Në gjurmët e Edward Snowden janë vënë agjentët e njësisë “Q” të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë amerikane. Në Islandë, një nga destinacionet e mundshme tij, është mobilizuar për ta pritur Partia Pirate. Shtetet e Bashkuara hedhin hipotezën se Kina mund të ketë luajtur një rol vendimtar në këtë çështje. Ndërhyn Julian Assange
Pasi i tregoi botës ekzistencën e tij, Edward Snowden, njeriu që zbuloi për shtypin pafundësinë e programeve të survejimit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë amerikane , tashmë është një njeri në arrati. Ai i tregoi botës se PRISM është sistemi falë të cilit agjencia operon prej gjashtë vjetësh duke pasur akses në komunikimin ‘online’ të klientëve të shoqërive më të mëdha informatike në internetit.
Mësohet se 29-vjeçari ka lënë dhomën e hotelit “Mira” në Hong Kong ku ishte strehuar që prej 20 majit, por nuk përjashtohen mundësitë se mund të jetë ende në ish-koloninë britanike të Kinës.
Në gjurmët e tij janë vënë agjentët e njësisë së njohur si “Grupi Q”, nga Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit amerikan (NSA). Kjo është një drejtori e Punëve të Brendshme, që ka si qëllim parandalimin e rrjedhjes së informacionit dhe në rast dështimi, kapjen e fajtorit dhe vënien e tij para drejtësisë. Fat që do ta ketë edhe Snowden-i nëse kapet. “Nuk mund t’i kundërvihesh agjencisë më të fuqishme të zbulimit në botë dhe të jesh tërësisht jashtë rrezikut, sepse ajo është aq e fuqishme sa askush nuk mund ta kundërshtojë. Nëse ata duan të të kapin, do të të kapin në kohë”- shpreh frikën e tij në një intervistë për “The Guardian”.
Në shërbimet e inteligjencës amerikane i lihet rrugë të lirë hipotezës se pas kësaj çështjeje është dora kineze dhe jo vetëm sepse Snowden u strehua në Hong Kong. Por edhe se Bob Bear, një ish-agjent i CIA-s konfirmon se në brendi të shërbimeve sekrete amerikane gishti drejtohet nga kinezët: “Në Uashington kam folur me disa persona që administrojnë shërbimet e inteligjencës dhe pata konfirmime se po përpiqen të kuptojnë nëse pas kësaj çështjeje fshihet një rast spiunazhi nga ana e Kinës”, pohoi Bear, duke nënvizuar sesi vend që zgjodhi Snowden për t’u strehuar nuk është rastësor. “Hong Kongu është i kontrolluar nga inteligjenca kineze dhe nuk është më një zonë e pavarur e Kinës. Mesa duket Snowden është nën kontrollin e autoriteteve kineze”, përfundon Bear.
Ndërkohë në Islandë, një nga vendet ku mund të ketë shkuar ish-punonjësi i CIA-s, Smari Mccarthy, eksponent i Partisë Pirate islandeze dhe themelues i nismës për modernizimin e medias, i kërkoi avokatëve të partisë së vet që të vihen në dispozicionin e tij nëse kërkon azil në Islandë.
Julian Assange nga ambasada e Ekuadorit në Londër, ku strehohet tashmë prej një viti, dha një intervistë për mediat mbi këtë temë. Zbulimi i ekzistencës së një programi spiunazhi në internet, është një nga “ngjarjet më të rënda të dhjetëvjeçarit”, pohoi burri që në 2011-n bëri publik kabllogramet e brendshme (dokumente të mbuluara nga sekreti) të ambasadave të SHBA-së nëpër botë. “Snowden është në rrezik, – nënvizon Assange, – njësoj si Bradley Manning i procesuar gjatë këtyre orëve nga gjykata ushtarake amerikane pasi akuzohet se i ka kaluar Wikileaks-it dokumente shtetërore. Informatori që zbuloi ekzistencën e ‘PRISM’ është në një pozicion po aq problematik sepse kundër tij është vënë në lëvizje e njëjta retorikë”, u shpreh Assange.
Këshilltari për sigurinë kombëtare i Barack Obamës, Ben Rhodes, shpjegoi se Shtëpia e Bardhë është në favour të debatit të ngritur midis medias, zgjedhëzve dhe anëtarëve të Kongresit mbi sistemet e survejimit të NSA-së. Rohdes kujtoi se qeveria ka bërë çdo gjë të mundur për të gjetur një raport të mirë midis privatësisë së amerikanëve dhe sigurisë. /Dorina Gjuzi
