Rasti i Nazmije Donov, nuses së ardhur nga Osnati i Pogradecit, e cila është viktimë e dhunës, akoma nuk ka zgjidhje juridike. Të mërkurën pritet vendimi gjyqësor se kujt do t’i takojë fëmija 2-vjeçar, por edhe epilogu se kush është fajtori për ushtrimin e dhunës.
Në njërën anë Nazmija Donov ka akuzuar bashkëshortin e saj Marjan Donov për ushtrim dhune, por edhe ky i fundit kishte ngritur padi ndaj gruas së tij për dhunë ndaj fëmijës dhe vjehrrës.
Por lidhur me këtë tragjedi të nuses shqiptare, e cila ishte blerë për vetëm 52 mijë denarë, kanë reaguar organizata joqeveritare për të drejtat dhe liritë e njeriut, si “CIVIL”.
Kryetari i saj, Xhabir Deralla thekson se fatin e mjerueshëm si të Nazmijes e përjetojnë edhe shumë vajza tjera të ardhura nga Shqipëria, Ukraina e Moldavia. Sipas tij, në zgjedhjet lokale në vitin 2013 kryetarët e komunave për t’i tërhequr votuesit meshkuj u janë premtuar nuse të vendeve të ndryshme.
“Nuk mundet një komunë të organizojë udhëtime dhe martesa në shekullin 21 për të fituar vota. Disa prej komunave edhe kanë ofruar 500 litra raki për martesë. Konsiderojmë se kjo sjellje e qeverisë dhe në tërësi kjo sjellje e shoqërisë, ndaj gruas është një gjë e pa pranueshme. Kjo është kundër të gjithë ligjeve. Nuk mund të pranoj se si ajo grua 3 vite nuk ka mësuar më shumë se 3 fjalë në gjuhën maqedonase. Nuk mund ta pranoj këtë. Këtu ka shumë gjëra serioze edhe për këtë janë përgjegjës janë policia, organet hetuese edhe qendrat sociale. Ajo grua duhet patjetër ta fitojë drejtësinë”, tha Xhabir Deralla.
Ndërkaq nga organizata e grave të qytetit të Shkupit thonë se nuk janë të njoftuar me rastin e Nazmijes por se janë kundër çdo lloj dhune ndaj gruas. Institucionet si Ministria për Punë dhe Politikë sociale, Avokati i Popullit dhe Ambasada e Shqipërisë ende nuk kanë marrë hapa konkrete. 25-vjeçarja vazhdon të jetë e strehuar në qendrën sportive në Kavadar, ndërsa ajo insiston që drejtësia të zbardhë të vërtetën dhe asaj t’i kthehet djali i saj 2-vjeçar, që tanimë disa javë po mbahet nën mbikëqyrjen e bashkëshortit Marjan Donov, i cili ka kërkuar edhe divorc. /Klankosova/
