Gjermania dhe Franca kanë ndërmarrë një nismë të përbashkët në kuadër të Procesit të Berlinit i cili synon të mbështesë gjashtë vendet e rajonit, që deri në vitin 2025, të kenë reduktuar në mënyrë të ndjeshme tregtinë e paligjshme të armëve të vogla dhe të lehta.
Raporti i fundit i Zyrës për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Europën Jug- Lindore dhe Lindore (SEESAC, South Eastern and Eastern Europe Clearing House for the Control of Small and Light Weapons) vlerëson se në Ballkanin Perëndimor (BP) ka rreth 6 milionë armë të vogla dhe të lehta që janë në duar të popullsisë në mënyrë ilegale. Nisma franko-gjermane është miratuar nga kryeministrat e BP në samitin e Londrës në korrik dhe muajt e fundit me konferenca kombëtare në kryeqytetet e BP.
Përfaqësues të qeverisë gjermane dhe asaj franceze, në konferencën e zhvilluar së fundmi, prezantuan emergjencën e vënies nën kontroll efektin të arsenalit të armëve të vogla dhe të lehta përmes bashkëpunimit të ngushtë me qeverinë e Tiranës dhe koordinimit të donatorëve ndërkombëtar.
Armët rrezik për sigurinë rajonale dhe atë europiane
Marcus Bleinroth, Drejtor në Drejtorinë për Kontrollin e Armëve Konvencionale pranë Ministrisë Federale Gjermane të Punëve të Jashtme tha, se qëllimi i nismës franko- gjermane është “më shumë siguri për rajonin, më shumë siguri për BE”. “Armët e përdorura në sulmin terrorist në Bataclan, në Francë, në janar 2015, e kishin origjinën nga BP. Prandaj synojmë të reduktohet në maksimum trafiku i paligjshëm i armëve të vogla dhe të lehta, të mblidhet gjithë stoku i armëve të tilla, që fenomeni të mos bëhet pengesë në procesin e pranimit të vendeve të BP në BE”, theksoi Marcus Bleinroth.
Armët në duar të organizatave terroriste dhe krimit të organizuar
Gjashtë milionë armët ilegale në BP kërcënojnë sigurinë e të gjithëve. Jean-Claude Brunet, Ambasador Special për Rrezikun nga Krimi Ndërkombëtar dhe Luftën kundër Trafikimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta, në Ministrinë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme, u shpreh në konferencën e Tiranës se këto armë janë “në duar të organizatave terroriste, krimit të organizuar, ato shkaktojnë viktima të dhunës në familje dhe viktima në komunitetet e qytetarëve”.
“Nisma franko-gjermane për të mbledhur gjithë stokun e armëve të vogla dhe të lehta që zotërohen në mënyrë ilegale është novatore, pasi mbështetet në koordinimin e mbështetjes së donatorëve si NATO, BE, OSBE, OKB dhe partnerëve të ndryshëm dhe po zbatohet në frymën europiane dhe atë të bashkëpuimit mes BE dhe BP”, theksoi Jean-Claude Brunet.
Zbatim i nismës në nivel rajonal dhe kombëtar
Nisma franko- gjermane po zbatohet në nivel rajonal dhe kombëtar. Në nivel rajonal është hartuar tanimë një udhërrëfyes me objektiva të matshme për reduktimin e tregtisë së paligjshme të armëve të vogla dhe të lehta, të cilin kryetarët e shteteve të Ballkanit e kanë miratuar në Samitin e Londrës, në korrik të këtij viti. Në nivel kombëtar do të mbahen konferenca kombëtare nën kryesinë e Gjermanisë dhe Francës për të koordinuar punën e autoriteteve kombëtare me donatorët ndërkombëtare. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Fatmir Xhafaj, i pranishëm në konferencë tha, se në Shqipëri mbledhja e stokut të armëve të vogla dhe të lehta është një emergjencë. “Hapja e depove shtetërore të armëve gjatë trazirave të vitit 1997, kalimi i armëve në duart e qytetarëve dhe të grupeve kriminale ka prodhuar në 20 vitet e fundit dhe vazhdon të prodhojë humbje jetësh dhe zhvillim të tregut të armëve”, theksoi Ministri Xhafaj.
Ai bëri me dije, se në tre mujorin e parë të vitit 2019 në Shqipëri, do të ngrihet njësia qendrore e kontrollit të armëve të vogla dhe të lehta për të mbledhur ato që zotërohen në mënyrë ilegale. Rreth 60% e armëve të lehta dhe të vogla janë ende jashtë kontrollit në Shqipëri.
M.H/ Dita
