Artan Xh. DUKA
6 marsi tregoi se PD dhe zoti Berisha mbeten ende e njëjta gjë dhe se çdo çartisje, politike apo diplomatike, për të provuar të kundërtën është e kotë. Lajmi pas 6 marsit ishte vetëm rënia e “maskës”. Zoti Basha bëri “plangprishësin” por edhe këtë si kofini pas të vjelit dhe pa arritur të ngjizë frymë ndryshe e besueshmëri pas 9 viteve vegjetim oportunist nën hijen e tjetrit. E larguan me sebepin e humbësit kronik(!) ndërkohë që ai realisht asnjëherë nuk luftoi betejat e tij. Prej 1991, betejat zgjedhore të PD ishin dhe mbeten betejat e zotit Berisha ndaj dhe largimi i zotit Basha në funksion të fitores në 2025, duket alibi. E vetmja gjë e pandryshuar, në të gjitha humbjet zgjedhore të PD, mbetet prania e hija e zotit Berisha në të. Dhe sa kohë vijon kjo premisë, me gjasa përfundimi do jetë po njëlloj.
PD e gatoi vetë “fatin” e saj
Ky fatalitet zgjedhor, historik i PD nuk është rastësi por prirje, rrjedhojë kjo e një zgjedhjeje historike në vitet 90 prej saj. Duke braktisur frymën “të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajtës”, PD refuzoi rrugën e një të djathte moderne perëndimore dhe u pozicionua si forcë e hapur ndaj revanshizmit e populizmit anarkik duke mohuar e shpërfillur mundin e brezave të tërë gjatë luftës Nacional-Çlirimtare dhe ndërtimin e vendit e shtetit më pas.
Me këtë pozicionim të ngutshëm dhe ekstremist në shpërfillje të vetë së djathtës, qendrës apo së majtës së moderuar (në kushtet kur askush nuk kishte monopol në spektrin politik dhe PD kishte mundësi të zgjidhte ndryshe), PD “goditi veten në këmbë”.
PD iu kundërvu shumicës që ishte dhe mbetet e lidhur ngushtë me vlerat e luftës dhe punës gjysmëshekullore më pas. Ajo ngushtoi spektrin e saj zgjedhor dhe zgjodhi të jetë minoritet në shoqëri duke marrë peng jo vetëm vetveten por dhe të djathtën moderne properëndimore që shoqëria aspironte në vitet 90. Sot e kësaj dite, protagonist i kësaj të djathte të sajuar ishte dhe mbetet zoti Berisha dhe rrethi tij ndaj dhe e ardhmja e PD, me apo pa zotin Basha, nuk ka më nevojë hedhë fall.
Vetë 2005 nuk është argument. PD e z. Berisha “nusëruan” për herë të dytë dhe përfundimi ishte po njëlloj. Përjashto 1992 kur u votua për ndërrim sistemi, gjithmonë “fitoret” e tjera të PD e kanë patur një “bisht” pas dhe në PD e dinë këtë.
Ndaj dhe entuziazmi që ka kapluar kupolën e PD nuk është entuziazmi i shpresës për 2025 se e dinë që mbeten humbës historik, por entuziazmi i “tapisë” së partisë dhe protagonizmit të radhës në politikë. Turmat në delir, bllokimet e pritshme të shesheve, loja e tam-tamet mediatike, bllofet në Kuvend etj., janë “arma” e re përballë izolimit ndërkombëtar, një qasje kjo e pritshme nisur nga halli e paniku tek syresh.
6 marsi i dha fund “teatrit” të së djathtës në vend
Por ndërsa lëvizjet në PD në dukje sikur vështirësojnë gjërat në kurriz të zhvillimit demokratik, ato realisht ofrojnë edhe një mundësi reale historike për të djathtën në vend. “Ora” e saj ka humbur shumë kohë deri tani dhe rikthimi i ekipit të vjetër në PD shuan çdo iluzion për reformim të PD në funksion të reformimit të vetë së djathtës më pas.
Kjo natyrshëm e bën ulëritëse nevojën për të ngjizur e sendërtuar gjetiu shtëpinë e së djathtës moderne në vend. Tkurrja e pritshme zgjedhore e PD, deri duke rrezikuar shpërbërje pa kthim, mund të jetë për ironi mundësia e ngjizjes të së djathtës reale në vend.
Nga kjo pikëpamje, edhe largimi i zotit Basha mund të jetë premisë për mirë. Një vijimësi e zotit Basha në krye të PD do të ishte, përveçse një fatalitet për PD dhe agoninë e saj demokratike, edhe një “teatër” i ri i pengmarrjes të së djathtës në vend. Epoka Basha do të ishte një tjetër periudhë e gjatë iluzioni e pengmarrje për të djathtën shqiptare me kosto për zhvillimin demokratik.
Zoti Basha në krye të PD, përveçse inkurajim i bedelizmit, vegjetizmit cinik dhe anonimatit në politikë, do të ishte edhe një klonim i PD së viteve 90. Që njësoj, sërish e sheh historinë bardhë e zi, përgojon luftën e punën e një popullit të tërë, refuzon po njëlloj 29 nëntorin(!) zyrtar, etiketon kundërshtarin si t’a kishte armik, tensionon pa kthim mirëkuptimin social etj. Të paktën 6 marsi ktheu origjinalin dhe me këtë rast i dha fund edhe iluzioneve për një tjetër “teatër” absurd të së djathtës në vend.
Votuesi meriton një opozitë reale dhe shpresëdhënëse përballë një qeverie që luan me dy porta dhe pa kundërshtarë. Do të ishte në dobi të opozitës, së djathtës, demokracisë por dhe vetë PS që e mbetur pa kundërshtarë, mund të ngatërrohet me këmbët e saj!
Për fat të keq, pa një ligj zgjedhor mazhoritar, tregu politik do të vijojë të mbetet i kapur nga oligopolet PS-PD ku votuesi ka pak në dorë. Pa u hapur ky treg dhe pa ofruar kushte për rivalitet real politik, oferta zgjedhore, produkti politik e zhgënjimi qytetar do të rëndojnë më tej shpresën për më mirë në vend.
Por ndërsa PS përjetoi evolucionin e saj politik dhe mbetet deri dikur e hapur ndaj të resë, PD refuzon të ndryshojë duke rrezikuar shpërbërjen në politikë e mbylljen e misionit të saj duke i bërë dëm vetëm vetes se politika vazhdon. Rrënoja e dikujt është themel për një tjetër dhe apeli i së djathtës është mbi atë të PD.

E para PD e pas saj PS po e mbyllin ciklin e tyre… jane parti piramida, iken I pari, behet lemsh se nuk ka te tjere me integritet pas… dikur ishin Pashko, Ceka, Topi… e Agolli, Pellumbi, Dokle, Ruci etj matane. Sot jane vetem Berisha e Rama me bishta… sa per Bashen, asnje vlere bile me keq se nuk ka fare dinjitet e eshte politikan plasteline. Prandaj me shpresa do dalin parti te reja ku eshte ekipi e jo lideri I forte
1. Pse PD-ja eshte parti e djathte?
2. Pse PS-ja eshte parti e majte?
3. Shpresoj se Artan Duka do na sqaroje ne nje artikull tjeter.
4. Per tete vjet, bazuar ne “premtimet pa fund” qe i jane bere elektoratit nga Basha me rezulton se PS-ja ka qene ne krakun e djathte te PD-se.
5. Nga tendencat e PD-se per “nje puch me pambuk”, pra “ta lodhim ullirin deri sa ta kapim” apo “ta lodhim elektoratin” deri sa populli t’ja jepte pushtetin “PD-se” edhe pse ajo e dorezoj edhe ate “pak pushteti qe kishte duke u terhequr nga parlamenti”, arrij ne perfundimin:
6. Basha qe perfaqesonte “…???…” po besonte se kishte fuqi magjike per te bere mrekullira te cilat i “permendete gjithmone” ne fjalimet e tija.
7. Me vjen keq kur shikoj se si shume individe shpresojne se po ato qe gjeneruan kaosin per 30 vjet te vine prap ne fuqi dhe te meremetojne shkaterrimet qe i kane bere Shqiperise.