Kostumi i ditëlindjes”.
Çdo vit, fotografja ka zgjedhur një kënd bardh e zi, për të realizuar foton me të njëjtën veshje, por… jo më të njëjtin trup! Nga dekada në dekadë ndryshimi më i madh, dallohet tek gjoksi, këmbët (me disa topa celulit më shumë).
Fotoja më e spikatur është ajo, kur vajza-bebe e Luci Hilmer po pi qumësht duke tërhequr gjinjtë e nënës me sa forcë ka, ndërsa Luci, është i vetmi vit ku ajo i dhuron një buzëqeshje aparatit të saj.
Fotografja ndihet shumë e lumtur nga email-et e shumtë, që ajo thotë se ka marrë nga e gjithë bota për këtë cikël fotografish.







