“41 Bis” në shtator, bëhen gati 20 qelitë e izolimit në burgun 313

J L

Prokuroria e posaçme SPAK do edhe pak muaj që të fillojë, por jo regjimi  41 Bis, i cili parashikon një trajtim të ashpër në burg për  eksponentët e krimit të organizuar.

Autoritetet parashikojnë që brenda muajit shtator, 41 Bis do të aplikohet në paraburgimin 313, në të cilin gjatë këtyre ditëve ka përfunduar instalimi i aparaturave që do të regjistrojë bisedat telefonike të këtyre personazheve, si dhe janë bërë gati 20 qeli.

Sipas ligjit, autoriteti që firmos mbi regjimin e ashpër është ministri i Drejtësisë, dhe për këtë shkak Etilda Gjonaj ka zhvilluar një takim të posaçëm pas bërjes gati të qelive për 41 Bisin.

Gjatë verës, drejtoria e Përgjithshme e burgjeve lëshoi një urdhër për vëzhgimin paraprak ndaj disa të dënuarve dhe të paraburgosurve të dyshuar për 22 nga veprat që janë kompetencë e 41 Bisit, që nga pjesëmarrja në organizatë e grup kriminal deri tek terrorizmi.

Siç duket ky informacion është përcjellë  tashmë në drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për ata persona që mendohet se vazhdojnë të mbajnë kontakte.

Por, pavarësisht parashikimit prej shifrës së deklaruar zyrtarisht prej 270 të burgosur që përfshihen në regjim të ashpër, 41 Bis do të aplikohet vetëm për ata që ndërkohë ka dyshime se vazhdojnë të mbajnë gjallë lidhjet kriminale.

41 Bis, i huazuar nga Italia përfshin një radhë të gjatë ndalimesh për të burgosurit, që nga kontrolli i korrespondencës, reduktimi i qëndrimit në ajrim, deri tek izolimi nga të dënuarit e tjerë dhe telefonatat dhe takimet e regjistruara.

Për një masë të tillë të ashpër i dënuari ka të drejtë ta kundërshtojë gjyqësisht pranë GJKKO, por që derisa Gjykata e Posaçme të ngrihet, mund t’i drejtohet Gjykatës së Krimeve të Rënda.

j.l./ dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *