Nga Pandeli Majko
Vetëlavdërimet më të rrezikshme në politikë janë ato që e “çarmatosin” dëgjuesin me çiltërsinë e tyre. Kjo mund të ndodhi kur politikanët shqiptarë flasin sot për aleancën e NATO-s.
NATO përbën padyshim suksesin më të madh të Shqipërisë në tranzicionin e saj poskomunist. Ky akt padyshim shtyn politikën që ta përdorë atë si provë suksesi. Suksesi është pohim i forcës.
Shqipëria trokiti në dyert e NATO-s pas një rrugëtimi të vështirë. Ajo vinte nga një shoqëri që përveç të tjerash ishte një eksperiment ekstrem e dijes njerëzore për jetën.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një hap formal i një populli europian. Ai përbën një “dizenjo” të dorës së parë për qëllimet e shqiptarëve për të ardhmen të cilat fillojnë me sigurinë dhe vazhdojnë me mënyrën e jetesës.
Me NATO-n në krah shqiptarët zgjidhën dilemat e tyre gjeopolitike përballë fqinjëve. Pas luftës së Kosovës falë ndihmës së SHBA dhe NATO-s faktori shqiptar në rajon u bë pjesë e strukturës së sigurisë rajonale.
Sot, si anëtare e NATO-s Shqipëria dhe shqiptarët kanë çfarë të shohin brenda vetes. Shoqëria shqiptare ka kohën e mjaftueshme të gjykojë pa cinizëm në mostransformimin e saj moral duke mos trajtuar si duhet burimet e saj të zgjuarsisë dhe forcës shpirtërore me të cilën ajo filloi ndryshimet në vitet 1990-të.
Pagimi i borxheve të vjetra të historisë është konsideruar një gjest teatral për psikologjinë politike shqiptare. Ky fenomen nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Në vendin tonë kjo ka ushqyer një mungesë respekti që përjetohet si kulturë e moszbatimit të ligjit.
Anëtarësimi në NATO ishte një përpjekje serioze për ti dhënë kuptim historisë së re kombëtare të shqiptarëve. Ndërhyrja me forcën e armëve e Aleancës në Kosovë dhe ndërmjetësimit politik në Maqedoni po përgatit natyrshëm dimensionin e idealit të shqiptarit europian. I riu shqiptar nuk vuan nga ankthe karshi parimeve të integrimit europian.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka dy pamje të ndryshme. Ai i dha vendit një status të ri ndërkombëtar duke e bërë partnere dhe të barabartë në aleancën politike dhe ushtarake më të madhe të historisë njerëzore. Anëtarësimi në aleancën e NATO-s për shqiptarët përbën hapin më të rëndësishëm të shkëputjes nga tranzicioni postkomunist.
Pamja tjetër e pranimit të Shqipërisë në NATO është shprehja e rrugëtimit të saj nga e kaluara. Ajo ka vënë në pah deformimet e brendëshme shqiptare produkt i së kaluarës. Pasqyra më e mirë e këtij fenomeni është politika shqiptare. Nënvleftësimi i irracionales tek ajo përjetohet me një mungesë e cila nuk dëshiron të shohë atë që ndodh. E lidhur pas asaj që duket politika shqiptare ende padrejtësinë e lidh me formën më naive të saj… varfërinë. Shmangia nga përgjegjësitë kolektive po e cojnë politikën drejt një bote virtuale që nuk ekziston.
Marrëdhënia politike në Shqipëri ka qenë dhe mbetet një cështje e sigurisë kombëtare. Anëtarësimi në NATO nuk e ka ndryshuar këtë fakt. Nga përvoja ime modeste kjo e ka bazën tek mungesa e shtetit të fortë ligjor që e ka keqtrajtuar shoqërinë dhe po ngrihet në nivelin e një morali të mirëkuptueshëm.
Politikanët shqiptarë nuk janë naivë. Ata nuk janë pa kulturë politike. Politikanët shqiptarë mund të akuzohen për mungesën e skrupujve apo të kufizimeve për qëllimet e tyre. Cilësimi i të qenit “pa kulturë” është një dimension mediatik i cili pranohet si “ambalazh” nga politika shqiptare.
Ajo vazhdon të justifikojë marrëdhënien politike në Shqipëri e cila ngrihet shpesh mbi një furtunë ofendimesh që kërkon ti japë krizës politike dimensionin e anarkisë.
Qëllimet politike në Shqipëri nuk njohin kufizimet e sigurisë kombëtare. Anëtarësimi në NATO nuk e ka ndryshuar këtë papërgjegjshmëri politike. Pa pohuar këtë të vërtetë të marrëdhënies së politikës shqiptare është e kotë të diskutojmë detyrimet e vendit tonë karshi aleancës së NATO-s. Kjo e vërtetë është kthyer në simbolin e problemeve dhe vonesave tona historike.
Cinizmi nuk është gjithmonë pesimizëm. Shkolla e konfliktit politik nuk po funksionon si më parë në shoqërinë shqiptare. Me një popullsi që ka një të tretën në emigracion kjo kulturë po perëndon. Ajo që vlen të diskutohet është pyetja se: “Ku po shkojmë?”
Shqipëria nuk zhvillohet si ishull. Ajo ndodhet e rrethuar nga një ngarkesë problemesh rajonale të cilat sa vinë dhe po tejkalojnë problemet e sovranitetit të saj dhe fqinjëve. Krijimi vite më parë i “Grupit të Adriatikut” ishte themeli i një politike që parashikonte cilësinë e prodhimit të sigurisë jo vetëm për veten por edhe për rajonin.
Rajoni i ballkanit edhe për shumë kohë do të jetë një shkollë e vështirë diplomacie dhe sigurie. Në këtë rajon fati ka qenë i paarsyeshëm dhe virtyti apo devotshmëria nuk kanë bërë punë. “Ombrella” e NATO-s dhe integrimi europian po i japin jetë një racionalizmi të ri.
NATO përbën një zhvillim të paprecedent për shoqërinë shqiptare në sintoni me ndjeshmërinë e publikut. Ajo është bërë edhe pjesë e vetëmburrjes kombëtare.
Ngjarjet e fundit në Ukrahinë padyshim që nuk kaluan pa vëmendjen e publikut shqiptar. Ai po shikohet si një “dehje” e autoritetit mendor të Moskës.
Aktualisht, “NATO” ka qenë fjala më e përdorur më shumë në ambjentet shqiptare. Aleanca më e madhe e botës është streha e kombeve që e kuptojnë cmimin e imponimit së të fortit ndaj të dobëtit. Edhe për këtë arsye NATO, sot më shumë se më parë, ndër shqiptarët është pjesë e pandashme e shpresës për të ardhmen. NATO ka fituar betejën më të madhe të saj dhe që është ajo me kohën.
Fjalë e mbajtur në Konferencën “Bashkëpunimi trans-atlantik për paqen dhe sigurinë në Ballkan”
