Fytyra e këngëtares së famshme Beyonce Knowles do të shfaqet në një edicion të limituar të ambalazhit të Pepsit në mars 2013. Sipas New Yok Times, ylli i popit ka nënshkruar një kontratë të majme në këmbim të përdorimit të imazhit të saj nga gjiganti i pijeve me gaz.
Kontrata e mbyllur, vlera e të cilës është 50 milionë dollarë, parashikon sponsorizimin e turit të saj botëror dhe një spot të ri televiziv. Beyonce ka bashkëpunuar me Pepsin për herë të parë në vitin 2002. Kompania i ka ofruar këngëtares edhe një fond për financimin e projekteve të saj, të cilat jo detyrimisht lidhen me Pepsin.
Marrëveshja do të bëhet pjesë e fushatës “Life for now”, e cila ka objektiv forcimin e lidhjeve mes gjigantit ndërkombëtar Pepsi dhe kulturës pop. Një strategji e tillë është ndjekur edhe disa vite më parë, kur silueta e Michael Jackson u vendos në një miliard kanaçe Pepsi-Cola, me rastin e 25-vjetorit të daljes së albumit të famshëm “Bad”.