5 prilli, dita e zogjve / Natyra, pa jetën e egër është si dita diell (dhe disa kuriozitete)

DITA Online

 

Haki Zoto*

Për vetë pozicionin gjeografik, mendohet se Shqipëria ka qenë dhe mbetet një biokorridor për lëvizjet faunistike midis kontinenteve.

Zogjtë dhe shpendët si banorë të këtij mjedisi, janë pasuri kombëtare me vlera të medhe dhe të pazëvendësueshme. Ata janë të shumtë. Numri i tyre në vendin tonë arrin në rreth 370 lloje nga të cilet rreth 290 lloje autokton dhe rreth 80 lloje  shtegtare.

Fillimi i muajit prill përkon me ardhjen e shumë llojeve të zogjve. 5 prilli është caktuar si dita simbolike, gjatë të cilës pionierët dhe të rrinjtë japin kontributin e tyre modest për mbrojtjen e zogjve dhe shpendëve në pergjithësi, duke vendosur fole apo edhe ushqime sidomos në ato zona ku dimri iken shumë vonë dhe ushqimi në natyrë është pothuajse i mbaruar.

Përveç efektit rekreativ për bukuritë, këngët dhe meloditë e ndryshme, ato kanë vlera të pazëvendësueshme në ekulibrin biologjik midis qenieve të gjalla duke penguar shtimin e madh të insekteve dhe dëmtuseve të ndryshëm. Populli për bukuritë dhe për cicërimat e tyre shumë llojeve të zogjve si bilbilave, thëllëzës, pëllumbit, etj., iu ka kënduar nga brezi në brez.

Nuk mjafton të shtypen libra dhe të bëhet fjalë për dobitë e mëdha që i sjellin ekonomisë së vendit zogjtë dhe mbrojtja që u duhet bëre atyre, por rëndësi të madhe merr momenti kur njerëzit nëpërmjet disa punëve të vogla simbolike të grupuar i japin çështjes një formë të bukur e të kuptueshme festive, duke bërë një propagandë të tillë,  e cila të përmbajë veprime dhe orientime të tilla që t’i vijnë në ndihmë zhvillimit  të shpendëve në përgjithësi dhe zogjve në veçanti.

***

Rreziqet që mund t’i vijnë biodiversitetit, pyjeve nga aktivitetet e pakontrolluara njerëzore si mbishfrytëzimi, industrializimi, bujqësia intensive, zhvillimi urban i pa kontrolluar, ndotja ose intoksikimi i tokës, ujit, atmosfera, si rezultat i përdorimit pa kriter i plehërave kimike e pesticideve, gjuetia e pa ligjshme etj., kanë ndikimin e tyre në faunën e egër në përgjithësi dhe te shpendët në veçanti.

Duke parë vetëm në një aspekt veprimin e shpendëve dhe të zogjve, sidomos në luftimin e insekteve, dobia e tyre është e pallogaritshme, për prodhimin, ekonominë dhe biodiversitetin në përgjithësi.

Shpendët në përgjithësi, zogjtë në veçanti janë të domosdoshëm për tokën, jetën e gjallë. Ato vendosin ekuilibrin mes qenieve të gjalla duke penguar shtimin e madh të insekteve.

Dobia e tyre është shumë e madhe sepse:

Shpejtësia me të cilën shtohen insektet është më e madhe. Disa prej tyre pjellin me qindra mijëra vezë si psh mbretëresha e termiteve, që bën një vezë në çdo sekondë. Po kështu miza e mushtit (Drasophila anelaphrla) për të plotësuar një gjeneratë të plotë, nuk do veçse 2-3 javë, mbasi të miturit e këtij insekti janë në gjendje të riprodhojnë. Një mizë e shtëpisë në 6 muaj shtohet në 7 miliard e 600 milion miza, duke përllogaritur se shtohet një nga 12 vezët që pjell. Një çift i vetëm i disa specieve insektesh mund të shtohet aq shumë, sa që brenda një stine sikur të jetonin të gjithë pasardhësit e këtij çifti, do të arrihej një numër që mund të shkruhej me 60 zero…

***

E njëjta mund të thuhet edhe për shtimin e brejtësave të familjes së minjve. Kështu, miu i shtëpisë (Musculus) brenda një viti pjell 10 herë nga 5 deri 10 të vegjël, që bëhen të aftë për të riprodhuar pas një periudhe 2 mujore. Miu i kanaleve (Rattus norvegicus) pjell deri 5 herë në vit nga 5 deri 12 të vegjël të cilët fitojnë aftësitë për të riprodhuar deri tre muaj pas lindjes.

Një faktor i rëndësishëm që bën të shtohen shumë insektet, është se kanë mundësi të jetojnë në çdo klimë. Aftësia për t’u përshtatur ambjentit dhe për t’u zhvendosur nga një zonë në tjetrën, bën të mundur shtimin e tyre me ritme të shpejta.

Duke parë shpejtësinë me të cilën shtohen këta dëmtonjës dhe shifrat astronomike të individëve të çdo lloji del pyetja me çfarë ushqehen gjithë këto qenie? Përgjigja është e qartë, ushqehen me ushqim organik, që e gjejnë tek bimët, kafshët dhe njerëzit.

Insektet gjejnë kushte të mira zhvillimi sidomos në masivet pyjore monokulturë. Kur janë me shumicë mund të zhdukin pyje të tëra dhe atje ku sasia e tyre është e pakët, ulin prodhimtarinë e tyre në mënyrë të ndjeshme.

***

Kushtet më të mira insektet i gjejnë në vendet me bujqësi të zhvilluar ku kultivohet vetëm një lloj bime, siç ndodh me pambukun, ku është karakteristik krimbi i kuq etj.

Bubureci i patates i shkakton dëme kolosale kësaj kulture, filoksera është dëmtuesi i rrezikshëm i vreshtave, etj. Për të shpëtuar nga dëme të tilla njerëzit kanë punuar dhe punojnë për të krijuar varietete të reja që u qëndrojnë më shumë insekteve.

Duke mbjellë kultura të ndryshme, nuk i shpëtojnë plotësisht këto nga dëmtonjësit e tyre, por ulin në minimum dëmtimet.

Insektet rriten me shpejtësi. Gjatë 56 ditëve krimbi i mëndafshit e zmadhon peshën e vet në 56 mijë herë. Ky insekt është grykës i madh. Larvat hanë gjatë 24 orëve sasi ushqimi që është 200 herë më tepër se pesha e tyre. Duke patur parasysh sasinë e madhe të ushqimit që kërkon një insekt, kuptohet sasia e madhe e ushqimit qëkonsumohet prej tyre. Këta dëmtonjës janë më miliona, dëmtojnë dhe zhdukin sipërfaqe të mëdha me kultura bujqësore dhe pyjore. Dëmi i shkaktuar prej tyre për çdo vit mund të llogaritet me mijëra tonelata drithëra, mijëra m3 lëndë druri dhe dëme në miliona Euro.

Për të luftuar dëmtonjësit e kulturave bujqësore dhe pyjore ka shumë metoda: masa agroteknike, metoda mekanike, kimike dhe biologjike.

Gargulli i kuq (Stornus roseus) i ushqyer me ushqimin e tij të preferuar (karkalecin) në orët e mëngjesit ha 50 deri 60 karakaleca, kurse të vegjlit deri 200 karkaleca. Gargulli i kuq sjell për zogjtë e vegjël nga çdo fluturim nga tre karkaleca me peshë tre gram secili dhe gjatë ditës një çift zogjsh u sjellin të vegjëlve 260 gram karkaleca, gjatë folëzimit një mujor një çift zogjsh sjell në fole 11 mijë gram karkaleca. Gjatë një muaji 1000 garguj, që jetojnë në koloni, së bashku me zogjtë e vegjël asgjësojnë 22 tonë karkaleca. Zogu i vogël i qyqes (Coculus canorus) ka thyer rekordin duke ngrënë në një ditë 18 hardhucka 9 deri 10 cm të gjata, 39 karkaleca të mëdhenj, 3 krisalida të fluturës që quhet koka e të vdekurit (Acheronit atropos), 43 vemje të fluturës së lakrës, 5 larva të zhuzhakut të majit, 4 merimanga të medha, 50 krimba të miellit dhe shumë krisalida milingonash.

Zogjtë e vegjël pjellin 4 deri 15 vezë, por disa prej tyre ngrohin 2 ose 3 vezë në vit. Të vegjëlit e tyre në përgjithësi i ushqejnë me insekte si: miza, karkaleca, zhuzhakë, mushkonja, krimba, larva dhe vezë të insekteve etj. Disa zogj i ushqejnë të vegjëlit e tyre me minj, hardhucka, gjarprinj etj dhe u japin për të ngrënë shumë herë në ditë.

Është konstatuar se cerloi u sjell të vegjëlve në fole deri 200 herë ushqim. Dallëndyshja bisht gërshërë (Hirundo rustica) 250 herë në ditë, trishtili (Parus mjer) 340 herë, bisht kuqi  450 herë, mizëkapësi i përhimë 560 herë në ditë. Nëqoftëse supozojmë se mizëkapsi u shpie të vegjëlve në fole çdo herë vetëm nga një mizë, ai mbyt 560 miza, por në të vërtetë çdo radhë zogjtë u shpien të vegjëlve më shumë insekte, kështu që sasia e insekteve që ata shfarosin gjatë një dite është shumë më e madhe.

Korbi dhe disa lloje shpendësh të tjerë ushqehen në plehrishtet dhe në vendet ku hidhen mbeturinat, papastërtira dhe ngordhësira, pra zogjtë shfarosin me lehtësi dhe kënaqësi të gjithë këta insekte dëmtonjës të rezikshëm të njeriut, duke kryer edhe shërbime të mëdha sanitare.

Ndërmjet shpendëve grabitqare të dites dhe të nates si skifterët, petritët, shqiponjat, gjeraqinat, krahë thati etj përdorin për ushqim lloje nga më të ndryshmet duke seleksionuar gjithmonë të dobëtit dhe të sëmurët duke shmangur, në shumë raste,  shfaqjen e sëmundjeve dhe epidemive.

Oreksi i zogjve është mahnitës. Ata janë shumë gryksa, dhe shumë prej tyre gjatë 24 orëve hanë ushqim shumë herë më tepër sesa pasha e tyre. Në qoftë se njeriu do të kishte oreksin e zogjve,  ai duhej çdo ditë të hante mbi 50 kg bukë. Një shembull, i mirë për këtë është zogu i deles, i cili peshon 17 gr, por ha në ditë 21 gr ushqim pra 26 përqind me shumë se pesha e tij.

Zogjtë janë qenie që levizin shumë. Aktiviteti i tyre fillon qysh në zbardhjen e ditës  dhe vazhdon deri në mbrëmje. Rrëmbenjësit e natës dhe dallëndyshet e natës vihen në lëvizje sapo ngryset dhe vazhdojnë tërë natën deri në të gdhirë… Nga ky aktivitet i madh lind nevoja e ushqimit të tyre në mënyrë intensive. Ata e mbushin stomakun 4-5 herë në ditë.

Një shoqëri prej 5-6 trishtilash gjinia Parus, ha në një ditë më shumë se 80 krimba mielli, 200 vemje fluturash, 9000  larva insektesh. Një individ pre tyre arrin të shfarosë brenda vitit 8-10 milionë insekte të vegjël. Mbret-thi(Regulus regulus), zogu më i vogël që takohet tek ne  peshon 5-6 gram, ha deri 100 larva të milingonave në ditë, kurse në vit 182 mijë larva). Të vegjëlit e ushqyer në mënyrë intensive zhvillohen shpejt, ata çdo ditë rriten 30-40 përqind e peshës së tyre. Një turtull i vogël 14 ditësh, gjatë një dite ha një sasi ushqimi që peshon 48 për qind më tepër se pesha e tij. Nga kjo del qartë se sasia e ushqimit që kanë nevojë  zogjtë është shumë më e madhe dhe, si rrjedhim, edhe sasia e insekteve që shfarosen prej tyre për t’u ngrënë, natyrisht është mjaft e madhe.

***

Një fakt interesant në biologjinë e shpendëve është se këta hanë ushqim të bollshëm (insekte, minj etj), shtohen me ritme të shpejta disa herë në vit dhe pjellin një numër të madh vezësh. Kjo është karakteristike sidomos për rrëmbejsit e ditës dhe të natës si psh për bufin e vogël me veshë (Asio atus), kukuvajkën (Athene nocturne), shqipen e livadheve (Cirus cyaneus) etj. Përveç kësaj është fakti që shpendët grumbullohen në ato vende ku janë të përhapur me shumicë brejtës ose insekte të dëmshme. Në jetën e shpendëve të egra  konstatohet se shumë prej tyre nuk hanë një lloj ushqimi (karkalec, minj etj) kur ai është me pakicë, por kur shumëzohen fillojnë t’i hanë me shpejtësi të madhe: Kështu veprojnë gjelëza, lejleku, cafka e bardhë e vogël, pulëbardhat etj, sidomos kur nëpër fusha ka brejtës të vegjël, minj dhe karkaleca.

***

Sytë e zogjve janë shumë të mprehtë, ata mund të diktojnë insektet në distanca të largëta, i ndjekin, i kapin dhe i shfarosin me shpejtësi dhe lehtësi deri në ekzemplarët e fundit.

Zogjtë ushqehen edhe me barëra dhe farëra të këqia. Nga analizat që janë bërë në përmbajtjen e ushqimit në stomakët e 295 thëllëzave të fushës të vrara gjatë verës, doli se në ushqim ka farëra të florës spontane. Kështu që zogjtë bëjnë një shërbim të madh duke pastruar drithërat nga barishtet e këqia.

Për ekonominë pyjore një rëndësi të madhe ka mbrojtja e pyjeve nga dëmtuesit. Në pyjet e thjeshtë ka kushte të favorshme për insektet e dëmshëm dhe kushte jo të favorshme për kundërshtarët e tyre që janë zogjtë. Kështu në pyjet e thjeshtë me pishë takohen vetëm 2-5 lloje zogjsh të vegjël që ndërtojnë fole, por edhe këta janë në sasira të vogla dhe rrallë takohen më shumë se 1-2 çifte për ha. Prandaj është e nevojshme që pyjet afër qendrave të banuara të popullohen me zogj duke vendosur fole artificiale sepse, siç e kemi theksuar, mbrojtja e pyjeve nga dëmtuesit me ndihmën e zogjve është një nga mënyrat më efikase.

Për të siguruar një prodhimtari të lartë të frutave në kopshte dhe blloqet e frutikulturës duhet patjetër të kujdesemi për ruajtjen e zogjve të cilët shfarosin në masë dëmtuesit e pemëve frutore. Zogjtë janë pjesë e domosdoshme e minimumit të agroteknikës e kopshtarisë.

***

Zogjtë që takojmë në kopshte, ara, parqe, pyje dhe kudo janë të shumtë. Prodhimet bujqësore varen në një masë të madhe nga lufta kundër dëmtonjësve dhe  shpendët janë ndër mjetet më të fuqishme të luftës kundër këtyre dëmtonjësve. Prandaj mbrojtja e zogjve  dhe krijimi i kushteve për afrimin e tyre në zonat bujqësore dhe pyjore janë çështje me rëndësi të madhe.

Për këtë del e domosdoshme që të bëhet një punë e madhe sensibilizuese me forma dhe metoda të ndryshme duke e kombinuar me një punë të gjerë kulturore-arsimore me qëllim që të luftohen disa koncepte, jo të drejta që ekzistojnë për shpendët në përgjithësi. Nga ana tjetër të rrisim dashurinë për zogjtë te fëmijët që t’u bëhet edukatë mbrojtja e tyre. Iu del detyrë mësuesve, pylltarëve, biologëve, dhe të gjithë atyre që duan dhe vlerësojnë këtë pasuri dhe bukuri natyrore me punën dhe veprimet e tyre të mbrojnë dhe zhvillojnë këtë pasuri të pazëvendësueshme.

Në vështrimin historik nuk mund të bëhen krahasime sasiore e cilësore të gjendjes së deritanishme të faunës me ato të viteve të shkuara, për arsye se mungojnë për shumë popullata studime të mirëfillta, por një gjë është e vërtetë se gjatë 15 viteve të fundit Shqipëria pësoi ndryshime të thella në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe ato sociale, të cilat u reflektuan dhe patën ndikim të madh edhe mbi faunën shqiptare.

Programit të qeverise për mbrojtjen dhe administrimin e qëndrueshem të mjedisit me synim forcimin e disiplinës ligjore, ndërmarrjen e masave parandaluese dhe ndaluese kundër shfrytëzimit pa kriter të faunës së egër, forcimin e sistemit të kontrollit dhe të parandalimit të dëmtimit si dhe rritjen e masave ndëshkimore kundër dëmtuesve, nuk kanë gtjetur zbatimin e duhur.

***

Ndaj dhe ky shkrim, më shumë se një burim njohjeje dhe informimi, është një apel për publikun dhe komunitetet lokale, për organizmat shtetërore përgjegjëse, për biologët dhe pylltarët, etj, për të vepruar urgjentisht për mbrojtjen nga zhdukja e kësaj pasurie të rrallë të trashigimisë sonë biologjike  natyrore.

Përsa më sipër nënvizohet mesazhi që ne si njerëz që shqetësohemi për qeniet e gjalla dhe për habitatet e tyre natyrore, duhet të bëjmë gjithcka tani nëqoftëse  duhet të kemi vlerat natyrore në të ardhmen.

*Specialist pyjesh

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *