Shifrat e para të bilanceve fiskale e financiare shtetërore për periudhën janar-qershor 2013 janë të frikshme. Fushata zgjedhore e ka shthurur buxhetin e shtetit, duke e sjellë në pikën më të keqe që nga viti 1997. Niveli i shpenzimeve është tejkaluar me rreth 157 për qind, duke sjellë një deficit buxhetor prej më shumë se 46 miliardë lekësh, ose rreth 340 milionë euro. Për 6 muajt e parë të vitit, të ardhurat totale që mbushin arkën e shtetit janë rreth 100 milionë euro më pak sesa plani. Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat kanë krijuar një deficit prej më shumë se 118 milionë euro.
Të gjithë zërat e të ardhurave, TVSH, akciza, dhe tatim-fitimi janë me rënie, duke rrezikuar ndjeshëm arkën e shtetit. Por qeveria, para fushatës, nuk ka bërë asgjë për të frenuar këtë situatë. Në të kundërt, financat kanë vijuar të përmbushin kërkesat populiste për investime para zgjedhjeve. Duke kryer një harakiri, vetëvrasje financiare dhe ekonomike. Në kohën kur buxhetit i mungonin 100 milionë euro, investimet dhe shpenzimet e tjera jo vetëm që nuk janë frenuar, por janë tejkaluar. Rezultati është i thjeshtë: qeveria, edhe pse ka marrë paratë e privatizimit të 4 HEC-eve(që normalisht duhet t’i kthente në investime, e jo për të mbushur vrimat e krijuara) , sërish ka ezauruar pothuajse të gjithë limitin vjetor për borxh të brendshëm. Për herë të parë deficiti është më i lartë se sa investimet, duke hedhur poshtë zotimet e qeverisë se po i rrit rrogat e pensionet publike nga të ardhurat, duke marrë para borxh vetëm për investime.
Defiçiti 6-mujor ishte 46 miliardë lekë, ndërkohë që investimet janë 36 miliardë lekë. Rreth 100 milionë USD borxh apo të ardhura nga shitja e HEC-eve janë përdorur për shpenzime të tjera, ku bëjnë pjesë edhe pagat. Rritja e pagave dhe pensioneve kërkon shtesë vjetore fondi prej të paktën 2.5 milionë euro. Kjo rritje urojmë të jetë marrëzia e fundit fiskale e qeverisë në ikje. FMN dhe Banka Botërore janë shprehur të befasuara nga rritja e pagave dhe pensioneve në një kohë mosrealizimi të fortë të ardhurash buxhetore. Në gjysmën e parë të këtij viti, qeveria ka mbledhur vetëm 92 për qind të të ardhurave që kishte parashikuar.
Në rast se ecet me këtë ritëm, nga 360 miliardë lekë që janë parashikuar të mblidhen, ka shumë mundësi që të arkëtohen rreth 29 miliardë lekë më pak, ose rreth 258 milionë euro më pak. Ky mosrealizim ka aftësi të shkatërrojë Buxhetin e Shtetit. Nëse llogarisim edhe shkrehjen totale të administratës tatimore e doganore, që po ndodh pikërisht këto ditë, e më shumë gjasa, do të vijojë deri me 7 shtator 2013, defiçiti në të ardhura mund të shkojë edhe 300 milionë euro. Qeveria në ikje, e dëshpëruar nga mungesa e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, ka marrë nga Banka e Shqipërisë më shumë se 75 për qind të dividentit. Banka qëndore po zhvillon urgjentisht këto ditë ankande pas ankandesh për t’i dhënë borxh qeverisë në lekë dhe euro. Duke tejkaluar çdo plan dhe parashikim.
Këto borxhe të marra rrëmbimthi e në urgjencë maksimale duken si bombola oksigjeni për një qeverisje në asfiksim të plotë financiar. Nuk ka shumë individë të blejnë borxhin qeveritar, por shyqyr që janë bankat e nivelit të dytë, që me depozitat plot, nuk japin kredi për ekonominë, bizneset dhe qytetarët por kreditojnë qeverinë, me rrezik gati zero. Ja përse nuk shpall falimentin kjo qeveri në ikje. E shpëton vetëm sistemi bankar shqiptar i tejmbushur në likuiditete dhe një bankë qëndrore tejet konformiste me pushtetin e anulluar nga vota popullore e 23 qershorit.

Kane kaluar po thuaj 50 vjet te konvertimit te Lekut te Ri me ate te para viteve ’64 ! Ne Kartemonedhave (500) u themi (5000),jo vetem?! Eshte CUDI qe brenda cdo shkrimi-analize, shprehen Lek, Euro, Dollar! Ne Shqiperi , Monedha Kombetare eshte LEK-u !!!