Marta Burda kujtohet sidomos në rolin e nënës duke i dhënë gjithë dashurinë dhe ëmbëlsinë e saj, ndërsa Todi Thanasi kujtohet ende për përshtatjen e rolit me psikologjinë vendase. Që prej janarit 1953 teatri i Durrësit ka sjellë shumë role të preferuara
Trupa e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Durrësit po mbush 60 vjet që kur është krijuar. Bujar Qesja, ish-drejtor i këtij institucioni, thekson se ky teatër nuk ka lindur në një tokë djerrë. Sipas tij, teatri në qytetin e Durrësit e ka zanafillën që në vitet e para të shekullit XX dhe u pasua nga shfaqje të tjera pas Luftës së Parë Botërore, rreth viteve 1923-1924.
Në fundin e viteve ‘40, teatri mori tjetër fytyrë. Nga viti 1945 – 1953 u përgatiten 36 premiera, të cilat u shfaqen 281 herë, duke tërhequr rreth 109 180 spektatorë. Ky angazhim solli më pas natyrshëm krijimin e teatrit profesionist të Durrësit, më 11 janar 1953. Ai u pagëzua me emrin e aktorit të madh me famë botërore dhe origjinë shqiptare Aleksandër Moisiut. Në të kanë debutuar mjaft aktorë të shquar e me talent, që bënë që ky teatër të vlerësohej mjaft në jetën artistike të vendit tonë dhe jashtë tij. Shumë prej tyre tashmë janë larguar nga jeta. Por kanë mbetur të gdhendur në kujtesën artistike të brezave për kontributin që dhanë. Mes tyre po sjellim për lexuesin e gazetës “Dita”: Marta Burdën dhe Todi Thanasin, të cilet do të pasohen me emra të tjerë në pragun e 60 viteve të themelimit të teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.
Todi Thanasi, aktori që u shua shpejt
Në vitet e para të pas luftës, atëherë kur pak kush e kishte mendjen për shfaqje teatrore dhe jetë kulturore, disa të rinj durrsakë ngritën në këmbë grupet amatoriale të qytetit. Në moshë fare të re dhe pa asnjë përvojë, por vetëm me dëshirën e mirë dhe pasionin për interpretimin aktorial apo të kënduarit, ata i dhanë jetë shumë shfaqjeve të vëna në atë kohë në skenë në ish-kinemanë “14 Nëntori”, sot pallati i kulturës.
Në vitet ‘47-‘52 u përgatitën 36 premiera shfaqjesh të ndryshme, ndërkohë që viti 1953 shënoi vitin e krijimit të trupës profesioniste të teatrit të Durrësit. Ndërmjet shumë të rinjve që në atë kohë nisën të personalizoheshin me rolet e dramaturgjisë shqiptare dhe asaj të huaj, kryesisht sovjetike dhe kineze, si Nikolin dhe Meropi Xhoja, Teodor Rupi, Spiro dhe Vera Urumi, Vangjel Heba, Lufti Hoxha etj., spikat edhe emri i Todi Thanasit.
I biri, Gjergji, kur kujton rrëfimet e të atit për ato vite të para të angazhimeve skenike, thotë se Todi i ishte futur rrugës së artit nga pasioni që kishte për të interpretuar pjesë të ndryshme letrare. Pastaj në ato vite artisti kishte një status të privilegjuar dhe të rinjtë e shihnin si një pasion që shumë shpejt u kthye në profesion. Pas krijimit të trupës profesioniste aktorët amatorë nisën të arsimoheshin. Disa prej tyre u dërguan për studime në Bashkimin Sovjetik, ndërsa të tjerët ndoqën liceun artistik në Tiranë. Vetëm vite më vonë, pas hapjes së Institutit të Lartë të Arteve, artistët vazhduan studimet e larta në vendin tonë.
Si një ndër të parët artistë të grupeve amatore, Todi u bë menjëherë pjesë e trupës profesioniste të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Me komedinë “Prefekti”, një nga pjesët më shumë të interpretuara të repertorit të grupeve amatoriale dhe më pas trupës profesioniste, Todi udhëtoi nëpër shumë kantiere ndërtimi, reparte ushtarake, kooperativa e hidrocentrale në mbarë vendin. Së bashku me mikun e tij, Nikolin Xhoja, që luante rolin e prefektit, Todi zhvilloi në këtë komedi një personazh shumë interesant, atë të shërbëtorit Lija, duke krijuar kështu një dyshe që është duartrokitur kudo. Ndërkohë nga adhuruesit e teatrit të atyre viteve, Todi kujtohet nga personazhi i Sokratit, emigrantit nga Amerika, në dramën “Mulliri i Kostë Bardhit”. Regjisor i kësaj pjese ka qenë i mirënjohuri Pandi Stillu, regjisori më i preferuar i Todit, siç rrëfen i biri.
“Todi ka ditur gjithnjë t’i përshtasë personazhet e pjesëve ku ka interpretuar me tiparet dhe psikologjinë e banorëve vendas. Kjo ka qenë si të thuash një përthyerje mjaft mjeshtërore e shumë veprave të huaja, personazhet e të cilave mund të mbeteshin hermetikë, po të mos kalonin nën prizmin e një përshtatjeje artistike drejt realitetit shqiptar”, thonë miqtë e tij.
Pjesët teatrore
Në vitet ‘60 në teatrin e Durrësit u bënë investime mjaft të rëndësishme. U fut teknologjia gjermano-lindore, aparaturat ishin mjaft cilësore, skena ishte e rrotullueshme, ndërkohë që një pjesë e mirë e trupës tashmë kishte mbaruar studimet jashtë vendit ose në Tiranë, kështu që dhe niveli i interpretimit artistik dhe ai regjizorial ishin përmirësuar ndjeshëm. Megjithëse pjesa më e madhe e repertorit të teatrit përbëhej nga dramaturgjia sovjetike apo ajo kineze, nuk munguan të viheshin në skenë edhe vepra të Shekspirit, Molierit, Korneit, Millerit etj. Në ato vite, megjithëse niveli i indoktrinimit të popullatës drejt parimeve të marksizëm-leninizmit, diktaturës së proletariatit, luftës së klasave dhe recetave të revolucionit të madh kulturor kinez ishte shumë i lartë, u realizuan shfaqje mjaft cilësore dhe publiku durrsak u njoh krahas veprave të autorëve sovjetikë apo kinezë, edhe me disa nga pjesët më të mira të klasikëve botërorë. Kjo gjë nuk vazhdoi për një kohë të gjatë pasi në vitin 1966 mbas kongresit të Pestë të PPSH-së u spastrua repertori i teatrit nga drama e komedi të huaja me përjashtim të atyre kineze.
Todi Thanasi ka interpretuar një numër të konsiderueshëm shfaqjesh teatrore të dramaturgëve sovjetikë apo atyre kinezë. Përmendim këtu pjesët “Ishulli i paqes”, komedia “Një ditë pushime”, dramat “Nderi i familjes”, “Era e lirë”, “Martesa e Gogolit”, rolin e shokut Pin në dramën “Brezi i ri” i autorit kinez Y Cen etj. Në të njëjtën kohë ai ka interpretuar role të ndryshme në pjesët e dramaturgëve shqiptarë, si “Dasma e madhe” e Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës në rolin e Vehapit, “Fejesa me ngatërresë” e Sami Vaqarrit, “Prapa lumenjve” me regji të Sokrat Mios, “U mbyt gjemia” me regji të Gjergj Vlashit etj.
Krahas karrierës në teatrin profesionist të Durrësit, Todi Thanasi ka interpretuar role të ndryshme në disa nga prodhimet kinematografike të kinostudios “Shqipëria sot”. Këtu përmendim filmat “Vitet e para”, “Plagë të vjetra”, “Komisari i dritës”, “Balonat” etj.
Thanasi si regjisor dhe dramaturg
Krahas interpretimit të shumë roleve në teatër, Thanasi është marrë edhe me regjizurën e pjesëve teatrale që janë vënë në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Kryesisht këto vepra kanë qenë të dramaturgëve sovjetikë, të vetmit që arrinin të çanin perden e hekurt të regjimit të kohës. Todi ka bërë regjinë e dramës “Invadimi” të autorit sovjetik L. Llomov, “Biri i humbur” i E. Ranet, etj.
Një vend të rëndësishëm në karrierën artistike të Thanasit zë edhe krijimtaria e tij letrare. Kështu i biri, Gjergji, thotë se Todi ka shkruar dy drama: “Çika e Dukagjinit” dhe “Komandanti i guerrilëve”. Të dyja dramat janë bazuar në jetën e dy personazheve mjaft të njohur për publikun e asaj kohe. Historia tragjike e Shkurte Pal Vatës, e cila humbi jetën në një kantier për ndërtimin e hekurudhës, e zënë përfund nga dheu, i shërbeu Todit si shtysë për të shkruar dramën e tij.
Ndërkohë, figura e Vojo Kushit, heroizmi i të cilit ishte përjetësuar në shumë libra historie dhe vepra të ndryshme që flisnin për luftën nacional çlirimtare, shërbeu si personazh kryesor për dramën e dytë të shkruar nga artisti durrsak. Në vitet e fundit të jetës, kur vuante nga zemra, ai u tërhoq nga interpretimi, por nuk u nda nga teatri. Vazhdoi të punonte aty për mirëmbajtjen e arkivit të sa e sa veprave që ai dhe shumë kolegë të tij kishin interpretuar gjatë atyre viteve. Në shkurt të vitit 1982 u nda nga jeta duke lënë pas kujtimin e një njeriu dhe artisti që i dha shumë qytetit të tij.
Miqtë për Todin
Todi Thanasi ka qenë një aktor që është shuar shumë shpejt, por miqtë e tij e kanë vlerësuar së pari si njeri dinjitoz në marrëdhënie me njerëzit, si dhe mjaft kërkues për rritjen e shkallës së aktrimit. Personazhet ai i realizonte duke studiuar me parë rolin në kontekst të vendit nga ishte me origjinë personazhi që do të interpretonte artistikisht, duke e përshtatur atë më pas me tiparet dhe psikologjinë e banorëve vendas. Kjo ka qenë si të thuash një përthyerje mjaft mjeshtërore e shumë veprave të huaja personazhet e të cilave mund të mbeteshin hermetike, po të mos kalonin nën prizmin e një adoptimi artistik drejt realitetit shqiptar. Ai të bënte për vete me lojën e tij njerëzore e plot kolorit. Vlen për t’u përmendur koha kur është vënë në skenë vepra dramatike “Mulliri i Kostë Bardhit” i shkrimtarit Naum Prifti.
Salla e teatrit “Aleksandër Moisiu” ka qenë vazhdimisht plot, por ajo që ishte e veçantë ishte se spektatorët nuk ishin vetëm të moshës së aktoreve ose të moshës së mesme, por ajo ishte e mbushur nga plot të rinj. Madje, jo vetëm gjimnazistë, por edhe të shkollave 8-vjeçare të asaj periudhe, të cilët rrinin mjaft urtë duke ndjekur si të hipnotizuar lojën aktoriale të një tresheje mjaft të njohur në atë periudhë: Todi Thanasi, Nikolin Xhoja dhe Teodor Rupi.
Dialogët brilantë në pastërtinë e zërit, si dhe tekstet e ndërthurura me një kolorit të rrallë kanë bërë që kjo vepër, e interpretuar nga këta aktorë, të kujtohet vazhdimisht. Tashti që të tre janë larguar nga jeta, duket sikur përsëri nxjerrin njëri-tjetrin nga humnerat e harresës, për të qenë të pranishëm me artin e bukur që i dhuruan banorëve të qytetit të tyre të dashur.
Marta Burda, nëna e vërtetë shqiptare
“Marta Burda ishte një artiste shumë e zonja, një femër që diti të interpretojë në mënyrë mjaft realiste rolet e nënave shqiptare, një grua shumë e bukur, e për më tepër një aktore që nuk u shkëput asnjëherë nga teatri dhe kinematografia”. Kështu do t’i fillonte kujtimet e tij për Martën ish-drejtori i teatrit “Aleksandër Moisiu” deri në fund të viteve ‘90 dhe poeti i njohur durrsak, Bardhyl Agasi.
“Megjithëse kishte dalë në pension, shpirti i saj vazhdonte të jetonte me teatrin. Marta ishte si një nënë për aktoret e reja dhe nuk lodhej asnjëherë duke i mësuar, duke i qëndruar afër, duke u dhënë këshilla të vlefshme”, kujton Agasi. E lindur në Korçë në 20 korrik 1926, karrierën e saj si aktore Marta Burda e nisi që herët, në moshë fare të re. E rritur në një ambient me nivel mjaft të lartë kulturor; gjyshi i saj ishte atdhetari dhe akademiku Nikolla Naço, i ati Vani Burda ishte një fotograf shumë i njohur në qytetin e Korçës, poeti dhe atdhetari Hil Mosi ishte kumbari i saj, ndërsa Lasgush Poradeci dhe Kristaq Antoniu ishin miq të familjes, Marta u pikas që e vogël për talentin e saj në interpretim.
Edhe pse ishin ende vitet para Luftës së Dytë Botërore dhe në Shqipëri mbizotëronte mentaliteti që femrën e shihte vetëm brenda katër mureve të shtëpisë, korçarja e bukur pati mundësi të shkonte në Tiranë dhe me ndihmën e kumbarit të saj ndoqi studimet në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, ku mori një kulturë të mirë për kohën. Ky duket se ishte hapi i parë që hodhi Marta për të dalë nga kornizat e ngurta të shoqërisë së asaj kohe, drejt emancipimit të saj dhe të shumë brezash grash, që shoqëria patriarkale shqiptare i shihte vetëm në rolin e grave dhe nënave.
Angazhimet e saj në grupet amatore do të fillonin gjatë viteve të luftës. Veterani Dhimitër Koço Grameno kujton: “Në shtator 1943 organizuam një grup të vogël artistik. Midis pjesëmarrësve dhe ndër më të dalluarat ishte Marta, e cila më vonë u bë një artiste e denjë e teatrit shqiptar”. Duket se rruga e korçares ishte shenjuar dhe ajo ishte mjaft e vendosur ta ndiqte atë. Pas çlirimit të vendit, ajo do të ishte ndër aktoret themeluese të teatrit të shtetit që u ngrit në vitin 1945.
Bukuria e korçares brune, me sytë e mëdhenj e të thellë, e ndërthurur me interpretimin mjaft dinjitoz do të ishin magnet për publikun, që gjithnjë ka duartrokitur lojën e saj artistike. Në ato vite ajo interpretoi në disa drama si: “Për ata që janë në det”, “Procesi i Lajpcigut”, “Borgjezi fisnik” etj. Ajo interpretoi krahas aktorëve të mëdhenj të skenës shqiptare, si: Mihal Popi, Naim Frashëri, Liza Vorfi, Marie Logoreci etj.
Edhe pse ishte në fillimet e karrierës së saj, gazeta “Albanezul” që dilte në Bukuresht të Rumanisë do të shkruante në vitin 1945 një artikull për të. “Marta Burda, mbesa e Nikolla Naços, princeshë e teatrit dhe kinematografisë shqiptare”, shkruhej në titullin e artikullit, ndërkohë në shkrim nënvizohej se Marta “kishte një zë të ëmbël, me nuanca, që i jepnin shpesh kolorit recitativ”.
Por pjesën më të madhe të karrierës së saj artistike Burda do ta zhvillonte në teatrin “Aleksandër Moisiu”. “Erdhi në Durrës vetëm një vit pasi ishte krijuar teatri profesionist, atëherë kur ishte 28 vjeçe dhe e kaloi thuajse gjithë jetën e saj në skenë. Ajo do të përbënte së bashku me Nikolin Xhojën, Vangjel Hebën, Spiro e Vera Urumin, Lutfi Hoxhën etj. brezin e parë të aktorëve që i dhanë jetë skenës së teatrit të Durrësit”, thotë Bardhyl Agasi.
Ndërkohë, studiuesi Josif Papagjoni, në enciklopedinë “Teatri dhe kinematografia shqiptare” shkruan për Burdën: “Në skenën e teatrit të Durrësit ka mishëruar shumë figura artistike, kryesisht role grash e nënash të dhimbsura, të buta, shpirtbardha, por edhe ankuese, të shqetësuara, me një dashuri të thellë e të heshtur për bijtë e tyre në hall, si në shfaqjet Mbreti Lir, Pulëbardha, Mulliri i Kostë Bardhit, Kartela e verdhë, Mirë se erdhe Elona, Dorina etj. Ky lloj tipi erdhi duke u përkryer në aktrimin e saj të ngrohtë, i pasuruar edhe me prurje të tjera, kryesisht me figura grash të paqme, me dinjitet, qëndrestare…”.
Pikërisht në rolet e nënave, Marta korri duartrokitjet më të zjarrta të publikut. Emocionet e forta që përcillte Marta përmes interpretimit të saj, i nënvizon edhe drejtoresha e bibliotekës publike të Durrësit, Flora Dervishi, e cila kujton se ndërsa aktorja interpretonte një poezi të saj, “Një vit pas eksodit”, shumë nga zonjat e pranishme në takim u përlotën. Sipas Dervishit, ky ishte interpretimi i fundit i Martës, aktores që iu përkushtua teatrit me mish e me shpirt si shumë aktorë të tjerë të brezit të saj.
“Muajin e fundit para se të ndahej nga jeta, kur ndodhej e shtruar në spital, ajo vazhdonte të ishte sërish e fortë, po grua e vendosur që e njihja prej kohësh. Ndërsa e kishte kuptuar se po jetonte ditët e fundit të jetës, përpiqej të ishte e fortë për vajzën e saj, Rebekën, dhe dy mbesat e dashura.
Marta ishte një gjyshe mjaft e dashur dhe në vitet e fundit unë e mbaj mend përherë nën shoqërinë e mbesave të saj që vazhdonin studimet në shkollën e muzikës “Jan Kukuzeli”. Ajo i inkurajoi ato drejt rrugës së artit, ashtu siç kishte bërë me shumë artiste të reja”, thotë Agasi.
Por krahas dashurisë së madhe për të afërmit e saj në të njëjtën kohë Marta ishte mjaft e dashur dhe e afruar me njerëzit. Pas çdo shfaqjeje ajo nuk nguronte t’i pyeste të njohurit dhe jo vetëm sesi u ishte dukur interpretimi i saj dhe dëgjonte me mjaft vëmendje qoftë kritikat, qoftë edhe fjalët e mira. Disa nga rolet e saj më të spikatura janë Ana Valter, Mis Elisa, Katerina Ivanovna, Irina Pavllovna, Nica, nëna kosovare etj.
Por krahas teatrit, një pjesë e mirë e karrierës së Marta Burdës është zhvilluar në kinematografi. Edhe në ekranin e madh të kinemasë, ashtu si në teatër, Burda është shfaqur kryesisht në rolin e nënave tek filmat: Zani Partizani, Balonat, Në shtëpinë tonë, Agimet e stinës së madhe, Zëvendësi i grave etj. Pas plot 50 viteve në skenë, Marta Burda numëron rreth 150 role në teatër dhe kinematografi. “Por krahas talentit të saj artistik Marta Burda dha shumë gjatë jetës së saj edhe në drejtim të emancipimit të gruas shqiptare. Me shembullin e saj ajo inkurajoi mjaft femra drejt rrugës së artit, në një kohë kur shoqëria shqiptare ishte mjaft e mbyllur dhe mentaliteti patriarkal rëndonte mjaft mbi kurrizin e grave shqiptare”, thotë Agasi.
Marta Burda u nda nga jeta në vitin 1995, në moshën 69-vjeçare.
Për kontributin e saj shumëvjeçar në skenën shqiptare Presidiumi i Kuvendit Popullor i dha në 15 shtator 1988 titullin “Artiste e Merituar”. Ndërkohë në vitin 2003, Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit i akordoi titullin “Qytetar nderi” me motivacionin: “Një nga aktoret e para të Shqipërisë që ka themeluar Teatrin Kombëtar, vajzë e një prej familjeve më të vjetra e patriotike të qytetit të Korçës. Ka interpretuar me nivel dhe talent të rrallë mbi 150 role kryesore në skenën shqiptare nga fillimet e veprimtarisë artistike në grupet e rinisë antifashiste (shtator 1943) e gjatë më shumë se 50 viteve duke dhënë figura të paharruara artistike në teatër e kinematografi”.