5 këshilla si të lehtësoni dhimbjet e shkaktuara nga variçet

Pranvera Kola

Variçet janë pikërisht fryrje të venave të gjakut që ndodhen në zona të ndryshme të trupit. Venat kanë madhësi të ndryshme, që varen nga vendndodhja dhe funksioni i tyre. Variçet (vena varikoze), janë më të zakonshme në këmbë dhe në kofshë, por mund të zhvillohen edhe në çdo zonë tjetër të trupit.

Kur venat zgjerohen, ose fryhen me një diametër më të madh se 4 milimetra, ato bëhen të dukshme. Variçet mund të ndodhin në çdo moshë, në burra dhe në gra, por më të shpeshta janë te gratë, sidomos gjatë shtatzanisë dhe tek të moshuarit.

Një histori familjare me vena varikoze, e rrit predispozitën për t’i zhvilluar ato. Faktorë të tjerë rreziku janë jeta sedentare, shtimi në peshë, shtatzania, qëndrimet e gjata në këmbë.

Ndaj, përkujdesi nis me përzgjedhjen e kujdesshme të dietës ushqimore që duhet të konsumojnë gjatë ditës, kryerjen e aktiviteteve fizike, mosqëndrimit për një kohë të gjatë në këmbë, ose ulur, si dhe rastet kur janë të efektshme terapia me lazer dhe ndërhyrjet kirurgjikale.

 

Disa këshilla si mund të lehtësohen dhimbjet e variçeve

Sot ekzistojnë trajtime të ndryshme në dispozicion të venave varikoze, të cilat varen nga madhësia e tyre, vendndodhja, si edhe prania e simptomave klinike.

  1. Në radhë të parë rekomandohet që personat që vuajnë nga variçet t’i mbajnë këmbët pak të ngritura (me një jastëk) edhe kur janë duke fjetur. Kjo ndihmon në kthimin e gjakut, duke mos e lejuar të pellgëzohet në zonat e zgjeruara.

 

  1. Gjithashtu duhet të shmangen qëndrimet e gjata në këmbë, për të evituar fryrjen dhe ënjtjen e tyre. Kur kemi udhëtime të gjata për të bërë, duhet të bëhen më pushime duke mundësuar shtrirjen e këmbëve.

 

  1. Mjaft pozitiv rezulton edhe përdorimi i çorapeve kompresuese, të cilat porositen në farmaci sipas porosisë së mjekut. Është shumë e rëndësishme që këto çorape të jenë në numrin e duhur për të mos marrë efektin e kundërt të tyre.

 

  1. Mjaft e avancuar për këtë problem prezantohet edhe kirurgjia, apo edhe terapia me lazer, të cilat mund të kryhen vetëm sipas këshillimit të mjekut.

 

  1. Shumë e dobishme për kontrollin e venave varikoze rezulton të jetë edhe lëvizja e rregullt dhe kontrolli i peshës. Këto masa mund të parandalojnë, ose të ngadalësojnë përparimin e venave varikoze.

 

p.k/dita 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *