Shqiptarët në shumicën e tyre punojnë pa një kontratë pune. Të paktën këto janë të dhënat paraprake të dala nga hulumtimi i bërë prej fondacionit Soros gjatë muajve dhjetor 2012-shkurt 2013. Sipas këtij sondazhi 48.1 për qind e të punësuarve në Shqipëri nuk kanë një kontratë pune, 33. 7 për qind e tyre kanë një kontratë me kohzgjatje të papërcaktuar dhe 18.2 për qind kanë të nënshkruar një kontratë me punëdhënësit me një afat të përcaktuar. Këto të dhëna që priten të zyrtarizohen në vjeshtën e këtij viti janë një dëshmi e qartë e situatës së punësimit në vendin tonë, duke dëshmuar informalitetin e lartë që ekziston në krahun e punës, e duke shtuar në të njëjtën kohë treguesit e qartë të mungesës së derdhjes së kontributeve mujore, që në mënyrë të drejtpërdrejtë con në thellimin e dështimit të skemës së sigurimeve në vendin tonë. Nga ana tjetër ky është një tregues i nevojës për punë dhe pranimit të kushteve për të punuar në të zezë. I gjithë procesi i punësimit në Shqipëri, kur ka aktualisht një rritje të papunësisë, i shtohet dhe ky fakt i rëndësishëm, që gati gjysma e të punësuarve aktivë nuk kanë një kontratë pune, qoftë kjo dhe me një afat të përcaktuar kohor. Nevoja për të siguruar minimumin jetik i detyron shqiptarët të punojnë pa një kontratë pune, pa derdhur kontribute e pa menduar të sigurojnë një pension pleqërie, duke rritur skamjen e shtuar pasojat e jetesës së vështirë. Nga ana tjetër kemi një skemë sigurimesh shoqërore e cila nuk ka ndryshuar që nga viti 1993. Veprimtaria ekonomiko- financiare e ISSH-se mbështetet mbi një buxhet të konsiderueshëm nga financimet buxhetore me destinacion që mbulojnë programe të veçanta sociale të qeverisë. Ndërkohë që reforma në sistemin e pensioneve duhet të bëhet përmes një formule të përkrahur nga të gjitha palët. Ky ka qenë mendimi i përfaqësuesve të Bankës Botërore për Shqipërinë. Vitin që lamë pas buxheti për pensionet ishte 84.4 miliardë lekë, nga të cilat 51.3 miliardë lekë ishin të ardhura nga kontributet dhe 33.1 miliardë lekë të tjera janë financim i buxhetit të shtetit, të cilat merren nga taksat e tjera të shqiptarëve. Ndërsa për vitin 2013 ka një rritje për pensionet në një shumë prej 4.4 miliardë lekësh. Ky deficit që rritet nga viti në vit për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve, po tensionon buxhetin duke e bërë emergjente reformën, e cila sipas pikënisjeve paraprake mund të fillojë që nga një rritje e lehtë e moshës së pensionit deri në reformimin total të skemës, duke përfshirë shtyllën e dytë dhe atë të tretë. E këtij deficiti buxhetor i shtohet dhe fakti që pjesa dërrmuese e shqiptarëve nuk janë kontribues në skemën e sigurimeve për shkak të punës tyre në të zezë. Studimet paraprake të këtyre të dhënave janë prodhuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë. Gjetjet paraprake të përdorura për të prodhuar këtë prezantim nuk janë çertifikuar ende nga Ekipi Qendror Shkencor i Hulumtmit Social Evropian. Bazuar në politikat e HSE të dhënat e HSE në Shqipëri do të publikohen në faqen e HSE në vjeshtën e vitit 2013, njësoj me gjithë vendet e tjera pjesëmarrëse.