Rekordet janë bërë për t’u thyer, edhe ata më jetëgjatët, të mbuluar nga pluhuri i kohës. Është francezi Renaud Lavillenie heroi i ri në kërcimin me shkop, teksa ka thyer rekordin e Sergei Bubkës, duke kapërcyer stekën në lartësinë 6 metra e 16 centimetra. Rezultati i francezit është një centimetër më tepër se ai i ukrainasit të famshëm. Rekordi i Bubkës ishte ndër më jetëgjatët në botën e sportit, plot 21-vjeçar, i vendosur më 21 shkurt 1993, në Donjeck të Ukrainës, në salla të mbyllura. Si për ironi të fatit, ka qenë pikërisht në Donjeck dhe në takimin e organizuar nga Bubka që Lavillenie ka fiksuar rekordin e ri, duke thyer atë të të zotit të shtëpisë. Tani ish-atleti legjendar ukrainas mund t’i gëzohet vetëm rekordit në stadium të hapur, me 6.14 metra. Në takimin e djeshëm, Lavillenie kaloi pa problem lartësinë 5.91 metra, por gaboi dy herë në 6.01, duke rrezikuar eliminimin. Duke i habitur të gjithë, kërkoi që steka të vendosej në lartësinë 6.16 metra dhe, nën vështrimin e Bubkës, bëri kërcimin perfekt, duke fluturuar drejt historisë. I kapur nga euforia provoi më pas për ta përmirësuar sërish, duke kërkuar lartësinë 6.21. Por tentativa dështoi pasi rekordmeni i ri i botës u ndal në mes të vrapimit për një dëmtim të lehtë në këmbë. “Rekord i botës! 6.16 m në tentativën e parë. E pabesueshme, po fluturoj ende”, shkroi Lavillenie në Twiter. Me përgëzimet në adresë të tij u bashkua dhe Bubka. “ Kjo është një ditë e madhe. Ishte një paraqitje madhështore. Jam shumë i lumtur për Renaud. Është një atlet i madh dhe një shembull për t’u ndjekur. Është pasuesi im ideal”, tha Bubka. “Nuk jam aspak i zhgënjyer, madje mendoja se ky rekord do të thyhej që më parë”.
E po ska kala qe nuk pushtohet,ska rekord qe nuk arihet,